Nga Dr. Sadri Ramabaja
Hyrje
Në një periudhë të karakterizuar nga rikthimi i luftës në kontinentin evropian, rikonfigurimi i arkitekturës së sigurisë pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe intensifikimi i konkurrencës gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, kufiri ndërmjet politikës së brendshme, komunikimit politik dhe sigurisë kombëtare është bërë gjithnjë e më i paqartë. Në këtë mjedis, informacioni nuk është më vetëm një produkt i komunikimit publik; ai është bërë një nga dimensionet e fuqisë.
Kjo e vendos median përballë një përgjegjësie të dyfishtë: nga njëra anë, ajo duhet të përmbushë funksionin klasik demokratik të informimit, kontrollit të pushtetit dhe krijimit të një hapësire racionale të debatit publik; nga ana tjetër, duhet të jetë e vetëdijshme se informacioni, perceptimi dhe emocionet kolektive janë bërë pjesë e drejtpërdrejtë e konkurrencës strategjike.
Ky problem merr një rëndësi të veçantë në hapësirën shqiptare.
Në Kosovë, kriza e konstituimit dhe funksionalizimit institucional zhvillohet në një mjedis të ndërlikuar sigurie, ku pasojat e luftës në Ukrainë, politika e Serbisë ndaj Kosovës, dinamika rreth veriut, si dhe çështjet strategjike të Ibrit dhe Ujmanit, ndërthuren me dobësitë e brendshme institucionale. Vetë Kushtetuta e Kosovës e lidh funksionimin e institucioneve me mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial, rendit publik dhe sigurisë.
Në Shqipëri, ndërkaq, vazhdimi i protestave qytetare në Tiranë ka kaluar nga një kauzë e lidhur fillimisht me çështje konkrete mjedisore në një mobilizim me kërkesa më të gjera politike dhe shoqërore, ku slogani “Shqipëri e re” është shndërruar në një nga shenjat identifikuese të lëvizjes. Burimet mediatike dokumentojnë evolucionin e kësaj proteste nga ditët e para deri në javët e mëvonshme, përfshirë ditën e 41-të më 10 korrik.
Këto dy realitete nuk janë identike dhe nuk duhet artificialisht të barazohen. Por ato kanë një pikë të rëndësishme takimi: kriza e legjitimitetit, funksionalitetit institucional dhe besimit publik po zhvillohet në një mjedis ku beteja për perceptimin shoqëror është po aq e rëndësishme sa beteja për vendimmarrjen politike.
Teza e kësaj eseje është se në kushtet e luftës hibride dhe njohëse, media duhet të konsiderohet një institucion i reziliencës demokratike dhe një komponent i rëndësishëm i sigurisë shoqërore. Kjo nuk nënkupton që media duhet të rreshtohet me pushtetin, me opozitën apo me ndonjë agjendë shtetërore. Përkundrazi, kërkon që ajo të jetë më kritike, më e pavarur, më e verifikueshme dhe më e aftë për ta vendosur informacionin në kontekst.
Pyetja themelore që shtrohet është: a po e ndihmon media shoqërinë shqiptare ta kuptojë realitetin politik e strategjik, apo po kontribuon, përmes mekanizmave të përzgjedhjes, kornizimit dhe amplifikimit, në prodhimin e perceptimeve që mund të dobësojnë kohezionin demokratik dhe reziliencën shtetërore?
I. Media si institucion i prodhimit të realitetit politik
Në teorinë moderne të komunikimit politik, media nuk konsiderohet më si një kanal neutral i transmetimit të informacionit. Ajo merr pjesë në procesin përmes të cilit realiteti shoqëror bëhet i dukshëm, interpretohet dhe merr kuptim politik.
Walter Lippmann, në veprën e tij klasike Public Opinion (1922), vuri në dukje se qytetarët nuk reagojnë drejtpërdrejt ndaj kompleksitetit të botës, por ndaj imazheve të saj që ndërtohen në mendjen publike. Kjo tezë mbetet themelore për të kuptuar fuqinë e komunikimit politik.
