Nga Dan GASHI / Njujork
Për të kuptuar pse Turqia gradualisht po shihet si një shqetësim strategjik për Izraelin, duhet të fillojmë me një premisë metodologjike.
Në Lindjen e Mesme, doktrinat e sigurisë nuk formulohen vetëm në përgjigje të kërcënimeve të menjëhershme, por për parashikim të dinamikave të ardhshme të fuqisë. Nga kjo perspektivë, siguria nuk barazohet me mbrojtjen e thjeshtë të kufijve, por më tepër me aftësinë për të parandaluar shfaqjen e aktorëve rajonalë të aftë për të kufizuar lirinë e veprimit të Izraelit ose për të ndryshuar ekuilibrat strategjikë ekzistues.
Nga perspektiva e Izraelit, Turqia sot shihet jo thjesht si një fqinj kompleks, por si një fuqi rajonale në rritje me ambicie strategjike konfrontuese. Ky perceptim është i rëndësishëm sepse, brenda logjikës së sigurisë izraelite, një aktor nuk bëhet domosdoshmërisht një kërcënim vetëm kur shfaq armiqësi të drejtpërdrejtë; ai mund të bëhet i tillë kur fiton aftësi të mjaftueshme ushtarake, ndikim gjeopolitik dhe thellësi strategjike për të kufizuar hapësirën operative të Izraelit.
Historikisht, doktrina izraelite e sigurisë është shoqëruar me një qasje parandaluese, të bazuar në nevojën për të neutralizuar kërcënimet përpara se ato të zhvillohen në një formë të qartë armiqësore. Nisur nga ky këndvështrim, Izraeli e ka parë rritjen e fuqisë së aktorëve rajonalë si një rrezik potencial afatgjatë, edhe kur ai ende nuk ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm.
Në këtë kontekst, çështja nuk është thjesht ajo që bën një aktor kercenues në të tashmen, por ajo që mund të bëjë në të ardhmen nëse potencialisht i forcon më tej aftësitë e tij ushtarake. Prandaj, për Izraelin, analiza strategjike përfshin jo vetëm një vlerësim të qëllimeve, por edhe të potencialit. Kjo është arsyeja pse vëmendja përqendrohet te shtetet ose organizatat e afta për të ndikuar në ekuilibrin rajonal të fuqisë, duke mbështetur aleanca alternative ose duke kufizuar superioritetin ushtarak të Izraelit.
Rritja dhe faktorizimi i Turqisë po profilizohet në këtë definim, sepse kombinon tre elementë kryesorë: pozicionin gjeografik konfrontues, aparatin ushtarak të sofistikuar dhe një politikë të jashtme gjithnjë e më të vendosur dhe imponuese. Turqia demonstroi aftësinë e saj për të vepruar njëkohësisht në Levant, Mesdheun Lindor, Detin e Zi dhe Kaukazin, duke e bërë atë një aktor gjeopolitik që nuk mund të injorohet lehtësisht dhe pa pasoja.
Vite me radhë, Irani ka përfaqësuar paradigmën kryesore të kërcënimit strategjik për Izraelin. Megjithatë, rëndësia në rritje e Turqisë në diskursin izraelit nuk tregon një zëvendësim të drejtpërdrejtë, por më tepër një zgjatim të së njëjtës logjikë të përmbajtjes drejt një aktori tjetër rajonal të perceptuar si të aftë për t’u faktorizuar si aktor i pavarur dhe kërcënim potencial.
Deklarata e Naftali Bennett, se një “kërcënim i ri turk” po shfaqet dhe Izraeli duhet të veprojë njëkohësisht kundër Teheranit dhe Ankarasë, është shqetësuese jo aq për vlerën e saj retorike, sesa per përfshirjen e Turqisë në një leksion sigurie që deri vonë ishte i rezervuar për kundërshtarët e tjerë rajonalë. Në mënyrë të ngjashme, interpretimi i paraqitur nga qarqet analitike dhe mediatike izraelite thekson nevojën për të mos nënvlerësuar potencialin e Turqisë, veçanërisht ndërsa Ankaraja forcon aftësitë e saj ushtarake dhe konsolidon partneritetet alternative rajonale.
Ndryshimi më i rëndësishëm është pra konceptual: Turqia nuk shihet më vetëm për lëvizjet e saj të menjëhershme, por si një faktor i mundshëm strukturor në transformimin e rendit rajonal. Nga kjo perspektivë, tensionet izraelito-turke nuk janë përplasje diplomatike, por një reflektim i një konkurrence më të gjerë për hegjemoni rajonale.
Mesdheu dhe Siria: Arena e rivaliteteve
Arena kryesore e këtij rivaliteti është Mesdheu Lindor, ku Izraeli ka forcuar dukshëm bashkëpunimin e tij me Greqinë dhe Qipron, duke kontribuar në formimin e një boshti sigurie që adreson gjithashtu shqetësimet që rrjedhin nga aktivizmi turk në rajon. Çështja e energjisë, kontrolli i rrugëve detare dhe përcaktimi i zonave ekonomike ekskluzive e kanë transformuar Mesdheun Lindor në një hapësirë konkurrence strategjike me interesa të larta politike dhe strategjike.
