HISTORI
Nga Dr. Nikollë Loka
Përpjekjet diplomatike të shtetit shqiptar për mbrojtjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1920-1939 u zhvilluan në një klimë të vështirë ndërkombëtare dhe përballë politikave të ashpra të Beogradit, që synonin ndryshimin e strukturës etnike përmes kolonizimit dhe shpërnguljes së detyruar. Sinjalet për gjendjen alarmante në Kosovë u përcollën herët nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili i kërkoi ndërhyrje institucioneve shqiptare dhe sensibilizim ndërkombëtar. Qeveria shqiptare, veçanërisht gjatë drejtimit të Iljaz Vrionit, ndërmori hapa konkretë duke protestuar në Lidhjen e Kombeve dhe duke informuar, përmes përfaqësuesve të saj, mbi dhunën ndaj shqiptarëve. Këto përpjekje u shoqëruan edhe me thirrje të drejtpërdrejta drejtuar fuqive të mëdha për ndërhyrje humanitare dhe politike. Megjithatë, brenda elitës politike shqiptare ekzistonin dy qasje: njëra që mbështeste rezistencën e armatosur dhe tjetra që favorizonte zgjidhje diplomatike, në varësi të rrethanave ndërkombëtare.
Krerë të shquar si Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe përfaqësues të tjerë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” etj., kundërshtonin pranimin e përfshirjes së saj të pakthyeshme në Jugosllavi dhe, duke shpresuar në mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht atë italiane, ruanin idenë e irredentizmit shqiptar.
Në këtë periudhë, qëndrimi i Ahmet Zogut ishte në kundërshtim me këtë linjë, pasi ai synonte normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin për stabilitet shtetëror. Qeveria e tij ndiqte një politikë pragmatike, duke e konsideruar çështjen e Kosovës si faktor që nuk duhej të përkeqësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë. Megjithatë, Zogu u përpoq të manovronte midis presionit jugosllav dhe interesave të brendshme shqiptare, duke ruajtur një ekuilibër të brishtë diplomatik. Pavarësisht nga moderacioni i Zogut, qeveria jugosllave përdorte retorikë dhe presion diplomatik, duke pretenduar se shqiptarët e Kosovës përfaqësoheshin në institucionet shqiptare. Kjo situatë krijoi një tension të vazhdueshëm politik dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave mbetën të kushtëzuara nga çështja e Kosovës dhe qëndrimet e kundërta të palëve.
Ahmet Zogu i kishte siguruar qeverisë jugosllave se elementi kosovar në Shqipëri nuk do të lejohej të kishte ndikim politik, duke premtuar kontroll mbi grupet e ardhura nga Jugosllavia. Në fund të dhjetorit 1922, forcat shqiptare dhe jugosllave ndërmorën veprime të përbashkëta që çuan në pushtimin e Zonës Neutrale dhe shtypjen e kryengritjes në Junik. Pavarësisht qëndresës, lëvizja kryengritëse u godit rëndë dhe çetat u ndoqën nga të dyja palët, duke dobësuar rezistencën në terren. Në muajt shkurt–mars 1924, autoritetet jugosllave ndërmorën një fushatë të ashpër dhune në Kosovë, me qëllim shuarjen e lëvizjes kaçake. Qeveria shqiptare reagoi duke protestuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë Lidhjen e Kombeve dhe shtetet evropiane, gjë që përkeqësoi marrëdhëniet me Beogradin. Në planin e brendshëm, qëndrimi i Zogut ndaj irredentizmit dhe kundërshtimi i tij nga opozita dhe nacionalistët krijuan një krizë politike që, përfundimisht, kontribuoi në largimin e tij nga pushteti.
