Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Abstrakt
Monografia studimore “Revolucioni 1981” e Dr. Bajram Kosumit, botuar nga Brezi ’81 & Embeta, Prishtinë, 2025, përbën një kontribut të rëndësishëm në studimin e historisë politike të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX. Vepra trajton një nga ngjarjet më përcaktuese të historisë moderne shqiptare në Kosovë – demonstratat e vitit 1981 dhe proceset politike, shoqërore e kombëtare që u zhvilluan rreth tyre.
Rëndësia e kësaj monografie buron nga ndërthurja e tri dimensioneve themelore: kujtesës së drejtpërdrejtë të protagonistit, analizës së studiuesit dhe përpjekjes për sistemimin kritik të një korpusi të gjerë burimesh. Duke qenë vetë njëri nga aktorët e rëndësishëm të zhvillimeve të vitit 1981 dhe njëkohësisht studiues i formuar në fushën e shkencave humane, Kosumi ndërton një narrativë që tejkalon kujtimin personal dhe synon të vendosë këtë periudhë në një kornizë më të gjerë historike.
Libri argumenton se viti 1981 duhet kuptuar si një moment konstituiv në historinë politike të Kosovës: një pikë kthese që transformoi vetëdijen politike shqiptare, ndryshoi raportet ndërmjet Kosovës dhe Federatës Jugosllave dhe krijoi premisat intelektuale e shoqërore për proceset që çuan drejt shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit të Kosovës.
Fjalë çelës: Revolucioni 1981, Kosova, Brezi ’81, historiografia, kujtesa kolektive, lëvizjet kombëtare, Jugosllavia, rezistenca politike.
1. Hyrje: Problemi historiografik i vitit 1981 dhe rëndësia e monografisë së Bajram Kosumit
Ngjarjet e vitit 1981 zënë një vend të veçantë në historinë politike të Kosovës. Ato nuk përbëjnë vetëm një seri protestash studentore, as vetëm një shpërthim të pakënaqësive sociale të një periudhe të caktuar. Në perspektivë historike, ato paraqiten si një pikë kthese që ndryshoi mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e perceptonin pozitën e tyre politike, të drejtat kolektive dhe raportin me rendin jugosllav.
Pikërisht për këtë arsye, viti 1981 ka qenë vazhdimisht objekt i interpretimeve të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Në narrativën zyrtare jugosllave të kohës, demonstratat u paraqitën si “kundërrevolucion”, si veprimtari nacionaliste dhe si kërcënim ndaj rendit kushtetues të federatës. Ky interpretim shërbeu si bazë ideologjike për një fushatë të gjerë represive kundër studentëve, intelektualëve dhe veprimtarëve politikë shqiptarë.
Në anën tjetër, në kujtesën politike shqiptare, viti 1981 u perceptua si një revoltë historike kundër një pozite të pabarabartë politike dhe si një shprehje e kërkesës për një status më të drejtë të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave. Për një pjesë të rëndësishme të elitës politike dhe intelektuale shqiptare, këto ngjarje shënuan fillimin e një faze të re të mobilizimit kombëtar.
Përballë kësaj ndarjeje interpretative, nevoja për studime serioze, të mbështetura në burime dhe analiza kritike, ka qenë e domosdoshme. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e veprës së Bajram Kosumit.
Monografia “Revolucioni 1981” nuk është thjesht një rikthim në kujtesën e një protagonisti. Ajo është një përpjekje për të ndërtuar një histori të argumentuar të një periudhe që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet e mëvonshme politike të Kosovës.
Në këtë kuptim, libri i Kosumit i bashkëngjitet një tradite të rëndësishme të historiografisë moderne, ku protagonistët historikë, duke u distancuar nga përvoja e tyre personale, përpiqen të shpjegojnë proceset ku kanë marrë pjesë. Ky kalim nga dëshmia te analiza historike është një nga sfidat më të mëdha metodologjike të historisë bashkëkohore.
2. Viti 1981 si moment konstituiv në historinë politike të Kosovës
Në teorinë politike ekziston koncepti i momentit konstituiv – një ngjarje ose periudhë historike që ndryshon strukturën themelore të një rendi politik dhe krijon një horizont të ri mundësish historike.
Ky koncept është përdorur për të analizuar revolucionet, luftërat çlirimtare, krijimin e shteteve dhe transformimet e mëdha shoqërore. Një moment i tillë nuk matet vetëm nga intensiteti i ngjarjes në kohën kur ndodh, por nga pasojat afatgjata që prodhon në strukturat politike dhe në vetëdijen kolektive.
Në këtë kuptim2. Viti 1981 si moment konstituiv në historinë politike të Kosovës, viti 1981 për Kosovën përbën një moment të tillë.
Para vitit 1981, çështja politike shqiptare në Kosovë zhvillohej kryesisht brenda kornizave të autonomisë së garantuar nga Kushtetuta jugosllave e vitit 1974. Megjithëse kjo kushtetutë i kishte dhënë Kosovës një shkallë të gjerë kompetencash politike, ajo nuk e kishte zgjidhur çështjen themelore të barazisë së saj me njësitë republikane të federatës.
Kosova kishte institucione të veta, universitet, akademi, administratë dhe elemente të rëndësishme të autonomisë, por mbetej ende njësi federale pa status republike. Kjo gjendje krijonte një kontradiktë të thellë: nga njëra anë afirmonte subjektivitetin politik të Kosovës, ndërsa nga ana tjetër e mbante atë në një pozitë të varësisë kushtetuese, madje edhe koloniale.
