ESE POLITIKE
Njëri kishte përvojën e organizimit ilegal. Tjetri kishte një horizont të gjerë teorik dhe gjeopolitik. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: Në një moment kur Kosova kishte nevojë për bashkimin e mendimit strategjik me organizimin politik e ushtarak, dy prej figurave që mund ta përfaqësonin këtë sintezë nuk ishin në qendër të procesit. Ato u shmangën me qëllim dhe paramendim.
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Ka figura të historisë politike që mund të maten me postet që kanë mbajtur, me funksionet që kanë ushtruar apo me ndikimin që kanë pasur në strukturat organizative.
Por ka edhe figura që maten me një kriter tjetër: me atë që kanë menduar, me atë që kanë sakrifikuar dhe me atë që kanë qenë të gatshëm të humbin për një ide.
Për mua, Ukshin Hoti dhe Behajdin Allaqi i përkasin kësaj kategorie të dytë.
Prandaj titulli “Heronjtë e mi” nuk është një dekorim retorik. Është një qëndrim intelektual dhe moral.
Por pikërisht për këtë arsye, historia e tyre nuk duhet të shkruhet duke e ngatërruar me figura mitologjike. Duhet të shkruhet me dokumente, dëshmi, kujtesë kritike dhe, mbi të gjitha, me guxim për t’i bërë pyetjet që për dekada janë shmangur.
Mbledhja konsultative e Kollares: një episod që kërkon ende përgjigje
Dëshmia e Fatmir Brajshorit për Mbledhjen Konsultative të LPRK-së në Kollare, në vitin 1993, është veçanërisht domethënëse. Sipas tij, pasi u diskutua riorganizimi i Lëvizjes dhe u propozua formimi i një Këshilli për Organizim e Riorganizim, në të u propozua edhe Behajdin Allaqi.
Dhe pikërisht atëherë, sipas dëshmisë së Brajshorit, Hashim Thaçi, i cili deri në atë moment kishte heshtur, mori fjalën dhe kundërshtoi zgjedhjen e Allaqit, duke e akuzuar për lidhje me UDB-në dhe duke përmendur lidhjet e tij me një person që ai e konsideronte të dyshimtë.
Këtu duhet bërë një dallim i domosdoshëm akademik: kjo është dëshmia me shkrim e Fatmir Brajshorit e publikuar në vitin 2016.
[https://pashtriku.org/fatmir-brajshori-behajdin-allaqi-deshmori-pa-varr-foto-deshmi-artkivore/?fbclid=IwY2xjawUszbZleHRuA2FlbQIxMABwZG9mBWJyaWQRMVdybG05M0MwaTV4UExwM1hzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeqvhn__G1TacVyuQKxfkmQSM9k3gQ8o92mpfGOeHthUcOKPsmGzTduQmdeGU_aem_JdSKMIBT7QGz1wZ5K6q6aA]
Prandaj akuza e Hashim Thaçit ndaj Behajdin Allaqit për lidhje me UDB-në nuk mund të paraqitet si fakt historik pa dokumentacion tjetër mbështetës dhe pa dëshmi konkrete, por edhe nuk mund të kualifikohet vetëm si “debat” politik.
Por kjo dëshmi e Fatmir Brajshorit, si një protagonist i kohës, ajo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse pyetja historike nuk është vetëm: a ishte e vërtetë akuza?
Pyetja më e madhe është: Pse një figurë si Behajdin Allaqi, me atë rol organizativ dhe me atë peshë brenda LPRK-së, u bë objekt i një sulmi të tillë pikërisht në momentin kur po riorganizohej struktura e Lëvizjes?
Kjo pyetje nuk zgjidhet me heshtje nga ana e pjesëmarrësve tjerë të asaj mbledhjeje historike.
Dhe aq më pak me retushim retrospektiv të historisë.
Burime të tjera e vendosin Allaqin pikërisht në qendër të punës organizative të LPRK-së. Një studim historik e rendit atë ndër pjesëmarrësit e takimit konsultativ të Kollares më aktivin në diskutime dhe e lidh atë proces me krijimin e strukturës që do të përgatiste Mbledhjen e IV-të të Përgjithshme. Ndërkaq, dëshmi të tjera e përshkruajnë si një nga figurat me rol të rëndësishëm organizativ e politik në Lëvizje.
Pra, Allaqi nuk ishte një figurë periferike që rastësisht gjendej në Kollare. Ai ishte pjesë e vetë procesit të riorganizimit të Lëvizjes.
Behajdin Allaqi nuk ishte figurë periferike
Kjo është pikënisja që nuk duhet humbur.
