Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ajo që po del sot nga dosja e Prokurorisë Speciale nuk mund të trajtohet thjesht si një episod i radhës në një hetim për spiunazh. Nëse përmbajtja e dokumentit të gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit konfirmohet në procesin gjyqësor, kemi përpara një dëshmi serioze për mënyrën se si një shërbim inteligjent mund ta konceptojë luftën politike, informative dhe psikologjike kundër Kosovës. Prokuroria pretendon se dokumenti “Top Sekret 2” paraqet një plan për zgjerimin e ndikimit të radikalizimit islamik, depërtimin në media, politikë, sport e muzikë dhe krijimin e një perceptimi ndërkombëtar për Kosovën si shtet i radikalizuar.
Pyetja që nuk mund të shmanget: kush ia hapi derën?
Dhe pikërisht këtu fillon pjesa më e pakëndshme e kësaj historie. Sepse çështja nuk është vetëm çfarë bënte Sheholli, por edhe çfarë hapësire iu krijua atij për ta bërë atë që bënte.
Për vite me radhë, një pjesë e establishmentit politik dhe mediatik në Prishtinë e trajtoi Fatmir Shehollin si një zë të zakonshëm publik, si analist, komentator apo burim informacioni. Edhe një pjesë e mediave në Prishtinë e Tiranë i ofroi atij tribuna të përsëritura. Kjo nuk është çështje e lirisë së shprehjes — e cila duhet mbrojtur — por e përgjegjësisë epistemike dhe politike të atyre që prodhojnë dhe shpërndajnë informacion publik.
Nëse sot Prokuroria Speciale pretendon se në telefonin e tij është gjetur një dokument i tillë dhe se përmbajtja e tij duhet parë në lidhje me kontakte e veprimtari me struktura të BIA-s, atëherë pyetja retrospektive është e pashmangshme:
Si u bë e mundur që një person me një profil të tillë të kishte kaq shumë qasje në hapësirën publike shqiptare?
Kjo pyetje është edhe më e rëndësishme sepse dokumenti nuk flet për një operacion të kufizuar. Ai përshkruan një skemë të tërë të inxhinierisë së perceptimit: xhamitë si pika të dukshme të ndikimit, medresetë, rrjetet jashtë Kosovës, diaspora, media, politika, sporti, muzika dhe, mbi të gjitha, përpjekja për të krijuar bindjen se Kosova po shndërrohet në një shoqëri të radikalizuar.
Kjo është shumë më tepër se një skemë fetare. Është, më se e qartë, një projekt politik për delegjitimimin ndërkombëtar të Kosovës.
Teza e “Kandaharit” është thelbi politik i dokumentit
Fraza se “pas 20 vitesh Kosova do të duket si Kandahar” nuk është një hiperbolë e rastësishme. Ajo zbulon objektivin e mundshëm të operacionit: jo islamizimin për hir të islamizimit, por instrumentalizimin e islamit për të prodhuar një imazh të Kosovës si kërcënim.
Kjo është pika ku propaganda serbe dhe lufta informative bashkohen.
Nëse një shoqëri mund të portretizohet gradualisht si “e radikalizuar”, atëherë ndryshon edhe mënyra se si ajo shikohet nga aleatët e saj. Në këtë logjikë, problemi nuk është vetëm çfarë ndodh brenda Kosovës; problemi është çfarë beson bota se po ndodh në Kosovë.
Dhe dokumenti, sipas pretendimit të Prokurorisë, e thotë pikërisht këtë: të krijohet një atmosferë që t’i bëjë fuqitë perëndimore të ndryshojnë perceptimin për Kosovën dhe, në skenarin e parashtruar aty, të çojë deri te kthimi i saj nën juridiksionin e Serbisë.
Pra, kemi të bëjmë me një luftë për perceptimin strategjik të shtetit.
Dokumenti “Leptiri”: nga komprometimi te rekrutimi
Nëse përmbajtja e aktakuzës qëndron siç është raportuar, atëherë dokumenti “Leptiri” e ngre çështjen në një nivel edhe më serioz. Sipas Prokurorisë Speciale, bëhet fjalë për një material të përpiluar nga strukturat e RDB-së serbe në vitin 2001, që përshkruante një plan për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai mbahej i burgosur në Serbi. Kjo nuk është më thjesht një përpjekje për të prodhuar narrativë politike; është logjika klasike e një shërbimi inteligjent: identifikimi i një individi me potencial politik, krijimi i presionit mbi të, komprometimi dhe, nëse është e mundur, rekrutimi i tij. Fakti që, sipas aktakuzës, dokumenti i është përcjellë më pas personave të ndryshëm dhe është kërkuar përkthimi i tij në shqip, e bën veçanërisht të rëndësishme pyetjen se pse dhe për çfarë qëllimi një material i tillë duhej të qarkullonte në hapësirën shqiptare.
