Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Vendosja e busteve të tri figurave emblematike të historisë sonë kombëtare – Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit – nuk është thjesht një akt përkujtimor apo një ndërhyrje në simbolikën e hapësirës publike. Ajo përfaqëson një afirmim të vazhdimësisë historike, kulturore dhe politike të shqiptarëve, si dhe të kontributit të figurave që, në kohë dhe rrethana të ndryshme, mishëruan qëndresën, vetëdijen dhe dinjitetin e këtij kombi.
Prandaj, reagimet që kanë shpërthyer së fundmi në disa qarqe të Islamit politik aktiv në Kosovë, përfshirë edhe individë e zëra brenda Bashkësisë Islame, kundër figurës së Pjetër Bogdanit, duhen parë përtej dimensionit të një polemike fetare. Ato ngrenë një çështje shumë më serioze: përpjekjen për ta shkëputur kujtesën historike shqiptare nga njëra prej figurave të saj më të rëndësishme intelektuale, politike dhe shpirtërore.
Pjetër Bogdani nuk ishte vetëm një prelat i Kishës Katolike. Ai ishte një mendimtar, shkrimtar, intelektual dhe veprimtar politik i përmasave europiane të kohës së vet. Me veprën e tij Çeta e profetëve (1685), ai dëshmoi jo vetëm fuqinë krijuese të shqipes si gjuhë e kulturës dhe e mendimit, por edhe përkatësinë e saj në horizontin e gjerë të qytetërimit europian. Bogdani ishte pjesë e një epoke kur mbijetesa kulturore, identiteti gjuhësor dhe liria politike ishin të ndërthurura ngushtë.
Të reduktosh këtë figurë në përkatësinë e tij konfesionale, duke e shndërruar atë në objekt përjashtimi nga kujtesa jonë kolektive, do të thotë të pranosh një logjikë sektare, thellësisht antikombëtare. Historia e shqiptarëve nuk mund të lexohet përmes kufijve të ngushtë të përkatësive fetare. Ajo është histori e një bashkësie politike, gjuhësore dhe kulturore, brenda së cilës traditat fetare kanë bashkëjetuar dhe janë ndërthurur në mënyra të ndryshme.
Një polemikë që nuk qëndron as në rrafshin kanonik
Në këtë debat është e nevojshme të sqarohet edhe një çështje që, me sa duket, po përdoret për të ushqyer kundërshtimin ndaj vendosjes së busteve: raporti ndërmjet hapësirës liturgjike të kishës dhe oborrit të saj.
Në teologjinë dhe të drejtën kanonike të Kishës Katolike bëhet një dallim i qartë ndërmjet hapësirës së brendshme liturgjike dhe hapësirës së jashtme të kompleksit kishtar. Brenda kishës, hapësira është e orientuar drejt adhurimit të Zotit dhe kremtimit të liturgjisë. Kanoni 1188 i Kodit të së Drejtës Kanonike rregullon paraqitjen e imazheve të shenjta për nderim publik, duke kërkuar që ato të vendosen në mënyrë të matur dhe të mos krijojnë çrregullime apo praktika të papërshtatshme devocionale. Ky rregull nuk përbën ndalim të përgjithshëm për vendosjen e monumenteve historike jashtë hapësirës liturgjike.
Ndërkaq, oborri i kishës, i njohur në traditën kishtare edhe si sagrato, megjithëse mund t’i përkasë juridikisht institucionit kishtar, ka edhe funksion komunitar, kulturor dhe përkujtimor. Në këtë hapësirë mund të vendosen monumente historike dhe kombëtare, me pëlqimin e autoritetit kompetent kishtar dhe në përputhje me rregullat përkatëse.
Pra, duhet bërë një dallim themelor: vendosja e bustit të një figure historike në oborrin e kishës nuk është e njëjta gjë me vendosjen e një monumenti laik brenda hapësirës së dedikuar për liturgji. Në rastin e parë kemi një akt përkujtimor dhe kulturor, jo një akt adhurimi fetar.
Kjo e bën edhe më të pabazë përpjekjen për ta paraqitur vendosjen e busteve veçmas të Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit si cenim të rendit liturgjik apo të normave të Kishës Katolike. Nëse autoriteti kishtar kompetent ka dhënë pëlqimin për këtë vendosje, polemika nuk mund të maskohet pas një interpretimi të pasaktë të së drejtës kanonike.
Në fund të fundit, Adem Jshari por as edhe Pjetër Bogdani nuk janë vendosur aty për t’u adhuruar si figura fetare, por për t’u nderuar si një personalitete i historisë dhe kulturës shqiptare.
Kur historia shndërrohet në instrument të agjendave politike
Por dimensioni më shqetësues i kësaj fushate qëndron diku tjetër.
Në diskursin e historiografisë nacionaliste serbe, prej kohësh është kultivuar teza se pas të ashtuquajturës Shpërngulje e Madhe Serbe e vitit 1690, shqiptarët, të nxitur apo të sjellë nga Perandoria Osmane, u vendosën në Kosovë dhe uzurpuan tokat që pretendohet se u përkisnin serbëve. Kjo narrativë, e ndërtuar mbi një interpretim selektiv të burimeve historike, synon ta paraqesë praninë shqiptare në Kosovë si një dukuri të vonshme, të ardhur dhe, rrjedhimisht, të kontestueshme në aspektin historik e politik.
Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe pesha politike e sulmeve ndaj Pjetër Bogdanit.