Më vonë, Maxwell McCombs dhe Donald Shaw e sistematizuan këtë problem përmes teorisë së agenda-setting. Sipas tyre, media ndikon në rëndësinë që publiku u atribuon çështjeve përmes përzgjedhjes dhe ekspozimit të tyre.
Kështu, pushteti i medias nuk qëndron vetëm në atë që thotë, por edhe në:
- atë që zgjedh të raportojë;
- atë që zgjedh të mos raportojë;
- hapësirën që i jep një teme;
- shpeshtësinë e përsëritjes;
- aktorët që privilegjon si burime;
- gjuhën përmes së cilës e përshkruan realitetin.
Në këtë pikë hyn koncepti i framing-ut.
Erving Goffman, në Frame Analysis (1974), e trajtoi kornizimin si mënyrën përmes së cilës njerëzit organizojnë përvojën dhe përcaktojnë “çfarë po ndodh këtu”. Robert Entman e zhvilloi më tej këtë qasje në studimin e komunikimit politik, duke e konceptuar framing-un si përzgjedhje dhe theksim të aspekteve të caktuara të realitetit në mënyrë që të promovohet një interpretim i veçantë i problemit, shkaqeve, vlerësimit moral dhe zgjidhjeve.
Kjo është thelbësore për analizën e hapësirës shqiptare.
Një protestë mund të kornizohet si “revoltë qytetare”, “instrument opozitar”, “kërcënim për rendin publik” ose “shprehje e krizës së demokracisë”. Një bllokadë institucionale mund të paraqitet si “strategji legjitime opozitare”, “krizë kushtetuese”, “përplasje partiake” ose “dobësim i sigurisë së Republikës”.
Ngjarja mund të jetë e njëjtë.
Kuptimi politik që prodhohet prej saj nuk është domosdoshmërisht i njëjtë.
II. Nga agjenda mediatike te lufta njohëse
Në shekullin XXI, koncepti i framing-ut duhet vendosur në një kontekst më të gjerë: atë të luftës informative dhe njohëse.
NATO e trajton luftën njohëse si një dimension ku objektivi nuk është vetëm ndryshimi i asaj që individët mendojnë, por edhe mënyra se si mendojnë dhe veprojnë. Në këtë kuptim, fusha e betejës nuk është vetëm territori, por edhe mendja njerëzore dhe kohezioni i shoqërisë.
Kjo e ndryshon edhe statusin strategjik të medias.
Media mund të jetë:
- objekt i manipulimit, kur aktorët e jashtëm përpiqen të ndikojnë në agjendën e saj;
- vektor i ndikimit, kur narrativat e manipuluara transmetohen pa verifikim;
- aktor rezistence, kur ajo i ekspozon manipulimet dhe ndërton reziliencë epistemike;
- aktor politik, kur përzgjedhja dhe interpretimi i informacionit bëhet pjesë aktive e betejës për legjitimitet.
Prandaj, problemi nuk është vetëm dezinformimi i drejtpërdrejtë.
Një media mund të mos publikojë asnjë informacion të rremë dhe megjithatë të prodhojë një efekt të shtrembëruar përmes përzgjedhjes së njëanshme, ekzagjerimit, sensacionalizmit, mungesës së kontekstit ose simetrisë së rreme.
Kjo është arsyeja pse lufta njohëse nuk duhet reduktuar në “fake news”. Ajo është shumë më tepër: është luftë për arkitekturën e perceptimit.
III. “Imazhi i armikut” si instrument i mobilizimit politik
Një nga mekanizmat më të fuqishëm të politikës së perceptimit është ndërtimi i figurës së armikut. Armiku mund të jetë real, por mënyra se si përfaqësohet mund të manipulohet. Në një shoqëri të polarizuar, kundërshtari politik mund të shndërrohet nga rival në “armik të shtetit”; kundërshtari gjeopolitik nga subjekt i analizës në figurë absolute të së keqes; ndërsa vetë qytetari mund të shtyhet drejt një logjike ku çdo pozicion tjetër përveç atij të grupit të vet konsiderohet tradhti.