Nga arkivi i RDB-së te rrjeti i kontakteve
Edhe më shqetësues është gjurmimi i pretenduar i këtij dokumenti. Sipas materialit të aktakuzës të publikuar nga mediat, Sheholli ka deklaruar se dokumentin ia kishte dërguar Bojan Dimiqi, ndërsa më pas ai e kishte përcjellë te persona të tjerë, përfshirë individë që lidhen me strukturat e sigurisë në Shqipëri. Nëse këto të dhëna provohen gjyqësisht, atëherë kemi një element që meriton hetim shumë më të gjerë: jo vetëm kush e prodhoi dokumentin, por kush e transportoi, kush e përktheu, kujt iu dorëzua dhe çfarë funksioni duhej të kishte në këtë qarkullim. Sepse shërbimet inteligjente nuk funksionojnë përmes dokumenteve të shkëputura nga konteksti; ato funksionojnë përmes rrjeteve, kanaleve të komunikimit dhe njerëzve që sigurojnë kalimin e informacionit nga një hapësirë te tjetra.
Dhe këtu lind pyetja që Prishtina dhe Tirana nuk mund ta shmangin
Kjo është arsyeja pse rasti Sheholli nuk duhet reduktuar në një histori individuale spiunazhi. Nëse gjykata vërteton pretendimet e Prokurorisë, atëherë duhet të kërkohet përgjigje edhe për ekosistemin ku këto materiale kanë qarkulluar. Si është e mundur që materiale të prodhuara nga strukturat e sigurimit serb të kenë depërtuar në hapësira politike, mediatike e institucionale shqiptare? Kush i ka marrë? Kush i ka përcjellë? Kush i ka përkthyer? Kush i ka përdorur? Dhe, mbi të gjitha, a ka pasur njerëz që, me vetëdije ose pa vetëdije, kanë shërbyer si multiplikatorë të një operacioni të inteligjencës serbe?
Kjo është pikërisht pika ku përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te një individ. Sepse një shërbim inteligjent mund ta prodhojë një dokument në Beograd, por ai bëhet politikisht efektiv vetëm kur gjen kanale, ndërmjetës, hapësira mediatike dhe njerëz që e bartin më tej. Dhe meqë kjo duket qartë se ka ndodhur, atëherë Kosova duhet ta trajtojë rastin jo vetëm si një çështje penale, por si një rast studimor të depërtimit të inteligjencës kundërshtare në hapësirën publike shqiptare.
Mediat dhe autokritika e tyre e munguar
Është e lehtë sot të thuhet: “Shikoni çfarë spiuni ishte!”
Por pyetja më serioze është: Pse nuk e pamë më herët?
Pse një person që sot përmendet në një aktakuzë të Prokurorisë Speciale për lidhje të pretenduara me strukturat e inteligjencës serbe kishte arritur të ndërtonte një profil publik që i mundësonte të fliste në media, të komentonte zhvillimet politike dhe të ndërtonte kredibilitet publik?
Kjo është përgjegjësi e filtrave institucionalë, redaksive dhe klasës politike, jo vetëm e individit.
Një media serioze nuk mund të thotë: “Ne vetëm e transmetuam.” Sepse media nuk është thjesht kanal transmetimi. Ajo është institucion që prodhon autoritet publik.
Kur një medium i jep vazhdimisht mikrofon një individi, ai nuk i jep vetëm hapësirë teknike për të folur. I jep legjitimitet, kredibilitet dhe ndikim.
Nëse individi rezulton të ketë qenë pjesë e një rrjeti inteligjent armiqësor, atëherë problemi nuk është vetëm se ai ka mashtruar publikun. Problemi është se sistemi mediatik ka funksionuar si multiplikator i mundshëm i ndikimit të tij.
Kjo është luftë hibride në kuptimin më klasik të fjalës
Në këtë rast, objektivi nuk është domosdoshmërisht të rrëzohet qeveria me dhunë.
Mjafton të krijohet:
- mosbesim ndaj institucioneve;
- polarizim fetar;
- përçarje brenda shoqërisë;
- largim i të rinjve;
- konflikt mes Kosovës dhe diasporës;
- komprometim i figurave publike;
- penetrim në media;
- krijim i një perceptimi negativ në Perëndim.
Pastaj narrativa fillon të prodhojë realitetin e vet.
Kjo është arsyeja pse lufta moderne e inteligjencës nuk zhvillohet vetëm në terren. Ajo zhvillohet në ekranet televizive, në portale, në rrjetet sociale, në opinionin publik dhe në mendjen e qytetarit.
Dhe pikërisht për këtë arsye rasti Sheholli duhet të jetë një alarm serioz për Kosovën.
Jo vetëm për AKI-n. Jo vetëm për Prokurorinë. Por shumë më shumë për politikën.
Natyrisht edhe për mediat.
Sepse pyetja më e madhe që ky rast ua parashtron institucioneve dhe redaksive të Prishtinës e Tiranës është shumë e thjeshtë: Sa njerëz të tjerë po marrin sot mikrofonin, kredibilitetin dhe autoritetin publik pa u pyetur kurrë se kujt i shërben narrativën që po promovojnë?
Dhe nëse kjo pyetje nuk bëhet tani, atëherë nesër mund të jetë vërtet vonë.