Kjo kontradiktë u bë më e dukshme në fund të viteve ’70, kur kriza ekonomike në Jugosllavi thelloi pabarazitë ndërmjet republikave dhe krahinave autonome. Kosova vazhdonte të ishte ndër njësitë më të pazhvilluara ekonomikisht, ndërsa investimet federale nuk arrinin të ndryshonin ndjeshëm këtë gjendje.
Por reduktimi i vitit 1981 vetëm në faktorë ekonomikë do të ishte analizë e mangët. Dimensioni themelor ishte politik dhe kombëtar: kërkesa për trajtim të barabartë të shqiptarëve si komb brenda federatës.
Në këtë pikë, vepra e Kosumit sjell një element të rëndësishëm: ajo e vendos lëvizjen e vitit 1981 në kontekstin e një procesi të gjatë të formimit të vetëdijes politike shqiptare në Kosovë.
Demonstratat nuk lindën në boshllëk historik. Ato ishin produkt i një brezi të ri studentësh dhe intelektualësh që ishin formuar në një Kosovë me universitet, me institucione kulturore dhe me një vetëdije kombëtare gjithnjë e më të artikuluar.
Prandaj, viti 1981 nuk ishte vetëm një reagim ndaj një situate konkrete. Ai ishte shprehje e një transformimi më të thellë shoqëror: lindjes së një subjekti politik shqiptar në Kosovë, i cili nuk pranonte më të trajtohej vetëm si pakicë kombëtare brenda një sistemi federal.
Në këtë aspekt, “Revolucioni 1981” i Bajram Kosumit e vendos këtë ngjarje në një perspektivë historike afatgjatë, duke e parë atë si një pikënisje të një procesi që do të vazhdonte gjatë dekadave të ardhshme.
3. Autori si dëshmitar dhe studiues: ndërthurja e kujtesës dhe historisë
Një nga veçoritë më të spikatura të monografisë “Revolucioni 1981” është pozita e veçantë epistemologjike e autorit. Bajram Kosumi nuk është vetëm studiuesi që analizon një ngjarje të kaluar historike, por edhe njëri nga aktorët e saj. Kjo e vendos veprën në një hapësirë të ndërmjetme ndërmjet historisë akademike, kujtesës kolektive dhe dëshmisë personale.
Në studimet bashkëkohore historike, raporti ndërmjet dëshmisë dhe analizës është një çështje e rëndësishme metodologjike. Historiani që merret me ngjarje të afërta në kohë shpesh përballet me problemin e burimeve subjektive, ndërsa dëshmitari historik përballet me sfidën e shndërrimit të përvojës personale në njohuri të verifikueshme historike.
Në këtë aspekt, vlera e veprës së Kosumit qëndron në faktin se ai nuk e përdor përvojën personale si zëvendësim të analizës, por si një burim shtesë për të ndriçuar dimensione që shpesh mbeten të paarritshme për studiuesin që nuk ka qenë pjesëmarrës.
Përvoja e autorit si veprimtar i lëvizjes së vitit 1981, arrestimi, procesi gjyqësor dhe dënimi i tij me 15 vjet burgim politik përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kontekstit historik në të cilin duhet lexuar kjo vepër. Por, në aspektin shkencor, rëndësia e saj nuk lidhet vetëm me fatin individual të autorit. Ajo lidhet me faktin se përvoja personale vendoset brenda një strukture më të gjerë shpjeguese.
Ky është dallimi ndërmjet kujtimeve dhe një monografie historike.
Kujtimet zakonisht synojnë të ruajnë përvojën individuale, emocionin dhe perceptimin e autorit. Ndërsa një monografi studimore synon të shpjegojë marrëdhëniet ndërmjet individit, shoqërisë dhe strukturave politike që prodhojnë një ngjarje historike.
Në këtë kuptim, Kosumi arrin të bëjë një kalim të rëndësishëm: nga “unë e përjetova” drejt “kjo ndodhi në këtë kontekst historik dhe për këto arsye”.Ky transformim është veçanërisht i rëndësishëm për ngjarje si ato të vitit 1981, sepse ajo ka qenë objekt i një beteje të fuqishme mbi interpretimin historik. Kontrolli mbi narrativën e vitit 1981 ka qenë pjesë e një beteje më të gjerë politike për legjitimitetin e kërkesave shqiptare në Kosovë.
Prandaj, dëshmia e një protagonisti të drejtpërdrejtë merr një rëndësi të veçantë. Ajo i kundërvihet harresës institucionale dhe përpjekjeve për ta shkëputur një ngjarje nga konteksti i saj real politik.
4. Brezi ’81 si subjekt historik: formimi i një elite të re politike
Një ndër boshtet kryesore të veprës së Bajram Kosumit është analiza e rolit të brezit të vitit 1981. Ky brez nuk duhet kuptuar vetëm si grup studentësh që dolën në rrugë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit 1981. Ai përfaqëson një fenomen më të gjerë shoqëror dhe politik.
Në historinë politike të kombeve, brezat historikë formohen zakonisht në momente krize ose transformimi. Një brez bëhet subjekt historik kur një grup njerëzish, të lidhur nga përvoja e përbashkët, fillon të artikulojë një vizion të ri politik dhe shoqëror.
