Nga Gjon KEKA / PhD- Graz
Fjala Politikë është e lashtë mbi dy mijë vjet, qysh nga qytetet-shtet ajo ka qenë në fokus të filozofëve e mendimtarëve e më vonë edhe të shkencëtarëve të politikës, të cilët i dhanë emrin e tyre, pas një studimi të natyrës dhe funksionimit vertikal dhe horizontal të qytet-shteteve greke.
Aristoteli ka qenë ai që i dha emrin Politikë, si një lëmë e domosdoshme për vetë natyrën e qeverisjes dhe qëllimit të një qytet-shteti të asaj kohe.
Arsyeja e nisjes nga Zoon Politikon e deri tek emërtimi si një shkencë e veçantë, pra si Shkenca Politike në ditët e sotme, ishte dhënia njerëzimit (kombeve, popujve – shteteve) të doktrinës mbi të cilën ata do të bënin politikë dhe do ta qeverisnin vendin e tyre në të ardhmen.
Pothuajse në secilën gjuhë të botës, fjala Politikë ka qenë e përshtatur në kuptimin e qartë pa ndonjë konfuzion në shoqëritë e secilit popull dhe shtet, ashtu sikur kemi racionalitetin shtetëror, shtetin e së drejtës, të drejtën kushtetuese etj. Sistemi i Aristotelit mund të jetë i dobishëm në frymën e kohës
së tij, ndërsa në kohën tonë ai vetëm sa ka bërë një bum dhe zhvillim më të madh, por që sigurisht ky zhvillim ishte i natyrshëm në shtratin e modernes.
Nga kjo mësojmë se urtësia për të qeverisur e për të mësuar prej tij ndezi një dritë të re në shkencat politike, jo vetëm për të ndjekur shembujt e të kaluarës së sistemit aristotelian, por edhe këmbëngulje në njohurinë e plotë të frymës së kohës dhe gjendjen e shteteve, të qeverisjes, politikë-bërjes, moralit, urtësisë dhe vizionit etj. Kështu ky zhvillim si gjithmonë ka edhe dishepujt Aristoteli, Platoni, Taciti, Makiaveli dhe të tjerë deri në kohën tonë.
Politika është një fushë e vjetër; duke qenë e tillë, me të kuptojmë “përdorimin e shkathtësive dhe gjetjes së mjeteve të shumta efektive për qëllimet e saj”.
Në këtë kuptim, Christian von Wolf, i cili e trajtoi atë si pjesë të filozofisë praktike, tregoi se si njeriu duhet të sillet me inteligjencë me të. Nga kjo shihet se në Politikë kërkohet që njeriu të jetë i aftë për ta përmbushur fushën e këtij arti të rëndësishëm brenda shoqërisë dhe shtetit (“Polisit antik” dhe atij të tanishmit, politikës moderne të qeverisjes së shtetit demokratik), por edhe të qëllimit për të mirën e përbashkët të shtetit dhe shoqërisë.
Por Politikë nuk do të thotë vetëm kaq; Politika është edhe veshja me petkun e Pushtetit, dhe kjo duhet parë në dy mënyra: të pushtetit si ideal për ta qeverisur shtetin, duke i përdorur mjetet demokratike dhe aftësitë e vizionit personal për të mirën e përgjithshme, dhe tjetra të pushtetit egoist, për ta lënë veten në qetësi, duke i kthyer mjetet e shërbimit jo në të mirë të shoqërisë dhe shtetit, por në të mirë të vetes dhe të qëllimeve e kënaqësive egoiste.
Kështu që fjala “politikë” nuk është vetëm një koncept teorik, ajo është veprim, më saktësisht veprim i përditshëm. Vetëm kështu ne mund të mësojmë se si është realizuar shteti, se si udhëhiqet dhe cilat janë parimet politike dhe demokratike si shtyllë të shoqërisë së lirë, shtetit dhe të ardhmes së kombeve demokratike e të civilizuara.
Në fakt koncepti i politikës si veprim nuk mund të kuptohet pa doktrinën shtetërore, sepse doktrina shtetërore ka lind apo dal nga doktrina politike prandaj edhe ka dy aspekte që duhet të njihen në këtë drejtim: politika si veprim si aktivitet dhe politika si doktrinë, që të dyja janë të lidhura ngushtë si thonjët me mishin.
Nga njëra anë, politika është veprim krijues në çështjet shtetërore, në kontrast me veprimin në çështjet shtetërore që ndodh përmes zbatimit të rregullave ekzistuese, apo ato të zbatimit praktik, siç ndodh kryesisht në administratë. Politika është veprim apo aktiviteti krijues shtetëror në krahasim
me aktivitetin rutinë shtetëror, aktiviteti formues shtetëror në krahasim me atë thjeshtë administrativ.