Burime të ndryshme e vendosin Allaqin në një rol të rëndësishëm në përgatitjen e takimeve dhe mbledhjeve të LPRK-së. Ai përmendet në lidhje me Konferencën e Dytë, Mbledhjen e Tretë në Ujëmir dhe, posaçërisht, me takimin konsultativ të Kollares. Disa dëshmi e paraqesin si një prej kuadrove që kishin kontribuar në përgatitjen e materialeve dhe në orientimin e Lëvizjes drejt një faze të re të veprimit. Për autorin e këtij opinioni, ai ishte njëri nga ideologët kryesor të LPRK-së.
Kjo e bën edhe më domethënëse pyetjen për pozitën e tij në procesin e riorganizimit.
Sepse nuk po flasim për një figurë rastësore. Por po flasim për një intelektual dhe organizator politik që ishte pjesë e një procesi ku po diskutohej vetë ndryshimi i paradigmës së veprimit të Lëvizjes.
Nga rezistenca politike te përgatitja e luftës së armatosur. Nga organizimi politik te organizimi ushtarak. Nga një lëvizje ilegale politike te një forcë që synonte të krijonte një realitet të ri në terren. Dhe pikërisht në këtë pikë, figura e Allaqit bëhet edhe më interesante.
Dhe pastaj vjen Profesor Ukshin Hoti
Në këtë pikë, dëshmia e Bislim Elshanit bëhet veçanërisht interesante.
Elshani tregon se në fillim të korrikut 1993 Ukshin Hoti kishte shkuar në Suharekë, së bashku me të afërm e bashkëveprimtarë, duke pritur që organizatorët t’i merrnin për në mbledhje. Pritja zgjati me orë. Më pas, sipas tij, u kuptua se mbledhja ishte shtyrë dhe vendi ishte ndryshuar.
Ky version duhet dalluar nga rrëfimi që e shpjegon mosvajtjen e Hotit vetëm me mungesën e kapaciteteve për sigurinë e tij.
Në fakt, vetë burimet historike tregojnë se takimi konsultativ i Kollares ishte pjesë e një procesi të rëndësishëm riorganizimi të LPRK-së, i cili çoi në Mbledhjen e IV-të dhe në miratimin e luftës së armatosur si prioritet strategjik. Prandaj çështja e Hotit nuk mund të reduktohet në një problem logjistik.
Kur një organizatë e di se një prej mendjeve të saj më të rëndësishme është nën mbikëqyrje të vazhdueshme, siguria është problem real. Por kur një takim shtyhet, vendi ndryshohet, ndërsa personi nuk ftohet më në vazhdim, atëherë kemi të drejtë të kërkojmë edhe shpjegimin politik të fenomenit.
Jo për të prodhuar një konspiracion. Por për të mos e heshtur a varrosur pyetjen.
Nga gara për organizatë te gara për histori
Këtu fillon pjesa më e ndjeshme e argumentit.
Çdo lëvizje çlirimtare bart brenda vetes dy procese paralele: luftën kundër kundërshtarit të jashtëm dhe betejën për përcaktimin e drejtimit të brendshëm.
E dyta shpesh është më pak e dukshme.
Në rastin e LPK-së, dokumentacioni dhe dëshmitë për vitet 1991–1993 tregojnë një organizatë që po përballej me pyetje themelore: si duhej organizuar, cilën strategji duhej ndjekur dhe çfarë raporti duhej të kishte veprimi politik me luftën e armatosur. Mbledhja e Kollares ishte një prej momenteve të këtij procesi.
Në Mbledhjen e IV-të të Përgjithshme, më 28–29 korrik 1993 sipas njërit prej burimeve të dokumentuara, u miratuan ndryshime programore e statutare dhe lufta e armatosur u përcaktua si prioritet i veprimit të LPK-së.
Kjo do të thotë se Kollareja duhet parë në kontekstin e një kthese strategjike.
Dhe pikërisht këtu pyetja bëhet më e qensore dhe e pa kalueshme: A po luftohej vetëm për riorganizimin e Lëvizjes, apo po fillonte edhe beteja për përcaktimin e qendrës së ardhshme të autoritetit politik dhe ushtarak?
Kollareja: nga riorganizimi i Lëvizjes te lufta për autoritetin politik
Mos vallë pikërisht te kjo Mbledhje Konsultative duhet kërkuar njërën prej rrënjëve të luftës së brendshme për pushtet dhe orientim politik, e cila do të shpërfaqej më qartë në vitet pasuese, sidomos gjatë përplasjeve të vitit 1998, dhe do të merrte formën e një ndryshimi rrënjësor të raportit ndërmjet LPK-së dhe UÇK-së?
