Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Ky artikull analizon implikimet e një reduktimi të mundshëm të pranisë së SHBA-së në Evropë për arkitekturën e sigurisë evropiane dhe për pozicionimin strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke u mbështetur në teorinë e realizmit strukturor dhe konceptin e aleancave asimetrike, artikulli argumenton se një Evropë më autonome në siguri do të kërkojë rikonfigurim të thellë të marrëdhënieve transatlantike, ndërsa hapësira shqiptare duhet të adoptojë një strategji të balancuar midis integrimit evropian dhe ruajtjes së një partneriteti të privilegjuar me SHBA-të.
1. Hyrje
Debati mbi të ardhmen e angazhimit amerikan në Evropë është intensifikuar në vitet e fundit, sidomos në kontekstin e qëndrimeve të artikuluara nga Donald Trump mbi rolin e NATO. Ky debat nuk mund të kuptohet pa marrë në konsideratë rolin historik të SHBA-ve në ndërtimin e rendit evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Siç vëren Joschka Fischer, prania amerikane ka qenë faktor kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit që mundësuan integrimin ekonomik dhe krijimin e European Union.[1]
Analiza mbështetet në realizmin strukturor të Kenneth Waltz-it, i cili thekson se shpërndarja e fuqisë në sistemin ndërkombëtar përcakton sjelljen e shteteve.[2] Në këtë kontekst, një reduktim i rolit amerikan krijon një boshllëk sigurie që aktorët evropianë duhet ta mbushin.
Njëkohësisht, koncepti i aleancave asimetrike i zhvilluar nga Glenn Snyder ndihmon në kuptimin e marrëdhënieve midis fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla, duke theksuar tensionin midis autonomisë dhe varësisë.[3]
2. Rikonfigurimi i arkitekturës evropiane të sigurisë
Ky vlerësim pasqyron debatin aktual mbi politikën e sigurisë dhe mbi situatën në vitin 2026, në të cilin një reduktim i pranisë amerikane shihet si një katalizator për një ndryshim themelor në arkitekturën evropiane të sigurisë, jo si zhdukja e saj e menjëhershme.
Aspektet kryesore të këtij transformimi janë:
Fundi i Pax Americana: Epokës në të cilën SHBA-të vepronin si garantuesi kryesor i sigurisë po i vjen fundi. Strategjia e re e mbrojtjes amerikane për vitin 2026 sinjalizon një fokus në Indo-Paqësor dhe e detyron Evropën të marrë kryesisht përsipër vetë përgjegjësitë e mbrojtjes konvencionale.
Pavarësisht kësaj një kolaps i papritur nuk pritet të ndodhë menjëherë. Përkundrazi, forcat amerikane po kalojnë nga një prani e përhershme në vendosje më të detajuara dhe më të kushtëzuara. NATO do të mbetet si një kornizë, por do të dominohet më pak nga SHBA-të.
Autonomia strategjike evropiane: Reduktimi kërkon emancipim të përshpejtuar. Evropa duhet të rrisë ndjeshëm aftësitë e saj në mbrojtje, prodhimin e armëve dhe një politikë të jashtme të përbashkët për të zvogëluar “varësinë e saj të rrezikshme nga Uashingtoni”.
Sfidat e tranzicionit: Transformimi është i mbushur me rreziqe. Këto përfshijnë boshllëqe në aftësitë kritike (inteligjencë, mbrojtje ajrore) që më parë janë mbuluar nga SHBA-të, si dhe nevojën për të zhvilluar një strategji të unifikuar evropiane të sigurisë pavarësisht interesave të ndryshme kombëtare.