„Politika është aktiviteti shtetëror që përcakton se si duhet të trajtohet një çështje. Administrata është aktiviteti shtetëror që zgjidh një çështje sipas rregullave ekzistuese.
Nga ana tjetër, politika është gjithashtu ndjekja e ndikimit mbi formësimin e çështjeve shtetërore dhe fuqia aktuale për të ndikuar në këtë formësim.
Një politikan nuk është dikush që duhet të përpiqet të bëhet gjyqtar ose jurist, sepse këto nuk janë aktivitete që formësojnë çështjet shtetërore; një politikan është dikush që duhet të përpiqet të bëhet anëtar i parlamentit ose që ushtron ndikim për të siguruar që ky apo ai propozim legjislativ të marrë një formë ose drejtim të caktuar.“ Një politikan i vërtetë është gjithashtu ai që vepron sipas parimeve politike dhe demokratike si dhe të përgjegjësisë etranspranecës.
Një politikan mund të jetë edhe një udhëheqës i qeverisë, i diplomacisë i fushave tjera të institucioneve shtetërore, por ai mund të jetë edhe një kryetar partie, anëtar partie ose edhe president i shtetit.
Qëllimi i një politikani duhet të jetë e mira e përgjithshme dhe realizimi i premtimeve të dhëna përball popullit apo votuesve të tij.
Një politikan i vërtetë duhet ta studiojë politikën, historinë, gjeografinë, diplomacinë, poashtu të ketë njohuri edhe në kulturë, art dhe psikologji, pastaj ta njoh skeletin e shtetit dhe administratës dhe natyrën e qeverisjes dhe sistemit politik e shtëtëror etj.
Poashtu një politikan, mbi të gjitha, duhet ta bëjë pjesë të veprimit dhe biografisë së tij politike kompromisin, sepse me anë të kompromisit bota, shtetet, popujt dhe shoqëria ka ecur përpara dhe i
ka zgjidhur konfliktet apo dallimet e vogla apo të mëdha të tyre, duke i lënë kështu brezave shembullin e duhur dhe rrugën e mësimit se pa kompromis asnjë vend, asnjë njer, asnjë komb nuk mund të arrijë gjëra të mëdha në totalitetin e saj.
Nga kjo që nënvizuam „kompromisi“ është „si kusht për shumicën dhe konsensusin.
Ndonjëherë, kompromisi politik kontrastohet me parimin e ngurtë të vendimmarrjes me shumicë si zgjidhje e konflikteve nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve të ngjashme me kontratat midis palëve të përfshira në mosmarrëveshje, dhe i jepet dinjitet më i madh demokratik.“
Kompromisi në përgjithësi ka qenë mjeti praktik i transformimit dhe tranzicionit në zhvillimin
politik. Megjithatë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të thuhet se ato u krijuan me dhe nëpërmjet kompromisit. Anëtarët e saj fillestarë ishin edhe më pak të përgatitur për një bashkim sesa për një republikë. Kolonitë angleze, të krijuara nëpërmjet kompanive të vendbanimeve dhe granteve të tokës për themeluesit individualë, kishin aq pak terren të përbashkët saqë nuk lejoheshin as të tregtonin me njëra-tjetrën. Ato u detyruan të bashkoheshin vetëm nga jashtë, nga vetë pushteti që i kishte mbajtur të ndara. Vetëm taksimi arbitrar, i cili i prekte të gjithë pa të drejtën e përfaqësimit – taksa e pullës, tarifa e importit dhe barra të ngjashme – krijoi midis tyre një ndjenjë bashkësie dhe
nevojën për bashkim. Por edhe kjo nevojë duhej të bëhej gradualisht një domosdoshmëri bindëse, kështu që fillimisht vetëm shtatë koloni arritën në vendimin e përbashkët për të shpallur pavarësinë e tyre. Gjashtë të tjerët u bashkuan më vonë, dhe vetëm lufta kundër Anglisë i çoi ata në formimin e një
konfederate në vitin 1776. Megjithatë, edhe brenda kësaj konfederate, kishte aq pak patriotizëm detyrues dhe një ndjenjë komuniteti saqë pa një kredi franceze dhe ndihmën e gjeneralëve Comte de Rochambeau dhe Marquis de La Fayette, të cilët mundësuan fitoret vendimtare të George Washington në New York dhe Yorktown, e gjithë lëvizja ka të ngjarë të kishte dështuar.
