Nga Dr. Selim IBRAIMI
Një shtet i vogël ballkanik po përgatitet të anëtarësohet në BE. Mali i Zi, me një popullsi prej 630 mijë banorësh, së shpejti do të jetë pjesë e BE-së.
Samitit Ballkani Perëndimor-BE, në Tivat të Malit të Zi gjithçka e qartësoi se ky vend është gati për t’u anëtarësuar në BE.
Megjithse Podgorica zyrtare është në prag të hyrjes, pjesa tjetër e shteteve të rajonit mbetet jashtë unionit.
Kritikët nga Ballkani Perëndimor thonë se problemi është në Bruksel, por hapat konkretë të shteteve anëtare të unionit tregojnë se vërejtjet nga qeveritë e rajonit nuk qëndrojnë.
BE-ja po kërkon zgjidhje të reja e më të lehta për qeveritë ballkanike që kanë shqetësime në plotësimin e kërkesave të BE-së.
“BE do të kërkojë mënyra të reja për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit për gjashtë shtete kandidate nga Ballkani Perëndimor në një samit të ardhshëm”, tha të enjten presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Bosnja – Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë kërkuar të anëtarësohen vite me radhë.
Shtetet rajonale kanë besuar se mund t’i arrijnë qëllimet duke mos i plotësuar kriteret dhe pa merita të bëhen pjesë e BE-së.
Duke i parë këto procese, BE-ja kohët e fundit është përpjekur të inkurajojë reformat në shtetet kandidate, duke pasur frikë nga ndikimi në rritje i Rusisë, Kinës dhe Turqisë.
Presidenti Costa tha: “Nëse doni të rrisni besimin midis njëri tjetrit, kjo nuk mund të krijohet me këtë ndjenjë frustrimi”.
Të premten, drejtuesit e lartë të BE-së u takuan në Tivat të Malit të Zi ku u diskutua integrimi i rajonit.
“Mali i Zi është vendi kandidat më i përparuar në negociatat e pranimit”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.
“Udhëheqja e fortë në vend ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në aspektin e reformave, por ka ende shumë punë për të bërë. Disa nga reformat më urgjente janë në fushën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorin”.
Ndërkohë, Gjermania dhe Franca po e marrin në konsideratë situatën në Evropë, dhe kanë propozuar një rrugë të ndryshme siç theksuam për shtetet e Ballkanit Perëdimor dhe Molldavinë drejt anëtarësimit në BE, me qasje të lehtë në Tregun e Përbashkët të BE-së.
Të dy qeveritë evropiane nënshkruan një dokument që bën thirrje për një shtysë të re në procesin e zgjerimit të BE-së.
Franca dhe Gjermania po bëjnë thirrje për një proces të ri të ‘integrimit të strukturuar gradual’ për vendet kandidate të BE-së.
Në të gjitha aspektet, është një ide e shkëlqyer që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta ndjekin.
Nëse edhe ky propozim nuk është i mjaftueshëm për shtetet e Ballkanit, atëherë më ky proces për disa qeveri mund të konsiderohet i përfunduar.
Në këtë aspekt, disa shtete të rajonit mund të mos jenë ende në shkallën e përsosur për shkak të çështjeve të pazgjidhura me vendet e tjera, siç është Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe marrëdhëniet Serbi-Kosovë.
Në këtë kontekst, nismat nga BE-ja shihen si një nxitje reale dhe e domosdoshme për shtetet ballkanike që duan të bëhen anëtare të unionit. Mirëpo, përderisa Mali i Zi dhe Shqipëria bëhen gati për në BE, është e dukshme që pjesa tjetër e Ballkanit ka mbetur jashtë unionit.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë lojën nacionaliste.
“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakordësuara mbetet e vetmja mënyrë përpara drejt fillimit zyrtar të negociatave”, tha Antonio Costa, president i KE-së gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup.
Duket se qeveria e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski e ka vlerësuar si të mirë propozimin franko- gjerman për i’ntegrim gradual’. Ai është kundër ndryshimeve kushtetuese.
Ai një një deklaratë për mediat në lidhje me propozimin tha :“I përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Jo të gjitha vendet janë në të njëjtin nivel të procesit të integrimit, por i përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk lidhet me procesin e zgjerimit, pasi të dy proceset zhvillohen paralelisht.
Po, është e saktë.
Disa pjesë të këtij plani nënkuptojnë që disa, do të thosha, kapituj të jenë të mbyllur, por do të ketë edhe disa rregullime këtu në periudhën e ardhshme, kështu që le të shohim versionin përfundimtar, dhe pastaj të gjithë mund ta diskutojmë.
Por, në çdo rast, është një mesazh i fortë nga Bashkimi Evropian. Niveli i marrëdhënieve midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është në një nivel shumë më të lartë, dhe po hapen shumë më tepër mekanizma dhe mjete që ne do t’i përdorim në periudhën që na pret. Prandaj, jam vërtet i kënaqur dhe i frymëzuar të realizoj më shumë reforma”.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi pavarësisht disa toneve pozitive, ende ekziston një shkallë e madhe skepticizmi.
Ndërsa BE-ja nuk e ka ndaluar kurrë procesin e zgjerimit në Ballkan, disa zyrtarë të Maqedonisë së Veriut kanë thënë se BE-ja nuk do të zgjerohet në Ballkan, gjë që nuk është e vërtetë.
Kosova vazhdon të mbetet shtet kandidat por pa një datë dhe shumë pak refroma janë bërë për të bindur BE-në që të fillojë procesi i asocimit.
Pas Podgoricës, Shqipëria është shteti i dytë për hyrje në BE deri në 2030.
I gjithë procesi do të varret nga politika reformatore e qeverisë Rama, luftës ndaj korrupsionit dhe shtetit të së drejtës.
Zyrtarë të lartë të BE-së kësaj herë ishin më të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe presidencës serbe rreth politikave të dyfishta.
“Anëtarësimi i tyre (Serbisë) mbetet përparësia jonë dhe një investim i rëndësishëm gjeopolitik”, tha presidenti Costa.
BE-ja po i bën punët e veta. Shihet se disa qeveri rajonale përveç pjesëmarrjes dhe dëshirës për fonde evropiane, as që e kanë në plan të bëjnë më shumë të duken si një shtet normal evropian.
Në këtë kohë do të jetë e dobishme të mendohet për hapat përpara dhe për të ardhmen, sepse nëse BE-ja thotë se është gati për marrëveshje të reja, shtetet e rajonit duhet ta pranojnë këtë vullnet.