Revolucioni i Qershorit nuk u mirëprit nga autoritetet serbe, pasi ai riktheu në skenën politike figura si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët përfaqësonin irredentizmin shqiptar. Nën presionin e Beogradit, Fan Noli nuk i dha rol qeveritar Hasan Prishtinës, por as nuk ndërpreu plotësisht kontaktet me të. Tirana zyrtare kërkoi njohjen e qeverisë së re nga Beogradi, por këto përpjekje u injoruan nga pala jugosllave. Në këtë periudhë, përplasjet e armatosura në Kosovë u denoncuan në mënyrë jozyrtare në arenën ndërkombëtare, përmes përfaqësuesve shqiptarë në Lidhjen e Kombeve. Ndërkohë, pavarësisht kundërshtive ndaj tij, Beogradi e shihte Ahmet Zogun si figurë më të përshtatshme për stabilitet, për shkak të qëndrimit të tij më të distancuar nga nacionalizmi kosovar.
Në vitet 1925–1927, Ahmet Zogu u orientua drejt aleancës me Italinë, duke larguar gradualisht ndikimin jugosllav dhe duke forcuar pozitat e tij përmes marrëveshjeve me Italinë fashiste. Traktatet e Tiranës e shndërruan Shqipërinë de facto në një protektorat italian, duke rritur tensionet me Jugosllavinë dhe duke ndryshuar ekuilibrat rajonalë. Kjo situatë e re nxiti një fazë të intensifikuar të diplomacisë shqiptare, e cila kërkoi mbështetje ndërkombëtare në Lidhjen e Kombeve kundër politikave shtypëse në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi. Në mars 1929, qeveria shqiptare paraqiti një ankesë në Lidhjen e Kombeve kundër mizorive dhe keqtrajtimit të shqiptarëve nga qarqet dhe regjimi jugosllav. Veprimtaria diplomatike e krerëve shqiptarë në territorin e Kosovës shënon një etapë të re, pa dyshim, me peticionin e priftërinjve katolikë, të arratisur pas vrasjes së Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit: Don Gjon Bisaku, Don Shtjefën Kurti dhe Don Luigj Gashi, misionarë të “Propaganda Fides”. Pasi memorandumi i tyre u paraqit në Lidhjen e Kombeve, pati një aktivizim të diplomacisë shqiptare dhe disa takime me diplomatë të Fuqive të Mëdha. Përfaqësues shqiptarë dhe figura të diasporës dërguan memorandume dhe zhvilluan takime me diplomatë ndërkombëtarë për të denoncuar asimilimin, shpërnguljet dhe mohimin e të drejtave kombëtare. Paralelisht, u krijuan organizata dhe rrjete studentore si “Besa”, që mobilizuan elitën e re shqiptare në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe forcimin e lidhjeve politike. Në këtë kuadër, figura si Ferhat Draga bashkëpunuan me Tiranën për të kundërshtuar politikat e kolonizimit dhe për të kërkuar të drejta politike e kulturore për shqiptarët në Jugosllavi. Në tërësi, periudha 1920–1939 karakterizohet nga një diplomaci aktive shqiptare, e cila, pavarësisht kufizimeve, synoi të ndërkombëtarizojë çështjen shqiptare dhe të mbrojë popullsinë shqiptare në trojet e saj etnike.
Ndihma e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve të shpërngulur prej vendbanimeve të tyre
Që nga viti 1913 dhe më pas gjatë viteve ’20, fluksi i emigrantëve shqiptarë nga Jugosllavia drejt Shqipërisë ishte i pandërprerë, duke krijuar situata të rënda humanitare, por edhe nevojën për ndërhyrje shtetërore. Qeveria shqiptare miratoi ligje të posaçme, si ai i vitit 1923 “Mbi vendosjen e emigrantëve”, për t’u ofruar tokë, strehim dhe mbështetje materiale familjeve të ardhura. Përmes Reformës Agrare dhe politikave të mëvonshme, mijëra familje u sistemuan kryesisht në zonat e Fierit dhe Durrësit, duke u integruar gradualisht në jetën ekonomike të vendit. Paralelisht, diplomacia shqiptare kundërshtoi përpjekjet jugosllave dhe turke për shpërnguljen e mëtejshme të shqiptarëve drejt Anadollit, duke e konsideruar atë një formë të spastrimit etnik. Në këtë kuadër, u zhvilluan edhe nisma ndërkombëtare për të penguar emigrimin e detyruar dhe për të mbrojtur popullsinë shqiptare në trojet e saj. Në tërësi, kjo politikë tregoi se shteti shqiptar u përpoq të ruante lidhjen kombëtare dhe të siguronte mbijetesën fizike dhe etnike të shqiptarëve të shpërngulur.