Ky mekanizëm ka pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë.
Demokracia kërkon konflikt politik, por konfliktin e institucionalizuar përmes rregullave. Kur kundërshtari delegjitimohet si armik ekzistencial, hapësira e kompromisit demokratik fillon të zhduket.
Prandaj, media duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme me gjuhën e saj. Kritika është e domosdoshme. Demaskimi i manipulimit është i domosdoshëm. Denoncimi i kërcënimit është i domosdoshëm. Por demonizimi nuk është analizë.
Pikërisht këtu merr rëndësi rasti i sulmit të koordinuar mediatik ndaj Institucionit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), veçanërisht ndaj drejtorit të saj. Nëse një pjesë e medias, e mbështetur nga një grup i caktuar “analistësh”, e shndërron një institucion të inteligjencës së Republikës në objekt të një fushate të vazhdueshme delegjitimimi, atëherë kemi të bëjmë me një fenomen që meriton të analizohet përtej kufijve të kritikës së zakonshme politike.
Kritika ndaj AKI-së, sikurse ndaj çdo institucioni publik, është jo vetëm e lejueshme, por e domosdoshme në një demokraci. Institucionet e sigurisë nuk mund të vendosen mbi ligjin, llogaridhënien dhe kontrollin demokratik. Por ekziston një dallim themelor ndërmjet kritikës institucionale të bazuar në prova dhe një fushate të përsëritur që synon të prodhojë perceptimin se vetë institucioni është problem, se drejtuesit e tij janë të delegjitimuar apriori dhe se çdo veprim i tij duhet interpretuar si kërcënim ndaj demokracisë.
Nëse kjo ndodh në mënyrë të sinkronizuar, me narrativa të përsëritura, burime të njëjta, “analiza” që paraprijnë faktet dhe me amplifikim sistematik të materialeve të caktuara, atëherë kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen nëse kemi të bëjmë vetëm me gazetari politike apo me instrumentalizim të hapësirës mediatike.
Pikërisht këtu shfaqet dimensioni i luftës hibride. Një strategji hibride nuk ka nevojë domosdoshmërisht të kontrollojë drejtpërdrejt një media. Mjafton që të ndikojë në agjendën, perceptimin, përzgjedhjen e temave dhe intensitetin e amplifikimit të narrativave që dobësojnë institucionet e kundërshtarit. Për këtë arsye, nuk është e mjaftueshme të pyesim nëse një informacion është teknikisht “i vërtetë” apo “i pavërtetë”; duhet të shqyrtojmë edhe funksionin strategjik që merr ai informacion në një kontekst të caktuar.
Në rastin konkret, pyetja akademikisht relevante nuk do të duhej të ishte vetëm: A është e ligjshme të kritikohet AKI-ja? Përgjigjja është e qartë: po. Pyetja më e rëndësishme është: A po prodhon kjo kritikë transparencë dhe llogaridhënie demokratike, apo po kontribuon në delegjitimimin sistematik të një institucioni të sigurisë së Republikës?
Dallimi është thelbësor.
Sepse një institucion inteligjence mund dhe duhet të kontrollohet demokratikisht. Por dobësimi i besimit publik te institucionet e sigurisë, pa prova të qëndrueshme dhe përmes narrativave të përsëritura, mund të prodhojë një efekt që tejkalon shumë qëllimin fillestar të kritikës.
Këtu hyn edhe roli i të ashtuquajturve “analistë”. Analisti serioz nuk është thjesht prodhues i një opinioni; ai është përgjegjës për metodën, burimin, provën dhe dallimin ndërmjet faktit dhe interpretimit. Kur etiketa “analist” përdoret për t’i dhënë autoritet epistemik pretendimeve të pakontrolluara, ekspertiza shndërrohet në autoritet të simuluar. Dhe kur ky autoritet përdoret vazhdimisht për të amplifikuar të njëjtën narrativë, media rrezikon të bëhet jo vetëm transmetuese, por edhe mekanizëm legjitimues i saj.
