[Imzot Dodë Gjergji gjatë ceremonisë së bekimit dhe vendosjes së gur themelit në vendin ku synohet të ndërtohet kisha në Vushtrri]
Nga Emi AZEMI, Shkrimtar
Nga qarqet akademike e politike të Beogradit, ku me dekada është thurur narrativi i rremë se shqiptarët janë një element radikal i paaftë për të ndërtuar një shtet laik e demokratik, incidentet si ky i Zogajt shndërrohen menjëherë në thëngjij që ndezin zjarrin e tyre propagandistik. Ata do ta përdorin këtë skenë për të argumentuar se në Kosovë nuk ka siguri, se toleranca është vetëm një fasadë, se elementet radikale po diktojnë rendin publik dhe se mbi të gjitha, edhe vetë intervenimi i NATO-s ka qenë i kotë, pasi që sipas kësaj propagande, Aleanca Veriatlantike paska mbrojtur një popull që nuk di të kultivojë bashkëjetesën fetare.
Kosova sot gjendet përballë një pasqyre të thyer ku imazhi i saj tradicional, ai i një vendi ku liria e besimit të tjetrit çmohej si begati kulturore, po zëvendësohet me pamje të tensionit të ngritur mbi gurthemele e protesta. Ngjarjet e fundit në fshatin Zogaj të Vushtrrisë shpërfaqin një kthesë dramatike në mendësinë tonë kolektive, duke shpërndarë hije dyshimi mbi atë që deri dje konsiderohej e shenjtë. Në një kohë kur shteti i Kosovës ende po kalon nëpër procese të vështira të konsolidimit të brendshëm, duke u përpjekur të qepë plagët e veta, hapja e vatrave të fërkimit ndërfetar është një luks që nuk mund t’ia lejojmë vetes. Pyetja që shtrohet natyrshëm në këtë mjegullnajë rrethanash është se pse pikërisht tani po manifestohen këto ndasi dhe kujt i shkon për shtati ky devijim nga bashkëjetesa shekullore. Historia na mëson se kur tensionet fetare brenda një kombi lihen të lira të eskalojnë, ato përfundojnë duke gërryer strukturën etno-sociale dhe duke e lënë shoqërinë të pambrojtur ndaj ndërhyrjeve keqdashëse që ushqehen me dobësitë tona.
Kjo shpërfaqje e tensioneve të brendshme nuk mund të zhvishet nga konteksti i gjerë gjeopolitik ku Kosova vazhdon të mbyllë plagët e saj dhe të kërkojë njohjen e plotë ndërkombëtare. Kërcënimet e jashtme nga Serbia mbeten një hije e përhershme mbi sovranitetin e Kosovës, një makinerie propagandistike që mezi pret të ushqehet me çdo dështim apo ligështi tonën të brendshme. Nga qarqet akademike e politike të Beogradit, ku me dekada është thurur narrativi i rremë se shqiptarët janë një element radikal i paaftë për të ndërtuar një shtet laik e demokratik, incidentet si ky i Zogajt shndërrohen menjëherë në thëngjij që ndezin zjarrin e tyre propagandistik. Ata do ta përdorin këtë skenë për të argumentuar se në Kosovë nuk ka siguri, se toleranca është vetëm një fasadë, se elementet radikale po diktojnë rendin publik dhe se mbi të gjitha, edhe vetë intervenimi i NATO-s ka qenë i kotë, pasi që sipas kësaj propagande, Aleanca Veriatlantike paska mbrojtur një popull që nuk di të kultivojë bashkëjetesën fetare.
Ky pozicionim i brishtë gjeopolitik na detyron të kuptojmë se çdo gur i lëvizur pa maturi peshon rëndë në fatin e proceseve tona integruese drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike. Kur ne prodhojmë destabilitet të brendshëm fetar, ne praktikisht po kryejmë punën e atyre që investojnë miliona për të na paraqitur si një shtet jofunksional e të ndarë.
Për të kuptuar thellësinë e këtij rreziku, mjafton të kthejmë shikimin pas te testamenti shpirtëror i Rilindjes sonë Kombëtare, e cila projektoi mbijetesën tonë pikërisht mbi kapërcimin e këtyre llogoreve. Kur Pashko Vasa formuloi thirrjen e tij të pavdekshme se feja e shqiptarit është shqiptaria, ai nuk kërkoi shuarjen e besimeve, por burimin e tyre e donte të pastër e të kthjellët dhe synoi ngritjen e një çatie të përbashkët politike e kulturore ku asnjë dogmë nuk mund të përdorej si thikë pas shpine për tjetrin. Naim Frashëri, Gjergj Fishta e Sami Frashëri ndërtuan një vetëdije ku prania e kishës bashkë me atë të xhamisë shihej si pasuri e të njëjtit trup kombëtar, një ekuilibër unik që na shpëtoi nga copëtimi në kohërat më të vështira të historisë.
