Kur ideali i çlirimit shndërrohet në instrument të luftës për pushtet
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Historia politike njeh pak paradokse më të thella se ky: në vendet e kolonizuara, si ishte Kosova për gati një shekull [1912-1999], qytetarët e ndërgjegjshëm e atdhetarë, niseshin të luftojnë kundër pushtuesit që ua mohonte lirinë; por, gjatë rrugës, fare nga fundi, lagje sosh, kishin filluar të luftonin mes tyre për pushtetin që do të vijë pas tij.
Këtu lind pyetja e natyrës filozofike që shkon përtej një rasti konkret historik: çfarë ndodh me idealin e Lirisë kur ai hyn në marrëdhënie me Pushtetin?
Liria dhe pushteti nuk janë domosdoshmërisht koncepte që e përjashtojnë njëri-tjetrin. Një rend politik pa pushtet institucional nuk mund ta mbrojë lirinë; ndërsa pushteti pa kufizime mund ta shndërrojë lirinë në fjalë boshe. Prandaj problemi nuk është ekzistenca e pushtetit, por raporti i tij me qëllimin për të cilin pretendohet se ushtrohet.
Në rastin e Kosovës, kjo pyetje merr një rëndësi të veçantë. Lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet e një konflikti me aparatin shtetëror serb dhe u shoqërua me një mobilizim të gjerë shoqëror e politik shqiptar. Sipari i saj u hap me shpërthimin e revolucionit të vonuar antikolonial në pranverën e vitit 1981 dhe kulmoi gjatë dekadës së apart’heijdit që aplikoi Serbia në periudhën 1989-1999.
Por, krahas përballjes me kundërshtarin e jashtëm, brenda hapësirës politike shqiptare ekzistonin edhe dallime strategjike, ideologjike dhe personale. LPK-ja luajti rol të rëndësishëm në organizimin e rezistencës së armatosur dhe në krijimin e strukturave që do të lidheshin me UÇK-në; dokumentet që do të publikohen në të ardhmen e afërt, do ta dëshmojnë këtë lidhje në mënyrë të hollësishme. Ndërkohë, burime të tjera të kohës e përshkruajnë UÇK-në si një strukturë që nuk ishte plotësisht homogjene dhe që përmbante rivalitete të ndryshme politike e organizative.
Prandaj, për ta kuptuar atë periudhë nuk mjafton pyetja: kush luftonte për Liri? Duhet shtruar edhe pyetja tjetër: kush, në emër të Lirisë, po luftonte për legjitimitet, autoritet dhe pushtet?
I. Liria si ideal dhe pushteti si mjet
Në kuptimin e saj më të lartë politik, Liria nuk është thjesht çlirimi nga një sundimtar. Ajo është aftësia e një bashkësie politike për të përcaktuar vetë rendin në të cilin do të jetojë. Pikërisht këtu qëndron dallimi që bën Hannah Arendt ndërmjet çlirimit dhe Lirisë: i pari nënkupton emancipimin nga shtypja, ndërsa e dyta kërkon krijimin e një hapësire politike ku qytetarët mund të veprojnë së bashku dhe të marrin pjesë në qeverisjen e çështjeve të përbashkëta. Për Arendtin, “the aim of revolution was, and always has been, freedom” — qëllimi i revolucionit ishte dhe ka qenë gjithmonë Liria.1
Kjo e bën Lirinë qëllim, ndërsa pushtetin mjet. Por pikërisht këtu shfaqet paradoksi politik: nëse pushteti, i cili merret në emër të Lirisë, nuk kufizohet dhe nuk institucionalizohet, ai mund të fillojë ta zëvendësojë vetë qëllimin për të cilin u kërkua. Atëherë çlirimi rrezikon të mbetet vetëm një çlirim nga pushteti i huaj, pa u shndërruar domosdoshmërisht në Liri politike.
12 qershori i 1999-ës shih për këtë, mund të trajtohet si momenti i çlirimit, ndërsa pyetja e madhe filozofiko-politike është se çfarë rendi i Lirisë u ndërtua pas çlirimit.