I një rëndësie të veçantë është fakti se, gjatë vitit 1935, diplomati shqiptar Sheremet Xhuxhuli, së bashku me Rauf Ficon, ministër fuqiplotë në Beograd, themeluan organizatën studentore shqiptare “Besa”, në të cilën u përfshi një numër studentësh shqiptarë nga Universiteti i Beogradit dhe i Zagrebit, disa prej të cilëve më vonë luajtën rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare, si: Shuaip Kamberi, Ibrahim Lutfiu, Nexhmedin Besimi, Esad Doko, Shaip Mustafa, Sokol Dobroshi, Tahir Ismaili, Esad Berisha, Qazim Bllaca e shumë të tjerë. Kjo organizatë vendosi shpejt lidhje me krahun opozitar shqiptar të BFI-së.
Edhe nëpërmjet Legatës Shqiptare në Beograd dhe Konsullatës Shqiptare në Shkup kishte nisur propaganda në qarqet shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë, duke i këshilluar shqiptarët që të mos i linin vatrat e tyre, sepse një gjë e tillë ishte në kundërshtim me interesat kombëtare.
Shqetësim ngjalli në qarqet politike dhe diplomatike shqiptare fjalimi i ministrit të Brendshëm turk, Şükrü Kaya, në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke, se “nga Jugosllavia do të silleshin 800 000 emigrantë ‘turq’”. Në veprim hynë edhe shoqatat e shqiptarëve. Rinia irredente e Kosovës i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të bënte gjithçka që ishte e mundur që populli i Kosovës të mos largohej nga toka stërgjyshore për në shkretëtirat e Anadollit. Ata lëshuan proklamata në mënyrë të përsëritur, duke u bërë thirrje njerëzve që “të mos braktisnin tokën e tyre, shtëpitë e tyre dhe eshtrat e të parëve të tyre”.
Qeveria shqiptare mori masa emergjente. Ajo krijoi Drejtorinë e Reformës Agrare, të drejtuar nga Sali Vuçiterni, e cila do të merrej me vendosjen e emigrantëve shqiptarë nga Kosova në brendësi të territorit shqiptar. Tirana zyrtare ndikoi që çështja e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi të ndërkombëtarizohej. Si rezultat, ishin shpërngulur vetëm 7248 vetë, që është edhe numri më i vogël i tyre ndër vite, qëkur kishte filluar si proces. Disa bashkëkombës të shpërngulur nga Kosova për në Turqi, që ishin rikthyer gjatë viteve 1925–1930, autoritetet e shtetit shqiptar i vendosën kryesisht në pjesën perëndimore, në rrethet e sotme të Fierit, të Lushnjes, të Kavajës, të Beratit, të Elbasanit, të Durrësit, të Krujës etj. Masa u morën edhe për shqiptarët që emigruan nga territoret shqiptare në Jugosllavi. Në vitet 1925–1927, nga Kosova emigruan rreth 6000 shqiptarë dhe u vendosën në Kavajë, Fier etj. Për të vendosur shqiptarët e emigruar në tokat shtetërore, u krijua Drejtoria e Reformës Agrare, e cila u dha tokë nga fondi shtetëror. Kryesia e Këshillit të Ministrave, më 23 maj 1928, diskutoi modifikimin e ligjit të emigracionit për t’u ardhur më mirë në ndihmë emigrantëve shqiptarë nga Jugosllavia, duke krijuar një komision me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bujqësisë, të cilët kishin dijeni të plotë mbi pasuritë e shtetit dhe që do të ndihmonin në sistemimin dhe vendosjen e emigrantëve.