Është gjithashtu e diskutueshme nëse pavarësia e Amerikës do të ishte mbështetur dhe ruajtur pa
Francën, e cila përfundoi Traktatin e Versajës me Anglinë në vitin 1783 dhe e përcaktoi atë.“
Sikur shihet nga kjo që u tha „në politikë, kompromiset janë vazhdimisht të nevojshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur dy ose më shumë parti duan të formojnë një aleancë ose koalicion për të qeverisur. Secila parti duhet të heqë dorë nga disa nga interesat dhe idetë e veta për të arritur një marrëveshje mepalët e tjera.
Prandaj në një shoqëri të larmishme, përplasen mendime, nevoja dhe qëllime të ndryshme.
Që bashkëjetesa e drejtë të ketë sukses, na duhet aftësia për të dëgjuar, aftësia për të toleruar paqartësinë dhe gatishmëria për të bashkëpunuar.
Aftësia për të bërë kompromis dhe toleranca ndaj paqartësisë janë kompetenca kyçe për veprim demokratik.“
Nisur nga kjo të shohim në fakt se çfarë do të thotë dhe nga vjenë ky term. Kështu „kompromis“ do të thotë : pajtim, mirëkuptim, marrëveshje nëpërmjet lëshimeve të ndërsjella.
Ky term në fakt „u përdor më parë nga romakët, më pas edhe në shekullin e XV-të që nga latinishtja „compromissum“, e meqë parë u përdorë si term ligjor, por edhe si të premtosh të arrish pajtim për të ecur sëbashku me gjithë dallimet, por që e gjenë qëllimin si pikën e përbashkët, pra më saktësisht i gatshëm të bëjë kompromis.“
Që një kompromis të jetë i vlefshëm, sigurisht që duhet të përmbushen të gjitha kërkesat e nevojshme për vlefshmërinë e traktateve në përgjithësi. „Në veçanti, tema e mosmarrëveshjes duhet të jetë e tillë që kompromisi të jetë i mundur dhe i lejueshëm. Duhet theksuar këtu se vetëm çështjet ligjore, jo ato politike, duhet të vendosen në këtë mënyrë. Kështu, bëhen kompromise për çështje që kanë të bëjnë me pronën shtetërore, territorin, kufijtë shtetërorë, kërkesat për dëmshpërblim për shkak të shkeljes së të drejtave të shtetasve të huaj, shkeljet e detyrës së neutralitetit dhe interpretimin dhe ekzekutimin e traktateve.“
Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit tregojnë jo vetëm pasojat e moszgjidhjes së këtyre konflikteve të gjata në atë pjesë sidomos në mes të Izraelit dhe Iranit që nga viti 1979, por edhe të rrezikut që paraqet Irani me programet e tij bërthamore dhe ideologjinë
islamike kundër civilizimit të përgjithshëm perëndimor, prandaj ndërhyrja e ShBA-s atje ka të bëjë me largimin e këtij rreziku jo vetëm për atë pjesë, por edhe për tërë botën demokratike dhe të civilizuar. Poashtu kjo është edhe pjesë e gjeografisë, gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë së Rendit të ri ndërkombëtar që po merrë pamjen e saj ngadal por sigurt brenda shekullit XXI. Duke ditur këtë
Europa dhe NATO do të duhej që të qëndronin krah ShBA dhe Izraelit në këtë betejë që ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e civilizimit dhe ekzistencës jo vetëm të Izraelit, por edhe të civilizimit perëndimor.
Tani kur shohim konflikte dhe luftëra që sot pushtojnë mediat, kur e dimë se kjo luftë tani në këtë shekull po bëhet jo vetëm si luftë tregtare, gjeopolitike dhe gjeostrategjike, por edhe si luftë për ekzistencën apo më mirë të thuhet të mbrojtjes së civilizimit perëndimor, pastaj edhe atë të zgjdhjes së konflikteve të gjata në Lindjen e Mesme si dhe të çlirimit të popujve nga diktatorët apo
autoritaristët dhe ideologët e regjimit të ideologjisë islamike. Kështu që në shekullin XXI prerja e kësaj Nyje Gordiane në atë pjesë ndoshta, kjo nyje mund të ishte prerë edhe më herët, por që bashkë me vendosjen e këmbëve apo shtyllave të Rendit të ri ndërkombëtar po ndodh tani, dhe sikur shihet qartë ko prerje po bëhet jo vetëm me shpatë (gjeografinë ushtarake), por edhe me diplomaci e luftë tregtare, e kjo në fakt po bëhet për disa arsye që do t’i shërbejnë vijave ndarëse të naftës(lufta izraelito-amerikane me Iranin) e gazit(lufta e Rusisë me Ukrainën), respektivisht të intersave gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
Sodoqftë, shpesh është e përshtatshme, si dhe e drejtë, të këshillosh një kompromis dhe kështu të parandalosh një luftë apo një konflikt, sesa të qëndrosh duarkryq apo të mbështesësh zgjatjen e krizave apo luftërave për përfitime anësore apo personale. Diskutimi i frytshëm dhe kompromisi do të
ishin më të domosdoshëm për të arritur te një marrëveshje apo zgjidhje se sa të qëndrosh në qoshe apo në periferi duke u bërë kështu spektator, madje një pozicion i tillë nuk do të duhet të jetë i rehatshëm sepse zjarri i tillë mund ta djeg edhe poziconin apo mund të vijë edhe tek ti një ditë dhe ajo ditë sigurisht nuk mund të jetë e largët.