Nëse venerojmë me kujdesë zhvillimet politike dhe qasjen ndaj Lirisë dhe Pushtetit dy dekadat pas çlirimit, atëherë konkluzioni i H. Arendt se “Liria nuk lind automatikisht nga akti i çlirimit” merrë forcë reale; ajo, pra Liria, prandaj, konkludon Arendt, kërkon një hapësirë të përbashkët publike dhe bashkëjetesën politike me të tjerët.
***
Historia politike na mëson se mjetet kanë një prirje të rrezikshme: ato mund të emancipohen nga qëllimi dhe të fillojnë të ekzistojnë për hir të vetvetes.
Në momentin kur një grup politik thotë: “Na duhet pushteti për ta realizuar Lirinë”, formula mund të jetë legjitime. Por kur ajo transformohet në: “Vetëm ne mund ta realizojmë Lirinë”, atëherë kemi hyrë në një terren krejt tjetër.
Sepse nga këtu është vetëm një hap drejt pohimit: “Kush është kundër nesh, është kundër Lirisë.”
Ky është momenti kur ideali politik fillon të kthehet në instrument të disiplinimit politik.
Hannah Arendt e vendoste dallimin ndërmjet pushtetit dhe dhunës në një raport të rëndësishëm: pushteti lind nga veprimi i përbashkët i njerëzve, ndërsa dhuna mund të përdoret për ta imponuar bindjen. Nëse një lëvizje çlirimtare e humb gradualisht bazën e saj pluraliste dhe fillon ta identifikojë vullnetin e saj me vullnetin e popullit, atëherë rreziku nuk është më vetëm autoritarizmi i jashtëm. Rreziku mund të lindë edhe brenda vetë lëvizjes çlirimtare. PDK-ja është shembull ekzemplar.
Max Weber na jep një tjetër çelës: çdo pushtet kërkon legjitimitet. Në kushte normale, legjitimiteti prodhohet përmes institucioneve, zgjedhjeve, ligjit dhe procedurave. Në kushtet e luftës, ndërkaq, burimi i legjitimitetit mund të zhvendoset te sakrifica, kontributi në luftë, autoriteti i komandës dhe kapitali moral i rezistencës.
Këtu lind një problem thelbësor: Kush ka luftuar më shumë mund të pretendojë se ka më shumë të drejtë të sundojë.
Por kjo është pikërisht pika ku duhet bërë ndarja midis meritës për çlirim dhe mandatit për të qeverisur.
Një luftëtar mund të ketë sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe megjithatë të mos ketë marrë prej kësaj një të drejtë të pakufizuar mbi shoqërinë pas luftës.
Nëse sakrifica shndërrohet në pronësi mbi shtetin, atëherë kemi këtë zinxhir:
Liria → sakrifica → meritë → autoritet → monopol legjitimiteti → pushtet.
Por, ky është një zinxhir që historia politike duhet ta vëzhgojë me kujdes.
Sepse Republika nuk ndërtohet bazuar në pyetjen se kush e fitoi luftën, por bazuar mbi pyetjen se si duhet të organizohet pushteti pas luftës.
II. Nga LPK-ja te UÇK-ja: idealet, fraksionet dhe legjitimiteti
LPK-ja përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë së organizimit politik shqiptar të Kosovës. E formuar në vitin 1982 [sakëtësisht më 17 janar 1982], ajo u orientua drejt rezistencës dhe vetëvendosjes, ndërsa në vitet ’90 mori rol të rëndësishëm në përgatitjen e rezistencës së armatosur. International Crisis Group e përshkruante LPK-në në prag të luftës si një organizatë që kishte mbështetur prej kohësh rezistencën e armatosur dhe që kishte lidhje me disa prej figurave të larta të UÇK-së.
Ndërkohë, dokumentet e publikuara të Dhomave të Specializuara, së bashku me dëshmi dhe materiale të tjera historike, ofrojnë një tablo më konkrete të procesit organizativ që çoi nga LPK-ja te UÇK-ja. Sipas materialeve të paraqitura në proceset gjyqësore, Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së, e mbajtur në Prishtinë në korrik 1993, shënoi një kthesë të rëndësishme drejt organizimit të luftës së armatosur. Në materialet e lexuara në gjykim përmendet se në atë mbledhje lufta e armatosur u përcaktua si një prej përparësive të veprimtarisë së LPK-së.
