Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Pamjet e mbrëmshme të protestës në Tiranë ishin përgjigjja që meritonte kryeministri Edi Rama. Jo si akt hakmarrjeje politike, por si kujtesë se në demokraci sovrani i vërtetë mbetet qytetari. Mijëra njerëz në shesh dëshmuan se pakënaqësia nuk mund të fshihet pas propagandës, kontrollit të narrativës publike apo triumfalizmit të pushtetit.
Qytetaria shqiptare u dëshmua mbrëmë. U dëshmua në pjesëmarrje, në qëndresë dhe në refuzimin për ta pranuar si normalitet arrogancën e një pushteti që prej kohësh sillet sikur vota e fituar është mandat për të mos dëgjuar askënd.
Tani radha është e Partisë Socialiste. Jo të numërojë protestuesit, as të kërkojë alibi te opozita, por të lexojë mesazhin politik që erdhi nga rruga. Partitë e mëdha nuk bien nga protestat; ato bien kur humbasin kontaktin me realitetin dhe refuzojnë të reformojnë veten.
Pikërisht për këtë arsye, pres një rebelim të brendshëm në PS. Jo si akt përçarjeje, por si akt përgjegjësie politike. Madje, ky do të ishte veprimi më i urtë që mund të ndërmerrej sot. Çdo forcë politike që synon të mbijetojë përtej fatit të një lideri duhet të gjejë kurajën për t’i thënë të vërtetën vetes. Heshtja përballë konsumimit të pushtetit nuk është lojalitet; është bashkëfajësi.
Nëse në PS ka ende instinkt politik dhe sens shtetformues, atëherë duhet të nisë një proces reflektimi e korrigjimi nga brenda. Jo kundër partisë, por për ta shpëtuar atë nga identifikimi i plotë me fatin politik të një njeriu të vetëm. Historia ka treguar se kur një parti bëhet peng i liderit, fundi i liderit shndërrohet shpejt edhe në fundin e partisë.
Mesazhi i protestës nuk ishte vetëm për Edi Ramën. Ishte një paralajmërim për të gjithë ata që brenda PS-së vazhdojnë të besojnë se pushteti mund të zëvendësojë përgjithmonë legjitimitetin. Dhe kur qytetarët flasin kaq qartë, mençuria politike nuk qëndron te mohimi i realitetit, por te guximi për ta pranuar atë.
