Nga Dr. Valbona ZENELI
Samiti mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit të Kinës Xi Jinping arriti një objektiv qendror: stabilizimin. Ai nuk e zgjidhi rivaliteti strategjik midis vendeve, por ndihmoi në frenimin e tij, duke rikthyer një kornizë më të parashikueshme për te lehtesuar menaxhimin e tensioneve mbi tregtinë, teknologjinë dhe gjeopolitikën. Gjithsesi, rezultati kryesor konkret ishte modest: një zgjatje dy-mujore, deri në janar 2027, e armëpushimit tregtar të rënë dakord për herë të parë pas takimit Trump–Xi në Busan një vit më parë, kur Washingtoni uli tarifat dhe Pekini pezulloi kontrollet e eksportit për mineralet e ralla dhe ato kritike.
Të dyja palët aktivizuan gjithashtu Bordin SHBA–Kinë për Tregtinë dhe Investimet dhe shprehën mbështetje reciproke për presidencat përkatëse të G20-s dhe APEC-ut. Mesazhi është i qartë: jo një afrim i mirëfilltë, por një menaxhim më i disiplinuar i konkurrencës strategjike. Ne realite, shkëmbimet më të rëndësishme të samitit mund të kenë ndodhur pas dyerve të mbyllura lidhur me Iranin. Komunikata publike ishte e shkurtër, por Trump i ushtori presion ndaj Xi-së për mbështetjen kineze ndaj Teheranit, ndërsa të dy udhëheqësit ranë publikisht dakord se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
Për dy ekonomitë më të mëdha të botës, të cilat së bashku përbëjnë pothuajse gjysmën e prodhimit ekonomik global, depërshkallëzimi ka kuptim strategjik, ndonëse për arsye të ndryshme. Të dyja palët duan te përdorin një periudhë stabiliteti relativ për të fituar kohë, për të zvogëluar sfidate, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe për të rikalibruar varësitë ekonomike.
Në planin diplomatik, të dy udhëheqësit ju drejtuan gjithashtu opinionit të brendshëm publik. Presidenti Trump kërkon përfitime ekonomike të prekshme, nga blerjet bujqësore te porositë kineze te avionëve amerikane, në përputhje me fokusin e tij afatgjatë për uljen e deficitit tregtar të SHBA-së dhe adresimin e çekuilibrave strukturorë që kanë dobësuar industrinë prodhuese amerikane.
Ndërkohë, Presidenti Xi synon ta paraqesë Kinën si një fuqi që Washingtoni po e trajton si të barabartë, duke lehtësuar njëkohësisht presionin ekonomik që Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ndaj kompanive kineze. Për Pekinin, stabiliteti ka rëndësi po aq ekonomike sa edhe diplomatike: détente i jep kohë për të mbështetur një ekonomi të brendshme të dobësuar, gjithnjë e më të varur nga kërkesa e jashtme, ndërsa konsumi i brendshëm mbetet i zbehtë.
Bashkimi Europian ishte një tjetër audiencë e rëndësishme e samitit. Vendimet e marra në Washington dhe Pekin po ndikojnë gjithnjë e më shumë mbi tregtinë, teknologjinë, energjinë dhe sigurinë e Europës.
Së pari, Brukseli dhe kryeqytetet kryesore europiane kanë një interes të fortë në ruajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme SHBA–Kinë, veçanërisht në një kohë kur paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme po ushtron presione ekonomike në rritje mbi Europën përmes kostove më të larta të energjisë, ndërprerjeve të rrugëve tregtare, presioneve inflacioniste dhe dobësimit të konkurrueshmërisë industriale.
Së dyti, Europa druhet se mund të kthehet në një variabël përshtatjeje në konkurrencën strategjike SHBA–Kinë. Washingtoni zotëron leva teknologjike, ndërsa Pekini kontrollon minerale kritike dhe zinxhirë kyç të furnizimit në prodhim. Europa mbetet e ekspozuar ndaj të dyjave. Pyetja është nëse BE-ja mund ta shndërrojë peshën e saj ekonomike në kapacitet strategjik veprimi, në vend që thjesht të përthithë pasojat e vendimeve të marra gjetkë.
Mjafton të shohim marrëdhëniet tregtare. Kur tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës intensifikohen, mallrat kineze të përjashtuara nga tregu amerikan ridrejtohen gjithnjë e më shumë drejt Europës, duke rritur frikën për një valë më të thellë të “China shock”. Sektori automobilistik po ndryshon tashmë mënyrën se si Europa e percepton Kinën, por presioni shtrihet shumë përtej industrise automobilistike. Pyetja është se sa industri të tjera do ta ndjekin të njëjtën rrugë.
Në vitin 2025, BE-ja u bë gjithnjë e më shumë destinacioni kryesor i eksporteve kineze dhe deficiti tregtar me Kinën arriti në afro 360 miliardë euro, ndërsa eksportet kineze drejt Europës ishin pothuajse dyfishi i vlerës së eksporteve të BE-së drejt Kinës. Kufizime të tjera amerikane ndaj importeve kineze mund ta thellojnë edhe më tej këtë çekuilibër.
Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e menaxhuar tregtare mes SHBA-së dhe Kinës që ridrejton blerjet kineze drejt mallrave amerikane mund të vijë në kurriz të eksportuesve evropianë. Europa, për rrjedhojë, përballet me presion nga të dyja anët: nga devijimi i tregtisë kur tensionet rriten dhe nga marrëveshjet dypalëshe preferenciale kur ato zbuten. Nga ana tjetër, nëse marrëdhëniet SHBA–Kinë stabilizohen, Pekini ka më pak interes për t’i bërë lëshime Brukselit. Në të dyja skenaret, Europa rrezikon të kthehet në terrenin ku rivaliteti SHBA–Kinë shkarkon kostot e veta: ajo përthith prodhimin kinez që nuk gjen më treg në Shtetet e Bashkuara, ndërsa marrëveshjet mes Washingtonit dhe Pekinit lidhen pa të dhe shpesh në kurriz të saj.
Së treti, ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe BE-ja mbetet thellësisht e varur nga Kina për tokat e rralla, magnetët e përhershëm dhe mineralet kritike, që janë thelbësore për industrinë e gjelbër, digitale dhe të mbrojtjes në Europë. Rreth 98 për qind e magnetëve me toka të rralla që përdor BE-ja vijnë nga Kina. Marrëveshja e Busanit, në tetor 2025, i dha njëfarë lehtësimi edhe Europës pasi Pekini pezulloi për një vit kontrollet e reja mbi eksportet e tokave të rralla. Samiti Trump–Xi në Uashington, në fund të shtatorit 2026, nuk solli ndonjë përparim real. Pezullimi u zgjat vetëm deri më 10 janar 2027, ndërsa për furnizimet me toka të rralla palët ranë dakord thjesht të vazhdojnë bisedimet.
Për Europën, kjo mund të sjellë pak stabilitet në afat të shkurtër, por nuk e zgjidh dobësinë strukturore. Rreziku mbetet që një marrëveshje mes Washingtonit dhe Pekinit t’u garantojë kompanive amerikane furnizime më të sigurta, ndërsa Europa të mbetet po aq e ekspozuar. Në përgjigje, Brukseli po përafrohet gjithnjë e më shumë me nisma të udhëhequra nga SHBA-ja, si Pax Silica, si edhe me Aktin e vet për Lëndët e Para Kritike, për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit. Megjithatë, reduktimi i varësisë nga Kina do të kërkojë vite investimesh, ndërtim të kapaciteteve industriale dhe koordinim transatlantik.
Së katërti, inteligjenca artificiale. Takimi Trump–Xi nuk prodhoi një marrëveshje detyruese. Sipas Shtëpisë së Bardhë, të dyja palët ranë dakord të nisin një dialog të rregullt për inteligjencën artificiale dhe të hapin një kanal komunikimi për incidentet serioze, por Pekini nuk e ka konfirmuar këtë zyrtarisht. Mosmarrëveshjet për eksportin e çipave të avancuar mbeten të pazgjidhura. Pekini ka interes të fitojë kohë: të ulë varësinë nga teknologjia amerikane pa u përballur ndërkohë me tarifa të reja apo kufizime shtesë ndaj kompanive kineze.
Për BE-në, rreziku është që rregullat e garës për inteligjencën artificiale të formësohen gjithnjë e më shumë në një kanal SHBA–Kinë ku Europa ka pak ndikim. Ndërkohë, Europa vazhdon të jetë shumë e varur nga procesorët dhe ofruesit amerikanë të shërbimeve cloud, prodhon më pak se 10% të gjysmëpërçuesve globalë dhe mbetet e ekspozuar ndaj zinxhirëve kinezë të furnizimit. Brukseli po përgjigjet me Paketën për Sovranitetin Teknologjik, së bashku me Chips Act 2.0 dhe Aktin për Zhvillimin e Cloud-it dhe Inteligjencës Artificiale, të cilat synojnë të trefishojnë kapacitetin evropian të qendrave të të dhënave brenda pesë deri në shtatë vjetësh. Keto mbeten ende propozime, ndërsa legjislacioni detyrues mund të jetë ende disa muaj, ose ndoshta vite, larg.
Vëmendja tani do të zhvendoset drejt samitit të ardhshëm BE–Kinë, i cili pritet të zhvillohet në Pekin më 7 dhjetor 2026, ndërkohë që Brukseli kërkon rezultate konkrete nga Këshilli BE–Kinë për Tregtinë dhe Investimet. Bashkimi Europian zotëron leva të konsiderueshme të vetat: përmes tregut të tij, fuqisë rregullatore, instrumenteve tregtare dhe bazës industriale. Pyetja është nëse është i përgatitur dhe mjaftueshëm i bashkuar për t’i përdorur ato në raport me Kinën. Pikërisht për këtë arsye merr rëndësi te vecante koordinimi transatlantik. Pekini përfiton kur pozicionet amerikane dhe europiane divergojnë, ndërsa Washingtoni ka një interes të qartë për një përafrim më të ngushtë europian me qasjen e tij ndaj sigurisë ekonomike. Sfida strategjike europiane është të shmangë shndërrimin thjesht në a renën ku zhvillohet konkurrenca SHBA–Kinë dhe të përdorë kapacitetin e saj për të ndikuar dhe formësuar kushtet e kësaj konkurrence.
*Artikulli është botuar tek “The Diplomat”
Dr. Valbona Zeneli është eksperte e lartë e Atlantic Council, si edhe anëtare e Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP)
