Nga Emin Azemi / Publicist, shkrimtar
Në një rajon që po rikonfigurohet me shpejtësi nën dritën e sfidave të reja globale, jetësimi i një Platforme Mbarëshqiptare nuk është më një zgjedhje, por një parakusht për mbijetesë strategjike. Koha e retorikës folklorike dhe e dështimeve të shkaktuara nga egot politike duhet t’i lihet së shkuarës. Duke ndërtuar institucione pragmatike, të përhershme dhe të bazuara në modelet më të suksesshme evropiane, shqiptarët mund të kthejnë ndërvarësinë e tyre në forcë reale. Integrimi funksional mes Tiranës, Prishtinës dhe qendrave të tjera në rajon nuk e pengon dhe as nuk e zëvendëson rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane. Përkundrazi, ai na faktorizon gjeopolitikisht dhe na përgatit për të qenë pjesë e saj.
Në kushtet e një fragmentimi të ri gjeopolitik në Ballkan, shqiptarët nuk mund t’i përgjigjen sfidave të kohës përmes politikave të izoluara apo patriotizmit folklorik. Sot, na duhet një kalim urgjent drejt një sovranizmi inteligjent, ku Shqipëria dhe Kosova do të ruanin pavarësinë shtetërore, por do të pranonin ndërvarësinë e tyre strategjike. Ky bashkërendim nuk mund të arrihet me deklarata, por përmes një integrimi funksional dhe harmonizimi legjislativ, duke krijuar një hapësirë të përbashkët ekonomike sipas modeleve më të suksesshme evropiane. Në këtë linjë, Tirana zyrtare duhet të ofrojë një ombrellë diplomatike për të gjithë shqiptarët në rajon, ndërsa Prishtina të shërbejë si shtyllë për një arkitekturë të përbashkët të sigurisë. Vetëm përmes një sinergjie institucionale që jetëson një agjendë mbarëshqiptare dhe në frymën e proceseve auro-atlantike, mund të arrihet një faktorizim i vërtetë rajonal i shqiptarëve, duke garantuar zhvillim, stabilitet dhe një zë unik në arenën ndërkombëtare.
Për të ndërtuar një platformë bashkërendimi, duhet të kuptojmë se faktori shqiptar në Ballkan sot operon brenda tre kornizave krejtësisht të ndryshme juridike dhe shoqërore: Realiteti i Shteteve Sovrane (Shqipëria dhe Kosova). Ky realitet përfaqëson bërthamën e vendimmarrjes politike shqiptare, por vuan nga asimetria e statusit ndërkombëtar. Shqipëria, ndonëse shtet anëtar i NATO-s, i njohur globalisht, me fokus primar integrimin në BE, shpesh shfaq tendenca paternaliste ndaj shqiptarëve të tjerë në rajon, ndërkaq Kosova ndonsë shtet me sovranitet të kontestuar nga Serbia, pa njohje universale (mungon në OKB) dhe nën monitorim të vazhdueshëm ndërkombëtar, fokus primar ka konsolidimin e shtetësisë dhe sigurinë. Dhe të gjitha këto proceseve ndiqen nga një paradoks: Këto prioritete të ndryshme (integrimi i shpejtë i Tiranës vs. mbijetesa sovrane e Prishtinës) krijojnë shpesh agjenda të papajtueshme diplomatike.
Në anën tjetër, kemi realitetin e pjesëmarrjes kushtetuese (Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi). Në këtë realitet, shqiptarët nuk janë shtetformues në letër, por janë faktorë kyç për stabilitetin e shteteve ku jetojnë Në Maqedoninë e Maqedonia e Veriut, shqiptarët e kanë përmirësuar statusin përmes Marrëveshjes së Ohrit, duke qenë pjesë e pandarë e pushtetit, por përballen me rrezikun e fragmentimit të brendshëm partiak dhe përdorimit të tyre si “asete” elektorale nga Shkupi zyrtar.
Ndërkaq, në Mal të Zi shqiptarët funksionojnë si pakicë kombëtare e integruar, shpesh si “peshë e lehtë” në balancat e brishta politike mes forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-serbe/ruse.
Për rrjedhojë, në të dyja shtetet, mungesa e një strategjie nga Tirana dhe Prishtina i lë këta shqiptarë të navigojnë të vetëm në ujëra të turbullta politike lokale.