Sipas dëshmive dhe dokumenteve të publikuara më pas, kjo mbledhje nuk ishte thjesht një ngjarje politike e radhës, por një pikë kthese në procesin e strukturimit të rezistencës së armatosur. Një studim i botuar në kuadër të Institutit të Historisë së Kosovës e përshkruan Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme, të mbajtur në Prishtinë më 26–27 korrik 1993, si moment kyç në procesin e strukturimit të njësive të armatosura në një forcë ushtarake.
Procesi vijoi gjatë vitit pasues. Më 17 nëntor 1994, në Aarau të Zvicrës, në një mbledhje të Kryesisë së LPK-së, njësitet e armatosura të lidhura me këtë strukturë u emërtuan me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK. Burime historike dhe dëshmi të protagonistëve të asaj kohe e lidhin këtë vendim me kalimin e njësive ekzistuese të armatosura në një nivel më të centralizuar organizativ dhe me daljen e komunikatave në emër të UÇK-së.
Pra, nëse e ndjekim kronologjinë e dokumentuar, kemi një proces në tri shkallë: orientimi politik drejt luftës së armatosur; vendimi për strukturimin e forcës së armatosur; dhe, më pas, emërtimi i saj si UÇK. Kjo e bën më të saktë tezën se UÇK-ja nuk u shfaq si një organizatë e krijuar në një çast të vetëm, por si rezultat i një procesi organizativ e politik që kishte kaluar nëpër disa faza.
Ky dallim është i rëndësishëm edhe për analizën tonë. Historia e formimit të UÇK-së duhet të ndahet nga historia e zhvillimit të saj të mëvonshëm si lëvizje e armatosur me shtrirje shumë më të gjerë shoqërore e politike. Prandaj, lidhja LPK–UÇK është një element themelor për të kuptuar gjenezën organizative të luftës, por nuk duhet të përdoret për ta reduktuar të gjithë UÇK-në, në të gjitha fazat e saj, vetëm në strukturën e LPK-së. Përkundrazi, në rrugë e sipër asaj ju bashkuan edhe formacione si: LKÇK-ja, UNIKOMB-i, Partia Parlamentare…
Pikërisht këtu hapet edhe pyetja më e ndërlikuar e kësaj eseje: nëse një strukturë politike ndërton një organizim ushtarak në emër të çlirimit, si evoluon raporti ndërmjet idealit të Lirisë, autoritetit të organizatës dhe pushtetit që pritet të ushtrohet pas çlirimit?
Sepse, që nga ky moment, historia nuk është më vetëm histori e krijimit të një force çlirimtare. Ajo bëhet edhe histori e krijimit të autoritetit politik që do të pretendojë të flasë në emër të Lirisë.
Këto fakte janë të rëndësishme, por nuk duhet të na çojnë në një përfundim të thjeshtuar.
UÇK-ja nuk mund të reduktohet mekanikisht në LPK-në.
Rezistenca e armatosur u zgjerua, mori karakter masiv dhe përfshiu njerëz e struktura me prejardhje, përvoja dhe orientime të ndryshme. Edhe vetë burimet e kohës e përshkruajnë UÇK-në si një strukturë jo plotësisht unitare. Raportet e ekspertëve të ndryshëm theksojnë ekzistencën e fraksioneve të brendshme, ambicieve të ndryshme politike dhe mungesën e një komandanti të vetëm, autoriteti i të cilit do të njihej universalisht.
Kjo është pikërisht pika ku historia e luftës duhet ndarë nga miti i njëtrajtshmërisë absolute.
Një lëvizje çlirimtare mund të ketë një qëllim të përbashkët, pa pasur domosdoshmërisht një vullnet të vetëm politik.
Dhe kjo është normale.
Problemi fillon atëherë kur një fraksion tenton ta paraqesë veten si mishërim të vetëm të kauzës.
Nëse një organizatë përbëhet nga shumë aktorë, atëherë secili mund të ketë vizion të ndryshëm për të ardhmen:
- njëri kërkon pavarësi;
- tjetri bashkim kombëtar;
- njëri mendon për luftën si mjet çlirimi;
- tjetri e sheh atë edhe si rrugë drejt transformimit politik;
- njëri synon një rend pluralist;
- tjetri një strukturë më të centralizuar;
- njëri mendon për shtetin që do të ndërtohet;
- tjetri mendon për pozitën që do të ketë vetë brenda tij.