Brezi ’81 në Kosovë u formua në një periudhë kur shoqëria shqiptare kishte kaluar një transformim të rëndësishëm modernizues.
Krijimi i Universitetit të Prishtinës në vitin 1970 kishte ndryshuar strukturën intelektuale të Kosovës. Për herë të parë, një numër i madh të rinjsh shqiptarë mund të arsimoheshin në gjuhën e tyre, të formoheshin si intelektualë dhe të merrnin pjesë në jetën publike.
Universiteti nuk ishte vetëm institucion arsimor. Ai u bë edhe hapësirë e formimit të një vetëdijeje të re politike.
Kjo përvojë ishte karakteristike për shumë shoqëri ku arsimi i lartë ka luajtur rol në formimin e elitave kombëtare. Në këtë kuptim, historia e Kosovës nuk përbën përjashtim: universiteti u shndërrua në një laborator të ideve, debatit dhe artikulimit të kërkesave politike.
Brezi i vitit 1981 ishte produkt i kësaj klime.
Ai përfaqësonte një gjeneratë që nuk e kishte përjetuar drejtpërdrejt periudhën e pasluftës së Dytë Botërore, por ishte rritur brenda realitetit të ri të Kosovës autonome. Kjo gjeneratë kishte përfituar nga zgjerimi institucional dhe arsimor, por njëkohësisht ishte e vetëdijshme për kufijtë politikë të autonomisë ekzistuese.
Këtu lind një nga paradokset themelore të periudhës: Kosova kishte krijuar institucione që prodhonin vetëdije politike, por struktura federale nuk i lejonte asaj një status të barabartë me republikat jugosllave.
Pikërisht kjo mospërputhje ndërmjet zhvillimit shoqëror dhe pozitës kushtetuese krijoi tensionin që shpërtheu në vitin 1981.
5. Kriptoelita shqiptare dhe beteja për kontrollin e narrativës politike në Kosovën e viteve ’80
Një dimension që e bën edhe më të thellë analizën e periudhës së vitit 1981 është roli i asaj shtrese të inteligjencies shqiptare në Kosovë, e cila, I ishte përkushtuar kauzës kombëtare në ilegalitet të thellë.
Siç pasqyrohet qartë edh enë monografinë Revolucioni 1981, tezat e parashtruara nga Ukshin Hoti, Arbën Xhaferi, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi e ndonjë pjesëtar tjeëtër i kriptoelitës, nuk janë pasuar më tej me studime multidisiplinare, me prezantimin e dokumenteve faktike relevante për shkencën dhe konkluzione përkatëse të qëndrueshme. Për këtë, jo rastësisht në përvjetorë jubilarë, nga qarqet nostalgjike titiste publikohen e ripublikohen teza mbi gjoja qëndrimin e KGB-së dhe UDB-së prapa demonstratave të pranverës së vitit 1981.
Siç rezulton nga yk studim voluminoz i Dr. Kosumit, demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se e ashtuquajtura elitë politike autonomiste (institucionale) e Kosovës, edhe nëse kishte pasur çaste (një pjesë e saj), kur ishte zë i interesit nacional (gjatë periudhës kur po bëhej diskutimi publik për kushtetutën në prag të demonstratave të vitit 1968), shpejt ishte zmbrapsur dhe ishte shndërruar në klasë vasale, marionetë e heshtur e Beogradit, duke u shërbyer pa zë interesave kolonialë serbë.
Demonstratave të vitit 1968, ndërkohë, u kishin paraprirë një varg aksionesh të organizatave që kriptoelita jonë kishte krijuar. Të gjitha këto janë edh eobjekt studimi në monografinë e Dr. Bajram Kosumit. Në programet e të gjitha këtyre organizatave potencohet karakteri i tyre revolucionar dhe idetë për bashkim kombëtar.
Në dallim nga organizimi dhe mbrojtja e kauzës së demonstratave të 1968, që pati njëlloj pikëtakimi edhe me të ashtuquajturën elitë institucionaliste, ato të vitit 1981 në vend që ta përafronin këtë elitë me kriptoelitën tonë si organizatore e demonstratave, e thelluan ndarjen edhe më keq se ishte!
Në vitin 1968 pati një akordancë mes kriptoelitës dhe institucionalistëve për kërkesën e statusit të Republikës. Ishin organizatat ilegale, ato që organizuan demonstratat gjithëpopullore gjithandej ku jetonin shqiptarët, pra jo vetëm në Kosovë, por edhe në Tetovë, Preshevë, Ulqin etj. Si ndodhi ky përafrim? Studiuesit nuk kanë dhënë ende një përgjigje të duhur e bindëse. Por fakti se pati një lloj ujdie, nuk mohohet nga askush.