Kjo është një nga vijat më të rëndësishme ndarëse ndërmjet gazetarisë kritike dhe komunikimit propagandistik.
Në një demokraci funksionale, institucioni i sigurisë duhet të jetë subjekt i kontrollit; media duhet të jetë subjekt i llogaridhënies publike; ndërsa analisti duhet të jetë subjekt i rigorozitetit metodologjik. Asnjëri prej tyre nuk mund të vendoset mbi kritikën.
Por as kritika nuk mund të shndërrohet në instrument për çmontimin e besimit publik te shteti.
Prandaj, përballë rasteve të tilla, pyetja e gazetarisë serioze duhet të jetë jo vetëm “çfarë po thuhet?”, por edhe:
Kush po e thotë?
Mbi çfarë provash?
Cili është burimi i informacionit?
A po verifikohet nga burime të pavarura?
Pse po amplifikohet pikërisht tani?
Dhe, në planin strategjik:
Çfarë efekti prodhon kjo narrativë mbi besimin e qytetarëve te institucionet e Republikës?
Këto pyetje nuk e mbrojnë AKI-në nga kritika. Përkundrazi, ato e mbrojnë standardin e kritikës demokratike.
Dhe pikërisht ky standard duhet të jetë kufiri që ndan gazetarinë e lirë nga instrumentalizimi i saj.
Kritika është e domosdoshme. Kontrolli demokratik është i domosdoshëm. Transparenca është e domosdoshme. Por demonizimi i institucioneve nuk është analizë — dhe delegjitimimi sistematik nuk mund të maskohet pafundësisht si “opinion”.
IV. Kosova: funksionaliteti institucional si kapacitet strategjik
Në rastin e Kosovës, çështja bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të pozitës së saj në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit.
Një shtet nuk është i fortë vetëm sepse ka territor, popullsi dhe institucione formale. Fuqia e tij varet edhe nga kapaciteti i institucioneve për të marrë vendime, për t’i zbatuar ato dhe për të prodhuar koherencë strategjike.
Në këtë kuptim, institucionaliteti është komponent i fuqisë kombëtare.
Prandaj, çdo bllokim i zgjatur i funksionalitetit institucional duhet analizuar jo vetëm nga perspektiva e konfliktit partiak, por edhe nga perspektiva e reziliencës shtetërore.
Këtu media duhet të ndryshojë pyetjen.
Jo vetëm: Çfarë kërkon opozita?
Por: Çfarë kostoje institucionale dhe strategjike prodhon bllokada?
Jo vetëm: Kush fitoi debatin parlamentar?
Por: Çfarë kapaciteti shtetëror humbet Republika gjatë këtij konflikti?
Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në një shtet që përballet me një mjedis të sigurisë ku çështjet e brendshme mund të ndërthuren shpejt me presionet e jashtme.
V. Vuçiqi, Serbia dhe menaxhimi i perceptimit
Në këtë kuadër duhet analizuar edhe politika e Aleksandar Vuçiqit.
Lëvizjet e Beogradit ndërmjet Moskës dhe Kievit, menaxhimi i marrëdhënieve me Perëndimin, retorika mbi Kosovën dhe përpjekjet për ta mbajtur veriun e Kosovës në qendër të agjendës politike dhe informative duhet të analizohen në mënyrë shumëdimensionale.
Kjo nuk do të thotë që çdo deklaratë e Vuçiqit duhet interpretuar automatikisht si pjesë e një operacioni të koordinuar të luftës njohëse.
Një analizë akademike duhet të bëjë dallimin ndërmjet: deklaratës politike, sinjalit strategjik, propagandës, dezinformimit dhe veprimit konkret shtetëror.deklaratës politike, sinjalit strategjik, propagandës, dezinformimit dhe veprimit konkret shtetëror.