Bogdani është dëshmitar i pakontestueshëm i pranisë intelektuale, kulturore dhe politike shqiptare në Kosovë në shekullin XVII. Ai i përket një bote shqiptare që ekzistonte përpara vitit 1690, me institucionet, rrjetet e saj kulturore, lidhjet europiane dhe përfaqësuesit e vet intelektualë e politikë. Për këtë arsye, përpjekja për ta nxjerrë atë nga panteoni i kujtesës kombëtare nuk është një akt pa pasoja historike.
Është veçanërisht domethënëse që kjo fushatë zhvillohet në një kohë kur historiografia serioze europiane ka bërë hapa të rëndësishëm në dekonstruktimin e miteve nacionaliste mbi Kosovën. Historiani britanik Noel Malcolm, në studimin e tij “Shpërngulja e Madhe” e serbëve nga Kosova (1690): Historia, miti dhe ideologjia / The ‘Great Migration’ of the Serbs from Kosovo (1690): History, Myth and Ideology (Oxford University Press, 2020), ka analizuar me sns tejet kritik përmasat dhe interpretimet e migrimit të vitit 1690, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për një eksod masiv të organizuar të popullsisë serbe nga Kosova. Ndërkaq, në studimin kushtuar Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij Cuneus Prophetarum (1685), Malcolm dokumenton kontekstin intelektual dhe historik në të cilin u zhvillua veprimtaria e njërit prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare të shekullit XVII.
Këto dy studime, të lexuara së bashku, e bëjnë edhe më të qartë se historia shqiptare e Kosovës nuk mund të fillojë me vitin 1690. Ekzistenca e Bogdanit dëshmon praninë dhe veprimtarinë e një elite intelektuale shqiptare para këtij viti. Ajo është pjesë e një realiteti historik që nuk mund të fshihet përmes interpretimeve të mëvonshme ideologjike.
Nuk do të ishte metodologjikisht e drejtë që çdo kritikë ndaj Bogdanit të identifikohej automatikisht me agjendën serbe. Por kur sulmet ndaj figurës së tij mbështeten në argumente që përkojnë me narrativat e historiografisë nacionaliste serbe, kur relativizohet prania historike shqiptare dhe kur identiteti kombëtar vihet nën gjykimin e një ortodoksie fetare, atëherë kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen: kujt i shërben politikisht një diskurs i tillë?
Nuk është e domosdoshme që përçuesit e një narrative ta njohin apo ta pranojnë agjendën e saj politike për të përfunduar objektivisht në shërbim të saj. Kjo është një nga mënyrat më të sofistikuara të veprimit të ndikimit ideologjik: përmes aktorëve të brendshëm, të cilët, duke u mbështetur në autoritetin e pretenduar shkencor, fetar apo moral, riprodhojnë narrativa që kanë një funksion të qartë politik.
Prandaj, kur individë të veshur me petkun e studiuesit apo të autoritetit fetar marrin përsipër të gjykojnë historinë shqiptare përmes një filtri sektar, përgjegjësia e tyre publike bëhet edhe më e madhe. Shkenca historike kërkon burime, metodologji dhe argumente; ajo nuk mund të shndërrohet në instrument të paragjykimeve ideologjike. Po kështu, autoriteti fetar nuk mund të përdoret për të cenuar përkatësinë historike dhe dinjitetin kombëtar të një populli.
Kosova nuk është pronë e një tradite të vetme fetare. Ajo është atdheu i shqiptarëve, të cilët, pavarësisht përkatësive të tyre konfesionale, kanë ndërtuar së bashku historinë e qëndresës dhe të lirisë. As Skënderbeu nuk mund të reduktohet në një simbol të krishterimit, as Pjetër Bogdani në një figurë që i përket vetëm historisë së katolicizmit, dhe as Adem Jashari në një simbol që mund të interpretohet jashtë dimensionit të tij gjithëkombëtar. Këto figura i përkasin kujtesës sonë të përbashkët.
Në këtë kuptim, vendosja e tri busteve nuk duhet lexuar si një hierarki ndërmjet feve, por si një shprehje e unitetit të historisë shqiptare përtej dallimeve konfesionale. Ky është një parim themelor i identitetit tonë politik dhe qytetërimor.
Prandaj, përgjigjja ndaj kësaj fushate nuk duhet të jetë as histerike, as sektare. Ajo duhet të jetë shkencore, qytetare dhe politikisht e vendosur. Duhet të kërkojmë transparencë mbi burimet, argumentet dhe motivet e pretendimeve të ngritura, por njëkohësisht të refuzojmë çdo përpjekje për ta shndërruar fenë në instrument të përçarjes kombëtare.
Pjetër Bogdani nuk ka nevojë të mbrohet nga përkatësia e tij fetare. Ai ka nevojë të mbrohet nga përpjekjet për t’ia mohuar vendin në historinë shqiptare.
Dhe, mbi të gjitha, shqiptarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se rishkrimi i historisë nuk fillon domosdoshmërisht me mohimin e një ngjarjeje apo të një dokumenti. Ndonjëherë ai fillon me përjashtimin e një figure, me relativizimin e një kujtese dhe me delegjitimimin e një trashëgimie.
Kur kjo ndodh, nuk kemi më të bëjmë me një debat të zakonshëm historik. Kemi të bëjmë me një betejë për kujtesën, identitetin dhe të ardhmen politike të Kosovës.
