Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Vendimi i paralajmëruar nga ministri i jashtëm të Serbisë dhe [në heshtje] edhe ai i Shqipërisë për hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc dhe një konsullate serbe në Shkodër është paraqitur si një akt i balancuar i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe. Në planin formal, marrëveshja duket se mishëron parimin e reciprocitetit. Në planin substancial, megjithatë, ajo ngre një varg pyetjesh që nuk mund të anashkalohen nga një analizë serioze juridike, diplomatike dhe gjeopolitike.
Në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston asnjë detyrim që shtetet të pranojnë hapjen e konsullatave të huaja në territorin e tyre. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore (1963) e bën të qartë, që në nenin 2, se vendosja e marrëdhënieve konsullore dhe krijimi i një konsullate janë të mundshme vetëm mbi bazën e pëlqimit reciprok të dy shteteve. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është thjesht një palë protokollare në këtë proces; ajo ushtron një kompetencë sovrane dhe, rrjedhimisht, mban edhe përgjegjësinë politike për pasojat e vendimit të saj.
Por po aq domethënës është neni 5 i Konventës, i cili përcakton funksionet e konsullatave: mbrojtjen e interesave të shtetasve të shtetit dërgues, ofrimin e shërbimeve administrative e juridike, nxitjen e marrëdhënieve ekonomike, tregtare, kulturore e shkencore, si dhe mbledhjen e informacionit për zhvillimet në shtetin pritës përmes mjeteve të ligjshme. Kjo do të thotë se filozofia e institucionit konsullor është funksionale, jo gjeopolitike.
Pikërisht në këtë pikë lind dilema.
Cila është nevoja objektive konsullore e Serbisë në Shkodër?
Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë, në gjithë qarkun e Shkodrës janë vetëdeklaruar vetëm 54 qytetarë me përkatësi etnike serbe. Edhe duke përfshirë malazezët, boshnjakët, maqedonasit dhe bullgarët, komuniteti sllavishtfolës nuk arrin as 300 banorë. Kjo nuk përbën një bazë demografike që justifikon ekzistencën e një përfaqësie të re konsullore, nëse kriteri është nevoja për shërbime konsullore.
Rasti i Bujanocit është krejt tjetër.
Lugina e Preshevës është një hapësirë ku jeton një popullsi autoktone shqiptare me peshë të konsiderueshme demografike dhe politike. Për më tepër, shqiptarët atje përballen prej vitesh me fenomene të dokumentuara ndërkombëtarisht, si pasivizimi administrativ i adresave, diskriminimi institucional, kufizimi i përfaqësimit proporcional dhe emigrimi i detyruar. Në këtë kontekst, një konsullatë shqiptare nuk do të ishte thjesht një zyrë administrative, por një mekanizëm legjitim për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë, në përputhje me funksionet që parashikon vetë Konventa e Vjenës.
Për këtë arsye, paraqitja e këtyre dy konsullatave si shkëmbim simetrik është metodologjikisht e gabuar. Simetria diplomatike nuk mund të ndërtohet mbi asimetri demografike, juridike dhe politike.
Në literaturën bashkëkohore mbi diplomacinë, studiues si Geoffrey Berridge dhe Kishan Rana kanë argumentuar se konsullatat nuk janë më vetëm zyra shërbimesh. Ato janë bërë instrumente të diplomacisë publike, të fuqisë së butë (soft power), të ndërtimit të rrjeteve të ndikimit dhe të pranisë strategjike të shtetit. Në këtë kuptim, çdo konsullatë është edhe një pikë projekcioni e interesave shtetërore.
Ky dimension merr rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për Serbinë.
Doktrina e ashtuquajtur “Bota Serbe”, e artikuluar gjatë viteve të fundit nga elita politike e Beogradit, nuk kufizohet vetëm në raportet me Republikën Srpska apo Malin e Zi. Ajo synon ndërtimin e një hapësire të integruar ndikimi politik, kulturor, mediatik dhe fetar në të gjithë rajonin ku Serbia konsideron se ka interesa strategjike. Brenda kësaj logjike, konsullatat nuk janë domosdoshmërisht institucione neutrale; ato mund të shërbejnë si nyje të diplomacisë së ndikimit.
Asgjë nga kjo nuk është, në vetvete, e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare. Çdo shtet ndjek interesat e veta.
Por pikërisht për këtë arsye edhe Shqipëria duhet të ndjekë interesat e saj.
Këtu lind pyetja që politika shqiptare duket se nuk ia ka bërë vetes: cili është interesi strategjik i Shqipërisë nga hapja e një konsullate serbe në Shkodër?
Përgjigjja nuk mund të kufizohet në argumentin e “marrëdhënieve të mira fqinjësore”. Vetë Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961) dhe Deklarata e OKB-së mbi Marrëdhëniet Miqësore ndërmjet Shteteve (1970) e lidhin fqinjësinë e mirë me respektimin e sovranitetit, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe heqjen dorë nga çdo politikë presioni politik apo territorial.
Në këtë aspekt Serbia vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës, vazhdon të financojë struktura paralele, vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe vazhdon të ndërtojë narrativa që e paraqesin Kosovën si burimin kryesor të destabilitetit rajonal.
Pikërisht këtu qëndron dimensioni më problematik i konsullatës së propozuar.
Ajo mund të shërbejë si instrument i një strategjie diplomatike më të gjerë, që synon të krijojë perceptimin se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë normale dhe se problemi i vetëm në rajon mbetet Kosova. Kjo do t’i lejonte Beogradit të promovonte tezën se nuk ka konflikt me kombin shqiptar, por vetëm me një elitë politike në Prishtinë. Është një narrativë që Serbia e ka kultivuar prej vitesh në qendrat vendimmarrëse evropiane.
Paralelisht, një konsullatë në Shkodër mund të përdoret për të ndërtuar artificialisht diskursin mbi një “minoritet serb” në Shqipëri, duke krijuar një simetri politike me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Një simetri e tillë do të ishte jo vetëm statistikisht e pavërtetë, por edhe politikisht manipuluese.
Në fund, çështja nuk është juridike.
Shqipëria ka të drejtë ta pranojë një konsullatë serbe.
Pyetja është nëse duhet ta bëjë.
Në një epokë kur diplomacia është shndërruar në instrument të konkurrencës strategjike, çdo vendim për zgjerimin e pranisë institucionale të një shteti tjetër duhet të paraprihet nga një analizë e plotë e interesit kombëtar, e sigurisë kombëtare dhe e pasojave afatgjata gjeopolitike.
Në Ballkan, historia na ka mësuar se objektet diplomatike nuk janë kurrë vetëm objekte. Ato janë edhe simbole të pranisë politike, pika projekcioni të interesave shtetërore dhe, në raste të caktuara, nyje të rivalitetit gjeopolitik.
Për këtë arsye, vendimi për konsullatën serbe në Shkodër nuk duhet të jetë produkt i logjikës së reciprocitetit formal. Ai duhet të jetë rezultat i një analize të ftohtë strategjike, sepse jo çdo akt diplomatik është domosdoshmërisht në shërbim të interesit kombëtar.