Ky dallim është vendimtar.
Në rastin e Ibrit dhe Ujmanit, për shembull, ekzistojnë njëkohësisht dimensione hidrologjike, ekologjike, ekonomike, juridike, politike dhe të sigurisë. Për këtë arsye, një gazetari serioze nuk i mjafton as alarmimi dhe as relativizimi.
Ajo duhet ta bëjë kompleksitetin të kuptueshëm. Ky është një nga funksionet më të larta të gazetarisë publike.
VI. Tiranë: nga protesta si ngjarje te protesta si proces politik
Edhe zhvillimet në Tiranë duhet të trajtohen në të njëjtin nivel analitik.
Protestat që u shfaqën fillimisht rreth kundërshtimit të një projekti në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, në ditët dhe javët pasuese fituan një dimension më të gjerë politik. Burimet dokumentojnë se slogani “Shqipëri e re” u shndërrua në një nga thirrjet qendrore të mobilizimit, ndërsa kërkesat u zgjeruan drejt dorëheqjes së qeverisë dhe ndryshimeve më të gjera politike.
Në këtë pikë, detyra e medias nuk është të vendosë paraprakisht nëse protesta është “e drejtë” apo “e gabuar”.
Detyra e saj është ta shpjegojë si fenomen politik.
Kjo kërkon analiza mbi:
- strukturën sociale të pjesëmarrjes;
- burimet e mobilizimit;
- rolin e rrjeteve sociale;
- raportin ndërmjet shoqërisë civile dhe aktorëve politikë;
- evolucionin e kërkesave;
- përdorimin e simboleve kombëtare;
- raportin ndërmjet protestës spontane dhe organizimit politik;
- efektet e saj mbi legjitimitetin e institucioneve.
Vetëm kështu protesta mund të kuptohet si proces politik.
Në të kundërt, media mbetet peng i spektaklit: kamera, turma, përplasje, slogane dhe deklarata.
Por demokracia nuk studiohet përmes spektaklit të saj; studiohet përmes strukturave dhe proceseve që e prodhojnë atë spektakël.
VII. Objektiviteti kritik dhe problemi i “simetrisë së rreme”
Një nga problemet më të mëdha të gazetarisë bashkëkohore është keqkuptimi i objektivitetit. Objektiviteti nuk nënkupton që çdo pretendim duhet të marrë të njëjtën peshë, as që çdo konflikt narrativ duhet të paraqitet mekanikisht si përplasje ndërmjet dy “versioneve” të barabarta. Nëse njëra palë paraqet një fakt të dokumentuar, ndërsa pala tjetër një pretendim që nuk mund të verifikohet ose që bie ndesh me dokumentacionin e disponueshëm, paraqitja e tyre si dy pikëpamje të barabarta nuk është objektivitet. Është simetri e rreme.
Ky problem bëhet veçanërisht i ndjeshëm kur gazetaria ndërhyn në kujtesën historike dhe në narrativat mbi historinë politike të Kosovës. Një rast ilustrues është polemika e fundit lidhur me datën e ujdisë për bashkimin e organizimeve ilegale dhe krijimin e LPK-së.
Një nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në atë proces ka pohuar dhe shkruar se LPK-ja është krijuar më 17 janar 1982. Fakti që ai nuk mund ta mbështesë këtë datë me dokumentin origjinal — sipas dëshmisë së tij, dokumentet përkatëse ishin konfiskuar nga policia gjermane — nuk e bën automatikisht të pavërtetë dëshminë e tij. Dëshmia e një pjesëmarrësi të drejtpërdrejtë në një ngjarje historike është burim relevant dhe duhet të merret seriozisht. Por, në të njëjtën kohë, kujtesa personale, sado e rëndësishme, nuk mund të trajtohet si provë absolute dhe përfundimtare. Ajo duhet të përballet me burimet e tjera dhe t’i nënshtrohet kritikës së burimit dhe verifikimit ndërburimor.