Pra, brenda të njëjtës kauzë mund të ekzistojnë interesa të ndryshme për të ardhmen e pushtetit.
Kjo nuk e zhvlerëson kauzën. Përkundrazi, na ndihmon ta kuptojmë më mirë.
Në fund të luftës, transformimi i strukturave të UÇK-së në subjekte politike e bëri këtë konflikt të brendshëm më të dukshëm. Qysh në korrik 1999, gazeta Salon raportonte për krijimin e një partie të re nga figura të lidhura me UÇK-në dhe për ndarje e pakënaqësi brenda udhëheqjes së saj.
Artikulli dokumenton pikërisht krijimin e Partisë së Bashkimit Demokratik (PBD) nga figura të lidhura me udhëheqjen politike dhe ushtarake të UÇK-së. Ai thekson se krijimi i partisë u shoqërua me shenja të ndarjeve dhe rivaliteteve në udhëheqjen e UÇK-së, veçanërisht rreth Hashim Thaçit. Artikulli përmend Bardhyl Mahmutin, Shaban Shalën, Jakup Krasniqin, Jashar Salihun, Pleurat Sejdiun etj.2
Ndarja politike po bëhej e dukshme pikërisht në momentin kur UÇK-ja po transformohej nga një forcë e armatosur në një forcë politike.
International Crisis Group, në analizën e saj të vitit 2000, dokumentonton po ashtu përpjekjet për transformimin e strukturave të luftës në aktorë politikë të pasluftës.
Raporti dokumenton transformimin e UÇK-së pas luftës dhe e ndan ndikimin e saj në katër “shtylla”: politike, ushtarake, policore dhe atë që ICG e trajton si veprimtari të fshehtë. Për shtyllën politike, raporti thotë se mbështetësit e UÇK-së kishin krijuar Partinë për Progres Demokratik të Kosovës (PPDK).3
Kështu, beteja për Kosovën nuk mbaroi me përfundimin e luftës. Ajo thjesht ndryshoi terren.
Nga fronti ushtarak kaloi në frontin politik.
III. Kur kundërshtari politik shpallet armik i kauzës
Këtu arrijmë në pikën më të ndjeshme.
Një lëvizje çlirimtare nuk rrezikohet vetëm nga armiku i jashtëm. Ajo mund të rrezikohet edhe nga mënyra se si e trajton kundërshtarin brenda saj.
Në një sistem pluralist, kundërshtari politik është pjesë e bashkësisë politike. Në logjikën e luftës, ndërkaq, kundërshtari mund të shndërrohet në armik.
Këto janë dy kategori krejtësisht të ndryshme. Kundërshtari mund të humbë në zgjedhje. Armiku duhet të mposhtet.
Kundërshtari mund të kritikojë. Armiku duhet të neutralizohet.
Kundërshtari kërkon alternativë. Armiku i paraqitet opinionit e me theks mbështetësve politik si kërcënim ekzistencial.
Carl Schmitt e vendos dallimin mik/armik në qendër të konceptit të tij për politikën. Për të, ky nuk është një antagonizëm personal, por një dallim publik që mund të arrijë intensitetin e skajshëm të konfliktit politik dhe, në rrethana ekstreme, të luftës.4 Në kontekstin e një lufte çlirimtare, ky mekanizëm mund të kontribuojë në mobilizimin dhe konsolidimin e një bashkësie politike përballë një kërcënimi të jashtëm. Si përfundim analitik që buron nga ky koncept, problemi shfaqet atëherë kur kategoritë politike të krijuara nga lufta vazhdojnë të përdoren edhe pasi kushtet që i prodhuan kanë ndryshuar. Në këtë rast kundërshtari politik rrezikon të trajtohet jo më si alternativë brenda së njëjtës bashkësi politike, por si ‘armik’ i saj.
Dhe pikërisht këtu mund të shfaqet mekanizmi më i rrezikshëm: Monopolizimi i patriotizmit.
Një grup nuk thotë më: “Ne kemi një vizion tjetër për Kosovën.”
Ai fillon të thotë: “Ne jemi Kosova.”
