Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Në debatin politik të muajve të fundit në Kosovë, nocioni i konsensusit është shndërruar në një nga konceptet më të përdorura për të shpjeguar nevojën e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike. Veçanërisht, në diskutimet që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, togfjalëshi president konsensual po paraqitet shpesh si një zgjidhje pothuajse e vetëkuptueshme për tejkalimin e krizave politike. Megjithatë, përdorimi i shpeshtë i këtij koncepti kërkon një analizë më të kujdesshme teorike dhe kushtetuese, në mënyrë që të dallohet qartë konsensusi si vlerë demokratike nga përdorimi i tij si instrument për legjitimimin e bllokadave institucionale.
Në një ligjëratë publike të botuar në gazetën Koha, është pohuar se në demokracinë parlamentare rëndësi ka jo vetëm shumica, por edhe vota që shumicës i mungon, ndërsa pakica, në rastet kur shumica nuk është e mjaftueshme, bëhet pjesë e domosdoshme e procesit të vendimmarrjes. Ky qëndrim meriton të shqyrtohet në dritën e teorisë së demokracisë parlamentare, sepse ai prek një nga dilemat themelore të rendit kushtetues: marrëdhënien ndërmjet legjitimitetit të shumicës dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicës.
Është e padiskutueshme se demokracia moderne nuk reduktohet në sundimin mekanik të shumicës. Një demokraci kushtetuese ndërtohet mbi balancën ndërmjet shumicës qeverisëse, opozitës parlamentare, ndarjes së pushteteve dhe garancive për përfaqësimin e interesave të ndryshme politike e shoqërore. Pakica parlamentare ka rol të pazëvendësueshëm në kontrollin demokratik të pushtetit, në mbikëqyrjen e qeverisë, në prodhimin e alternativave politike dhe në mbrojtjen e pluralizmit. Pikërisht për këtë arsye, çdo rend demokratik duhet të garantojë hapësirë të gjerë për veprimin e opozitës.
Por ky parim nuk duhet ngatërruar me një çështje tjetër, po aq thelbësore: funksionalitetin e institucioneve. Demokracia parlamentare nuk mund të mbijetojë nëse mekanizmat procedurorë shndërrohen në mjete që lejojnë paralizimin e vazhdueshëm të institucioneve kushtetuese. Në këtë kuptim, ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet të drejtës së pakicës për të kundërshtuar vendimet e shumicës dhe mundësisë që pakica, përmes mospjesëmarrjes së qëllimshme ose instrumenteve procedurale, të pengojë konstituimin apo funksionimin normal të organeve shtetërore.
Kjo dilemë bëhet edhe më e dukshme kur diskutohet koncepti i konsensusit. Në teorinë politike, konsensusi nuk nënkupton mungesën e konfliktit politik, as heqjen dorë të shumicës nga legjitimiteti i saj elektoral. Përkundrazi, ai përfaqëson aftësinë e aktorëve politikë për të ndërtuar marrëveshje mbi çështje që kanë rëndësi të veçantë për rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional. Konsensusi është, pra, produkt i dialogut, negociimit dhe përgjegjësisë politike; ai nuk mund të prodhohet përmes imponimit procedural apo përmes bllokimit të vendimmarrjes.
Në këtë kontekst duhet lexuar edhe pohimi se “konsensusi për presidentin duhet të krijohet aty ku Kushtetuta e ka përcaktuar: në Kuvend”. Nga pikëpamja formale, kjo është e saktë: Kuvendi është organi kushtetues ku zhvillohet procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Mirëpo, ky konstatim juridik nuk i përgjigjet pyetjes qendrore politike, e cila lidhet me mënyrën se si duhet të veprojnë institucionet kur procesi parlamentar përballet me strategji të qëllimshme bllokuese.
Pyetja, në të vërtetë, nuk është nëse Presidenti zgjidhet në Kuvend, por nëse arkitektura kushtetuese ofron mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar që Kuvendi të mund ta ushtrojë këtë kompetencë edhe në rrethana të polarizimit të thellë politik. Kjo është një çështje që tejkalon debatin e përditshëm partiak dhe hyn në fushën e dizajnit institucional. Sistemet demokratike vazhdimisht përballen me nevojën për të balancuar dy objektiva njëkohësisht: të pengojnë dominimin arbitrar të shumicës dhe, në të njëjtën kohë, të shmangin veton e përhershme të pakicës mbi funksionimin e shtetit.
Për këtë arsye, debati publik në Kosovë do të fitonte në cilësi sikur diskutimi mbi “presidentin konsensual” të mos kufizohej vetëm në thirrje abstrakte për kompromis, por të zgjerohej drejt një reflektimi serioz mbi reformimin e mekanizmave që prodhojnë kriza të përsëritura institucionale. Një demokraci e konsoliduar nuk matet vetëm me aftësinë për të prodhuar konsensus, por edhe me kapacitetin e saj për të garantuar vendimmarrje legjitime, vazhdimësi institucionale dhe respekt të barabartë për vullnetin elektoral dhe pluralizmin politik.
Në fund, konsensusi mbetet një vlerë e rëndësishme e kulturës demokratike, por ai nuk duhet konceptuar si sinonim i bllokimit apo si kusht që e pezullon pafundësisht funksionimin e institucioneve. Sfida reale e Kosovës është ndërtimi i një rendi politik në të cilin shumica të qeverisë me legjitimitet kushtetues, pakica të ushtrojë në mënyrë efektive rolin e saj kontrollues dhe institucionet të mos mbeten peng i krizave procedurale. Vetëm në këtë ekuilibër mund të gjendet kuptimi i vërtetë i konsensusit demokratik: jo si alternativë ndaj demokracisë parlamentare, por si forma e saj më e përgjegjshme politike.