Një Evropë me prani të reduktuar amerikane do të përballej me nevojën për të zhvilluar kapacitete autonome sigurie. Koncepti i autonomisë strategjike, i promovuar nga Franca, reflekton këtë ambicie. Megjithatë, siç argumenton Barry Posen, kapacitetet evropiane mbeten të fragmentuara dhe të pamjaftueshme për të zëvendësuar plotësisht garancitë amerikane.[4]
Roli i Britanisë së Madhe mbetet gjithashtu thelbësor si një aktor ushtarak i rëndësishëm dhe një lidhje ndërmjet Evropës dhe SHBA-ve.[5]
Konkurrenca gjeopolitike zhvillohet kryesisht në Evropë, Azinë Lindore dhe Lindjen e Mesme. Lojërat me shumë zero midis këtyre arenave ndikojnë në llogaritjet strategjike në mbarë botën. [6]
Aktualisht jemi dëshmitarë okular se, konfliktet gjeopolitike tani po zhvillohen globalisht. Përmes dërgesave të armëve dhe vendosjes së trupave gjithandej në tri zonat e nxehta: Në Europë [Ukrainë, Baltik dhe Ballkan], në Lindjen e Mesme [gjithandej, me theks në Izrael dhe më tej në Azinë Lindore [në Korenë e Jugut dhe Taivan].
Në të gjitha këto rajone Kina vazhdon me intenzitet të shtuar të krijojë në mënyrë aktive partneritete në rajone të ndryshme të botës, qoftë përmes Iniciativës “Një Brez, një Rrugë” apo rolit të saj në BRICS dhe Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO).[7]
3. Roli i aktorëve rajonalë dhe globalë
Në këtë konfigurim të ri, Turqia paraqitet si një aktor me peshë të një rënëdësie të veçantë për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik dhe kapaciteteve ushtarake. Ndërkohë, ndikimi i Rusisë dhe Serbisë në Ballkanin Perëndimor vazhdon të manifestohet përmes strategjive hibride.[8]
Nën udhëheqjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, Turqia ka ndjekur vazhdimisht një politikë të jashtme aktive që thekson fuqimisht autonominë strategjike dhe përpiqet për një rol udhëheqës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Vendi kombinon instrumentet ekonomike dhe diplomatike me elementë të fuqisë së butë, theksohet në një studim të Shërbimit Ndërombëtar të Parlamentit austrik me titull “Türkei – Regionalmacht oder Global Player?” [Turqia – Fuqi rajonale apo lojtar global?] [9]
Lidhjet historike, kulturore dhe fetare, me theks në Ballkan, plotësohen nga bashkëpunimi ekonomik, politika e zhvillimit dhe projektet tjera me interes për të siguruar dhe zgjeruar ndikimin e saj. Turqia përdor si kapacitetet civile ashtu edhe ato ushtarake për të siguruar kufijtë dhe sferat e saj të ndikimit.
Vendi që zotëron Grykën strategjike të Bosfort në këtë epokë të rikthimit t gjeopolitikës po pozicionohet si një aktor i politikës së jashtme me vetëbesim.
4. Implikimet për hapësirën shqiptare
Për Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosovës, por edhe për Kombin shqiptarë në tërësinë e tij, ky zhvillim kërkon një strategji të dyfishtë: forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe koordinimin e politikave të sigurisë.
Forcimi i kapaciteteve të brendshme para së gjithash ka të bëjë me dy fushat më të ndieshme: atë të sigurisë dhe të mbrojtjes. Prandj kërkohet me urgjencë investimi në ushtri moderne, inteligjencë dhe siguri kibernetike për të përballuar kërcënimet hibride.
Ndërkaq pika e dobët e dy republikave tona është qëndrueshmëraia institucionale. Në këtë sferë hynë lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit të së drejtës dhe rritja ekonomike, të cilat janë thelbësore për një siguri kombëtare në plan afatgjatë.
Përveç kësaj kërkohet koordinim i thelluar dhe mirëorganizuar i politikave të sigurisë mes dy republikave tona.
Urgjentisht duhet rishikuar bashkëpunimi në këto sfera mes Tiranës e Prishtinës. Ky bashkëpunim ka të bëjë me harmonizimin e qëndrimeve në arenën ndërkombëtare dhe unifikimin e politikave të mbrojtjes.