Dhe kur kjo ndodh, e në Kosovë jemi dëshmitarë se kjo ndodhi fatkeqësisht, prandaj çdo kritikë ndaj grupit tentohet e mund të interpretohet si kritikë ndaj shtetit, kombit, luftës ose vetë Lirisë.
Kjo është forma më e sofistikuar e instrumentalizimit të idealit. Sepse nuk ka më nevojë të argumentohet kundër kritikut. Mjafton të vihet në dyshim patriotizmi i tij.
Në këtë pikë, edhe aktet që kërkojnë të mbrojnë pushtetin mund të maskohen me gjuhën e kauzës.
Por këtu duhet ruajtur një vijë e rëndësishme analitike: jo çdo akuzë për eliminim politik, komplot apo hakmarrje është fakt i provuar. Historia e Kosovës është ende objekt debatesh, dëshmish, procesesh gjyqësore dhe interpretimesh konkurruese. Raportet ndërkombëtare kanë dokumentuar akuza dhe raste të dhunës kundër shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë ose pjesëtarë të grupeve rivale; por çdo rast konkret duhet trajtuar sipas provave të veta dhe jo të futet automatikisht në një narrativë të përgjithshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot.
Sepse kritika ndaj individëve ose strukturave nuk është kritikë ndaj luftës për çlirim. Përkundrazi, një shoqëri që e respekton Lirinë duhet të jetë në gjendje të thotë njëkohësisht dy të vërteta: Lufta për çlirim ishte historikisht e justifikueshme, ndërsa disa veprime të individëve gjatë ose pas saj ishin dhe janë të pajustifikueshme.
Këto dy pohime nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin.
IV. Nga lufta për çlirim te lufta për monopol politik
Këtu ndodhet paradoksi i madh. Një lëvizje mund ta fitojë luftën dhe ta humbë paqen politike. Mund të çlirojë territorin dhe të mos arrijë ta çlirojë plotësisht politikën nga logjika e luftës. Siç në fakt i ndodhi forcave politike që dolën nga LPK-ja alias UÇK-ja fill pas luftës.
Mund të rrëzojë një pushtet të jashtëm dhe, nëse nuk ndërton institucione pluraliste, të krijojë kushtet për një monopol të ri të legjitimitetit.
Pas vitit 1999, disa prej figurave kryesore të luftës kaluan në politikë. Kjo ishte pjesë e natyrshme e transformimit të Kosovës nga shoqëri në luftë drejt një rendi politik institucional. Por burimet e kohës dokumentojnë edhe se ky transformim ishte i shoqëruar me rivalitete dhe konkurrencë të ashpër për ndikim.
Kjo na çon te pyetja e fundit: A mund të ndërtohet demokracia mbi një kapital politik që buron nga lufta pa e shndërruar luftën në burim të përhershëm të legjitimitetit?
Përgjigjja historike nuk është e thjeshtë.
Por një parim është i qartë: Në Republikë, asnjë individ, grup apo organizatë nuk mund të jetë pronar i Lirisë.
Liria nuk është pronë e atij që ka luftuar. Nuk është pronë e atij që ka sakrifikuar. Nuk është pronë e partisë që pretendon se ka udhëhequr luftën. Dhe nuk është as pronë e brezit që e ka fituar një betejë historike.
Liria bëhet e vërtetë vetëm kur institucionalizohet. Kur ligji është mbi individin. Kur pushteti është i kufizuar. Kur kundërshtari politik nuk është armik. Kur kritika nuk është tradhti. Kur historia nuk përdoret si licencë për sundim. Dhe kur sakrifica nuk shndërrohet në titull pronësie mbi shtetin.
Në këtë kuptim, beteja e vërtetë pas çlirimit është beteja për demokratizimin e vetë pushtetit. Sepse pushteti që nuk pranon kufizime fillon ta përdorë Lirinë si justifikim për ekzistencën e vet.
Dhe këtu ndodh përmbysja tragjike: Liria, e cila duhej të ishte qëllimi i pushtetit, shndërrohet në mjet të pushtetit.