Në hapësirën shqiptare, kemi edhe një realitet tjetër, që ka të bëjë me diskriminimin dhe mbijetesës në Luginën e Preshevës. Ky është realiteti më kritik dhe më i lënë pas dore i hapësirës mbarëshqiptare Atje Serbia zbaton një strategji të heshtur të spastrimit administrativ, duke fshirë adresat e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë për të zvogëluar numrin e tyre në letra.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në Luginë të Preshevës kemi një mosunitet brengosës mes forcave polititike shqiptare.Për shkak të përçarjeve lokale dhe mungesës së një liste të unifikuar (e cila duhej të imponohej nga Tirana dhe Prishtina), shqiptarët shpesh humbasin zërin e tyre në Parlamentin e Serbisë. Për pasojë, ky rajon trajtohet si zonë e sigurisë ushtarake nga Beogradi, duke bllokuar investimet ekonomike dhe duke nxitur emigrimin masiv të rinisë shqiptare.
Anatomia e dështimeve të deritanishme i faturohet personalizimit (lexo: protagonizmit) të politikës dhe egos së iderëve. Ka kohë që politika mbarëshqiptare udhëhiqet jo nga strategjitë shtetërore afatgjata, por nga marrëdhëniet personale mes kryeministrave apo liderëve të momentit. Kjo ka bërë që çështja kombëtare të instrumentalizohet për konsum të brendshëm elektoral, kurse marrëveshjet nënshkruhen për efekte mediatike gjatë fushatave dhe harrohen fill pas mbylljes së votimeve.
Sipas përvojave të deritanishme ka ndodhur që vendimet me peshë strategjike kombëtare bllokohen sepse liderët refuzojnë të komunikojnë ose anulojnë takimet për shkak të mospajtimeve taktike.
Mbledhjet e përbashkëta mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës kanë prodhuar qindra memorandume, por asnjë mekanizëm penalizues për moszbatimin e tyre. Kjo për shkak se nuk ekziston një organ i përhershëm administrativ apo sekretariat që ndjek hap pas hapi zbatimin e marrëveshjeve në terren. Prandaj pasi fiket euforia e kamerave, burokracitë ministrore të të dyja shteteve rikthejnë barrierat doganore, tarifore dhe administrative.
Në mes të Shqipërisë dhe Kosovës ka divergjenca strategjike në politikën e jashtme. Tirana dhe Prishtina shpesh dështojnë të ulen dhe të koordinojnë hapat përpara se të shpallin pozicione publike për nismat rajonale (siç tregoi përplasja publike për “Ballkanin e Hapur”), por pa hezitim shndërrohen në satelitë të ndikimeve të jashtme. Pa një agjendë unike mbarëshqiptare, qendrat tona politike përshtaten individualisht ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve, duke krijuar asimetri dhe zëra kakofonikë në Uashington, Bruksel e Berlin.
Që paradoksi të jetë edhe më i madh, të gjitha këto çarje dhe divergjenca kanë prodhuar njëfarë proteksionizmi ekonomik me derivate të luftërave tregtare, kun ë pah kanëm dalur interesat e oligarkive lokale. Barrierat jotarifore (bllokimet e patateve, qumështit, ilaçit apo çimentos) shpesh nxiten nga grupe të ngushta interesi dhe monopole biznesi në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat mbrohen nga politikanët lokalë.
Vendosja e tarifave të ndryshme, përfshi edhe taksën në Rrugën e Kombit pa asnjë konsultim paraprak, dëshmoi se interesat e arkës së njërit shtet u vendosën mbi interesin e integrimit ekonomik dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Shqiptarët janë ndër kombet me diasporë më të fuqishme në Evropë, por ajo funksionon e ndarë sipas linjave partiake ose krahinore (shoqata të Kosovës, shoqata të Shqipërisë). Është e pashpegueshme se si Shqipëria dhe Kosova nuk i kanë bashkuar kurrë fondet e tyre për të krijuar institute apo shkolla të unifikuara në mërgatë, duke çuar në humbjen e ngadalshme të gjuhës dhe identitetit te gjeneratat e reja.