Edhe sot pozicioni i Europës përballë metodës amerikane është i tillë, në vend se të përfshihen në diskutime, në kompromis dhe të arrijnë një përmbyllje të konflikteve apo luftërave sëbashku për të mirën e paqes jo vetëm në ato pjesë të konflikteve e luftërave por edhe për të mirën e gjithë botës dhe paqes e stabilitetit të vetë Europës. Europa deri më sot ka qenë duke u përkundur nga dora e sigurtë e ShBA, Ankthi i sotëm i Europës nuk qëndron në mospaftësinë e saj, apo mungesën e saj të kapaciteteve mbrojtëse, por në atë se ajo është mësuar të ecën dorë për dore me ShBA -n dhe të ketë atë mburojën e saj të ruajtjes së vlerave,civilizimit, demokracisë, paqes dhe stabilitetit dhe kufijve të saj të sigurisë kontinentale. Tani ka ardhë koha që Bashkimi Europian të ecën pa dorën e ShBA dhe të formësojë arkitekturën e saj të mbrojtjes dhe të sigurisë brenda hapësirës së Rendit të ri ndërkombëtar duke marrë përgjegjësit e saj në ruajtjen e vetes së saj dhe asaj që është ndërtuar deri më sot, por në një kuptim më të ngushtë të politikës së saj të brendshme dhe të aktrimit të saj sëbashku me ShBA-n në fushën e jashtme.
Megjithkëtë Europa sot gjendet jo e kërcënuar nga Rusia, apo ndonjë armik tjetër imagjinar, por nga vetë copëzat e saj të diskutueshme dhe delikate: sëpari nga vetë disa shtete që mbajën ende gjurmët e nazizmit dhe ka elemente radikale- populiste të disa partive në Europë që sot flasin zëshëm kundër këtij unioni europian dhe politikave të saj, madje ata duan të shkatërrojnë këtë Union i cili ka një histori suksesi dhe është bërë shembull i madh në historinë e Europës që nga paslufta e dytë botërore, sidomos në institucionet e saj si një kontinent që don paqen dhe qëndron largë konflikteve e luftës. Duhet ditur që Unioni Europian është një imitim, por jo origjinal i Unionit amerikan të dalë
nga mendja gjeniale e presidentit dhe atthemeluesit amerikan George Washington.
Ndërsa së dyti është procesi i ngadalshëm apo më mirë të thuhet me pengesa i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilët ende nuk kanë lënë pas krahëve të kalurën e tyre konfliktuale apo të luftërave, ende nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë, pastaj për shkak të politikave të gabuara e të rivjetëruar që sillen herë pas herë në hapësirën e kësaj pjesë te Europës etj. Në fakt nuk është
vetëm kjo por edhe mungesa e vetë unitetit të vendeve të Bashkimit Europian që ta ndihmojnë sëbashku Ballkanin Perëndimor të integrohet, respektivisht ta pranojnë sa më parë në shtëpinë e përbashkët të këtij unioni kontinental e civilizues. „Kompromisi nuk është një kapitull i veçantë në politikë, por më tepër një karakteristikë legjitime e të gjithë ekzistencës në “botën e madhe dhe
të vogël”. Kompromisi është një balancim i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm i forcave kundërshtare, dhe vetëm nëpërmjet këtij balancimi ruhet ekuilibri i botës dhe vazhdimi i jetës. Prandaj, pyetja mund të formulohet siç duhet vetëm si më poshtë: sipas cilave rregulla duhet të bëhen kompromiset? A ekzistojnë rregulla të tilla? Mënyra për t’i gjetur ato zbulohen sapo të kuptohen natyra e çështjes. Nëse kompromisi nuk është gjë tjetër veçse balancimi i forcave ekzistuese, atëherë procedura e saktë padyshim do të varet nga matja e saktë e forcave që duhen balancuar. Secila palë duhet të jetë e vetëdijshme për rrezikun që i kanoset nëse përpiqet ta tërheqë diagonalen e paralelogramit të forcave më shumë në anën e saj sesa lejon forca kundërshtare.