Kjo është një hipotezë historike, jo një fakt i përfunduar. Por është një hipotezë që meriton hetim serioz.
Sepse nëse e lexojmë Kollaren vetëm si një takim organizativ, humbasim një dimension të rëndësishëm: aty po diskutohej jo vetëm si do të riorganizohej Lëvizja, por edhe kush do të kishte autoritetin për të përcaktuar rrugën që duhej ndjekur.
Dhe këtu qëndron thelbi.
Kur lufta e armatosur fillon të bëhet instrumenti kryesor i projektit politik, marrëdhënia ndërmjet organizimit politik dhe forcës së armatosur bëhet çështje themelore.
Kush e drejton?
Kush e përfaqëson?
Kush vendos?
Kush flet në emër të saj?
Dhe, më në fund: Kush e përkthen fitoren ushtarake në legjitimitet politik?
Këto nuk janë pyetje abstrakte. Janë pyetje mbi vetë strukturën e pushtetit.
Prandaj është e arsyeshme të hetohet nëse përplasjet e hershme brenda LPK-së ishin pararendëse të një procesi më të gjatë, në të cilin UÇK-ja në kulmin e luftës do të mbetej realisht pa kokë politike.
Burimet e kohës dhe literatura mbi zhvillimet e vitit 1998 tregojnë se UÇK-ja po shndërrohej me shpejtësi në aktor qendror të skenës politike dhe ushtarake të Kosovës.
Por këtu duhet shmangur një përfundim i nxituar.
Nuk kemi të drejtë të shpallim si fakt se në Kollare u vendos fati i mëvonshëm i LPK-së apo UÇK-së.
Kemi të drejtë të themi diçka më të fortë metodologjikisht: Kollareja është një prej pikave ku duhet kërkuar fillimi i këtij transformimi.
Puçi apo emancipimi i UÇK-së?
Këtu duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm me terminologjinë. Në gjuhën politike mund të flitet për një “puç” brenda LPK-së dhe UÇK-së, nëse me këtë kuptohet përmbysja e raporteve ekzistuese të autoritetit.
Por historiografia nuk mund ta marrë këtë si përkufizim pa dokumentacionin përkatës.
Prandaj formulimi më i qëndrueshëm do të ishte: A ndodhi gjatë vitit 1998 një përmbysje e raporteve të autoritetit ndërmjet LPK-së dhe UÇK-së, përmes së cilës UÇK-ja de fakto u shkëput nga ndikimi politik i drejtpërdrejtë i LPK-së? Nëse përgjigjja është po, atëherë kemi një zhvillim shumë më të rëndësishëm se një konflikt personal. De fakto atëherë kemi ndryshim të qendrës së legjitimitetit, prandaj shtrohet pyetja më se e logjikshme: kush e drejtonte Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së?
Dhe ky është çelësi për ta kuptuar historinë e mëvonshme.
Kjo është arsyeja pse Allaqi dhe Hoti janë kaq të rëndësishëm
Në këtë udhëkryq historik shfaqen dy figura me profile të ndryshme, por me një karakteristikë të përbashkët: autonomia intelektuale.
Behajdin Allaqi ishte njeri i organizimit, mendimit dhe i veprimit politik.
Ukshin Hoti ishte njeri i mendimit strategjik.
Allaqi e njihte mekanizmin e Lëvizjes nga brenda. Hoti e shihte çështjen shqiptare në raport me sistemin ndërkombëtar.
Njëri kishte përvojën e organizimit ilegal. Tjetri kishte një horizont të gjerë teorik dhe gjeopolitik. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: Në një moment kur Kosova kishte nevojë për bashkimin e mendimit strategjik me organizimin politik e ushtarak, dy prej figurave që mund ta përfaqësonin këtë sintezë nuk ishin në qendër të procesit. Ato u shmangën me qëllim dhe paramendim.
Kjo nuk është domosdoshmërisht provë e një komploti. Por është një fakt historik që meriton shpjegim.
Dhe pastaj: 11 qershori 1998
Këtu historia merr një kthesë tragjike. Behajdin Allaqi u zhduk më 11 qershor 1998 apo diçka më vonë. Pikërisht për këtë rast, zhvillimet e vitit 2026 kanë krijuar një moment të ri për historiografinë.
Në aktgjykimin e 16 shtatorit 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës konstatuan se Hashim Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e Behajdin Allaqit. Gjykata e vendosi këtë konstatim brenda vlerësimit të saj për përgjegjësinë penale individuale në çështjen Thaçi et al.
Ky është një konstatim gjyqësor, jo thjesht një interpretim publicistik.
