Nga Dr. Arben FETOSHI
(“Heroizimi” i krimit në strategjinë hibride të Serbisë)
Monumenti në Rashkë për pjesëtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar dhe vlerësimet e Ivica Daçiqit për “heronjtë e luftës që i kanë shërbyer atdheut me nder”, janë krim i përsëritur mbi civilët shqiptarë, mbetjet e të cilëve u gjetën në Rudnicë (afër Rashkës) 15 vjet pas luftës, që vërteton kontinuitetin e projektit të Millosheviqit me “Botën Serbe”.
Brigada që kishte tentuar t’i fshihte krimet si Izbica (146 civilë), Rezalla, Çikatova e Vjetër (68 civilë), Likoshani, Qirezi, Zabeli i Ulët, Gllanasella, e të tjera, aty ku e kishte bazën, në Rashkë, siç ka dokumentuar Fondi për të Drejtën Humanitare (Dosja “Rudnica”; Rasti Ljubisha Dikoviq), pikërisht aty sot ajo nderohet nga Qeveria e Serbisë.
Ndërkohë që Kosova po vazhdon kërkimet për persona të zhdukur nga lufta në një varrezë masive në Kalludër të Vogël, Serbia jo vetëm që nuk e përmbush detyrimin e marrë me Deklaratën e Brukselit (2023) për hapjen e arkivave, edhe të kësaj brigade, por tani ngre monumente përkujtimi ndaj atyre që i kanë kryer dhe fshehur krimet në Kosovë.
Ndonëse kjo makineri kriminale e kishte vënë në lëvizje botën demokratike (Operacioni “Allied Force” i NATO-s), ndërsa Tribunali i Hagës i ka gjetur fajtorë eprorët e lartë të ushtrisë e policisë serbe si Pavkoviqi (22 vjet), Ojdaniqi (15 vjet), Llazareviqi (14 vjet), Llukiqi (20 vjet) e Shainoviqi (18 vjet), zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Daçiq e quan monumentin “mësues të heshtur të historisë”, derisa ministria e tij nuk e harron “agresionin e NATO-s” në njoftim (KoSSev, 01.08.2026).
“Ne kemi bërë luftë mbrojtëse dhe të gjithë luftëtarët tanë ishin luftëtarë të lirisë e heronj të luftës, jo kriminelë të luftës”, ka thënë Daçiq, duke pretenduar se Serbia po ballafaqohet me përpjekje për ta “rishikuar historinë”. Një teknikë perfide e komunikimit strategjik, që tenton ta rehabilitojë politikën e gjenocidit dhe spastrimit etnik. Pika që e bashkon me zëvendësen e tij partiake, ministren Paunoviq dhe me të gjithë korin revizionist të Beogradit zyrtar, për “Perëndimin e padrejtë”, “Kosovën represive” dhe “Rusinë shpëtimtare”.
Kjo luftë narrative kundër Kosovës, duke përfshirë strategjinë e mohimit të krimeve në Kroaci, të gjenocidit në Srebrenicë dhe “bekimin” kishtar të kriminelëve të luftës, është pjesë e strategjisë për rehabilitimin e Millosheviqit, si bazë për legjitimitetin e “Botës Serbe”.
Në këtë kontekst, monumenti i Rashkës është instrument i strategjisë hibride, që duhet ta alarmojë rajonin, BE-në dhe NATO-n. Që tregon se Serbia po e “heroizon” krimin dhe politikën gjenocidale, për ta normalizuar dhe transmetuar atë te brezat e rinj. Serbia e Millosheviqit nuk ka filluar me luftë, por me narrativën që e bëri luftën të pranueshme.
Prandaj, nuk duhet pritur që historia të përsëritet për ta kuptuar se mohimi i krimeve, heroizimi i së kaluarës dhe qëllimet hegjemoniste nuk janë retorikë, por paralajmërime strategjike.

