Nga Luan RAMA / Tiranë
Një prej parimeve themelore të profesionalizmit policor është administrimi i situatës dhe jo provokimi i saj. Sidomos gjatë një proteste, kur emocionet janë të larta dhe tensionet mund të përshkallëzohen në çdo moment, punonjësit e policisë duhet të jenë ata që ruajnë qetësinë, kontrollojnë reagimet dhe shmangin përshkallëzimin e konfliktit.
Menaxhimi i një proteste është një nga provat më të vështira të profesionalizmit policor. Një tubim mund të përmbajë kundërshtim të fortë, tension, mosbindje dhe, në rrethana të caktuara, edhe veprime të dhunshme. Detyra e policisë është t’i dallojë këto situata, të vlerësojë rrezikun konkret dhe të reagojë në mënyrë të kontrolluar.
Gjykuar nga ky standard, Policia e Shtetit ka dështuar në përmbushjen e detyrës së vet përballë studentëve që protestuan më 13 tetor pranë Ministrisë së Arsimit dhe në gjithë zonën e Rrugës së Durrësit. Është për të ardhur keq, por drejtuesit e policisë, me sa duket, nuk e kanë të qartë se policia, kur vendoset përballë protestuesve, nuk është palë kundërshtare. Detyra e saj është të garantojë rendin dhe sigurinë, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Thënë ndryshe, detyra e policisë nuk është të fitojë përballjen me qytetarin, por të garantojë zbatimin e ligjit pa e kthyer përballjen në konflikt.
Kur polici, në vend që të qetësojë situatën, përdor forcën në mënyrë të panevojshme ose joproporcionale, ai shndërrohet nga administrues i situatës në faktor të përshkallëzimit të saj.
Uniforma kërkon dhe imponon vetëpërmbajtje. Autoriteti kërkon profesionalizëm, ndërsa përdorimi i forcës kërkon bazë ligjore, domosdoshmëri dhe proporcionalitet.
Profesionalizmi nuk qëndron te aftësia për të goditur, por te zotësia për të kontrolluar situatën. Nuk qëndron te imponimi përmes frikës, por te zbatimi i ligjit me gjakftohtësi, vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi.
Dhuna nuk është provë autoriteti. Shpesh, ajo është shenja më e dukshme e dështimit për ta ushtruar autoritetin me profesionalizëm.
Pamjet e gjashtë punonjësve të policisë që përballen me protestuesin Klevi Metaj dhe përdorin dhunë gjatë ndërhyrjes janë domethënëse për mënyrën se si u administrua kjo përballje. Ato krijojnë imazhin e një ndërhyrjeje ku kontrolli profesional ia lë vendin reagimit fizik dhe humbjes së vetëpërmbajtjes. Sjellja e efektivëve krijon përshtypjen e një reagimi ndëshkues ndaj asaj që ata mund ta kenë përjetuar si «turpërim», në vend që të udhëhiqen nga përgjegjësia për zbatimin e ligjit.
Policia mund ta ndalojë një person kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund ta prangosë kur plotësohen kushtet përkatëse dhe mund ta shoqërojë në mjediset e policisë për kryerjen e veprimeve procedurale. Por as ndalimi, as prangat dhe as uniforma nuk i japin askujt të drejtën ta trajtojë një njeri në mënyrë poshtëruese.
Pjesa më shqetësuese e episodit është lidhja e protestuesit pas kangjellave të Ministrisë së Arsimit, në një vend të ekspozuar ndaj syve të publikut.
Pasi e kishin vënë nën kontroll, përse duhej ta lidhnin pikërisht aty?
Nëse ndalimi i tij ishte i ligjshëm dhe prangosja e nevojshme, policia duhej të ndiqte procedurat përkatëse dhe ta shoqëronte në mjediset e saj. Mbajtja e tij të lidhur pas kangjellave, në një hapësirë publike, krijon përshtypjen e një ekspozimi poshtërues dhe hakmarrës ndaj protestuesit.
Ky është dallimi thelbësor midis ndalimit si veprim procedural dhe mënyrës së trajtimit të personit pas ndalimit.
Kur një person ekspozohet në një pozicion të tillë, imazhi i tij bëhet pjesë e ndëshkimit publik përmes poshtërimit.
Polici është përfaqësues i shtetit, të cilit i është besuar zbatimi i ligjit, por jo e drejta për të shfryrë zemërimin apo për të ndëshkuar atë që e kundërshton. Autoriteti publik nuk i jep askujt të drejtën të veprojë mbi qytetarin sipas vullnetit të vet.
Rasti i Klevi Metajt nuk duhet të reduktohet në një debat mbi sjelljen e një protestuesi apo mbi autoritetin e policisë. Ai ngre një problem më të madh: mënyrën se si shteti sillet me qytetarin në momentin kur ky i fundit gjendet nën kontrollin e tij.
Sepse, në fund të fundit, forca e shtetit nuk matet me aftësinë për ta poshtëruar një qytetar apo për t’u hakmarrë ndaj tij, por me aftësinë për t’ia garantuar dinjitetin qytetarit edhe kur ai gjendet nën kontrollin e shtetit.
Gjithçka ndodhi më pas, nga aktet e dhunës dhe djegiet deri te hyrja në Bashkinë e Tiranës, duhet parë edhe në kontekstin e dështimit të policisë për të administruar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e saj. Policia nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të zgjidhjes me forcë të problemeve politike të qeverisjes me qytetarët. Detyra e saj është të garantojë rendin dhe sigurinë, jo të zëvendësojë dialogun politik me forcën dhe as të bëhet pjesë e konfliktit mes pushtetit dhe qytetarëve.