***
Serbia, ngjashëm me fuqitë e tjera koloniale të kohës mes dy luftërave botërore, me ta pushtuar Kosovën përmes dy portave, në Merdar dhe në Kumanovë, në tetor 1912 kishte startuar me procesin e ndërtimit të strukturës së re të pushtetit kolonial dhe rrjetit të vasalëve, që do t’i nënshtrohen plotësisht atij pushteti. Pasi instaloi pushtetin ushtarak e atë administrativ, Serbia e gjeti disi të gatshme këtë strukturë tek ajo shtresë që i kishte shërbyer me shekuj Perandorisë Osmane dhe nuk kishte marrë rrugën drejt Anadollit tok me ushtrinë e administratën osmane. Këto struktura (feudale) ishin të lidhura fort me klerin, prandaj Beogradi, për të ndërtuar e aplikuar politikat e tij koloniale e shkombëtarizuese njëkohësisht, i mbylli edhe ato pak shkolla laike që ishin, ndonjë sosh edhe në gjuhën shqipe, e vazhdoi të hapë xhami, duke kulmuar në këtë politikë antishqiptare me hapjen e Medresesë së Madhe në Shkup, që, si për ironi, do ta pagëzonte me emrin e “Mbretit Aleksandër” (1924), disi ngjashëm me atë të Sulltan Hamitit në Prishtinë, që mban po atë emër edhe sot e kësaj dite! Ndërkaq, personelin drejtues dhe numrin më të madhe të ligjëruesve për këtë medrese do ta sjellë nga Bosnja, që de fakto ishin oficerë të lartë të Shërbimit Sekret Serb.1
Kriptoelita ekzistuese e kohës e kishte të njohur këtë strategji serbe, prandaj po punonte në hartimin e strategjisë për kundërveprim afatgjatë në kohë “paqeje të imponueshme”, duke mos përjashtuar asnjë çast organizimin e kryengritjes antikoloniale.
Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se, ndërkohë, kriptoelita shqiptare tashmë ishte e aftë të hidhej në veprim dhe tash e tutje ajo do të ishte mbartësja e luftës për liri. Qëndrimi i prerë i kriptoelitës ishte se Kosova nuk do të duhej dhe nuk do të lejohej që tash e tutje të trajtohej si “pjesë e Botës së Tretë”: koloni e Serbisë.
Në historinë politike të kombeve, momentet e krizës zakonisht nuk prodhojnë vetëm përplasje ndërmjet shoqërisë dhe pushtetit, por edhe konflikte brenda vetë elitave. Përballë një lëvizjeje të re politike e shoqërore, elitat ekzistuese shpesh ndahen ndërmjet atyre që kërkojnë transformim dhe atyre që synojnë ruajtjen e status quo-së përmes përshtatjes me strukturat ekzistuese të pushtetit.
Në rastin e Kosovës së viteve ’70 dhe ’80, një pjesë e inteligjencies shqiptare, e formuar brenda institucioneve jugosllave dhe e integruar në mekanizmat administrativë, politikë e akademikë të sistemit, nuk e përqafoi projektin politik të brezit të ri studentor.
Kjo shtresë, me kohë u shndërrua në antipod i kriptoelitës2, nuk ishte domosdoshmërisht kundër identitetit kombëtar shqiptar në kuptimin kulturor, por as nuk e mbështeste revolucionin që kishte shpërthyer tashmë
Në një anë qëndronte një brez i ri intelektualësh dhe veprimtarësh, i cili e shihte zhvillimin institucional të Kosovës pas vitit 1974 si një fazë që duhej të çonte drejt një subjektiviteti më të plotë politik. Në anën tjetër, një pjesë e elitës së konsoliduar [autonomiste] preferonte ruajtjen e ekuilibrave ekzistues, duke e konsideruar çdo kërkesë për ndryshim radikal si rrezik për pozitën e fituar brenda sistemit jugosllav.
Ky dallim nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje taktike. Ai përfaqësonte dy modele të ndryshme të mendimit politik:
- një model revolucionar, që synonte zgjerimin e subjektivitetit politik shqiptar;
- një model administrues, që synonte menaxhimin e pozitës ekzistuese brenda rendit jugosllav.
Në këtë kontekst, viti 1981 nxori në sipërfaqe jo vetëm konfliktin ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe strukturave federale jugosllave, por edhe kontradiktën ndërmjet brezit të ri politik dhe një pjese të elitës së vjetër.
5.1 Elita institucionaliste dhe delegjitimimi i Brezit ’81
Një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj dinamike ishte beteja për interpretimin e ngjarjeve.
Çdo lëvizje historike nuk lufton vetëm për ndryshimin e realitetit politik, por edhe për të drejtën për ta shpjeguar atë. Në këtë kuptim, pas vitit 1981 u zhvillua një betejë e fuqishme mbi kuptimin e demonstratave.
Narrativa zyrtare jugosllave i cilësoi ato si veprimtari “armiqësore” dhe “nacionaliste”. Por një pjesë e elitës shqiptare në Kosovë, e vendosur nën presionin e strukturave politike të kohës, kontribuoi në një formë ose tjetër në përhapjen e një diskursi që distancohej nga kërkesat e brezit studentor.
Kjo krijoi një paradoks historik: Institucionet shqiptare në Kosovë ishin zgjeruar gjatë viteve ’70, por një pjesë e elitës që drejtonte këto institucione nuk ishte e gatshme të ndiqte deri në fund logjikën politike që prodhonte vetë zhvillimi institucional.
Universiteti, arsimi dhe kultura kishin krijuar një shoqëri më të vetëdijshme politikisht, por disa segmente të elitës institucionaliste [autonomiste] mbetën të lidhura me kufijtë e sistemit që i kishte prodhuar ato.
