Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ajo që po ndodhë ndërkohë në LDK nuk është një krizë e zakonshme lidershipi. Është përmbyllja e një cikli politik që nisi tri dekada më parë dhe që sot duket se po arrin pikën e vet të kthesës.
Për ta kuptuar këtë zhvillim duhet të kthehemi te Kuvendi i LDK-së i vitit 1996. Pikërisht atëherë u largua nga partia krahu i ashtuquajtur radikal, i përbërë kryesisht nga ish-të burgosur politikë që gravitonin rreth Hydaj Hysenit. Ky grupim themeloi më pas LIB-in, i cili do të luante rol të rëndësishëm në zhvillimet politike që kulmuan me Konferencën e Rambujesë. Më vonë, shkrirja e këtij grupimi në PDK erdhi si rezultat i një afërsie të krijuar politike dhe organizative, pasi ndarja me LDK-në tashmë ishte konsoliduar.
Por historia ka ironitë e saj.
Atë që LIB-i nuk arriti ta realizonte në vitin 1996 – transformimin e LDK-së nga brenda – duket se sot po e realizon një proces tjetër politik. Jo përmes një bashkimi formal, por përmes ndikimit politik, rrjeteve të interesit dhe ndryshimit gradual të ekuilibrave të brendshëm të kësaj partie.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet ta kurorëzojë këtë proces përmes njërit prej dy skenarëve, të cilët, ndonëse të ndryshëm në formë, mund të prodhojnë një rezultat të ngjashëm: dobësimin ose fundin e rolit të LDK-së si alternativë historike.
Skenari i parë lidhet me zgjedhjen e Dr. Hikmete Bajramit në krye të partisë. Ajo përfaqëson krahun më aktiv të rugovistëve brenda LDK-së dhe shihet si zëri më kritik ndaj afrimeve të mundshme me PDK-në. Megjithatë, nëse nën drejtimin e saj LDK-ja do ta shtynte vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare në vjeshtë, rreziku i një tkurrjeje të mëtejshme elektorale do të ishte i konsiderueshëm. Në këtë rast, LDK-ja mund të hynte në një fazë të re të dobësimit politik, duke mbetur një subjekt me peshë historike, por me ndikim gjithnjë e më të kufizuar në skenën politike.
Skenari i dytë lidhet me emrin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Nëse ai do të merrte drejtimin e LDK-së, ky akt nuk do të ishte thjesht një ndërrim lidershipi. Ai do të mund të interpretohej si sinjali më i qartë se kufiri politik ndërmjet LDK-së dhe PDK-së është zbehur deri në pikën e humbjes së dallimeve strategjike. Në planin politik, kjo do të nënkuptonte transformimin e LDK-së nga një alternativë historike ndaj PDK-së në një subjekt komplementar të saj.
Prandaj, gara aktuale nuk ka të bëjë vetëm me emrin e kryetarit të ardhshëm. Ajo ka të bëjë me vetë identitetin politik të LDK-së.
A do të mbetet ajo trashëgimtare e projektit politik të Ibrahim Rugovës – si alternativë ndaj krahut revolucionar dhe si forcë e qendrës së djathtë me orientim liberal-demokrat – apo do të përfundojë si pjesë e një arkitekture të re politike, ku dallimet me rivalët historikë janë zbehur ndjeshëm?
Paradoksi është se të dy skenarët, pavarësisht dallimeve të tyre, mund të çojnë në një përfundim të ngjashëm. Njëri rrezikon ta margjinalizojë LDK-në deri në humbjen e relevancës politike; tjetri rrezikon ta mbajë formalisht gjallë, por duke ia ndryshuar përmbajtjen dhe identitetin.
Në rastin e parë, LDK-ja mund të mbetet një kujtim historik; në të dytin, një emër historik me një përmbajtje krejt tjetër.
Nëse njëri prej këtyre dy skenarëve materializohet, atëherë mund të thuhet se cikli i hapur në vitin 1996 ka marrë fund. Jo me triumfin e një ideje politike, por me përfundimin e rolit të LDK-së si alternativa kryesore politike që për dekada pretendoi përfaqësimin e një segmenti të rëndësishëm të shoqërisë kosovare.
Megjithatë, fundi i një cikli politik nuk është domosdoshmërisht fundi i një ideje politike. Përkundrazi, ai mund të krijojë hapësirë për lindjen e një alternative të re.
Nëse LDK-ja ecën drejt margjinalizimit historik, në skenën politike të Kosovës do të krijohet një boshllëk që herët a vonë do të kërkojë të mbushet. Pikërisht aty mund të lindë një forcë e re e djathtë – e ndërtuar mbi traditën kombëtare, shtetformuese dhe konservatore shqiptare, në frymën e trashëgimisë politike të NDSH-së, por e përshtatur me sfidat e shekullit XXI.
Një zhvillim i tillë nuk do të ishte thjesht një rikonfigurim partiak. Ai do të shënonte fundin e një epoke të caktuar të politikës kosovare, të dominuar nga përpjekjet për të ruajtur një ekuilibër të imponuar nga jashtë ndërmjet qendrave të ndryshme të ndikimit.
Fundi i LDK-së si alternativë politike shënon njëkohësisht edhe fundin e iluzioneve të disa qendrave politike ndërkombëtare – përfshirë Uashingtonin, Parisin dhe Berlinin, por edhe Beogradin – për krijimin e një hapësire shqiptare policentrike, ku Kosova do të mbetej e ankoruar në një ekuilibër të brishtë ndërmjet projekteve të ndryshme politike dhe interesave rajonale.
Në këtë kuptim, mbyllja e ciklit të LDK-së nuk është vetëm një zhvillim brenda një partie. Ajo mund të hapë siparin e një faze të re në skenën politike kosovare, ku kërkohet një riformatim më i thellë ideologjik dhe strategjik.
Një NDSH e re nuk do të ishte zëvendësim as i LDK-së dhe as i PDK-së, apo i kombinimit të tyre. Ajo do të duhej të përfaqësonte një projekt të ri politik: një forcë të djathtë moderne, me rrënjë kombëtare, vizion shtetformues dhe orientim strategjik të qartë përballë sfidave të reja të shekullit XXI.
Një forcë e tillë nuk do të lindte nga nostalgjia për të kaluarën, por nga nevoja për një përgjigje të re politike ndaj realiteteve të reja. Vetëm në këtë mënyrë demokracia kosovare mund të kalojë nga epoka e ekuilibrave të trashëguar në epokën e konkurrencës së mirëfilltë ideologjike.