Me fjalë të tjera: një kompromis i vërtetë arrihet vetëm nga dikush që as nuk e nënvlerëson dhe as nuk e mbivlerëson forcën e vet ose atë të palës tjetër.
Prandaj, ata që janë iluzionistë kanë lindur armiq të kompromisit; sepse është në natyrën e tyre t’i besojnë vetes më shumë dhe të tjerëve më pak sesa është e justifikuar objektivisht.“ Shpjegimi për kompromisin politik, qëndron në këto rrethana, dhe vetëm në to. Prandaj, nuk flitet fare për kompromise që synojnë të shpëtojnë disa nga ato që u arritën më parë, analoge me kompromiset që më parë ndihmuan në krijimin e asaj që ishte e dëshirueshme.
Nëse shtetet, popujt apo kombet refuzojnë të bashkohen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo të arrijnë një kompromis, kjo tegon se ata po luftojnë për supermaci dhe vetëknaqësi, qëllimi i tyre nuk është ecja në rrugën e përbashkët, as kompromisi e paqja, por fuqia politike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Nga gjithë ajo që u tha përdorimi i kompromisit shihet si një elementi kardinal dhe një nga kodet e sjelljes së të gjitha shteteve,popujve,shoqërisë, indvidëve, aleancava e fuqive e superfuqive. Kompromisi, dialogu ,kodet e sjelljes së qytetëruar e demokratike ku në vend të fryjes së zjarrit të konfliktit përdoret kompromisi ,diskutimi në zgjidhjen e problemeve etj etj ,janë thelbi i demoracisë së shteteve demokratike, të së drejtës, të lira, të barabarta dhe paqësore.
Sistemi politik europian por edhe amerikan deri më sot është bazuar nga kompromisi, dialogu e diskutimi rreth qëllimeve e ideve të ndryshme por që në fund kanë prodhuar rezultat e zgjidhje të problemeve të ndryshme kontinentale e oqeanike apo transatlantike dhe në disa edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht që ky relativizëm i botëkuptimeve dhe sistemeve të vlerave dhe heqja dorë nga disa gjëra për të arritur qëllimin e madh të unifikim i ka bërë të mundura shtetet pluraliste europiane sot. Prandaj, relativizmi është domosdoshmërisht botëkuptimi i shtetit pluralist europian sidomos në vendet e Bashkimit Europian si pjesë e rëndësishme e demokracisë, lirisë, lirisë së
mediave, të ndarjes së pushteteve etj. Në Ballkanin Perëndimor ky botëkuptim i shtetit pluralist sipas modelit europian të Bashkimit Europian të sotëm duhet të bëhet pjesë e mentalitetit të vendeve të këtij gadishulli europian dhe është kusht sidmos në procesin e integrimit në këtë Union. Burrat e mirë dhe të aftë të shtetit marrin parasysh dëshirat dhe rrymat e popullsisë dhe përpiqen ta udhëzojnë atë në drejtimin e duhur. Një burrë shteti duhet të drejtojë, jo të udhëheqë.
Askush sot nuk duhet t’i trembet fjalës “kompromis” madje duhet të jenë të etur për kompromise e dialog, për paqe e respekt reciprok. I gjithë aktiviteti i shteteve demokratike e të civilizuara duhet në fakt të jetë një kompromis i vazhdueshëm.
E drejta si një kompromis midis palëve me forcë të barabartë dhe të pabarabarta, duhet të jetë thelbi i një kompromisi politik.
Nga e gjithë kjo mund të nënvizojë se e gjithë historia e njerëzimit përbëhet nga një seri kompromisesh midis të resë dhe të vjetrës, të zgjidhjes së të keqes më të vogël në vend të keqes më të madhe, të paqes në vend të luftës, të lirisë në vend të skllavërisë apo robërisë, të drejtësisë në vend të padrejtësisë etj.
Idetë që e kanë udhëhequr Bashkimin Europian deri më sot dhe që janë mishëruar në sistemin politik, ekonomik, tregtar etj, të tij, ngadal do t’i takojnë historisë, respektivisht të kaluarës, sepse sot në shekullin e XXI kanë dal pseudo-idetë radikale që zakonisht vijnë nga rrymat partiake radikale që po e
prekin jo vetëm sistemin politik e ekonomik, por edhe po e tundojnë edhe paqen mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Europian. Natyrisht ndikimi i këtyre rrymave pariake radikale në Europë nuk është i madh, por ato po shkojnë drejtë rritjes dhe një ditë do ta zënë vendin e tyre ato parti duke u ngjitur në pushtet dhe kështu sëbashku me pseudo-idetë e tyre ideologjiko-politike radikale e populiste do të mund ta dëmtojnë paqen europiane mbi të cilën qëndronë Bashkimi Europian dhe vetë kombet e shtetet që nuk kanë përjetuar luftëra në mes vete që nga paslufta e dytë botërore.