Pikërisht këtu merr rëndësi një zhvillim i mëvonshëm brenda vetë organizimit politik. Duke u mbështetur në këta elementë dhe në nevojën për të rivendosur një bazë të qartë organizative e dokumentare, Grupi i Punës i LPRK-së për organizimin e Mbledhjes Themeluese, në korrik të vitit 1987, thirri dhe mbajti Mbledhjen Themeluese të LPRK-së. Ajo mbledhje përcaktoi si platformë atë që treshja themeluese [Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi] kishim miratuar në gusht 1981 duke e bërë edhe riemërtimin nga LRSHJ në LPRK (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës).
Ky akt institucional nuk mund të shkëputet nga konteksti i pesë viteve të përçarjeve, kontestimeve dhe pasigurive që kishin pasuar bashkimin e janarit 1982.
Në këtë kuptim, Mbledhja Themeluese e LPRK-së [1987] përbën një moment me rëndësi të veçantë për historinë e organizimit politik ilegal shqiptar në Kosovë: ajo synonte të konsolidonte organizativisht bashkimin, të rivendoste legjitimitetin e strukturave dhe t’u jepte fund përçarjeve e manipulimeve që kishin rënduar mbi ilegalen për pesë vjet rresht, që nga vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, më 17 janar 1982, vetëm pak orë pas arritjes së ujdisë për bashkim.
Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm metodologjik: vrasjet e tre veprimtarëve nuk janë vetvetiu provë për çdo pretendim që lidhet me përçarjet e mëvonshme brenda organizimit klandestin [“ilegales”]. Lidhja ndërmjet tyre, motivet, autorësia dhe pasojat politike duhet të trajtohen mbi bazën e dokumenteve dhe burimeve konkrete. Por është e pamohueshme se vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit shënoi një pikë kthese dramatike dhe se pas saj çështja e organizimit, drejtimit dhe vazhdimësisë së lëvizjes ilegale u bë objekt i një lufte të fuqishme politike dhe narrative.
Pikërisht për këtë arsye, Mbledhja e vitit 1987 nuk duhet lexuar vetëm si një akt procedural organizativ. Ajo mund të shihet edhe si përpjekje për të prodhuar një bazë të re legjitimiteti dhe për të sistemuar, në rrethana të reja, trashëgiminë politike të bashkimit të vitit 1982.
Kjo na rikthen te çështja e objektivitetit mediatik.
Nëse sot përballen dy data — 17 janari 1982 dhe 17 shkurti 1982 — studimet në lëmin e historiografisë sonë moderne, por as gazetaria serioze nuk duhet të mjaftohet me formulën: “Njëri thotë kështu, tjetri thotë ashtu.” Kjo është vetëm kronikë e polemikës. Detyra e gazetarisë analitike është të shkojë një hap më tej: cilat janë burimet e secilit pretendim, kur janë prodhuar, kush i ka prodhuar, çfarë dëshmojnë drejtpërdrejt dhe çfarë është interpretim i mëvonshëm?
Nëse ekziston një dëshmi e drejtpërdrejtë e një pjesëmarrësi, një dokument diplomatik bashkëkohor me ngjarjen, dokumente të mëvonshme organizative dhe burime të tjera arkivore, atëherë ato duhet të vendosen në një hierarki të argumentuar të provave, jo në një barazi artificiale.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur përballë një dokumenti arkivor shfaqet thjesht pretendimi se ai është “i pavërtetë”. Një dokument mund të kundërshtohet, sigurisht. Por dokumenti nuk rrëzohet me deklaratë; rrëzohet me kritikë burimore, me dokumentacion kundërvënës dhe me argument të verifikueshëm.
Prandaj, gazetaria që merret me historinë politike të Kosovës duhet të heqë dorë nga logjika e “dy versioneve” dhe të adoptojë logjikën e provave, kontekstit dhe kritikës së burimit.