Ndërkaq investimi i Tiranës dhe Prishtinës në nismat rajonale, si është ajo me Kroacinë në lëmin e mbrojtjes dhe sigurisë, fiton peshë të veçantë. Kjo nismë promovon stabilitet, gjithnjë duke ruajtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
Në këtë kuadër, ruajtja e marrëdhënieve të veçanta me SHBA-të është prioritet dhe interes jetik edhe në këtë kapërcyell të marrëdhënieve të tensionuara transatlantike. Kjo mund të krahasohet me modele si ai i Izraelit, pastaj edhe dy rastet në Azi – ai i Koresë së Jugut dhe Japonisë, ku aleancat asimetrike kanë shërbyer si mekanizma stabilizues.[10]
Megjithatë, ndryshe nga këto raste, hapësira shqiptare është pjesë e një sistemi evropian integrues, çka kërkon balancim midis partneritetit transatlantik dhe integrimit në Unionin Europian.
4.1 Aleanca Asimetrike me SHBA-të (Modeli Izrael/Kore e Jugut/Japoni)
Ky model meriton studim të veçantë. Ashtu si me Izraelin apo Korenë e Jugut, një aleancë e ngushtë me SHBA-në i ofron një “ombrellë” sigurie Shqipërisë dhe Kosovës, duke rritur koston e çdo agresioni të mundshëm nga aktorë të tretë (si Serbia apo ndikimet e tjera dashakeqe në Ballkan, me theks ato nga Rusia).
Kjo aleancë shërben si një mekanizëm stabilizues që balancon raportet e forcave në rajon.
4.2 Balancimi: Transatlantik vs. Evropian
Ndryshe nga modelet e përmendura (Japoni, Izrael etj.), Shqipëria dhe Kosova ndodhen në zemër të Europës dhe synojnë anëtarësimin në BE. Prandaj kemi të bëjmë edhe me ndeshtrasha të natyrave specifike.
Çfardo veprimi strategjik në këtë plan kërkon një akt balancues, ku mbështetja e sigurisë te SHBA-të nuk bie në ndesh, por komplementon procesin e integrimit evropian. SHBA-të të shihen si garantuesi i sigurisë, ndërsa BE-ja si korniza politike, ekonomike dhe ligjore.
Strategjia e dyfishtë synon që Shqipëria dhe Kosova të mos jenë vetëm konsumatorë sigurie, por kontribues, duke maksimizuar marrëdhëniet me SHBA-në për sigurinë fizike dhe duke thelluar reformat për anëtarësimin në BE.
5. Përfundime
Një reduktim i pranisë amerikane në Evropë nuk nënkupton një kolaps të menjëhershëm të sigurisë, por një transformim të thellë të saj. Për hapësirën shqiptare, kjo nënkupton nevojën për një strategji të shumëfishtë dhe fleksibile, e cila kombinon:
- forcimin e kapaciteteve kombëtare;
- thellimin e integrimit evropian;
- ruajtjen e lidhjes strategjike me SHBA-të
Fusnota
- Joschka Fischer, artikull i publikuar në Balkan Investigative Reporting Network, 2026. [Shih këtë ese të plotë të publikuar edhe në këtë javë në faqen e ISHGJ-së.]
- Kenneth Waltz, Theory of International Politics (1979).
- Glenn Snyder, Alliance Politics (1997).
- Barry Posen, Restraint: A New Foundation for U.S. Grand Strategy (2014).
- Lawrence Freedman, The Future of War (2017).
- Marc Saxer, IP 03/2025
[Burimi: https://internationalepolitik.de/de/drei-kampfzonen] - Fuat Keyman, analiza mbi politikën e jashtme turke.
- European External Action Service, EUvsDisinfo Reports.
- https://www.parlament.gv.at/dokument/dossiers-eu-internationales/Tuerkei-Regionalmacht-oder-Global-Player_BF.pdf
- Victor Cha, Powerplay: The Origins of the American Alliance System in Asia (2016).
