Besushmeria është më efektive kur ka një histori bindëse, por pas katër vitesh e gjysmë lufte në shkallë të plotë, as Moska dhe as Perëndimi nuk kanë prodhuar një narrativë të qartë të konfliktit apo se si mund të përfundojë ai.
Nga Thomas Kent
[Europe’s Edge është revista online e Qendres për Analiza te Politikave Evropiane. CEPA]
22 shtator 2026
Publiku reagon ndaj historive që çojnë drejt një kulmi të arritshëm. Në filmin e madh të kësaj vere, Odiseu përballet me sfida të pafundme gjatë rrugës për në shtëpi në Itakë, por ne e dimë se qëllimi i tij është të ribashkohet me Penelopën dhe Telemakun dhe se ai është i zoti me harkun. Historia vazhdon në një hark drejt triumfit të tij përfundimtar.
Si Rusia, ashtu edhe Perëndimi janë përpjekur të promovojnë një hark logjik për përfundimin e luftës në Ukrainë, por narrativave të tyre u kanë munguar qëllimet dhe mjetet. Të dyja palët nuk kanë arritur të përcaktojnë saktësisht se çfarë duan, ose të bindin botën se kanë aftësinë ta arrijnë atë.
Pas pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, vendet perëndimore premtuan t’i jepnin Ukrainës “çfarëdo që të duhej” pa e përcaktuar kurrë “atë”. Administrata e Presidentit Joe Biden nuk e përcaktoi kurrë një qëllim për të tërhequr plotësisht pushtimin, ashtu si as aleatët e saj evropianë.
Tre muaj pas pushtimit, Biden madje la të kuptohej se Rusia mund të mbante disa nga fitimet e saj të hershme territoriale. Ai tha se SHBA-ja do ta ndihmonte Ukrainën të luftonte agresionin “e mëtejshëm” në mënyrë që ajo të “ishte në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e negociatave”.
Qasjes së administratës së Presidentit Donald Trump ndaj Ukrainës i ka munguar gjithashtu një histori konsistente. Shtëpia e Bardhë e ka ulur dhe e ka çaktivizuar ndihmën për Kievin, si dhe është përpjekur alternativisht të lajkatojë e të frikësojë si Vladimir Putinin, ashtu edhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Trump lëshoi një plan paqeje me 28 pika në nëntor 2025, por disa ditë më vonë tha se nuk ishte “oferta e tij përfundimtare”. Deklaratat e presidentit që atëherë dhe nga të dërguarit e tij pas negociatave me dyer të mbyllura nuk kanë sqaruar se sa nga plani i tij mbetet në tryezë.
Kombet evropiane kanë shtuar ndihmën e tyre për Ukrainën dhe kanë vazhduar të kërkojnë një tërheqje të plotë ruse, por nuk kanë rrezikuar asnjë nga forcat e tyre të armatosura për të ndihmuar. Nuk duket se ka një vizion përfundimtar se si mund të arrihet një tërheqje që po e drejton historinë e tyre.
Strategjia e Evropës duket të jetë ta mbajë Ukrainën në luftë derisa ndonjë ndërhyrje hyjnore, siç është një grusht shteti në Moskë, ta çojë luftën në një fund të pranueshëm. Një qasje e tillë e pafokusuar e bën të vështirë ruajtjen e entuziazmit dhe solidaritetit që Ukrainës i nevojitet nga kontinenti.
Kombet evropiane gjithashtu nuk kanë arritur të hartojnë një histori rreth mënyrës se si planifikojnë të kundërshtojnë incidentet në rritje të zjarrvënies, vrasjeve dhe sulmeve me dronë në territorin e tyre sovran nga Rusia. Mungesa e një narrative të qartë ndihmon partitë e krahut të djathtë, të cilat akuzojnë qeveritë se shpenzojnë pafundësisht për Ukrainën pa një qëllim të qartë, ndërsa popullatat e tyre janë në rrezik.
Sa i përket Kremlinit, pavarësisht përrallave të tij për nazistët ukrainas dhe planet e supozuara të NATO-s ndaj Rusisë, historia e tij më e fortë ka qenë se Rusia është e pamposhtur dhe se, duke ndihmuar Kievin, Perëndimi po rrezikon Luftën e Tretë Botërore.
