Nga Mahmud IBRAHIMI / Shkup
Prej ardhjes në pushtet të qeverisë së Hristijan Mickoskit, Maqedonia e Veriut po rrëshqet drejt një klime politike që po rikthen frymën e nacionalizmit përjashtues, të unitarizmit dhe të polarizimit ndëretnik. Në vend që qeveria të jetë garantuese e barazisë dhe bashkëjetesës, retorika e saj politike ka krijuar, sipas vlerësimit tim, një klimë ku disa zyrtarë shtetërorë duket se ndihen të lirë të demonstrojnë arrogancë dhe përçmim ndaj shqiptarëve dhe vizitorëve që nuk flasin gjuhën maqedonase.
Ky është një model politik i rrezikshëm. Historia e këtij vendi ka treguar se, sa herë që pushteti ka zgjedhur nacionalizmin si instrument qeverisjeje, pasojat i kanë paguar qytetarët, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektiva evropiane e shtetit.
Mbrëmjen e djeshme këtë klimë e përjetuan personalisht në Aeroportin e Ohrit dy mysafire të huaja, të ardhura për vizitë tek unë. Ato u përballën me një sjellje që e konsideroj të papranueshme nga një punonjëse e Policisë Kufitare. Sipas asaj që pamë dhe dëgjuam, ajo iu drejtua atyre me tone të larta, duke bërtitur dhe duke kërkuar që të flisnin maqedonisht. Ato nuk janë shtetase të Maqedonisë së Veriut dhe nuk kanë asnjë detyrim ta njohin gjuhën maqedonase.
Nuk është detyrë e një policeje të thjeshtë të verifikojë se çfarë gjuhe flet një vizitor. Ajo bërtiste sikur të ishte në treg e jo në një aeroport ndërkombëtar, duke kërkuar që pasagjerët të flisnin anglisht (gjuhë të cilën edhe vetë e zotëronte vetëm në nivel shumë elementar) ose maqedonisht.
Kur një police e thjeshtë i drejtohet një pasagjeri me pyetjen: “Znaeš ti makedonski?”, e më pas vazhdon me fjalët: “Ovde e Makedonija.”, kjo tregon shumë më tepër sesa mungesë profesionalizmi. Kjo pasqyron një mentalitet që nuk duhet të ketë vend në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe evropian. Këtë e dinë edhe “vlenistët” e sotëm, këtë e dinë edhe këta adoleshentë të politikës.
E them këtë si disident politik, e them si intelektual, e them edhe si politolog e them njiherit edhe si ambasador. Shqiptarët e sotëm nuk duhet të reagojnë vetëm me heshtje apo me mllef të shprehur nëpër çajtore. Kjo duhet të bëhet çështje publike. Duhet të ngrihet si problem që kërkon zgjidhje dhe duhet të protestohet ndaj kësaj politike, por edhe ndaj përfaqësuesve të VLEN-it, të cilët heshtin përballë këtyre dukurive.
Në kohën e BDI-së, pavarësisht kritikave të shumta që mund të bëheshin, ndihej një identitet, ndihej një komoditet dhe një krenari për të qenët shqiptar. Sot, Mickoski dhe politika e tij i kanë futur në shishe edhe këta.
Në një aeroport ndërkombëtar nuk përfaqësohet vetëm policia. Aty përfaqësohet shteti. Kur vizitorët priten me britma në vend të mirësjelljes, me arrogancë në vend të profesionalizmit dhe me përbuzje në vend të respektit, atëherë problemi nuk është vetëm individual. Ai është edhe politik, sepse institucionet pasqyrojnë klimën që krijon pushteti.
Qeveria e Hristijan Mickoskit nuk mund të fshihet pas justifikimit se bëhet fjalë për “raste të izoluara”. Një pushtet që ushqen ndarjet etnike nuk duhet të habitet kur ato reflektohen në sportelet e institucioneve.
Policët dhe të gjithë të punësuarit në administratën publike duhet ta njohin edhe gjuhën shqipe. Ata nuk duhet të sillen si “zotër” ndaj qytetarëve. Kuptojeni, ju të etnisë maqedonase, se kurrë nuk do të arrini as t’i asimiloni shqiptarët, as t’i nënshtroni. Nëse kthjelloheni dhe reflektoni realisht, e ardhmja, stabiliteti dhe bashkëjetesa mund të sigurohen vetëm përmes respektit të ndërsjellë për gjuhën dhe dinjitetin e njëri-tjetrit.
