Nga Dr. Selim IBRAIMI
Kontestimet dhe keqkuptimet nuk po marrin fund në Ballkanin Perëndimor. Mediat në rajon kanë raportuar se tani është Kroacia e cila ka vendosur disa kushte ndaj Malit të Zi. Zagrebi zyrtar është i gatshëm ta bllokojë Malin e Zi në hapat e fundit drejt anëtarësimit në BE, i parashikuar për vitin 2028. Sipas Kroacisë, disa angazhime të Podgoricës duhet të përmbushen për të qenë në gjendje të vazhdohet rruga drejt BE-së.
E përditshmja malazeze, “Vijesti”, ka lajmëruar se qeveria kroate i ka paraqitur qeverisë malazeze një dokument që përmban një listë me dhjetë pika që duhet të zgjidhen përpara se Mali i Zi të mund të anëtarësohet në BE. Disa prej kushteve janë: dëmshpërblimet e luftës, personat e zhdukur, krimet e luftës, mosmarrëveshjet pronësore, kufijtë bilateralë dhe detarë, problemet e hapura historike me Malin e Zi etj. Qeveria kroate ka theksuar se mbështet aspiratat e Podgoricës për në BE, por Zagrebi pret veprime konkrete për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore duke u bazuar në kërkesat e dërguara qeverisë malazeze.
Sipas analistëve, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe koalicioni qeverisës po e menaxhojnë mosmarrëveshjen e re përmes diplomacisë. Mali i Zi mbështetet në opinionet e deritanishme të Komisionit Evropian për përparimin e vendit, dhe po i përgjigjet situatës poashtu me një retorikë të re për konsum të brendshëm. Po sipas Podgoricës, çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen përmes dialogut të hapur e jo të bllokimit të rrugës drejt BE-së. Nga zhvillimet e fundit, po shihet se integrimi i Ballkanit në BE është një problem i madh për Brukselin dhe qeveritë rajonale. A është kjo rruga e duhur që qeveritë keqpërdorin historinë për të penguar vendet e tjera të anëtarësohen? Sigurisht se jo. Rrëmuja aktuale është e njohur në Bruksel. Nga zhvillimet e fundit, Shqipëria gjithashtu shpreson të fillojë procesin në vitin 2027, por nuk është e sigurtë se si më tej do të veprojë Greqia.
Nga dëshira për të bllokuar njëri tjetrin, zgjerimi po vihet në pikëpyetje. Në këtë linjë rrjeti televiziv “Euronews” ka raportuar se Komisioni Evropian ka humbur dinamikën e zgjerimit. Në fakt BE-ja ka bërë shumë për rajonin, pavarësisht kritikave. Mbetet që vetë shtetet e Ballkanit me ndihmën e jashtme t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet. Në këtë grup të mospajtimeve ndërshtetërore nuk duhet të harrojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nuk kanë lëvizur nga pikat e tyre të forta.
Serbia dhe Kosova gjenden në të njëjtat raporte dyplaëshe ose edhe më të këqija. Gjërat po ecin me një shpejtësi të ndryshme, ndërsa inatet dhe keqkuptimet po shtohen në mes shteteve ballkanike. Në këtë drejtim, ka më shumë çështje që duhen zgjidhur nga e kaluara, por nuk duhet që shtetet në prag të hyrjes të pengohen nga fqinjtë. Pengesa e fundit kroate nuk është aq e lehtë të zgjidhet pavarësisht deklaratave të qeverisë malazeze. Mali i Zi ka gjasa t’i nxjerrë telashe të reja Brukselit dhe njëkohësisht të turpërojë Komisionin Evropian. Mali i Zi është kandidat për në BE që nga viti 2010, dhe është ballafaquar me një ndikim të fortë serbo-rus.
