Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Deklarata e Taulant Ballës, i cili e cilësoi Dritan Goxhajn si “zëdhënës të Iranit”, nuk është thjesht një shkarje verbale apo një teprim i zakonshëm i gjuhës politike. Ajo është shprehje e një krize më të thellë të pushtetit, i cili, përballë revoltës qytetare, po zgjedh të sulmojë qytetarët në vend se të përballet me kërkesat e tyre.
Në thelb, Edi Rama nuk e ka me Dritan Goxhajn si individ. Ai e ka me atë që përfaqëson Dritan Goxhaj: frymën e rezistencës, kulturën e sakrificës kombëtare dhe modelin politik që lindi nga UÇK-ja. Prandaj sulmi nuk drejtohet vetëm ndaj një ish-oficeri dhe ish-ushtari të UÇK-së. Ai synon të delegjitimojë një traditë të tërë që në ndërgjegjen kombëtare shqiptare lidhet me lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për t’u ngritur kundër padrejtësisë.
Në vend që të trajtojë përmbajtjen e deklaratës së protestuesve, pushteti zgjedh metodën më të vjetër të propagandës: etiketimin. Kur mungojnë argumentet, shpiken armiqtë. Kur nuk mund të rrëzohen kërkesat, sulmohet ai që i lexon ato. Është një teknikë e njohur e regjimeve që e ndiejnë veten në mbrojtje dhe që e kuptojnë se po humbin terren në betejën me opinionin publik.
Por shqiptarët e njohin mirë familjen Goxhaj. E njohin kontributin e saj në luftën për lirinë e Kosovës. Babë e bir, Dilaver dhe Dritan Goxhaj, u rreshtuan vullnetarisht në UÇK në momentet më të vështira të historisë sonë moderne. Dilaver Goxhaj mbajti përgjegjësi të larta në strukturat ushtarake të UÇK-së, ndërsa familja e tyre është bërë pjesë e memories së respektuar të luftës çlirimtare. Ata nderohen në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë, jo për shkak të propagandës, por për shkak të veprës së tyre.
Pikërisht për këtë arsye, sulmi ndaj Dritan Goxhajt nuk mund të lexohet vetëm si sulm ndaj një individi. Ai tingëllon si një përpjekje për të goditur një simbol. Dhe kur pushteti fillon të luftojë simbolet kombëtare në vend që të dëgjojë qytetarët, kjo zakonisht tregon se ai ka hyrë në fazën e humbjes së busullës politike.
Pyetja që shtrohet është: pse po ndodh kjo? Pse një qeveri që pretendon se gëzon mbështetje të gjerë ka nevojë të demonizojë figura të tilla për t’u përballur me një protestë?
Një shpjegim mund të jetë se kemi hyrë në fazën kur pushteti po fillon të kuptojë se nuk mund ta kontrollojë më narrativën publike si dikur. Revolta qytetare po fiton terren moral dhe psikologjik. Në këto rrethana, sulmet e ashpra, etiketimet dhe krijimi i “armiqve” të rinj shpesh janë shenja të para të pranimit të heshtur se monopoli i pushtetit mbi shoqërinë po dobësohet.
Por ekziston edhe një rrezik tjetër. Historia na mëson se pushtetet e konsumuara, kur ndihen të kërcënuara, nganjëherë tentojnë të prodhojnë tensione artificiale, përplasje dhe polarizim ekstrem, me shpresën se frika do ta zëvendësojë zemërimin qytetar. Kjo do të ishte rruga më e rrezikshme për Shqipërinë. Sepse asnjë pushtet nuk e shpëton veten duke e vënë kombin përballë vetvetes.
Sepse problemi nuk duket të jetë Dritan Goxhaj. Problemi nuk është as biografia e tij, as e kaluara e tij ushtarake, e aq më pak familja e tij. Problemi për pushtetin është vetë fakti që dikush guxon të artikulojë publikisht zemërimin qytetar dhe kërkesat e protestuesve.
Po të ishte një profesor universiteti, ndoshta do të shpallej “agjent i opozitës”. Po të ishte një gazetar kritik, do të etiketohej si “mercenar mediatik”. Po të ishte një artist, do të akuzohej se kërkon famë. Po të ishte një biznesmen, do të paraqitej si përfitues i interesave të errëta. Dhe po të ishte një student, me siguri do të quhej i manipuluar.
Kjo është arsyeja pse sulmi ndaj lexuesit të deklaratës është në vetvete një pranim i pafuqisë për t’u përballur me mesazhin e saj.
Në demokraci, rëndësi ka çfarë thuhet, jo kush e lexon tekstin. Kur pushteti përqendrohet tek emri i lexuesit dhe jo tek përmbajtja e deklaratës, ai po dëshmon se nuk ka përgjigje për atë që është thënë.
Dhe ky është ndoshta mesazhi më domethënës i mbrëmjes së kaluar: pushteti nuk po debaton me protestën; ai po kërkon një arsye për të mos e dëgjuar atë. Sa më shumë që rriten etiketimet, aq më shumë krijohet bindja se argumentet po pakësohen.
Në fund të fundit, një qeveri e sigurt në vetvete polemizon me idetë. Një qeveri që ndjen se toka po i rrëshqet nën këmbë, fillon të luftojë njerëzit që i artikulojnë ato
Prandaj beteja e sotme nuk është mes Edi Ramës dhe Dritan Goxhajt. Nuk është as mes qeverisë dhe një proteste të vetme. Është përballja mes një pushteti që kërkon të mbijetojë duke etiketuar kundërshtarët dhe një shoqërie që kërkon të dëgjohet. Dhe historia e shqiptarëve ka treguar vazhdimisht se kur pushteti fillon të frikësohet nga zërat e qytetarëve, fundi i arrogancës është zakonisht më afër sesa duket.
