Në ambientet e Bibliotekës “Ernest Koliqi” në kuadër të Katedrales në Prishtinë, në mbrëmjen e 7 majit, u promovua libri i Prof.Asoc.Dr.Lisen Bashkurtit: “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”
Nga Prof. Assoc. Dr. Nijazi Halili
Të nderuar pjesëmarrës, të respektuar profesorë, studiues, diplomatë, studentë dhe dashamirës të librit!
Kam nderin dhe përgjegjësinë akademike që, në cilësinë e Redaktorit Përgjegjës, të paraqes përpara jush veprën më të re të Prof. Dr. Lisen Bashkurtit me titull: “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”.
Para se të ndalem në analizën e përmbajtjes dhe vlerave shkencore të kësaj vepre, më lejoni të theksoj se Prof. Dr. Lisen Bashkurti zë një vend të veçantë dhe të konsoliduar në mendimin akademik dhe strategjik shqiptar, si dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë bashkëkohore.
Për kontributin e tij shumëvjeçar në diplomaci, në akademi dhe në analizën e politikës globale, profesori Lisen Bashkurti konsiderohet me të drejtë nga shumë qarqe intelektuale si “Kissingeri i shqiptarëve” në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.
Ky vlerësim nuk është metaforë e rastësishme. Ai buron nga aftësia e autorit për të ndërthurur teorinë me praktikën, historinë me aktualitetin dhe analizën me parashikimin strategjik.
Ashtu si figurat e mëdha të diplomacisë botërore, Prof. Dr. Lisen Bashkurti ka ndërtuar një profil ku përvoja shtetërore, mendimi akademik dhe vizioni gjeopolitik bashkohen në mënyrë organike.
Prof. Dr. Lisen Bashkurti ka shërbyer për shumë vite si Ambasador, duke përfaqësuar me dinjitet shtetin shqiptar në misione të rëndësishme diplomatike. Profesor Bashkurti ka mbajtur gjithashtu detyrën e Rektorit, duke dhënë një kontribut të çmuar në drejtimin e arsimit të lartë dhe në forcimin e institucioneve universitare. Në dimensionin akademik, profesori Bashkurti ka ligjëruar si profesor në universitete brenda dhe jashtë vendit, duke formuar breza studentësh, studiuesish dhe profesionistësh të rinj. Gjatë jetës së tij akademike dhe profesionale, Prof. Dr. Lisen Bashkurti ka dëshmuar një produktivitet të jashtëzakonshëm shkencor, duke botuar 28 libra në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, çka përbën një opus të rrallë intelektual në hapësirën shqiptare.
Këto vepra trajtojnë tema të rëndësishme të diplomacisë, sigurisë, gjeopolitikës, rendit ndërkombëtar dhe zhvillimeve rajonale, duke e vendosur autorin ndër kontribuuesit më të rëndësishëm të mendimit strategjik kombëtar.
Ky kombinim i rrallë i diplomatit, drejtuesit universitar, profesor dhe autor e bën Prof. Dr. Lisen Bashkurtin një personalitet me autoritet të natyrshëm në çështjet ndërkombëtare.
Sot kemi kënaqësinë intelektuale të prezantojmë një vepër me vlerë të veçantë studimore dhe strategjike: “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur”, një libër që përfaqëson pjekurinë shkencore dhe përvojën e gjatë profesionale të autorit.
Ky botim paraqet një kontribut serioz në literaturën bashkëkohore të gjeopolitikës, duke trajtuar një nga çështjet më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar aktual, natyrën, sjelljen dhe orientimin strategjik të Federatës Ruse në sistemin global.
Në këtë libër, autori analizon Rusinë jo vetëm si fuqi shtetërore, por si një entitet gjeopolitik me memorie historike imperiale, me logjikë të veçantë strategjike dhe me objektiva afatgjata në politikën ndërkombëtare.
Koncepti i “rrethit të mbyllur”, i përdorur nga autori si kategori analitike, shpjegon mekanizmat përmes të cilëve Rusia ndërton zonat e saj të ndikimit, mbron interesat e sigurisë dhe projekton fuqinë në hapësirat përreth saj.
Vepra mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore, ku ndërthuren analiza historike, krahasuese dhe strukturore. Autori shqyrton faktorët gjeografikë, politikë, ekonomikë, ushtarakë dhe civilizues që kanë formësuar sjelljen ndërkombëtare të Rusisë ndër shekuj. Në këtë aspekt, libri kapërcen analizën episodike dhe ofron një interpretim afatgjatë të fenomenit rus. Një nga meritat kryesore të këtij studimi është se autori arrin të shpjegojë marrëdhënien ndërmjet trashëgimisë historike dhe politikave aktuale.
Autori argumenton se vendimet strategjike të Rusisë nuk mund të kuptohen pa marrë parasysh përvojën historike të ekspansionit territorial, konceptin e zonave tampon, raportin me Perëndimin dhe perceptimin tradicional të kërcënimeve të jashtme.
Në planin teorik, libri vendoset në ndërthurjen e realizmit politik, analizës së fuqisë dhe studimeve gjeostrategjike. Në planin praktik, libri ndihmon lexuesin të kuptojë më mirë konfliktet bashkëkohore, rivalitetet ndërmjet fuqive të mëdha dhe transformimet e sigurisë euroaziatike.
Rëndësia e kësaj vepre është e veçantë edhe për rajonin tonë. Ballkani historikisht ka qenë pjesë e interesave të mëdha strategjike ndërkombëtare. Për këtë arsye, kuptimi i politikës së jashtme ruse dhe i logjikës së saj gjeopolitike është me interes të drejtpërdrejtë për studiuesit, diplomacinë shqiptare dhe politikëbërjen rajonale.
Nga pikëpamja stilistike, libri karakterizohet nga gjuha e qartë akademike, argumentimi racional dhe struktura e disiplinuar.
Libri është i qasshëm si për studiuesit specialistë, ashtu edhe për studentët e shkencave politike, historisë, sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në përfundim, nënvizoj se, libri “Rusia – Gjeopolitika Imperiale e Rrethit të Mbyllur” është një vepër me vlerë të lartë njohëse, shkencore dhe strategjike.
Libri pasuron mendimin shqiptar në fushën e gjeopolitikës dhe dëshmon edhe një herë nivelin e lartë intelektual të autorit.
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, me këtë botim, rikonfirmon pozitën e tij si një nga zërat më seriozë të analizës ndërkombëtare shqiptare dhe si kontribuues i rëndësishëm në kulturën strategjike kombëtare.
J u faleminderit!