Duhet ditur se asnjë nga partitë politike radikale apo me pseudo-idetë radikale populiste nuk e përfaqësojnë apo më mirë të them nuk i kanë si qëllim themelet e vërteta apo rrënjët e vërteta civilizuese europiane dhe bashkimin vetë Europës. Sepse rrënjët europiane dhe ajo mbi të cilën qëndon vetë Europa si e tillë nuk kanë asgjë të përbashkët më partitë politike radikale populsite që sot janë në disa nga shtetet e Bashkimit Europian. Partitë e tilla populsite vetëm sa për sy e faqe e përdorin historinë dhe rrënjët europiane, themelet europiane apo figurat europiane me ndikim, qëllimi i vërtetë i tyre është i fryrë si një flusk sapuni dhe sapo të arrijnë në pushtet ata harrojnë jo vetëm se cilat janë rrënjët e europës, por edhe i mohojnë dhe tentojnë t’i shkatërriojnë jo vetëm vlerat, lirinë,
të drejtat e njeriut dhe respektit të ndërsjellë në mes njerëzve e popujve apo kombeve, por edhe tentojnë t’i shkatërrojnë dhe mbi to të kapen pas pseudo-ideve radikale naziste, diktatoriale ose autoritariste. Pothuajse të gjitha partitë politike populiste të sotme në shtetet e Bashkimit Europian nuk e duan Europën e Bashkuar as rrënjët e vërteta të saj, as vlerat e lirisë ,demokracisë dhe të paqes
e përbashkimit, por janë maska të nazizmit, në disa vende edhe të diktaturës apo autoritarizmit.
Rendi i ri ndërkombëtar do të përcaktoj edhe kapilarët e trashë të politikës, diplomacisë, tregtisë, ekonomisë dhe inteligjencës artificale, kjo e fundit do të jetë koka e inteligjencës artificiale të qeverisjes demokratike dhe autokratike si dhe e tregtisë, industrisë dhe ekonomisë së botës. është e qartë se Rendi i ri ndërkombëtar po formësohet mbi përplasjet jo vetëm ideologjike, hapësinore, tregëtare e teknologjike ,por edhe të kufijëve të ri të ndarjes në dy botë apo sfera të interesit gjeopolitikë e gjeostrategjik.
Me dhimbjet e lindjes së Rendit të ri ndërkombëtar dhe shpikjes së inteligjencës artificiale ka nis edhe lufta vendimtare e shpërbërjes së kapitalizmit ndërkombëtar dhe fokusit në ekonominë dhe tregtinë digjitale. Bota po shkon gjithnjë e më shumë drejt digjitalizmit të jetës dhe koka teknologjike
(inteligjenca artificale) e këtij digjitalizimi të pothuajse githë sistemit demokratik, shtetëror, sundimit të ligjit, ekonomik e diplomacisë do të ketë efektin e vetë global dhe në ndarjen e dy botëve të interesave brenda fushave apo kufijve të Rendit të ri ndërkombëtar.
Deri më tani u pa se si kapitalizmi po i shkatërronte klasat e mesme, me një shpejtësi gjithnjë e në rritje, duke i hedhur poshtë në mëshirën e fatit, tani së fundi numri i mjeteve të rrënuara të jetesës dhe i punës së tepërt po rritet vazhdimisht, ndërsa numri i pronarëve dhe atyre që e konsiderojnë veten të tillë po zvogëlohet vazhdimisht. Prandaj sikur u tha tani edhe kapitalizmit po i vjen fundi dhe në vend të saj po ndërtohet një sistem i ri që do t’i përshtatet këtij shekulli dhe shekujve ne vijim e që lirisht mund ta quaj shekullit të inteligjencës artificiale dhe Rendi të ri ndërkombëtar.
Në realitet Rendi i ri ndërkombëtar do të përcaktojë se kush do të përfitojë më shumë nga pesha që do të marrin në ekonominë gjeopolitike, e gjeostrategjike të viijave të kësaj tregtie dhe biznesi me pasuritë e naftës dhe gazit si dhe kanalet që do të përdoren dhe vijat që do të përdoren nga këto dy botë të interesave të supërfuqive dhe fuqive tjera mesatare e të vogla të shteteve e kombeve. Politika tregtare e naftës dhe gazit do të përcaktojë edhe interesat apo ndarjet se kush me kë do të rreshtohet në këto dy botës interesash gjeopolitike, gjeoushtarake dhe gjeostrategjike.
