Nga Dr. Gurakuç KUÇI
Ndërsa sonte në Bruksel po zhvillohet Samiti BE–Ballkani Perëndimor, Serbia po refuzon sërish pjesëmarrjen, kësaj radhe nën udhëheqjen e re politike të dalë nga Lista Studentore. Përderisa Kosova po merr pjesë aktive dhe po angazhohet në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe integrimit, Beogradi vazhdon të shmangë ballafaqimin me detyrimet e tij evropiane.
Mungesa e Serbisë vjen pikërisht kur draft-deklarata e samitit që kërkon përafrimin me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dënon mohimin e gjenocidit, glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe revizionizmin historik, kërkon përmbushjen e detyrimeve nga suksedimi i ish-Jugosllavisë dhe kushtëzon mbështetjen financiare me rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
BE-ja nuk guxon të vazhdojë me udhëheqjen e re serbe stabilitokracinë që kultivoi gjatë pushtetit të Vuçiqit, duke toleruar politika destabilizuese në emër të ruajtjes së stabilitetit rajonal.
Kosova dëshmon orientimin e saj strategjik përmes përafrimit me politikën e jashtme evropiane dhe kontributit në sigurinë rajonale, ndërsa Serbia vazhdon të prodhojë pasiguri gjeopolitike përmes politikës së saj ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve me Rusinë.
Brukseli duhet të bëjë dallimin ndërmjet shteteve që kontribuojnë në stabilitet dhe atyre që instrumentalizojnë destabilitetin për përfitime diplomatike.