Në këtë pikë, koncepti i kriptoelitës në kuptimin esencial të fjalës, siç e ka trajtuar Arbër Xhaferi, ndihmon për të kuptuar një fenomen të rëndësishëm: jo çdo elitë kombëtare është domosdoshmërisht bartëse e proceseve emancipuese kombëtare. Disa segmente të elitave mund të funksionojnë si ndërmjetësues të pushtetit ekzistues, edhe kur veprojnë brenda një komuniteti kombëtar.
6. Metodologjia e veprës: ndërmjet historisë politike, kujtesës kolektive dhe analizës së burimeve
Një vlerë e veçantë e monografisë së Kosumit është përpjekja për të ndërtuar një bazë të gjerë burimore.
Autori nuk kufizohet në një narrativë kronologjike të ngjarjeve, por përpiqet të analizojë:
- dokumente të kohës;
- dëshmi të pjesëmarrësve;
- literaturën ekzistuese;
- shkrimet publicistike dhe shkencore mbi vitin 1981;
- interpretimet e ndryshme të zhvilluara gjatë dekadave.
Kjo qasje e afron veprën me metodën e historiografisë sintetizuese, ku studiuesi nuk sjell vetëm një rrëfim të ri, por organizon dhe interpreton një masë të madhe materiali ekzistues.
Një nga problemet e historisë bashkëkohore është se ngjarjet politike shpesh mbeten të fragmentuara në kujtime individuale, dokumente institucionale dhe interpretime politike. Detyra e studjuesit të historisë politike është t’i vendosë këto fragmente në një strukturë kuptimore.
Kosumi përpiqet pikërisht ta bëjë këtë: të rindërtojë jo vetëm atë që ndodhi, por edhe mënyrën se si u perceptua, u interpretua dhe u përdor politikisht viti 1981.
Në këtë aspekt, libri ka edhe dimension të rëndësishëm të studimit të kujtesës kolektive.
Sipas sociologut francez Maurice Halbwachs, kujtesa kolektive nuk është thjesht grumbullim kujtimesh individuale, por mënyra se si një shoqëri e ndërton dhe e ruan interpretimin e së kaluarës së saj.
Në rastin e Kosovës, viti 1981 është një shembull tipik i një ngjarjeje që ka mbetur në qendër të kujtesës kolektive. Ai është kujtuar si sakrificë, si revoltë politike, si pikënisje e një procesi historik, por edhe është sulmuar përmes narrativave alternative.
Prandaj, I vetëdishëm për këtë fenomen, Dr. Kosumi, me këtë monografi I hynë punës për të realizuar një studim serioz për ato ngjarje revolucionare, duke analizuar jo vetëm vetë zhvillimet e pranverës 1981, por edhe betejën mbi kuptimin e saj.
Monografia e Bajram Kosumit ka meritën se e hap këtë debat në një nivel më të strukturuar shkencor.
7. Revolucioni i vitit 1981 dhe kriza strukturore e federatës jugosllave
Për ta kuptuar drejt rëndësinë historike të vitit 1981, është e domosdoshme që ngjarjet e Kosovës të vendosen brenda krizës më të gjerë strukturore të federatës jugosllave. Demonstratat e vitit 1981 nuk mund të analizohen vetëm si një episod i brendshëm kosovar, i shkëputur nga zhvillimet politike, ekonomike dhe institucionale të Jugosllavisë së atëhershme.
Federata jugosllave, veçanërisht pas vdekjes së Josip Broz Titos në vitin 1980, hyri në një periudhë të pasigurisë së thellë politike. Sistemi i ndërtuar mbi ekuilibrin ndërmjet republikave, krahinave autonome dhe aparatit federal filloi të përballej me kontradikta të shumta. Kushtetuta e vitit 1974, e cila synonte të balanconte interesat e njësive federale, kishte krijuar një strukturë jashtëzakonisht komplekse vendimmarrëse.
Nga njëra anë, ajo kishte zgjeruar kompetencat e Kosovës dhe Vojvodinës duke i afruar ato me statusin e njësive federale. Nga ana tjetër, duke pretenduar ta konzervojë statusin kolonial nën petkun e autonomisë, nuk i kishte dhënë Kosovës status të plotë republikan dhe refuzoi kategorisht ta trajtojë këtë kërkesë plebishitare të popullit shqiptar të parashtruar në pranverën e vitit 1981. Kjo krijoi një gjendje të ndërmjetme politike, e cila do të shndërrohej në një nga burimet kryesore të tensioneve të mëvonshme.
Në analizën e kësaj periudhe duhet pasur parasysh një realitet themelor: Kosova ishte një territor me shumicë absolute shqiptare, me identitet kombëtar të konsoliduar, me institucione të veta arsimore e kulturore, por pa të drejtën e përfaqësimit të barabartë në strukturën federale.
Ky hendek ndërmjet realitetit shoqëror dhe pozitës juridiko-politike ishte një nga faktorët që ushqeu pakënaqësitë. Këtë status hibrid, autori e ka trajtuar me akribi të mirëfilltë shekencore.
Në këtë kuptim, kërkesa e shfaqur në vitin 1981 për avancimin e statusit politik të Kosovës nuk ishte thjesht një kërkesë administrative. Ajo lidhej me një debat më të thellë mbi parimin e barazisë politike të kombeve brenda federatës.
