Nga Dan GASHI / Njujork
Takimi i paralajmëruar mes Presidentit Trump dhe liderit kinez Xi Jinping, më 14 maj në Pekin, nuk duhet parë thjesht si një takim rutinë mes krerëve të dy superfuqive botërore, por si një përpjekje për menaxhimin e një krize gjeopolitike me potencial për pasoja rrënuese globale. Kjo krizë ka shkrirë energjinë, luftën dhe diplomacinë në një mekanizëm të vetëm presioni strategjik. Në qendër të këtij ekuacioni qëndrojnë Ngushtica e Hormuzit, Irani dhe Kina, ndërsa SHBA-ja – nën administratën Trump, gjendet përballë një sprove të rëndë strategjike, pa zgjidhje optimale.
Samiti i 14 majit në Pekin shndërrohet kështu jo thjesht në një takim diplomatik, por në një moment dhe rast të ripozicionimi të arkitekturës globale të dy superfuqive boterore.
Në këtë kontekst, Trump përballet me tri opsione kryesore strategjike, secili me pasoja të thella gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Opsioni i parë:
Marrëveshje e shpejtë dhe e pjesshme për stabilizimin e Hormuzit
Ky skenar përfaqëson një qasje pragmatike dhe afatshkurtër. SHBA-ja do të pranonte një marrëveshje me Iranin që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe stabilizimin e menjëhershëm të tregjeve globale të energjisë. Në aspektin gjeoekonomik, kjo do të përbënte një fitore të menjëhershme: ulje të çmimeve të naftës, stabilizim të inflacionit global dhe shmangie të një krize energjetike që mund të destabilizojë aleancat perëndimore.
Megjithatë, në planin gjeostrategjik, kjo qasje mbart kosto të lartë. Ajo nënkupton, de facto, pranimin e rolit të Iranit si aktor që kontrollon një nga arteriet më kritike të energjisë botërore. SHBA-ja do të humbiste një pjesë të konsiderueshme të levës së saj strategjike, duke e shndërruar marrëveshjen në një armëpushim funksional dhe jo në një zgjidhje afatgjatë strukturore. Programi bërthamor iranian, arsenali balistik dhe rrjetet rajonale të ndikimit do të mbeteshin jashtë zgjidhjes ose do të shtyheshin për faza të ardhshme negociuese.
Në këtë skenar, Kina do të përfitonte në mënyrë indirekte. Stabilizimi i tregjeve dhe ruajtja e rrjedhës së naftës do ta konsolidonin më tej rolin e saj si partneri kryesor ekonomik i Iranit dhe si garantues i një rendi energjetik të ndikuar pjesërisht nga Pekini.
Opsioni i dytë:
Presion maksimal dhe izolim i zgjatur ndaj Iranit
Ky opsion synon ruajtjen e levës amerikane përmes vazhdimit të embargos dhe presionit ekonomik, me qëllim detyrimin e Iranit për të pranuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe më të favorshme për SHBA-në. Strategjikisht, ky është modeli klasik i “presionit të zgjatur”, ku koha përdoret si instrument për të dobësuar kundërshtarin.
Megjithatë, në nivel gjeopolitik, ky skenar krijon një bllokadë të rrezikshme. Ngushtica e Hormuzit mbetet e paqëndrueshme ose e mbyllur, duke dëmtuar tregjet globale të energjisë dhe duke rritur rrezikun e një recesioni ndërkombëtar. Irani, i mbështetur ekonomikisht dhe diplomatikisht nga Kina, mund të zgjedhë strategjinë e rezistencës afatgjatë, duke besuar se sistemi global do të lodhet më shpejt sesa vetë regjimi iranian.
Në këtë skenar, Kina luan rolin e një “amortizatori strategjik”, duke i siguruar Iranit oksigjen ekonomik përmes blerjeve të naftës dhe duke neutralizuar pjesërisht efektin e sanksioneve amerikane. Kjo e redukton gradualisht efektivitetin e presionit amerikan dhe e zgjat krizën në kohë.
