Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Arrestimi në Serbi i një personi që dyshohet se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive në Kosovë është një akt që tejkalon çdo kufi të një procedure të zakonshme policore. Ai është një sinjal politik. Është një mesazh frikësimi. Dhe mbi të gjitha, është një përpjekje për ta trajtuar të vërtetën si armik të shtetit.
Në një shtet që pretendon se kërkon paqe dhe normalizim me fqinjët, zbulimi i varrezave masive do të duhej të ishte lajm i mirë. Do të duhej të ishte një hap drejt drejtësisë, drejt vënies në vend të dinjitetit të viktimave dhe drejt çlirimit të vetë shoqërisë serbe nga pesha e krimeve të së kaluarës.
Por nëse ai që ndihmon në gjetjen e viktimave trajtohet si i dyshuar, ndërsa autorët e krimeve vazhdojnë të mbrohen nga heshtja institucionale, atëherë kemi të bëjmë me një përmbysje të plotë morale: viktima mbetet pa drejtësi, ndërsa e vërteta shpallet kërcënim.
Serbia nuk po përballet me problemin e varrezave masive. Serbia po përballet me problemin e dëshmive që nuk mund t’i zhdukë më.
Për më shumë se dy dekada, familjet e mbi 1.570 personave të zhdukur nga lufta e Kosovës presin përgjigje. Ato nuk kërkojnë hakmarrje. Kërkojnë eshtrat e të dashurve të tyre. Kërkojnë të drejtën elementare njerëzore për të ditur se ku janë varrosur fëmijët, prindërit dhe familjarët e tyre.
Por çdo varrezë masive e zbuluar është një goditje për narrativën politike që Beogradi ka ndërtuar për vite me radhë. Sepse një varrezë masive nuk është thjesht një vend fizik. Ajo është një dëshmi që rrëzon propagandën. Ajo është një dokument që nuk mund të censurohet. Ajo është një provë që nuk mund të negociohet.
Në këtë kontekst duhet parë edhe gjuha gjithnjë e më kërcënuese e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Në vend që Serbia të japë shenja të një shteti që kërkon përballje me të kaluarën, Vuçiq zgjedh kazermat ushtarake, uniformat dhe retorikën e forcës. Ai nuk flet si një lider që kërkon pajtim historik, por si një politikan që vazhdon ta përdorë konfliktin si instrument të mobilizimit politik.
Mesazhi që buron nga këto shfaqje është i qartë: ndërsa varrezat masive kërkojnë drejtësi, pushteti serb kërkon të rikthejë frikën.
Edhe deklaratat e zyrtarëve të tjerë të lartë të Beogradit, përfshirë ministren Paunoviq, janë pjesë e të njëjtit diskurs politik: relativizim i përgjegjësisë, zhvendosje e fajit dhe përpjekje për ta kthyer agresorin në viktimë e viktimën në të akuzuar.
Kjo është arsyeja pse ky rast nuk mund të trajtohet si një incident i izoluar. Ai është pjesë e një kulture politike që ende nuk e ka pranuar të vërtetën e luftërave të viteve ’90. Një kulturë ku zbulimi i krimit shpesh shihet si sulm ndaj shtetit, ndërsa heshtja për krimin si akt patriotik.
Por historia ka treguar se asnjë shtet nuk është forcuar duke fshehur krimet e veta. Gjermania e pasluftës u rindërtua sepse u përball me nazizmin. Shoqëritë e tjera post-konfliktuale ecën përpara sepse pranuan të vërtetën. Mohimi nuk prodhon stabilitet; ai vetëm e shtyn konfliktin në të ardhmen.
Prandaj edhe Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë ta trajtojë këtë çështje si një pengesë teknike në dialogun Kosovë–Serbi. Nuk ka normalizim pa drejtësi. Nuk ka pajtim pa të vërtetën. Dhe nuk ka paqe të qëndrueshme mbi varreza të fshehura.
Arrestimi i një personi që mund të ketë ndihmuar në zbulimin e një varreze masive është më shumë se një akt kundër një individi. Është një përpjekje për t’i dërguar mesazh çdo dëshmitari, çdo familjeje dhe çdo personi që ende kërkon të vërtetën: heshtni.
Por e vërteta nuk arrestohet.
Eshtrat e viktimave mund të jenë fshehur për vite, por nuk mund të zhduken nga historia. Varrezat masive nuk janë kërcënim për Serbinë; ato janë mundësia e saj e fundit për t’u përballur me të kaluarën.
Kërcënimi i vërtetë nuk është zbulimi i krimeve.
Kërcënimi i vërtetë është vet shteti, struktura që drejton atë, e që ende beson se mund ta varrosë të vërtetën bashkë me viktimat.