Shqiptarët edhe pse nuk po mund të gjejnë një fushë të përshtatshme bashkërendimi, ata megjithatë nuk e kanë vështirë të gjejnë modele krahasuese. Evropa ofron formula të provuara se si shtete me interesa të ndryshme ose popuj të ndarë mund të krijojnë mekanizma të fuqishëm bashkërendimi.
Ka disa modele, por kësj radhe po marrim tre modele kryesore që vlejnë si referencë për hapësirën mbarëshqiptare: Modeli i Bashkëpunimit Pragmatik: Këshilli Nordik (Nordic Council), i krijuar në vitin 1952, ky këshill mbledh Danimarkën, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Finlandën dhe si qëllim final ka ruajtjen e sovranitetit. Shtetet nordike kanë politika të ndryshme të jashtme (p.sh., Norvegjia dhe Islanda nuk janë në BE, ndërsa Suedia, Finlanda dhe Danimarka po). Kjo tregon se asimetria e statusit ndërkombëtar nuk është pengesë për bashkëpunim, kurse integrimi është funksional. Pa pasur nevojë për një shtet të unifikuar, ky këshill krijoi Unionin Nordik të Pasaportave (lëvizje e lirë pa viza që nga vitet ’50), një treg të përbashkët të punës dhe njohje automatike të të gjitha diplomave dhe sigurimeve shoqërore.
Ky është një mësim praktik për shqiptarët, sepse bashkëpunimi mund të ketë sukses në nivele teknike dhe ekonomike, edhe kur shtetet kanë rrugë të ndryshme të integrimit gjeopolitik.
Pastaj, kemi modelin e institucionalizimit të detyrueshëm: Traktati i Elizesë dhe i Akhenit (Aachen). Franca dhe Gjermania, pas shekujve të luftërave të përgjakshme, ndërtuan një motor të përbashkët . Sipas traktateve, qeveritë e të dyja vendeve (kryeministrat, ministrat) dhe komisionet ndërparlamentare janë të detyruara me ligj të mblidhen në afate të rregullta fikse Asnjë lider nuk mund ta anulojë mbledhjen për teke apo mospajtime personale. Dy shtetet kanë detyrim që për vendimet e mëdha të politikës së jashtme dhe të sigurisë në kuadër të BE-së dhe NATO-s të konsultohen me njëri-tjetrin përpara se të dalin me qëndrime publike.
Edhe ky model mund të jetë mësimi për shqiptarët, aq më tepër kur bashkërendimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të kthehet në detyrim ligjor institucional, duke e nxjerrë atë nga duart e egove të liderëve të momentit.
Është edhe një model tjetër që i përshtatet rrethanave shqiptare. Ai është modeli i kapërcimit të ndarjeve, që ndyrshe quhet Këshilli i Ministrave Veri-Jug (Irlandë). Ky organizëm u krijua pas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë (1998) për të bashkërenduar punët mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut (pjesë e Britanisë së Madhe). Pa prekur kufijtë politikë, ky këshill menaxhon 12 fusha jetike të përbashkëta, si turizmi, bujqësia, mjedisi, shëndetësia dhe transporti. Madje edhe kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Dublinit tensionohen (siç ndodhi gjatë procesit të Brexit), strukturat teknike të këtij këshilli vazhdojnë të bashkëpunojnë në terren për interesat e qytetarëve në të dyja anët.
Çka mund të mësojnë shqiptarët nga ky model? Ndërtimi i marrëdhënieve mes Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë mund të funksionojë përmes agjencive teknike të përbashkëta, pa pasur nevojë të provokohen ekuilibrat e ndjeshëm kufitarë në Ballkan.
Për një bashkërendim më efikas në mes të shqiptarëve në rajon, nevojitet një Platformë e re mbarëshqiptare., e cila do të shtrihej në katër shtylla kryesore: Shtylla politike dhe ligjore, që do të rezultonte në një Këshill ndërparlamentar shqiptar (KNSH) dhe të një Forumi të përhershëm. Ky organizëm (sipas modelit Nordik) do të përbëhej nga delegatë të zgjedhur nga parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nga përfaqësuesit legjitimë politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës.
