Nga Dr. Gent CARRABREGU
Në shkencat politike është i mirënjohur një ligj që mban emrin e sociologut amerikan William Gamson. I njohur si ligji i Gamsonit, ky ligj formulon një rregullsi empirike që është dëshmuar relativisht e qëndrueshme në negociatat për formim koalicionesh qeveritare gjithandej demokracive parlamentare, sidomos në rastin e demokracive të Evropës perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Ligji parashikon që në demokracitë parlamentare ndarja e portfoliove ministrore do të jetë në proporcion me numrin e karrigeve parlamentare të partive pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar. Për ta marrë një shembull ilustrues, nëse një parti ka 20 përqind të karrigeve në parlament, sipas këtij ligji pritet që ajo të marrë përafërsisht 20 përqind të ministrive në kabinetin qeveritar. Kjo rregullsi shkelet nganjëherë në rastin e partive të vogla me kapacitetin për të qenë king-maker. Në ato raste, aso partish tentojnë të marrin numër portfoliosh ministrore në shpërputhje me përqindjen e karrigeve në parlament (një shmangie e ligjit që vetë Gamsoni e kishte pranuar; shih grafikun në vijim). Përveçse një rregullsi empirike deri diku e qëndrueshme, ky ligj ka edhe një përmbajtje normative, duke qenë se nënkupton edhe një standard fer për negocim koalicionesh qeveritare.

Figura 1: Shpërndarja e portfoliove ministrore në Evropën perëndimore në periudhën 1945-2000. Boshti horizontal i grafikut shënjon hisen e karrigeve parlamentare të një partie pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar. Boshti vertikal shënjon hisen e portfoliove ministrore. Drejtëza paraqet proporcionalitetin e përsosur, kurse pikat janë observimet nga koalicionet qeveritare në Evropën perëndimore për periudhën 1945-2000.
Le ta shqyrtojmë pak ofertën e djeshme të Kryeministrit Kurti nga pikëvështrimi i kësaj rregullsie empirike të njohur si ligji i Gamsonit. Siç dihet, dje Kurti i bëri LDK-së (partisë së tretë në vend) një ofertë tejet bujare për bashkëqeverisje, paçka që kjo nuk është një king-maker në situatën politike në të cilën ndodhet Kosova pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Për çfarë shproporcionaliteti po flasim? Nga 120 karrige të Kuvendit tonë, LDK-ja ka 15 sosh. Kjo i bie 12.5 përqind të karrigeve. E megjithatë, Kurti i ofroi asaj 4 nga 19 ministri të kabinetit qeveritar, që i bie përafërsisht 21 përqind të kabinetit qeveritar. Pra përafërsisht 8 përqind më shumë se ç’parasheh ligji i Gamsonit. Nëse do ta llogarisnim edhe postin e zëvendëskryeministrit si portfolio të veçantë, shproporcionaliteti do rritej edhe më tutje. Ky devijim nga ligji i Gamsonit edhe do mund të ishte i kuptueshëm sikur të bëhej fjalë për një parti të vogël në rolin e king-maker-it. Por siç dihet, Kurti tashmë është Kryeministër i një kabineti qeveritar me mbështetjen e një shumice parlamentare të qëndrueshme prej 66 votash. Ai nuk ka kurrfarë nevoje për votat e LDK-së për të qeverisur me vendin.
Përgjigjja refuzuese e LDK-së ishte e shpejtë dhe e pamenduar, ndonëse nga një pikëvështrim i caktuar jo krejt e paarsyeshme. Të nisim nga kjo e fundit. Pse nuk ishte krejt e paarsyeshme përgjigjja refuzuese e LDK-së? Arsyeja ka të bëjë pikërisht me atë që e thashë më sipër: në një koalicion bashkëqeverisës me LV-në, LDK-ja do ishte partneri i tepërt. Kjo do të thotë që sapo të zgjidhej çështja e presidentit, Kurti do të mund ta largonte LDK-në nga Qeveria pa e humbur shumicën parlamentare që i nevojitet për të vazhduar qeverisjen. Dikush mund të thoshte që kjo do të zgjidhej kollaj me një marrëveshje me shkrim ku Kurti do premtonte që nuk do të ndërmerrte një hap të tillë. Por sa i besueshëm mund të ishte një premtim i tillë, kur dihet që LDK-ja nuk do kishte kurrfarë mjeti kontrolli mbi Kurtin kryeministër të një Qeverie me vota të tepërta (66) edhe pa ato të LDK-së? Ky është pikërisht ai që në shkenca shoqërore njihet si problemi i premtimit të (pa)besueshëm. Një situatë e këtillë haset në marrëdhëniet shoqërore sa herë që kemi të bëjmë me dy palë apo aktorë me fuqi asimetrike përkundrejt njëri-tjetrit, ku pala më e fuqishme i bën një premtim palës më pak të fuqishme, zbatimi i të cilit është krejtësisht në vullnetin e lirë të palës së fuqishme, duke qenë që pala më e dobët nuk zotëron asnjë mjet për ta detyruar mbajtjen e premtimit të dhënë.