Në këtë luftë tregtare apo ekonomike, respektivisht në këtë luftë për supermaci vendet apo shtetet e dobëta dhe të vogla e ato që janë të parëndësishme dhe pandikim apo që nuk i prekin apo dëmtojnë themelet e Rendit të ri ndërkombëtar dhe kufijve apo kanaleve të saj sikur edhe mund të shohim do të
jenë spektatore por jo jashtë lojës së përbashkët e fushës apo oborrit të Rendit të ri ndërkombëtar. Sistemi ekonomik e tregtar i mëparshëm nuk mund të vazhdonte më sidomos pas pandemisë së fundit e cila ishte planifikuar disa vite më parë dhe shpikjes së Inteligjencës artificiale. Prandaj, rruga për ta qarë këtë sistem dhe për ta nxjerr një sistem të ri ekonomik e tregtar tanimë ka lind së bashku me pandeminë e planifikuar që më parë dhe me inteligjencën artificiale. E gjithë lufta që tani bëhet qoftë ajo për vendosjen këmbëve të Rendit të ri ndërkombëtar apo e sistemit të ri ekonomik e tregtar bëhet mbi pasojat e pandemisë dhe posaçrisht mbi bazën e inteligjencës artificiale.
Tanimë botërisht dihet që pandemia e fundit ka lënë pasoja psikologjike dhe fizike, respektivisht pasoja psikosomatike, por jo vetëm kaq, ajo ka lënë edhe pasoja tjera shoqërore,politike, ekonomike, ushtarake, gjeopolitike, shëndetësore etj; më saktësisht ajo ka tronditë sistemin e mëparshëm të renditë të vjetër ndërkombëtar dhe shëndetësor në gjithë botën.
Ndërsa shpikja e inteligjencës artificiale do të lë pasoja në trurin e njeriut i cili do të mbetet i pa stërvitur dhe pa mendim autonom, por do të merrë vazhdimisht gjëra të gatshme që nuk do të
lë asnjë gjurmë në tru, sepse truri nuk do të mendoj më, këtë do t’ia lë inteligjencës artificiale.
Natyrisht inteligjenca artificiale ka edhe anën pozitive të saj ,por meqenëse është një shpikje imituese e gjithmendimeve të njerëzimit dhe gjuhëve të ndryshme të botës, ajo nuk do të mund ta zëvendësoj trurin e njeriut, mendimet origjinale dhe Frymën e Shenjtë e cila i jepë jetë njeriut, trurit dhe shpirtit njerëzor. Megjithatë inteligjenca artificiale do të jetë e ardhmja e njeriut të shekullit XXI dhe më pas, dhe do të luaj një rol të ndikueshëm mjaftë shumë si në fushën e krijimtarisë, artit, shkencës, politikës, diplomacisë, ekonomisë, monedhës, hapësirë qiellore dhe tokës, por sërish njeriu do të ketë nevojë për trurin e tij më shumë se për inteligjencën artificiale.
Në fakt inteligjenca artificiale do të jetë në të ardhmen një lloj religjioni i ri për njerëzimin, sepse njeriu do ta lidhë aq shumë veten me atë sa do të jetë e pamundur të jeton pa këtë „opium“ të quajtur inteligjencë artificiale.
Por idetë moderne siç po shihen në këtë shekull nga shpikjet e fundit të inteligjencës artificiale dhe krijimet tjera të fundit janë më të forta teknologjikisht apo materialisht, por nuk e kanë ndikimin e fuiqshëm të frymës apo shpirtit të ideve të mëdha të mëparshme të filozofëve, humanistëve dhe
shkencëtarëve të kohëve apo epokave të mëparshem që nga Aristoteli, Platoni, Sokrati, pastaj Makiaveli, Luteri, Dante Alighieri, Dekarti, Njutoni, Lajbnici, Kanti, Spinoza, Galileo etj.