Në literaturën e shkencave politike, konfliktet e tilla shpesh shpjegohen përmes konceptit të mospërputhjes ndërmjet identitetit kolektiv dhe strukturës institucionale. Kur një komunitet që ka zhvilluar vetëdije të fortë politike e percepton pozitën e vet institucionale si të pabarabartë, krijohen kushte për mobilizim kolektiv.
Pikërisht këtë proces e dokumenton Kosumi në veprën e tij: kalimin nga pakënaqësia sociale në artikulim politik.
8. Nga protesta studentore te lëvizja politike: dinamika e mobilizimit shoqëror
Një nga kontributet e rëndësishme të monografisë “Revolucioni 1981” është analiza e transformimit të një kërkese fillimisht sociale në një lëvizje me dimension të gjerë politik.
Në fillim, demonstratat u nxitën nga probleme konkrete të jetës studentore dhe kushteve në Universitetin e Prishtinës. Pakënaqësitë për kushtet e banimit, ushqimit dhe trajtimit institucional shërbyen si shkëndija fillestare.
Por, siç ndodh shpesh në historinë e lëvizjeve shoqërore, kërkesat fillestare shpejt u lidhën me çështje më të thella politike.
Kjo është një karakteristikë tipike e mobilizimeve kolektive: një problem konkret mund të bëhet simbol i një pakënaqësie më të gjerë strukturore.
Në rastin e Kosovës, universiteti ishte vetëm hapësira ku u shfaq një krizë më e thellë e marrëdhënieve ndërmjet shoqërisë shqiptare dhe sistemit jugosllav.
Brezit studentor të vitit 1981 i përkiste një gjeneratë që kishte fituar arsimim më të lartë, kishte krijuar vetëdije historike dhe kishte filluar të kërkonte një rol më aktiv në përcaktimin e së ardhmes së vet politike.
Kjo e shpjegon pse reagimi i autoriteteve jugosllave ishte kaq i ashpër. Për pushtetin federativ, çështja nuk ishte vetëm menaxhimi i një proteste studentore. Ajo shihej si sfidë ndaj ekuilibrit politik mbi të cilin mbështetej federata, respektivisht si një kambanë alarmi për elitën nacionalfashiste serbe, që de fakto do ta shkatërronte Federatën Jugosllave.
Kështu, një lëvizje e nisur në hapësirat universitare u shndërrua në një konflikt të drejtpërdrejtë ndërmjet kërkesës për ndryshim politik dhe përpjekjes së shtetit për ruajtjen e status quo-së.
9. Represioni jugosllav dhe politika e kriminalizimit të kërkesës shqiptare
Një kapitull i rëndësishëm i historisë së vitit 1981 lidhet me reagimin e aparatit shtetëror jugosllav. Pas shpërthimit të demonstratave, autoritetet ndërmorën masa të gjera represive: arrestime masive, procese gjyqësore politike, përjashtime nga universiteti dhe kontroll të shtuar mbi jetën publike.
Në këtë periudhë u ndërtua një narrativë zyrtare që i paraqiste kërkesat politike shqiptare si veprimtari armiqësore ndaj Jugosllavisë.
Ky proces i kriminalizimit të kundërshtimit politik ishte një mekanizëm i njohur i regjimeve autoritare: në vend që kërkesa politike të trajtohej si çështje për debat institucional, ajo shpallej si kërcënim ndaj sigurisë së shtetit.
Në këtë kuadër duhet kuptuar edhe fati i shumë protagonistëve të vitit 1981, përfshirë Bajram Kosumin.
Burgjet politike të Jugosllavisë nuk ishin vetëm institucione ndëshkimi individual. Ato ishin edhe instrumente të kontrollit politik dhe të frikësimit kolektiv.
Por paradoksalisht, represioni prodhoi edhe efektin e kundërt: ai e forcoi kujtesën e sakrificës dhe krijoi një traditë të rezistencës politike.
Në shumë raste historike, burgosjet politike nuk e zhdukin domosdoshmërisht një ide. Përkundrazi, ato mund ta shndërrojnë atë në simbol të një kauze më të gjerë. Kështu ndodhi edhe me ish të burgosurit politikë shqiptar. Në rastin e Kosovës, shumë prej të burgosurve politikë të viteve ’80 do të luanin role të rëndësishme në zhvillimet politike të viteve ’90, që do të kulmonin me krijimin e UÇK-së , që do të imponojë ndryshime rrënjësore, ndërkaq pas luftës, në procesin e shtetëformimit.
10. Viti 1981 në betejën e narrativave historike
Çështja e interpretimit të vitit 1981 nuk ka qenë vetëm çështje akademike. Ajo ka qenë pjesë e një beteje më të gjerë politike mbi kuptimin e historisë së Kosovës.
Në periudhën jugosllave, interpretimi zyrtar synonte ta delegjitimonte lëvizjen duke përdorur gjuhën e “nacionalizmit” dhe “irredentizmit”. Ky diskurs synonte të paraqiste kërkesat politike shqiptare jo si rezultat i problemeve reale strukturore, por si kërcënim ndaj rendit socialist, prandaj gjykimi politik për ngajrjest e pranveërs 1981, duke I cilësuar ato si kundërrevolucion, kishte ndodhur para proceseve gjyqësore që do të fillonin disa muaj më vonë dhe nuk do ët ndaleshin pastaj deri në fillim të luftës [1996/7].
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, debatet mbi vitin 1981 vazhduan në forma të reja.