Por pikërisht për këtë arsye duhet lexuar me standardin e duhur: duhet dalluar qartë ajo që ka konstatuar Trupi Gjykues nga versionet e dëshmitarëve dhe nga interpretimet politike që janë bërë pas aktgjykimit.
Dhe këtu historia bëhet edhe më e ndërlikuar. Sepse disa figura që kanë qenë të pranishme në Kollare janë treguar oportune dhe mohojnë versionin e një konflikti të thellë Thaçi–Allaqi në vitin 1993.
Kështu kemi përpara një kontradiktë burimore që nuk duhet fshehur: njëra anë e burimeve flet për mosmarrëveshje serioze; dëshmi të tjera të pjesëmarrësve në takim e minimizojnë ose e mohojnë karakterin konfliktual të saj; ndërsa aktgjykimi i vitit 2026 e përfshin episodin e vitit 1993 në kontekstin e ngjarjeve që lidhen me Allaqin në vitin 1998.
Kjo nuk është arsye për të zgjedhur njërin version sipas bindjeve politike.
Është arsye për të hapur arkivat.
Dhe pastaj vjen Ukshin Hoti
Nëse rasti i Allaqit na çon drejt pyetjes mbi konfliktet e brendshme të luftës, rasti i Hotit na çon drejt një pyetjeje tjetër: Çfarë mendimi politik humbi Kosova?
Hoti ndodhej në burgjet serbe kur po përgatitej Rambujeja. Në shkurt 1999, Shemsi Reçica publikoi një apel të drejtpërdrejtë që kërkonte lirimin e Hotit dhe përfshirjen e tij në delegacionin shqiptar të Rambujesë. Ai argumentonte se prania e Hotit do ta forconte përfaqësimin shqiptar dhe se çështja e tij duhej ndërkombëtarizuar. Këtë propozim e kishte tumirë dhe artikuluar edhe Kryesia e Partisë së Unitetit Kombëtar – UNIKOMB/it me seli në Prishitnë.
Edhe burime të tjera të kohës dokumentojnë përpjekje që çështja e Hotit të lidhej me përfaqësimin shqiptar në Rambuje.
Por Hoti nuk ishte në Rambuje. Kosova humbi mundësinë që në një prej konferencave më të rëndësishme diplomatike të çështjes së saj të përfaqësohej edhe nga një prej intelektualëve të saj më të fuqishëm politikë. Dhe kjo është një humbje që mund të diskutohet seriozisht pa rënë në mitologji.
Heronjtë nuk kanë nevojë për mitologji
Këtu kthehem te titulli i këtij komenti. Heronjtë e mi. Jo sepse dua t’i shndërroj në ikona të paprekshme.
Pikërisht e kundërta. Sepse dua t’i vendos në vendin që u takon në historinë e mendimit dhe të veprimit politik shqiptar.
Ukshin Hoti ishte hero i mendimit që nuk pranonte konformizmin.
Behajdin Allaqi ishte hero i organizimit, i veprimit dhe i besnikërisë ndaj një ideje që e konsideronte më të madhe se individi.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tyre. Ata nuk u matën me atë se sa afër ishin pushtetit. U matën me atë se sa larg ishin të gatshëm të shkonin për një ide. Prandaj, kur sot rihapim dëshmitë e Kollares, të Ujëmirit, të Prishtinës, të vitit 1998 dhe më pas të Rambujesë, nuk duhet ta bëjmë për ta rishkruar historinë sipas simpative politike të ditës.
Duhet ta bëjmë për të kuptuar çfarë humbi Kosova kur disa prej mendjeve të saj më të fuqishme nuk u dëgjuan sa duhej. Dhe kjo është një pyetje shumë më e madhe se fati individual i dy njerëzve. Është pyetje që ka të bëjë me kulturën tonë politike. Sepse një shoqëri që nuk di ta dëgjojë intelektualin e vet kur ai është gjallë, shpesh ka prirjen ta shpallë hero vetëm pasi ai të jetë zhdukur, burgosur ose të ketë rënë.
Prandaj, për mua: Ukshin Hoti dhe Behajdin Allaqi nuk janë vetëm kujtim. Janë një akuzë ndaj harresës. Janë një pyetje drejtuar historisë. Dhe, mbi të gjitha, janë një kujtesë se liria nuk ndërtohet vetëm me pushkë; ajo kërkon edhe mendim, vizion, organizim dhe përgjegjësi politike. Kjo është arsyeja pse historia e tyre duhet të rishkruhet. Jo për të prodhuar heronj të rinj. Por për të mos i humbur edhe një herë heronjtë që i patëm.