Kontrasti me të sotmen bëhet ulëritës, sepse aty ku rilindësit shihnin urat e mirëkuptimit, sot po tentohet të vizatohen kufij të paqenë me gurë provincialë e nxitje artificiale, duke harruar se pa atë frymë unifikuese, ne rrëshqasim në një masë të paorientuar e të lehtë për t’u manipuluar.
Ky devijim i rrezikshëm gjen sot një aleat të fuqishëm dhe shpesh të pakontrollueshëm te roli i rrjeteve sociale dhe i një pjese të mediave që vrapin pas klikimeve e shndërrojnë në ushqim për intolerancën. Platformat digjitale janë shndërruar në arena ku algoritmet favorizojnë gjuhën e urrejtjes, duke e kthyer një mospajtim lokal rreth një leje ndërtimi në një luftë të madhe virtuale të mbarsur me deklarata e sharje ndërfetare. Portalet e papërgjegjshme, duke fryrë çdo deklaratë periferike dhe duke i dhënë peshë ekstreme zërave radikalë në kurriz të zërit të arsyes, po helmojnë mendësinë e të rinjve tanë që nuk e njohin thellësinë e bashkëjetesës sonë historike. Ky prodhim i vazhdueshëm i senzacionit fetar shërben si një laborator i rrezikshëm ku tensioni virtual rrezikon në çdo moment të përkthehet në përplasje fizike në terren, duke i bërë mediat bashkëfajtorë në ndezjen e këtij fitili.
Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë amfiteatër të tensioneve është mungesa e skajshme e zërave vetëkritikë brenda vetë komuniteteve tona fetare, një heshtje komode që shpesh i ngjan amnistisë. Në vend që të shohim intelektualë, teologë dhe klerikë që marrin guximin për të stigmatizuar devijimet, keqpërdorimet dhe dobësitë e ndryshme brenda rreshtimit të tyre fetar, ne shpesh dëshmojmë një solidarizim mekanik dhe një mbrojtje të verbër të istikamit tonë. Kur radikalizmi apo provokimi ushqehet brenda oborrit tënd, detyra e parë shpirtërore dhe kombëtare nuk është drejtimi i gishtit nga pala tjetër, por spastrimi i vetvetes nga ata që besimin e shndërrojnë në mjet përçarjeje. Pa këtë kulturë të guximshme të vetëkritikës, ku secili komunitet lufton me vendosmëri devijimet e veta përpara se të gjykojë ato të tjetrit, dialogu ndërfetar mbetet vetëm një retorikë e zbrazët tryezash zyrtare, ndërsa në terren lihet i lirë të rritet helmi i paragjykimit.
Përvojat e kombeve tjera tregojnë se konfliktet që mbjellin përçarje brenda të njëjtit gjak mbi baza të dogmave fetare janë ndër më të vështirat për t’u shëruar, duke shërbyer shpesh si instrumente për copëtimin e shteteve të brishta. Kosova nuk ka komoditetin të përballojë turbulenca të tilla të brendshme që e zhvendosin vëmendjen nga prioritetet jetike kombëtare. Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm dhe një ndërhyrje urgjente nga krerët e komuniteteve tona kryesore fetare, ku Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvia e Kosovës duhet të ulen në një tryezë të përbashkët për të garantuar një paqe afatgjatë. Ky dialog duhet të jetë një zotim i prerë për të insistuar te liria e tjetrit, duke izoluar ata që tentojnë të përdorin besimin si mjet politik apo si monedhë për kusuritje të pazareve të huaja.
Mbi këtë nevojë kritike për maturi dhe respekt reciprok kanë shkruar mendimtarë të mëdhenj nga të gjitha botëkuptimet, duke lënë përvoja e mësime që sot vlejnë më shumë se kurrë për shoqërinë tonë. Nga perspektiva islame, dijetari i shquar bashkëkohor Tariq Ramadan ka theksuar se toleranca e vërtetë nuk vjen nga injorimi i dallimeve, por nga njohja e tyre e thellë, duke respektuar dinjitetin e tjetrit si një pasqyrim të vullnetit hyjnor. Në anën tjetër, filozofi dhe teologu i krishterë Hans Küng fitoi respekt botëror duke mbrojtur idenë se pa paqe mes feve nuk mund të ketë paqe mes kombeve, një postulat që vlen si alarm për çdo shoqëri që rrezikon të rrëshqasë në intolerancë. Nga një këndvështrim laik dhe filozofik, Jürgen Habermas argumenton se në një hapësirë publike moderne, qytetarët me besime të ndryshme duhet të mësojnë të jetojnë bashkë pa e parë tjetrin si kërcënim, por si bashkëudhëtar në ndërtimin e shtetit. Këto mendime të vyera na kujtojnë se harmonia fetare nuk është një pemë që rri vetvetiu e gjelbër, ajo është një kopsht i brishtë që duhet ujitur çdo ditë me urtësi e me maturi, larg reagimeve të nxituaradhe që mund të ndezin një fitil me pasoja katastrofike për të ardhmen tonë të përbashkët.