Në këtë kuptim, puna e historianëve dhe studiuesve është veçanërisht e rëndësishme: ajo duhet të ndajë analizën shkencore nga përdorimi politik i së kaluarës.
Monografia e Kosumit hyn pikërisht në këtë hapësirë të debatit. Ajo nuk trajton vetëm atë që ndodhi në vitin 1981, por edhe mënyrën se si kjo ngjarje është interpretuar dhe është përdorur në diskursin politik.
Kjo e bën veprën të rëndësishme jo vetëm për historinë e Kosovës, por edhe për studimet mbi kujtesën, identitetin dhe formimin e narrativave kombëtare.
11. Vepra e Kosumit në kontekstin e teorive mbi nacionalizmin dhe lëvizjet shoqërore
Një ndër vlerat e veçanta të monografisë “Revolucioni 1981” është se ajo hap mundësi për ta lexuar këtë ngjarje jo vetëm si një episod të historisë politike shqiptare, por edhe në kuadër të teorive bashkëkohore mbi nacionalizmin, identitetin kolektiv dhe lëvizjet shoqërore.
Në këtë aspekt, vepra e Bajram Kosumit mund të vendoset në dialog me disa nga qasjet më të rëndësishme teorike të shkencave sociale, të cilat përpiqen të shpjegojnë se si komunitetet politike ndërtojnë vetëdijen e tyre, si formohen lëvizjet kolektive dhe si shfaqen kërkesat për riorganizim politik.
Sipas teoricienit britanik Ernest Gellner, nacionalizmi lidhet ngushtë me proceset e modernizimit, arsimit masiv dhe krijimit të shoqërive të komunikimit të përbashkët. Në këtë këndvështrim, universiteti, gjuha dhe institucionet kulturore luajnë rol vendimtar në formimin e identiteteve moderne politike.
Në rastin e Kosovës, zhvillimi i arsimit të lartë dhe veçanërisht krijimi i Universitetit të Prishtinës krijuan një hapësirë të re shoqërore ku u formua një elitë e re intelektuale shqiptare. Kjo elitë nuk ishte vetëm bartëse e dijes, por edhe prodhuese e një vetëdijeje të re politike.
Në këtë kuptim, viti 1981 nuk mund të shpjegohet vetëm përmes faktorëve ekonomikë apo institucionalë. Ai ishte edhe rezultat i një procesi të gjatë të modernizimit shoqëror, i cili kishte krijuar pritshmëri të reja politike.
Edhe teoria e Benedict Andersonit mbi “komunitetet e imagjinuara” ndihmon për të kuptuar këtë proces. Sipas Andersonit, kombet moderne nuk janë vetëm kategori historike, por edhe komunitete të ndërtuara përmes gjuhës, arsimit, kulturës dhe përvojave të përbashkëta.
Në Kosovë, veçanërisht gjatë viteve ’70, zhvillimi i institucioneve arsimore e kulturore shqiptare kontribuoi në forcimin e një ndjenje të përbashkët politike dhe historike. Brezi i vitit 1981 ishte produkt i kësaj faze të re të vetëdijes kolektive.
Në një perspektivë tjetër, teoricienët e lëvizjeve shoqërore si Charles Tilly dhe Sidney Tarrow kanë argumentuar se mobilizimet politike nuk lindin vetëm nga pakënaqësitë ekzistuese, por nga aftësia e aktorëve shoqërorë për të organizuar, artikuluar dhe shndërruar pakënaqësinë në veprim kolektiv, duke krijuar kështu edhe heronjtë kolektiv, siç do ët mund të cilësoheshin me të drejtë ish të burgosurit politikë shqiptar.
Ky interpretim është veçanërisht i rëndësishëm për vitin 1981.
Pakënaqësia ekzistonte, por ajo nuk do të merrte formë politike pa ekzistencën e një brezi të organizuar studentor, të një mjedisi intelektual dhe të një rrjeti veprimtarësh që ishin në gjendje ta artikulonin atë.
Monografia e Kosumit e dëshmon pikërisht këtë proces: transformimin e një gjendjeje shoqërore në një akt politik kolektiv.
12. Brezi ’81 dhe vazhdimësia historike drejt shtetformimit të Kosovës
Një nga pyetjet më të rëndësishme që ngre studimi i vitit 1981 është: cili ishte ndikimi afatgjatë i kësaj ngjarjeje në historinë politike të Kosovës?
Përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në pasojat e menjëhershme. Demonstratat u shtypën, shumë protagonistë u burgosën dhe kërkesat politike të shfaqura atëherë nuk u realizuan menjëherë.
Por historia politike nuk matet vetëm nga rezultatet e menjëhershme. Shpesh ndikimi i një ngjarjeje kuptohet më mirë përmes proceseve që ajo nis.
Në këtë kuptim, viti 1981 krijoi një trashëgimi të rëndësishme politike dhe simbolike.
Ai:
- konsolidoi një brez të ri veprimtarësh politikë;
- forcoi vetëdijen mbi pozitën e Kosovës në federatën jugosllave;
- krijoi një kulturë të re të rezistencës politike;
- shërbeu si pikë referimi për brezat që do të angazhoheshin në vitet ’90.
Shumë prej figurave që dolën nga kjo periudhë do të bëheshin pjesë e zhvillimeve të mëvonshme politike: nga rezistenca ilegale dhe organizimet politike të viteve ’80, deri te proceset politike që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në këtë kuptim, Brezi ’81 mund të shihet si një brez tranzicioni historik: një brez që jetoi brenda sistemit jugosllav, por që filloi të konceptojë një horizont politik përtej tij.