V. Çka pas Hagës?
Nga mbrojtja e luftës te çlirimi i saj nga instrumentalizimi politik
Haga shënon një pikë kthese në mënyrën se si Kosova duhet ta trajtojë trashëgiminë e luftës. Aktgjykimi ndaj individëve nuk duhet të shndërrohet as në gjykim të vetë luftës për çlirim, as në arsye për relativizimin e përgjegjësisë individuale të përcaktuar mbi bazën e provave.
Pas Hagës, sfida është më e thellë: ta ndajmë njëherë e përgjithmonë idealin e Lirisë nga çdo monopol politik që mund të pretendojë ta përfaqësojë atë.
Lufta e UÇK-së së vegjëlisë e çliroi Kosovën nga një rend kolonial e shtypës; por Republika duhet të dëshmojë se çlirimi është shndërruar në Liri politike — në një rend ku ligji është mbi individin, pushteti kufizohet dhe kundërshtari politik nuk trajtohet si armik.
Prandaj, “pas Hagës” nuk është vetëm pyetja se çfarë ndodh me individët që u gjykuan. Është pyetja se çfarë bëjmë me trashëgiminë politike të luftës.
Dy ekstreme duhet të shmangen: përdorimi i aktgjykimit për të delegjitimuar të gjithë luftën për çlirim dhe përdorimi i luftës për të relativizuar përgjegjësinë individuale.
Nëse Liria ishte qëllimi i luftës, atëherë ajo nuk mund të bëhet pronë e askujt.
Lufta për çlirim i dha Kosovës mundësinë për të qenë e lirë. Republika duhet ta dëshmojë se është e denjë për atë Liri duke mos lejuar që sakrifica e luftës të shndërrohet në monopol mbi pushtetin.
Kjo është pyetja e vërtetë pas Hagës: jo vetëm çfarë vendosi gjykata për individët, por çfarë Republike ndërtojmë mbi trashëgiminë e luftës.
Epilog: Paradoksi i çlirimtarit
Historia politike njeh një paradoks të përsëritur: çlirimtari mund të shndërrohet në sundues; revolucionari mund të shndërrohet në burokrat; luftëtari për Lirinë mund të joshet nga pushteti që fitoi në emër të saj.
Por kjo nuk është një domosdoshmëri historike. Është një mundësi.
Dhe pikërisht demokracia ekziston për ta parandaluar këtë përmbysje. Prandaj, pyetja e madhe për Kosovën nuk duhet të jetë vetëm: Kush e bëri luftën?
Por edhe: Çfarë morali politik duhet të ndërtojmë mbi trashëgiminë e saj?
Nëse përgjigjja është një shtet ku askush nuk është mbi ligjin, atëherë ideali i Lirisë ka mbijetuar.
Nëse përgjigjja është një sistem ku merita historike përdoret për të kërkuar privilegj politik të përhershëm, atëherë kemi të bëjmë me një transformim të rrezikshëm të idealit.
Dhe pikërisht këtu ndahet Liria nga pushteti.
Liria thotë: Pushteti është për mua. Pushteti i pakufizuar thotë: Liria është për mua. E para ndërton Republikën. E dyta ndërton kultin e pushtetit.
Prandaj, mësimi filozofik i historisë së LPK-së dhe UÇK-së nuk duhet të jetë mohimi i idealit të çlirimit, por ndarja e pakompromis e idealit të Lirisë nga çdo pretendim për monopol politik mbi të.
Sepse një popull nuk bëhet vërtet i lirë vetëm kur çlirohet nga pushteti i huaj. Ai bëhet i lirë atëherë kur asnjë pushtet i brendshëm nuk mund ta shpallë veten të barabartë me Lirinë.
1. Hannah Arendt: https://www.cambridge.org/core/services/aop-cambridge-core/content/view/B04D5DD9ECD57A06E814C9D60732457F/9781108498319c7_190-262.pdf/on_politics_and_revolution.pdf?utm_source=chatgpt.com
2. https://www.salon.com/1999/07/07/kosovo_9/?utm_source=chatgpt.com
3. https://www.refworld.org/reference/countryrep/icg/2000/32206?utm_source=chatgpt.com
4. Schmitt, Carl. The Concept of the Political. Translated by George Schwab. Chicago: University of Chicago Press, 1996 [1932]. Origjinali: Der Begriff des Politischen.