Por kjo nuk do të arrrihej pa një mekanizëm që të detyronte konsultimin paraprak. Draftimi i një traktati të ri ndërshtetëror do të detyronte Tiranën dhe Prishtinën zyrtare të harmonizojnë qëndrimet e tyre për iniciativat e mëdha rajonale dhe diplomatike përpara shpalljes së tyre publike.
Në aspektin e funksionimit administrativ, do të ishte e domosdoshme ngritja e një sekretariati teknik të përhershëm, që nënëkupton vendosjen e një zyre ekzekutive me seli në Tiranë ose Prishtinë, e udhëhequr nga profesionistë dhe ekspertë apolitikë, me detyrën e vetme: monitorimin ditor të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.
Shtylla e dytë e kësaj platforme do të ishte e shtylla ekonomike dhe Infrastrukturore, e që do të mund të quhej Agjencia e Integrimit Funksional, e cila do të merrej me krijimi i një trupe të përbashkët juridike për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve biznesore mes kompanive të Shqipërisë dhe Kosovës, duke shmangur bllokimet arbitrare në kufij, njohjen automatike fitosanitare dhe doganore që do të rezultonte në krijimi i një korridori të gjelbër të mirëfilltë ku certifikatat e lëshuara nga autoritetet e njërës palë pranohen pa kontrolle të dyfishta në pikën tjetër kufitare.
Kjo shtyllë do të përfshinte edhe bursën e përbashkët të energjisë dhe siguria. Zgjerimi i plotë i projektit ALPEX (bursa e përbashkët e energjisë) për të përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, duke garantuar pavarësi dhe siguri energjetike për mbarë faktorin shqiptar në rajon.
Shtylla arsimore, kulturore dhe e diasporës, që do të zhvillohej përmes një fondi të përbashkët financiar. Shqipëria dhe Kosova duhet të ndajnë një përqindje fikse vjetore nga GDP-ja e tyre (p.sh. 0.1%) për një fond unik kombëtar. Ky fond do të menaxhohej në mënyrë transparente për të financuar: mbarëvajtjen e shkollave dhe gjuhës shqipe në diasporë, subvencionimin e plotë të librave, kulturës dhe mediave shqip në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi dhe për të unifikimi sistemit arsimor. Bashkimi i plotë i kurrikulave shkollore që nga arsimi fillor deri te ai i mesëm, si dhe krijimi i një rrjeti të përbashkët të kërkimit shkencor mes akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë.
Platforma mbarëshqiptare duhet ta ketë edhe shtyllën e sigurisë dhe teknologjisë. Sulmet e shpeshta ndaj infrastrukturave digjitale qeveritare kërkojnë një grup të përbashkët ekspertësh (Task-Force) për të mbrojtur të dhënat shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe institucioneve të udhëhequra nga shqiptarët në rajon.
Në anën tjetër nevoitet edhe një protokoll unik i emergjencave civile. Bashkimi i kapaciteteve logjistike dhe njerëzore të ushtrive dhe strukturave të emergjencave (siç u dëshmua suksesshëm gjatë tërmetit në Shqipëri apo vërshimeve në Kosovë), por i rregulluar me një protokoll të përhershëm dhe të shpejtë veprimi.
Në një rajon që po rikonfigurohet me shpejtësi nën dritën e sfidave të reja globale, jetësimi i një Platforme Mbarëshqiptare nuk është më një zgjedhje, por një parakusht për mbijetesë strategjike. Koha e retorikës folklorike dhe e dështimeve të shkaktuara nga egot politike duhet t’i lihet së shkuarës. Duke ndërtuar institucione pragmatike, të përhershme dhe të bazuara në modelet më të suksesshme evropiane, shqiptarët mund të kthejnë ndërvarësinë e tyre në forcë reale. Integrimi funksional mes Tiranës, Prishtinës dhe qendrave të tjera në rajon nuk e pengon dhe as nuk e zëvendëson rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane. Përkundrazi, ai na faktorizon gjeopolitikisht dhe na përgatit për të qenë pjesë e saj. Është detyrë e elitave të sotme akademike, shoqërore dhe politike që ta shndërrojnë këtë vizion në një agjendë konkrete veprimi, duke dëshmuar pjekuri shtetformuese dhe përgjegjësi përpara historisë.
Shkup, 31 maj 2026