Dhe, meqë disa prej jush e përsërisin me krenari shprehjen “Ovde e Makedonija”, po ju drejtohem në gjuhën tuaj:
„Овде е и Македонија на Албанците. Научете барем неколку зборови албански. Тоа не ве понижува, туку ве прави покултурни, попрофесионални и подостојни за држава која тврди дека е европска.“
(Edhe kjo është Maqedonia e shqiptarëve. Mësoni të paktën disa fjalë shqip. Kjo nuk ju poshtëron, por ju bën më të qytetëruar, më profesionistë dhe më të denjë për një shtet që pretendon se është evropian.)
Është paradoksale që disa prej atyre që e quajnë veten patriotë nuk bëjnë as përpjekjen minimale për të mësuar disa fjalë në gjuhën shqipe, për të komunikuar me një popullsi që numerikisht është pothuajse sa ata dhe që është bashkëthemeluese e këtij shteti. Patriotizmi nuk matet me refuzimin e gjuhës së tjetrit, por me respektin ndaj qytetarëve të vendit tënd.
Ju drejtohem juve, maqedonasve: hiqni dorë dhe çlirohuni nga ky shovinizëm. Kuptoni se ky shtet është edhe i atyre që flasin një gjuhë tjetër nga ju. Kuptoni se me këtë qasje po nxisni urrejtje, po krijoni ndarje dhe po destabilizoni këtë shtet të vogël. Hiqni dorë nga komplekset ndaj shqiptarëve, sepse po e teproni me një politikë përjashtuese, që nga shumë qytetarë perceptohet si një formë e apartheidit modern institucional.
Njëkohësisht, u drejtohem edhe deputetëve shqiptarë, të cilët, fatkeqësisht, vazhdojnë të sillen si fillestarë në politikë. Për sa kohë që nuk e ngrini zërin dhe nuk i zgjidhni këto probleme themelore të barazisë, dinjitetit dhe respektimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, nuk mund të pretendoni se jeni përfaqësues legjitimë të shqiptarëve. Legjitimiteti nuk fitohet vetëm me mandate parlamentare; ai fitohet duke mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve që pretendoni se përfaqësoni.
Kërkoj publikisht nga Ministria e Punëve të Brendshme që ky incident të hetohet menjëherë, të analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe të publikohet rezultati i hetimit. Nëse konfirmohet sjellja e përshkruar, kërkoj masa disiplinore të menjëhershme dhe trajnim të detyrueshëm për personelin kufitar mbi komunikimin profesional, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Si ish-ambasador, nuk e shoh këtë vetëm si një incident administrativ. E shoh si një çështje që prek reputacionin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut. Do t’i informoj partnerët ndërkombëtarë dhe do të kërkoj që raste të tilla të merren parasysh në vlerësimet për sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përmbushjen e standardeve evropiane. Heshtja e faktorit ndërkombëtar ndaj këtyre dukurive do të ishte një mesazh i gabuar për një qeveri që po e largon vendin nga fryma e bashkëjetesës dhe e integrimit evropian.
Një shtet që pretendon të ecë drejt Bashkimit Evropian nuk mund të lejojë që portat e tij hyrëse të shndërrohen në vende ku vizitorët dhe qytetarët ndihen të poshtëruar. Demokracia nuk matet me fjalimet e qeveritarëve, por me sjelljen e zyrtarit të parë që një qytetar apo vizitor takon në kufi.
Kjo arrogancë nuk është vetëm mungesë kulture administrative. Ajo përbën një formë diskriminimi dhe një shprehje të nacionalizmit institucional. Shteti nuk i përket një partie dhe as një etnie. Ai u përket të gjithë qytetarëve. Kush e përdor pushtetin për të krijuar ndasi, për të përhapur frikë dhe për të poshtëruar qytetarët apo vizitorët, mban edhe përgjegjësinë politike për pasojat që prodhon kjo klimë.
