Nga Dan GASHI / Njujork
A po shndërrohet i gjithë njerëzimi në një makineri monstruoze që gjeneron ekskluzivisht fitime?
Në esencën e tij, njerëzimi sot duket se është transformuar në një aparat gjigant në shërbim të akumulimit të kapitalit për korporatat, oligarkitë dhe elitën sunduese financiare globale. Ky ritëm i egër dhe imponues, i cili diktohet nga kuotat ditore dhe mujore të realizimeve, statistikat performative dhe indekset e bursave gjithnjë e më të integruara në tregun botëror, po degradon shpirtin dhe dinjitetin njerëzor me një shpejtësi marramendëse. Sistemet ekonomike bashkëkohore, ndonëse strukturalisht më të përsosura dhe eficiente se kurrë më parë, nuk orientohen drejt rritjes së standardit të jetesës apo mirëqenies kolektive, por funksionojnë pothuajse ekskluzivisht për të maksimizuar pasurinë neto të aksionarëve, korporatave dhe oliogarkeve.
Kjo pakënaqësi ekzistenciale e përhapur globalisht buron nga faktori se arkitektura e botës moderne nuk projektohet më për të ndërtuar një të ardhme të sigurt apo të qëndrueshme. Përkundrazi, qenia njerëzore është reduktuar në një levë mekanike që vë në lëvizje ingranazhet e një sistemi, ku suksesi matet vetëm me trajektoren rritëse të diagrameve në grafikët e bursave dhe në sallat e konferencave ndërkombëtare. Ky mentalitet shfrytëzues dhe kjo kulturë hiper-konsumatore e zhveshin jetën e individit nga kuptimi, duke prodhuar një ndjesi të thellë zbrazëtie dhe zhgenjimi.
Nën këtë paradigmë, elitat po e zhvlerësojnë kulturën, duke e privuar atë nga substanca dhe dimensionet morale dhe shpirtërore. E ashtuquajtura “industri e shpërqendrimit”, ku bën pjesë edhe industria e argëtimit dhe ajo muzikore, është dizajnuar mbi parime strikte të rentabilitetit.Ku arti po zëvendësohet me këngë skematike dhe formulare, të llogaritura në mënyrë algoritmike për të shkaktuar reagime dopaminergjike në trurin e masave, me qëllim arritjen e audiencës më të gjerë të mundshme. Njësoj ndodh edhe me industrinë e kinematografisë; filmat bashkëkohorë nuk synojnë më estetikën apo kritikën shoqërore, por gjenerimin e të ardhurave për studiot dhe investitorët, shpesh përmes riciklimit të formulave të suksesshme të së kaluarës apo instrumentalizimit të pronësisë intelektuale me tërheqje masive paraprake. Madje edhe kultura e të ushqyerit ka pësuar të njëjtin degradim, duke u shndërruar në një industri të shpejtë, komode, por thellësisht të dëmshme për shëndetin biologjik.
Ky tjetërsim reflektohet në mënyrë dramatike edhe në marrëdhëniet ndërnjerzore, të cilat janë reduktuar në interaksione minimale, rutinore dhe të zhveshura nga empatia. Mediat sociale dhe aplikacionet e takimeve kanë marrë përsipër ndërmjetësimin dhe algoritmizimin e miqësive dhe marrëdhënieve romantike. Edhe seksualiteti njerëzor po pëson deformime serioze; pornografia në internet normalizon dhunën dhe degradimin si strategji për maksimizimin e klikimeve. Në këtë ekosistem të ri digjital, vëmendja dhe angazhimi ynë janë monetizuar plotësisht, duke krijuar një hapësirë informacioni të dominuar nga konflikti, polarizimi dhe thashethemet, të cilat nxisin instinkte më të ulëta primitive.
Mbi të gjitha, diskursi publicitar dhe reklamat kanë penetruar çdo cep të përvojës sonë shqisore. Çdo hapësirë publike apo private, ku syri mund të shohë apo veshi mund të dëgjojë, është e përmbytur me teknika të manipulimit psikologjik që detyrojnë konsumin e pandërprerë. Nuk do të ishte çudi që, me zhvillimin e teknologjisë përkatëse, ky sistem të tentojë të transmetojë reklama madje edhe brenda hapësirës sonë të ëndrrave.
Ky sistem ka prodhuar një cikël të mbyllur dhe të pamëshirshëm ekzistencial. Individi i zakonshëm shpenzon pjesën më të madhe të ditës, jetes duke punuar për të gjeneruar fitime për korporatat, vetëm për t’u kthyer në shtëpi ku konsumon produktet po aq të dëmshme të korporatave të tjera gjigante qe i imponohen. Platformat e transmetimit (streaming) dhe rrjetet sociale shërbejnë si anestezikë vizualë për të shpërqendruar mendjen nga stresi dhe ngarkesa psikike. Brenda këtij rrethi vicioz, blerjet online dhe medikamentet me recetë shiten si zgjidhje të shpejta për të menaxhuar ankthin dhe pagjumësinë e shkaktuar nga vetë sistemi.
Ndërkohë, në krahun tjetër të këtij realiteti, një pakicë e privilegjuar jeton në një luks dekadent, duke konsumuar produkte të cilësisë së lartë që janë rezultat i punës së nënshpërblyer të punëtorëve në vendet në zhvillim, të cilët mbijetojnë me paga mizerable. I gjithë ky mekanizëm global funksionon për të mbajtur në rritje koeficientët e bursave dhe për të rritur shifrat në llogaritë bankare të miliarderëve, duke u mundësuar atyre blerjen e ishujve privatë, manipulimin e proceseve zgjedhore, nxitjen e konflikteve gjeopolitike dhe instalimin e liderëve kukulla. Çmimi real i këtij aranzhimi është shkatërrimi sistematik i mjedisit natyror dhe i biosferës, nga e cila varet mbijetesa jonë kolektive.
Pavarësisht kësaj, aparati propagandistik i sistemit vazhdon të na bindë se ky është i vetmi rend i mundshëm dhe më i miri në të cilin mund të jetojmë. Megjithatë, një masë gjithnjë e më e madhe njerëzish refuzon ta pranojë këtë premisë, e vetëdijshme se një model alternativ shoqëror është i realizueshëm. Ata që përfitojnë nga ky status-kuo globale përpiqen të legjitimojnë pandryshueshmërinë e sistemit, duke përdorur çdo mekanizëm për të parandaluar çdo lëvizje drejt rimarrjes së dinjitetit dhe sovranitetit njerëzor. Por e vërteta mbetet e thjeshtë; e gjithë kjo strukturë monstruoze është ngritur mbi kurrizin e tërë një bote punonjëse.