Opsioni i tretë:
Përshkallëzim ushtarak dhe imponim me forcë i hapjes së Hormuzit
Ky është opsioni më ekstrem dhe potencialisht më destabilizues. Ai nënkupton përdorimin e forcës ushtarake për të detyruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për të imponuar një marrëveshje të plotë ndaj Iranit.
Në planin gjeostrategjik, kjo do të përbënte rikthimin e SHBA-së në një konflikt të hapur në një nga zonat më sensitive energjetike të botës. Operacionet ushtarake do të ishin komplekse dhe me rrezik të lartë, potencialisht duke kërkuar edhe prani tokësore amerikane. Edhe në rast suksesi ushtarak, pasojat do të ishin të menjëhershme: tronditje globale të tregjeve të energjisë, destabilizim i aleancave dhe rrezik për një konflikt rajonal afatgjatë.
Në këtë skenar, SHBA-ja do të rrezikonte të hapej në një front të ri strategjik në Lindjen e Mesme, pikërisht në momentin kur rivaliteti me Kinën në Indo-Paqësor mbetet prioriteti kryesor afatgjatë i politikës amerikane.
Roli strukturor i Kinës: nga aktor ekonomik në arkitekt gjeopolitik
Të tri opsionet e Trump-it kushtëzohen nga një faktor i jashtëm vendimtar, Kina. Pekini blen pjesën dërrmuese të naftës iraniane, duke i garantuar Teheranit qëndrueshmëri ekonomike dhe diplomatike përballë sanksioneve. Kjo e ul ndjeshëm efektin e presionit amerikan dhe e bën Iranin më rezistent në negociata.
Por roli i Kinës nuk është vetëm ekonomik. Ajo është shndërruar në ndërmjetësin e domosdoshëm diplomatik midis SHBA-së dhe Iranit. Duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me Teheranin dhe informacion të avancuar mbi pozicionin negociues iranian, Pekini hyn në samitin e 14 majit me avantazh të dukshëm strategjik dhe informativ.
Ky avantazh u forcua edhe më shumë pas takimit të 6 majit 2026 midis ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe kryediplomatit kinez Wang Yi. Gjatë këtij takimi, Kina konfirmoi mbështetjen për të drejtën legjitime të Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, si dhe për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të tij. Në praktikë, kjo i dha Pekinit një kuptim më të thellë të vijave të kuqe, opsioneve dhe gatishmërisë negociuese të Teheranit përpara mbërritjes së Trump-it në Pekin.
Në këtë kuadër, Xi Jinping hyn në negociata me tri leva kryesore strategjike:
- Ndikim mbi Iranin përmes energjisë dhe tregtisë së naftës;
- Ndikim mbi SHBA-në përmes tarifave dhe marrëdhënieve ekonomike;
- Ndikim mbi rendin rajonal përmes çështjeve si Tajvani, siguria detare dhe arkitektura e ardhshme e sigurisë në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Samiti i Pekinit si moment ripozicionimi global
Trumpi hyn në samitin e Pekinit në një pozitë relativisht të dobësuar: me një konflikt të papërfunduar, me presion të brendshëm ekonomik dhe me mungesë të një fitoreje të qartë diplomatike që mund të kapitalizohet politikisht. Kjo e bën atë më të ekspozuar ndaj ofertave që premtojnë stabilitet të shpejtë, edhe nëse ato kërkojnë koncesione strategjike afatgjata.
Nga ana tjetër, Kina hyn në samit me avantazh strukturor: informacion të drejtpërdrejtë mbi Iranin, ndikim mbi tregjet globale të energjisë dhe aftësi për të formësuar jo vetëm krizën, por edhe kushtet e zgjidhjes së saj.
Në thelb, ajo që po negociohet në Pekin nuk është vetëm fundi i një lufte rajonale, por mënyra se si do të ndahet ndikimi në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më multipolar. Paqja, në këtë kontekst, nuk është vetëm çështje stabiliteti energjetik apo armëpushimi, por instrument për rikonfigurimin e balancës globale të fuqisë midis SHBA-së dhe Kinës në dekadën e ardhshme.