Sidoqë të jetë, duhet nënvizuar në lidhje me këtë se, unë preferoj metodën amerikane, si të zgjidhjes së problemeve, diplomacisë, politikës dhe rendit të Ri ndërkombëtar. Që nga presidenti i parë dhe themeluesi i saj Geroge Washington, ShBA ka përdor të njëjtën metod të ndikimit të shpirtit amerikan
që ka dalë nga rrënjët e saj historike dhe të sakrificës për ta bërë atdheun e tyre të përbashkët për të gjithë pa dallim, feje, ngjyre apo race, prejardhje etj. Kjo metod e shtrirjes së këtij shpriti nëpërmjet politikës, diplomacisë, ushtrisë së fuqishme si rojtare e lirisë, demorkacisë, paqes në botë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe vetëvendosjes së popujve sikur ishte edhe rasti i kohës së presidentit Woodrow Wilson dhe 14 pikat e tij të famshme (të drejtës së Vetëvendosjes së kombeve apo popujve) si dhe ajo e presidentëve George Bush dhe Bill Clinton në rastn e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë dhe njohjes së Kosovës si shtet i ri demokratik në mjedisin e trazuar të Ballkanit perëndimor dhe kontinentit europian.
Sigurisht që e gjithë kjo metodë është bërë në kuadër të kompromiseve në politikën amerikane bashkë më aleatët e saj dhe jashtë saj, por edhe me armiqtë që kanë qenë kundër metodave të saj, por që i ka përfshirë dhe lidhë Rendi i ri ndërkombëtar dhe ndikimi i shpirtit civilizues hebraik dhe amerikan në mbarë botën.
Kur dhjetë njerëz që mendojnë me një qëllim të përbashkët bashkohen për të formuar një shoqëri, nuk do t’u shkojë ndërmend t’ia besojnë arritjen e qëllimit të tyre një “zhvillimi organik” që nuk mund ta mbikëqyrin ose kontrollojnë.
Përkundrazi, pasi të shqyrtojnë dhe vendosin kushtet e bashkimit të tyre, ata do të presin suksesin e tij vetëm nga zgjedhja e saktë e mjeteve dhe metodave të nevojshme – shkurt, nga inteligjenca dhe aktiviteti i tyre.
Nëse e kuptojnë se kanë bërë një gabim ose kanë filluar nga një premisë e gabuar, ata do t’i
korrigjojnë veprimet e tyre.
Situata është saktësisht e njëjtë me një shoqëri shtetërore që mendon, përveç se interesat shumohen brenda saj, dhe numri më i madh i anëtarëve, si dhe distanca gjeografike, e bëjnë më të vështirë pasqyrimin dhe kuptimin e shpejtë. Por kjo vështirësi, në vend që të justifikojë një regres të
pamenduar dhe pa mosveprim ndaj misticizmit të “zhvillimit organik”, mund të jetë vetëm një sfidë: të sjellësh detyrat e shtetit në vetëdijen e përgjithshme përmes ndriçimit rreth natyrës dhe qëllimit të tij, dhe të thjeshtosh mekanizmat e tij sa më shumë që të jetë e mundur.
Sot si asnjë herë më parë bota ka nevojë për një Rend të ri ndërkombëtar, për drejtësi të kombeve që iu është bërë padrejtësi (sikur është rasti i kombit shqiptar i cili u nda padrejtësisht me miratimin e Perandorisë Otomane, e cila i dha trojet tona si dhuratë tek të tjerët pak para shembjes së saj), për paqe e frymëmarrje të lirisë të popujve liridashës etj.
Ashtu si Hugo Grotius, Frederiku i Madh e konsideronte paqen si gjendjen normale dhe të dëshirueshm kur thoshte kështu: “O paqe, paqe e lumtur, shëroji të gjitha të këqijat në tokë që
sjell lufta shkatërruese; dhe shpërndaje favorin tënd më me gëzim se kurrë më parë mbi ballin tënd të stolisur me lule të sapo çelura.”
Diku tjetër thoshte si vijon: “ O Paqe, Paqe e dashur, e dëshiruar kaq gjatë, eja dhe mbylle Tempullin e frikshëm të Janusit, dëbo egoizmin dhe zilinë nga këto mbretëri; jepu lavdi talenteve, ktheju jetë të gjitha arteve; atëherë do t’i përziejmë meritat dhe degët e tua të ullirit me dafinat tona të përgjakshme.”
Literatura referenciale:
1. Gjon Keka, Metapolitika, Prishtinë 2019
2. H.d.offentlichen Rechts der Gegenwart in Monographien …, 1899
3. Gesetzgebungstheorie und Rechtspolitik , D.Grimm, W. Maihofer, 1988
4. Was ist wahre Demokratie?, K.Heinzen, 1871
5. G. Schneider, Ch.Toyka-Seid: Das junge Politik-Lexikon: www.hanisauland.de,
6. Bundeszentrale für politische Bildung: https://www.bpb.de
7. Lehrbuch des Völkerrechts, Alphonse Rivier,1899
8. Die Secession,L.Bamberger, 1881
9. P. d. Std.J.G.z.B, Sch.v.Ostern, 1876