Kjo nuk do të thotë se të gjithë pjesëmarrësit e vitit 1981 kishin të njëjtin vizion politik apo të njëjtën rrugë zhvillimi. Historia nuk është proces linear. Ajo ndërtohet nga debate, alternativa dhe kundërthënie.
Por ajo që i bashkon këta aktorë është fakti se ata kontribuuan në krijimin e një momenti të ri politik në Kosovë.
13. Vepra e Bajram Kosumit dhe përgjegjësia e kujtesës historike
Çdo brez përballet me detyrën e rishikimit të historisë së vet. Kjo nuk nënkupton ndryshimin e së kaluarës, por përpjekjen për ta kuptuar atë më thellë.
Në këtë drejtim, monografia “Revolucioni 1981” ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe sistemimin e kujtesës historike.
Shoqëritë që kanë kaluar periudha represioni politik shpesh përballen me dy rreziqe:
Së pari, me harresën.
Së dyti, me deformimin e kujtesës përmes interpretimeve të njëanshme.
Pikërisht për këtë arsye, dokumentimi shkencor i përvojave historike është i domosdoshëm.
Kosumi, duke qenë njëkohësisht dëshmitar dhe studiues, sjell në këtë proces një kombinim të rrallë: përvojën e drejtpërdrejtë dhe aftësinë analitike.
Megjithatë, vlera e një vepre historike nuk qëndron vetëm në pozicionin personal të autorit. Ajo që e bën një libër të qëndrueshëm është aftësia për t’u lexuar edhe përtej autorit të tij.
Në këtë aspekt, “Revolucioni 1981” ka potencialin të kalojë nga libri i një protagonisti në një burim të rëndësishëm për studiuesit e ardhshëm.
Ai ofron materiale për studime të historisë politike, historisë sociale, kujtesës kolektive dhe marrëdhënieve ndërmjet identitetit kombëtar dhe strukturave shtetërore.
14. Përfundim: “Revolucioni 1981” si dokument i një epoke historike
Monografia e Dr. Bajram Kosumit “Revolucioni 1981” përfaqëson një përpjekje serioze për ta trajtuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës me mjete të analizës historike dhe shkencore.
Rëndësia e saj buron nga disa dimensione të ndërthurura:
Së pari, nga fakti se ajo trajton një ngjarje themelore që ndryshoi rrjedhën politike të Kosovës.
Së dyti, nga pozita e veçantë e autorit si protagonist dhe studiues.
Së treti, nga përpjekja për të mbështetur analizën në një korpus të gjerë burimesh dhe dëshmish.
Së katërti, nga aftësia për ta vendosur vitin 1981 brenda një procesi më të gjerë historik, që lidhet me krizën e Jugosllavisë, zhvillimin e vetëdijes politike shqiptare dhe rrugën drejt shtetformimit të Kosovës.
Në perspektivën e historisë politike, viti 1981 ishte një moment konstituiv: një ngjarje që nuk e ndryshoi menjëherë realitetin institucional, por ndryshoi mënyrën se si një shoqëri e konceptoi të ardhmen e saj.
Pikërisht kjo është edhe merita kryesore e veprës së Bajram Kosumit: ajo nuk e trajton vitin 1981 si një episod të mbyllur në të kaluarën, por si një proces historik që vazhdon të ndikojë në mënyrën se si kuptohet politika, identiteti dhe shteti në Kosovë.
Në fund, “Revolucioni 1981” nuk është vetëm një libër mbi një ngjarje historike. Është një vepër mbi kujtesën, mbi sakrificën e një brezi dhe mbi rrugëtimin e gjatë të një shoqërie drejt afirmimit politik.
Si e tillë, ajo përbën një kontribut të rëndësishëm për historiografinë shqiptare dhe një pikë referimi të domosdoshme për çdo studiues që do të merret me historinë e Kosovës në fundin e shekullit XX.
Bibliografia
- Anderson, Benedict. Imagined Communities: Reflections on the Origin and Spread of Nationalism. London: Verso, 1983.
- Gellner, Ernest. Nations and Nationalism. Oxford: Blackwell, 1983.
- Hobsbawm, Eric. Nations and Nationalism since 1780: Programme, Myth, Reality. Cambridge: Cambridge University Press, 1990.
- Tilly, Charles. Social Movements, 1768–2004. Boulder: Paradigm Publishers, 2004.
- Malcolm, Noel. Kosovo: A Short History. London: Macmillan, 1998.
- Kosumi, Bajram. Revolucioni 1981. Brezi ’81 & Embeta, Prishtinë, 2025.
- Doja, Albert, Etniciteti, ndërtimi kombëtar dhe nacionalizmi nëterritorin etnik shqiptar: qasje antropologjike e konfliktit të marrëdhënieve ndëretnike, Tiranë, 2009.
- Ramabaja, Sadri. Liria pa heronj, Tiranë, 2021.
Fusnotat
1. Shih më gjerësisht: Dietmar Mueller, Staatsbürger auf Wideruf, Wiesbaden 2015, f. 431-432.
2. Shih më gjerësisht librin tim “Liria pa heronj”, Onufri, Tiranë, 2021, f.25-32