Megjithëse e kuptueshme nga ky këndvështrim, përgjigjja e LDK-së është megjithatë e paarsyeshme, vështruar gjithë nga pikëvështrimi i interesave të saj. Nëse LDK-ja ka synim të rritet vazhdimisht dhe sa më qëndrueshëm (synim i vetëkuptueshëm i çdo partie politike), atëherë në situatën në të cilën ndodhemi zgjedhja e saj racionale do ishte njëra nga këto të dyja: (1) të ndihmojë në krijimin e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit të vendit pa kërkuar asgjë në këmbim; ose (2) të pranojë ofertën bujare të Kryeministrit Kurti për bashkëqeverisje. Të dyja këto janë zgjedhje shumë më të favorshme për të sesa refuzimi i çfarëdo bashkëpunimi dhe shkuarja në zgjedhje në qershor të këtij viti. T’i marrim me radhë.
Nëse do bënte zgjedhjen e parë, LDK-ja do tregonte respekt ndaj vendimit popullor të 28 dhjetorit 2025 që e la atë jo vetëm partinë e tretë por edhe e tkurri tutje brenda një harku kohor prej përafërsisht dhjetë muajsh (9 shkurt—28 dhjetor 2025). Ky respekt do të sinjalizonte që LDK-ja ka ndërmend t’i bindet vullnetit të sovranit dhe të reflektojë duke i riorganizuar radhët e veta për zgjedhjet e ardhshme. Duke e lënë gjithë pushtetin në dorën e Kurtit (Kuvend, Qeveri, Presidencë), në zgjedhjet e ardhshme përgjegjësia për dështimet qeverisëse do ishte kryekëput e Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo e ndarë me LDK-në. Kjo do i mundësontë kësaj të fundit hyrje në fushatën e ardhshme pas katër vjetësh pa kurrfarë barre të përgjegjësisë qeverisëse. Duke mbetur në opozitë, gjatë katër viteve të ardhshme LDK-ja do të përqendrohej në bërjen e një opozite konstruktive por të fortë, duke synuar kështu rifitimin e besueshmërisë tek elektorati kosovar, marrë parasysh pikën pashembullësisht të ulët në të cilën ka rënë kjo besueshmëri.
Nëse do të bënte zgjedhjen e dytë, LDK prapë do të sillej si një aktor i arsyeshëm që di ta definojë dhe ta mbrojë interesin e vet, ani se, në pikëpamjen time, zgjedhja e parë e dominon këtë të dytën. Në rastin e pranimit të ofertës bujare të Kryeministrit Kurti, LDK do gëzonte privilegjet e pushtetit gjatë katër viteve të ardhshme, por me këtë do të bartte edhe pasojat e dështimeve eventuale. Sidoqoftë, nëse ministrat e saj do të shquheshin për punë të mira, kjo do ta rriste kredibilitetin e LDK-së, sidomos nëse ata ose ato do të tregonin rezultate mesatarisht më të mira se dikasterët e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Duke e parë këtë bashkëpunim të suksesshëm me LV-në, në zgjedhjet e ardhshme elektorati kosovar do mund ta promovonte LDK-në në një partner diç më të madh e më të rëndësishëm se ç’është tani. Në rast të një suksesi ndjeshëm më të mirë se dikasterët e udhëhequr nga LV-ja, rezultati do të mund të ishte akoma më i mirë.
Rruga më e paarsyeshme është kjo për të cilën duket se ka vendosur lidershipi i LDK-së, pra shkuarja e sërishme në zgjedhje për shkak të moshonepsjes së rezultatit plebishitar të 28 dhjetorit 2025. Bashkimi eventual i ish-presidentes Osmani me LDK-në ka gjasa të ndryshojë pakgjë te disponimi i elektoratit kosovar që dëshmuam në zgjedhjet e fundit. Sipas të gjitha gjasave, besueshmëria e saj ka pësuar dëme të pariparueshme nga sjellja e kohëve të fundit, sidomos dekreti i saj antikushtetues. Shkuarja në zgjedhje të reja veç për arsye të mospëlqimit të rezultatit të zgjedhjeve paraprake u dëshmua katërçipërisht fatale për LDK-në vitin e kaluar, kur pakënaqësia me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe këmbëngulja për shkuarje në zgjedhje të reja e forcoi edhe më tej LV-në duke e dobësuar tutje LDK-në. Dëgjimi i zërave të të ashtuquajturve analistë që e këshilluan asisoj nuk përfundoi aspak mirë për këtë parti. Të njëjtit po i thonë sot që, ngaqë jemi në situatën e Hungarisë, me ç’rast Kurti është Viktor Orbáni kurse Abdixhiku është Péter Magyari, zgjedhjet e reja janë rruga e duhur për LDK-në. A do të bie LDK-ja sërish në grackën e njëjtë? Kanë mbetur edhe pak ditë për ta kuptuar.