Në këtë ekuacion, Siria mbetet çështja më e ndjeshme tani pas rënies së qeverisë së Asadit në dhjetor 2024; dinamika e ndikimit brenda vendit ndryshoi me shpejtësi dhe lëvizjet operacionale turke dhe izraelite kanë rritur rrezikun potencial të incidenteve të armatosura. Nga njëra anë, Ankaraja është përpjekur të konsolidojë praninë e saj dhe të parandaloi shfaqjen e subjekteve armiqësore përgjatë kufirit të saj jugor. Nga ana tjetër, Izraeli ka ndjekur nevojën për të ruajtur lirinë e veprimit ajror dhe aftësinë për të goditur infrastrukturën e konsideruar armiqësore.
Në këtë skenar, problemi nuk është thjesht divergjenca midis dy shteteve, por përplasja midis dy projekteve të papajtueshme të sigurisë. Turqia synon një thellësi strategjike që i lejon asaj të projektojë stabilitet dhe ndikim; Izraeli, në të kundërt, synon të krijojë një mjedis të fragmentuar, të lirë nga fuqitë e afta për t’u konsoliduar deri në pikën e ndikimit në hapësirën e tij operacionale.
Faktorizimi i Turqisë në një objekt të përplasjes strategjike izraelite varet gjithashtu nga evolucioni i saj ushtarak. Modernizimi i forcave të armatosura turke, zhvillimi i sistemeve të raketave, përdorimi i gjerë i dronëve dhe dëshira për të fituar aftësi autonome rajonale të projektimit, përforcojnë perceptimin e Ankarasë si një fuqi imponuese që nuk është në përputhje me interesat strategjike izraelite.
Ky perceptim i Izraelit nxitet edhe nga qëndrimi i Turqisë ndaj çështjes palestineze dhe marrëdhëniet e saj me aktorët islamistë ose anti-izraelitë. Strategjikisht, kjo përforcon idenë se Turqia nuk është thjesht një ndërmjetëse rajonale, por një aktore e aftë për të formuar koalicione alternative dhe për të ofruar mbështetje politike për forcat armiqësore ndaj Izraelit.
Normalizimi i rivalitetit
Aspekti më domethënës i dinamikës aktuale është normalizimi i gjuhës konfliktuoze dhe kërcënuese. Kur një kërcënim përmendet vazhdimisht nga ish-kryeministrat, analistët, media dhe qarqet strategjike, ai pushon së qeni një mundësi e largët dhe bëhet një opsion mendësisht i zbatueshëm në diskursin publik. Kjo nuk do të thotë që konflikti është i pashmangshëm, por se po krijohen kushtet diskursive dhe psikologjike që e bëjnë të mundshëm një përshkallëzim të ardhshëm.
Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo logjikë është e njohur: përpara se një përplasje të manifestohet ushtarakisht, ajo zë rrënjë në diskursin e sigurisë, në doktrinat parandaluese dhe në perceptimin e kundërshtarit. Të flasësh për një “kërcënim të ri” ose “nevojën për të vepruar njëkohësisht” në dy fronte, nxit ripërcaktimin e kuadrit kognitiv brenda të cilit elitat politike interpretojnë opsionet e disponueshme.
Në këtë kuptim, përplasjet izraelito-turke sinjalizojnë një zhvendosje nga rivaliteti diplomatik në një konkurrencë më të thellë strategjike. Turqia nuk kritikohet thjesht për vendime të caktuara të politikës së jashtme; ajo trajtohet gjithnjë e më shumë si një kërcënim i mundshëm strukturor për sigurinë izraelite.
Shkaku pse doktrina izraelite e sigurisë ka filluar të synojë Turqinë duhet kërkuar në një kombinim faktorësh strukturorë: autonomia gjeopolitike turke, ndërtimi dhe modernizimi i forcave ushtarake, konkurrenca në Mesdheun Lindor, interesat në Siri dhe përplasjet politike në rritje midis Turqisë dhe Izraelit. Problemi, nga perspektiva e Izraelit, nuk është thjesht Turqia sot, por ajo që mund të bëhet nëse arrin të konsolidojë një sferë rajonale ndikimi në përputhje me interesat e veta strategjike.
Prandaj, interpretimi i rivalitetit izraelito-turk si një mosmarrëveshje e thjeshtë kontingjente do të ishte i gabuar. Ai duhet të kuptohet si një shprehje e një transformimi më të gjerë të rendit rajonal, në të cilin shtetet me ambicie autonome dhe aftësi në rritje, shihen si kërcënime të mundshme sistemike. Brenda kësaj logjike të perceptimit të rrezikshmërisë strategjike për Izraelin, Turqia ka hyrë në radarin strategjik të Izraelit.