Megjithatë, realiteti i luftës e ka dëmtuar rëndë narrativën e Moskës për pathyeshmërinë e Rusisë, dhe kërcënimet e shpeshta të Putinit për luftë bërthamore në mbarë botën kanë humbur disi fuqinë e tyre, veçanërisht pasi Trump u përgjigj ashpër se edhe SHBA-ja mund ta sulmonte Rusinë me armë bërthamore.
Rusia ka ofruar gjithashtu versione të ndryshme të asaj që dëshiron në Ukrainë.
Duke njoftuar pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022, Putin tha se Rusia po kërkonte të “demilitarizonte dhe denazifikonte” Ukrainën, por jo ta pushtonte atë ose “t’i impononte diçka askujt me forcë” — një sërë objektivash kontradiktore. Dy muaj më vonë, ai sugjeroi se Rusia ishte e interesuar kryesisht në Donbas dhe më pas, në korrik 2024, Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha se e gjithë Ukraina duhet të përthithet nga Rusia.
Në qershor 2025, Putini sugjeroi se rezultati i luftës tokësore ishte çështje fati: “Ndodh një logjikë e caktuar e operacioneve ushtarake dhe trupat përfundojnë në territore të ndryshme”, tha ai. Megjithatë, në samitin e tij në Alaskë me Trumpin në gusht 2025, ai tha se Ukraina kishte të drejtë për sigurinë e saj, duke nënkuptuar se pranonte që shteti do të vazhdonte të ekzistonte.
Ndoshta duke ndjerë se rrëfimi i tij është në rrëmujë, Kremlini është përqendruar në narrativa më të gjera rreth nevojës për të adresuar “shkaqet rrënjësore” të luftës, duke përfshirë pretendimet rreth aftësive ushtarake të NATO-s në Evropë. Por kjo histori ka fituar pak vëmendje, kryesisht sepse pothuajse askush në Perëndim nuk beson se NATO ka ndonjë dëshirë për të sulmuar Rusinë.
Historia qendrore e Ukrainës, e një shteti të guximshëm demokratik që lufton një agresor totalitar, mbetet e fortë, megjithëse imazhi i vendit është dëmtuar nga korrupsioni dhe grindjet e brendshme politike.
Kievi e ruan mantelin e luftimit të Rusisë në emër të të gjithë evropianëve, por është lëkundur në lidhje me atë për të cilën po lufton, më shumë për shkak të realiteteve të fushëbetejës dhe shqetësimeve të aleatëve sesa për shkak të pavendosmërisë ukrainase.
Duke reaguar ndaj shqetësimit të disa anëtarëve të NATO-s në lidhje me anëtarësimin e Kievit në aleancë, Zelenskyy është tërhequr duke kërkuar garanci sigurie jashtë strukturës së NATO-s. Në vend që të këmbëngulë për tërheqjen e plotë të Rusisë nga Ukraina, ai ka sugjeruar kompromise mbi administrimin e disa territoreve të Donbasit.
Kievi ka shkëlqyer në rrëfimin taktik të historive, duke shfrytëzuar në maksimum aktet individuale të heroizmit dhe fushatat e fokusuara ngushtë në rezultate të arritshme. Mbrojtja e guximshme e Ishullit të Gjarpërinjve dhe kontrabanda e dronëve të montuar në kamionë thellë në Rusi pushtuan imagjinatën e botës, për shembull.
Fokusi i Ukrainës në rrëmbimin e fëmijëve të saj çoi gjithashtu në paditjen e Putinit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një mbështetjeje të gjerë për qëllimin e lehtë për t’u kuptuar të kthimit të të rinjve te prindërit e tyre.
Megjithatë, mungesa e një rrëfimi efektiv rreth luftës nga superfuqitë është e habitshme.
Rusia dhe Perëndimi tani u ofrojnë qytetarëve të tyre kryesisht një histori luftimesh pa fund. Si rezultat, të dyja palët po përpiqen të justifikojnë sakrificat gjithnjë e në rritje për të çuar përpara një histori pa një përfundim të qartë. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Thomas Kent është konsulent për çështjet ruse dhe luftën e informacionit, si dhe jep mësim në Universitetin e Kolumbias. Libri i tij i fundit, Manuali i Propagandës së Luftës së Ukrainës: Lufta e Informacionit nga Rusia, Ukraina dhe Kombet Perëndimore, u botua në gusht.
Europe’s Edge është revista online e CEPA-s që mbulon tema kritike mbi politikën e jashtme në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut.