Mbështetja ndaj shkollimit shqip të fëmijëve të shqiptarëve në Jugosllavi
Roli i Shqipërisë në mbështetjen e arsimit shqip në territoret shqiptare në Jugosllavi gjatë viteve 1920–1939 ishte vendimtar për ruajtjen e identitetit kombëtar në kushte represioni të theksuar. Shqiptarëve në ish-Jugosllavi u mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, ndërsa arsimi i lejuar nga autoritetet jugosllave ishte kryesisht fetar ose në gjuhën serbe, me qëllim asimilimin. Përballë kësaj gjendjeje, shqiptarët bojkotuan shkollat shtetërore dhe krijuan struktura ilegale arsimore, të cilat u përhapën në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera shqiptare.
Për të ndihmuar shkollimin e fëmijëve shqiptarë, në vendbanimet pranë kufirit u ngritën disa internate, si në Shkodër, Kolgecaj, Krumë, Kastriot të Dibrës, Pogradec, Kolonjë, Sarandë, Himarë etj., me synim shkollimin e fëmijëve që vinin nga tokat irredente, të cilët kishin kapërcyer ilegalisht kufirin vetëm për të vazhduar shkollën në gjuhën shqipe. Qindra studentë nga trojet tona etnike në Jugosllavi mbaruan shkollat e mesme në Shqipëri. Qeveria shqiptare, por edhe bashkitë e ndryshme, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike të vendit, dhanë bursa për nxënësit më të mirë nga territoret etnike të mbetura jashtë shtetit amë.
Në Liceun e Korçës vazhdonin studimet Sulejman Riza (Gjakovë) dhe Barush Myftari (Pejë). Në vitin shkollor 1936–1937, ndër 40 bursistë që vazhdonin gjimnazin e Shkodrës ishin edhe Fadil Hoxha, Veli Deva, Ymer Pula, Mazllum Këpuska, Emin Duraku etj. Në Shkollën Tregtare të Vlorës vazhduan mësimet Heser Tufa, Muharrem Koshi, Qenan Nushi, Mehmet Hoxha, Ismet Shaqiri, Qazim Sulejmani, Pjetër Rashi, Ibrahim Ismaili, Ejup Binaku, Sytki Imami nga Gjakova, si dhe Beqir Kastrati dhe Bajram Seliu (Pejë) etj. Në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë vazhduan shkollimin Abdurrahim Buza, Maxhun Osmani, Nazim Saraçi dhe Qazim Shabani nga Gjakova. Prej tyre, Abdurrahim Buza dhe Qazim Saraçi kaluan në Normalen e Elbasanit. Të tjerë mbaruan studimet e larta me bursë të shtetit shqiptar, apo me shpenzimet e veta, si Xhafer Deva, Anton Çeta, Rexhep Krasniqi, Mirash Ivanaj, Selman Riza, Martin Ivanaj, Abdurrahim Buza, Prengë Kaçinari, Krist Maloki etj.
Kjo veprimtari kontribuoi në formimin e një brezi të ri intelektualësh shqiptarë, të cilët më vonë luajtën rol të rëndësishëm në çështjen kombëtare. Në tërësi, arsimi shqip i mbështetur nga Shqipëria dhe i organizuar nga vetë shqiptarët u shndërrua në një formë të qëndrueshme të mbrojtjes së identitetit kombëtar.
Në përfundim, roli i shtetit shqiptar në mbrojtjen e shqiptarëve në trojet etnike gjatë viteve 1920–1939 ishte i rëndësishëm, ndonëse i kufizuar nga rrethanat ndërkombëtare dhe presionet politike rajonale. Përmes diplomacisë, ndihmës ndaj emigrantëve dhe mbështetjes së arsimit shqip, Shqipëria u përpoq të ruante identitetin kombëtar dhe të mbronte të drejtat e bashkëkombësve jashtë kufijve shtetërorë.