Sepse në të kundërtën, media rrezikon të bëhet, pa vetëdije, pjesë e vetë procesit të manipulimit të kujtesës historike.
Dhe kjo është pikërisht ajo që e lidh problemin e objektivitetit me luftën njohëse: manipulimi nuk bëhet vetëm duke shpikur fakte; mund të bëhet edhe duke vendosur faktin dhe pretendimin në të njëjtin nivel, duke e relativizuar dokumentin dhe duke krijuar përshtypjen se e vërteta historike është thjesht çështje versionesh.
Prandaj objektiviteti nuk është barazi mekanike ndërmjet pretendimeve. Objektiviteti është disiplinë në vlerësimin e provave.
Dhe në çështjet që lidhen me historinë e ilegales, me formimin e LPK-së dhe me aktet që përcaktuan vazhdimësinë e saj politike, kjo disiplinë nuk është vetëm kërkesë akademike.
Është edhe përgjegjësi ndaj kujtesës historike të një populli.
VIII. Media dhe rezilienca demokratike
Nëse lufta njohëse synon të dobësojë besimin, atëherë rezilienca demokratike kërkon pikërisht të kundërtën: rritjen e kapacitetit të shoqërisë për të dalluar, verifikuar dhe interpretuar informacionin.
NATO e lidh reziliencën ndaj luftës njohëse me aftësinë për të mbrojtur proceset demokratike, besimin dhe kohezionin shoqëror.
Këtu media ka një funksion që shkon përtej informimit.
Ajo kontribuon në krijimin e një infrastrukture epistemike të demokracisë: një hapësirë ku qytetari mund të formojë gjykimin e vet mbi bazën e fakteve të verifikueshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në shoqëritë e vogla dhe politikisht të polarizuara, ku një narrativë e përsëritur mund të ketë ndikim shumë më të madh se sa në sistemet e mëdha mediatike.
Prandaj, profesionalizmi i medias duhet të matet jo vetëm me shpejtësinë e raportimit, por edhe me: saktësinë, transparencën, verifikueshmërinë, kontekstualizimin dhe pavarësinë editoriale.
IX. Përtej tiranisë së ciklit 24-orësh
Një nga problemet strukturore të medias bashkëkohore është nënshtrimi ndaj ciklit të lajmit të fundit.
“Breaking news” e ka shndërruar kohën në një kategori ekonomike.
Por strategjia nuk funksionon në cikle 24-orëshe. As historia.
Një deklaratë politike mund të zgjasë disa minuta në ekran, ndërsa efekti i një narrative mund të zgjasë me vite. Një bllokadë parlamentare mund të duket si një episod i zakonshëm institucional, ndërsa kostoja e saj mund të prekë kapacitetin strategjik të shtetit. Një protestë mund të nisë si reagim ndaj një projekti të caktuar dhe më pas të shndërrohet në një lëvizje politike më të gjerë.
Prandaj, gazetaria duhet të rikthehet nga ngjarja te procesi.
Kjo kërkon gazetari investigative, analiza të të dhënave, ekspertizë ndërdisiplinore, histori politike dhe kapacitet për të lidhur zhvillimet e brendshme me kontekstin ndërkombëtar.
X. Përfundim
Në hapësirën shqiptare po zhvillohet njëkohësisht një krizë politike, institucionale dhe perceptuese.
Në Kosovë, problemi i funksionalitetit institucional duhet të shihet në raport me reziliencën e Republikës dhe me mjedisin e saj të sigurisë. Në Shqipërinë politike, zgjatja e protestave dhe artikulimi i kërkesës për një “Shqipëri të re” kërkojnë analizë të thelluar të burimeve të pakënaqësisë dhe të krizës së legjitimitetit politik. Ndërkohë, në planin rajonal, politika e Serbisë dhe veçanërisht mënyra se si Beogradi menaxhon informacionin mbi Kosovën e vendosin hapësirën shqiptare përballë një mjedisi ku dimensioni informativ dhe ai strategjik ndërthuren gjithnjë e më shumë.
