Nga Gazmend DEMOLLI
ALPEX në dukje shkëmbim teknik, ishte pranimi se dy shtete shqiptare mund të veprojnë si një hapësirë e vetme ekonomike, të shkëmbejnë, të tregtojnë bashkë, të forcojnë pozicionin negociues, të bëjnë çmim bashkë.
Kurti po shkon më tutje. Nëse e dëgjoni me kujdes. Investime të përbashkëta në kapacitete prodhuese në Shqipëri: terminali i rigazifikimit në Vlorë, termocentralet me gaz që Shqipëria duhet t’i ndërtojë. Ka logjikë.
Shqipëria ka gaz të blerë. Për ta konsumuar, duhet të ndërtojë tri termocentrale, një platformë rigazifikimi dhe gazsjellës. Investime masive. Kosova ka nevojë për energji të sigurt. Pse të mos participojë Kosova në ato kapacitete dhe të marrë energjinë sipas marrëveshjes paraprake?
Alternativa është e shtrenjtë dhe jo realiste: gazsjellës nëpër Bjeshkë të Nemuna del me kosto marramendëse, për të mbërritur të njëjtin rezultat me shpenzime disa herë më të larta. Nuk ka logjikë inxhinierike, nuk ka logjikë ekonomike. Gazsjellës nëpër Maqedoni dhe Greqi për të izoluar Shqipërinë? Jo falemnderit.
Kjo ide e kupton vetëm ai që i sheh shqiptarët si një komb të vetëm. Jo si dy shtete që negociojnë interesat kundrejt njëri-tjetrit, por si dy institucione që menaxhojnë burime të një hapësire të përbashkët. Reale.
Investimet, natyrisht, nuk duhet të ndalen aty. Kosovës i nevojitet një panoramë e gjerë dhe e qëndrueshme investimesh: rrjeti, izolimi i ndërtesave, solare, me erë, hidrike. Sidomos hidrike, investimi strategjik afatgjatë par excellence. Rinovimi kapital i TC A dhe B, ndoshta edhe i C.
Dhe pastaj Kurti ka edhe një ide (thought-) provokuese: gazifikimi i linjitit. Procesi është i vjetër, por teknologjia e tij ka evoluar. Është më efikas dhe më pak ndotës të gazifikosh linjit dhe të nxjerrësh rrymë nga gazi i prodhuar, sesa të djegësh direkt linjit. Kostot fillestare janë të larta. Hyrja në industrinë kimike kërkon kuadro të specializuar, nuk e di a kemi. Por gazifikimi i linjitit dhe ai i mbeturinave organike ndajnë të njëjtin parim. Ndoshta mund të bëhet njëherazi.
Nuk jemi të parët që bashkëpunojmë. Gjerdapi, po ju kujtohet, Krško, pastaj, central bërthamor pronë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë. Itaipu, hidrocentrali kolosal i Brazilit dhe Paraguait. Shtetet kanë bashkëinvestuar prej dekadash në kapacitete prodhuese trans-kufitare. Është praktikë e provuar.
Pse nuk mundet Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë bashkë kapacitete prodhuese, andej e këndej? Me kapital kosovar në Shqipëri, me kapital shqiptar në Kosovë.
Shkëmbimi mes nesh nuk është eksport-import. Kuptone këtë.
Eksporti dhe importi presupozojnë dy ekonomi të huaja njëra me tjetrën, interesa të ndara, negociata kundrejt njëri-tjetrit. Por kur Kosova dhe Shqipëria shkëmbejnë energji, ato nuk janë dy palë kundërshtare. Janë dy institucione të të njëjtit popull që menaxhojnë burime të një hapësire të vetme.
