7 KORRIK 2026
Nga Linas Kojala dhe Vytautas Leskevicius
Në Zyrën Ovale, Mark Rutte përdori “trilionët e Trump-it” për të argumentuar se ditët e “tigrit prej letre” të NATO-s kanë mbaruar. Aleanca që po shkon në samitin e Ankarasë këtë javë është më e fortë, më e armatosur dhe më serioze në lidhje me mbrojtjen e saj. Presidenti Donald Trump mund ta fiksojë këtë ndryshim – ose ta vërë atë në rrezik.
Për pjesën më të madhe të epokës pas Luftës së Ftohtë, shumë aleatë evropianë ishin të kënaqur me një tigër letre: të paarmatosur, të pakët në stok dhe të paaftë për të zhvilluar një luftë të madhe pa Shtetet e Bashkuara. Deri në vitin 2014, aleatët evropianë dhe Kanadaja shpenzonin vetëm 1.4 për qind të PBB-së së tyre të kombinuar për mbrojtje – nën nivelin e nevojshëm edhe për të ruajtur aftësitë ushtarake në kohë paqeje, e lëre më për t’i rindërtuar ato për një luftë të madhe.
Libia tregoi koston. Në vitin 2011, Uashingtoni u përpoq ta linte Evropën të udhëhiqte. Por brenda 11 javësh, aleatëve evropianë po u mbaronin municionet, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara, edhe një herë, të mbulonin diferencën. Barack Obama më vonë fajësoi Britaninë dhe Francën për dështimin në mbajtjen e barrës pas rënies së Muamar Gadafit, duke i quajtur pasojat e Libisë një “rrëmujë”.
Pushtimi i parë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2014 e detyroi NATO-n të rizbulonte mbrojtjen kolektive. Plani i Veprimit të Gatishmërisë, Operacioni “Atlantik Resolve” i udhëhequr nga SHBA-ja dhe, që nga viti 2017, grupet e betejës së NATO-s në krahun lindor, rivendosën parandalimin dhe planifikimin e përforcimit.
Por politika lëvizi më shpejt se kapaciteti. Përgjigja e vitit 2014 nuk e rindërtoi masën, rezervat e municioneve apo kapacitetin industrial të varfëruar të Evropës. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 nxori në pah shkallën e këtij dështimi. Kthimi i zotit Trump në detyrë e shndërroi atë në një imperativ të menjëhershëm politik: Evropa nuk mund të supozonte më se Uashingtoni do ta mbante barrën për një kohë të pacaktuar.
Pyetja për udhëheqësit e NATO-s që do të mblidhen në Ankara më 7 dhe 8 korrik nuk është nëse NATO mbetet e dobët, por nëse aleanca mund të ruajë përparimet mbresëlënëse që ka filluar të arrijë. Një shprehje që tradicionalisht i atribuohet Benjamin Franklinit e përmbledh këtë provë: “Një republikë, nëse mund ta mbash atë.”
NATO-n, nëse mund ta mbajmë.
Rreziku tani është politik. Presioni i zotit Trump i ka bërë aleatët evropianë më të fortë, por sjellja e tij mund ta prishë atë progres. Përpjekja e tij për të blerë Grenlandën – dhe mosmarrëveshja me Danimarkën që pasoi – tregoi se sa shpejt Uashingtoni mund t’i shqetësojë aleatët. Ai gjithashtu ka hedhur dyshime mbi marrëveshjen thelbësore të NATO-s duke sugjeruar që aleatët që nuk i arrijnë objektivat e shpenzimeve mund të mos marrin mbrojtjen amerikane. Lufta e Iranit e thelloi mosbesimin: edhe pse shumë aleatë evropianë ofruan mbështetje bazë dhe logjistike për operacionet amerikane, zoti Trump akuzoi disa prej tyre për mungesë besnikërie.
Efekti është i dukshëm në opinionin publik. Në një sondazh të majit nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, vetëm 11 për qind e të anketuarve i konsideronin Shtetet e Bashkuara një aleat, nga 22 për qind në nëntor 2024. Gjysma e panë atë në vend të kësaj si një “partner të domosdoshëm”. Për një aleancë të ndërtuar mbi besimin politik, si dhe mbi fuqinë ushtarake, ky është një ndryshim i dëmshëm.
Në Ankara, zoti Trump duhet të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Evropën që të japë rezultate. Por ai duhet ta bëjë këtë duke deklaruar me të njëjtën qartësi se angazhimi i Amerikës ndaj Nenit 5 të NATO-s është i patundur. Presioni nuk mund ta bëjë garancinë e sigurisë të duket e kushtëzuar. Ndarja e barrës forcon frenimin vetëm kur garancia amerikane mbetet e padiskutueshme.
Provat e rimëkëmbjes janë të konsiderueshme. Aleatët evropianë dhe Kanadaja shpenzuan më shumë se 574 miliardë dollarë për mbrojtje në vitin 2025 – 2.3 për qind e PBB-së së tyre të kombinuar, pas një rritjeje prej 20 për qind në një vit të vetëm. Bilanci brenda NATO-s po ndryshon gjithashtu. Pjesa e Amerikës në shpenzimet totale të mbrojtjes të aleatëve ra nga afërsisht 70 për qind në vitin 2022 në 62 për qind në vitin 2025. Z. Trump mund të marrë meritat për ndihmën në nxitjen e këtij ndryshimi.
Gjermania ilustron ndryshimin. Në janar të vitit 2022, oferta e Berlinit për 5,000 helmeta për Ukrainën u bë simbol i vetëkënaqësisë ushtarake të Evropës. Katër vjet më vonë, kancelari Friedrich Merz dëshiron që Bundeswehr-i të bëhet ushtria konvencionale më e fortë e Evropës. Buxheti bazë i mbrojtjes i Gjermanisë parashikohet të arrijë gati 180 miliardë euro deri në vitin 2030.
Ukraina është një tjetër rezultat i dështimit të Vladimir Putinit – dhe një aset për NATO-n. Ai e ka shndërruar një vend të përçarë prej kohësh për shkak të drejtimit të tij gjeopolitik në një fuqi ushtarake evropiane, të lidhur gjithnjë e më ngushtë me Perëndimin. Kur Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, Ukraina kishte vetëm rreth 6,000 ushtarë të gatshëm për luftë. Sot, Kievi planifikon të mbajë një forcë të armatosur prej rreth 800,000 ushtarësh pas çdo armëpushimi. Ajo ka në dispozicion ushtrinë më të testuar në beteja të Evropës dhe është bërë një lider në luftën me dronë.
Ukraina mund të mos i bashkohet NATO-s së shpejti, por aleanca duhet ta afrojë atë tani. Prodhimi i përbashkët i dronëve, bashkëpunimi mbrojtës-industrial dhe integrimi i mbrojtjes ajrore do ta forconin Ukrainën, duke e ndihmuar NATO-n të përvetësonte mësimet e luftës më të madhe të Evropës që nga viti 1945.
Ka një ironi në të gjithë këtë. Z. Trump mund të pretendojë ende një trashëgimi që pak veta e prisnin: ndihmën për ta shndërruar NATO-n nga një tigër letre në një aleancë më të fortë se sa ka qenë në dekada. Metoda ka qenë e vështirë, por mundësia është reale.
Më mirë të mos e shpërdoroni.
Shënim: Linas Kojala është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Studimeve të Gjeopolitikës dhe Sigurisë. Vytautas Leškevičius është këshilltar kryesor politik në Qendrën e Studimeve të Gjeopolitikës dhe Sigurisë dhe ish-ambasador i Lituanisë në NATO. [Përktheu. Dan GASHI]