Në një situatë të tillë, media nuk mund të mbetet thjesht kronikane e ngjarjeve.
Ajo është pjesë e ekosistemit demokratik të sigurisë.
Por kjo nuk do të thotë se media duhet të bëhet instrument i shtetit, i pushtetit apo i ndonjë agjende politike. Përkundrazi, roli i saj strategjik lind pikërisht nga pavarësia.
Një media e pavarur nuk është më pak patriotike sepse e kritikon shtetin. Një media kritike nuk është më pak demokratike sepse ekspozon opozitën. Dhe një media profesionale nuk është më pak e përgjegjshme ndaj sigurisë kombëtare sepse refuzon propagandën.
E kundërta është e vërtetë.
Një shoqëri demokratike është më e sigurt kur media e saj është e lirë, kritike dhe intelektualisht e aftë.
Prandaj, detyra e medias nuk është të krijojë një shoqëri që mendon njësoj. Detyra e saj është të krijojë kushtet që shoqëria të mund të mendojë në mënyrë të informuar.
Në këtë kuptim, lufta kundër luftës njohëse nuk bëhet duke prodhuar një kundërpropagandë tjetër. Ajo bëhet duke ngritur standardin e së vërtetës publike.
Kjo kërkon gazetari që nuk i nënshtrohet as pushtetit, as opozitës, as klikimeve, as frikës dhe as narrativave të gatshme.
Kërkon gazetari që pyet:
Kush flet?
Çfarë prove ka?
Çfarë lihet jashtë kornizës?
Kush përfiton nga kjo narrativë?
Çfarë pasoje prodhon ajo në perceptimin publik?
Dhe, mbi të gjitha: A po e ndihmon kjo mënyrë e raportimit qytetarin ta kuptojë më mirë realitetin, apo po e bën atë më të manipulueshëm?
Nëse media shqiptare arrin ta vendosë këtë standard në qendër të misionit të vet, ajo nuk do të jetë vetëm një institucion informimi. Do të bëhet një nga mekanizmat themelorë të reziliencës demokratike, të sovranitetit epistemik dhe të sigurisë shoqërore.
Sepse në epokën e luftës njohëse, sovraniteti nuk mbrohet vetëm në kufi. Ai mbrohet edhe në hapësirën ku formohet mendimi i qytetarit.
Dhe këtu qëndron përgjegjësia historike e medias shqiptare.
Në momente të zakonshme, media raporton historinë. Në momente kthesash, ajo ndikon në mënyrën se si shoqëria e kupton historinë.
Prandaj, pyetja e fundit nuk është nëse media është pjesë e historisë.
Është nëse do të jetë në anën e kuptimit të saj — apo në anën e manipulimit të saj.
Literatura referenciale
- Entman, Robert M. (1993). “Framing: Toward Clarification of a Fractured Paradigm.” Journal of Communication, 43(4), 51–58.
- Goffman, Erving. (1974). Frame Analysis: An Essay on the Organization of Experience. Cambridge, MA: Harvard University Press.
- Lippmann, Walter. (1922). Public Opinion. New York: Harcourt, Brace and Company.
- NATO. (2021). “Countering Cognitive Warfare: Awareness and Resilience.” NATO Review, 20 May 2021.
- NATO Allied Command Transformation. (2023). “Cognitive Warfare: Beyond Military Information Support Operations.”
- Tuchman, Gaye. (1978). Making News: A Study in the Construction of Reality. New York: Free Press.
- Zaller, John R. (1992). The Nature and Origins of Mass Opinion. Cambridge: Cambridge University Press.
- Castells, Manuel. (2009). Communication Power. Oxford: Oxford University Press.
- Nye, Joseph S. Jr. (2004). Soft Power: The Means to Success in World Politics. New York: PublicAffairs.
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës.
