Skenë e madhe, të përbashkëta të vogla.
A po e ndajnë Trumpi, Xi dhe Putini botën ndërmjet tyre? Me gjasë jo. Pse, megjithatë, Evropa mund të marrë frymë vetëm pjesërisht e lehtësuar.
Autorë: Dr. Niels Hegewisch dhe Alexey Yusupov
IPG Journal, 19 nëntor 2026
Takimi i Donald Trumpit, Xi Jinpingut dhe Vladimir Putinit, në margjinat e Samitit të APEC-ut në Shenzhen, ishte historik. Asnjëherë më parë presidentët e SHBA-së, Kinës dhe Rusisë nuk ishin takuar në një samit të përbashkët trepalësh. Pas takimit njëorësh e gjysmë, u publikua vetëm një deklaratë e shkurtër: kundërshtimi i një lufte bërthamore, zvogëlimi i rreziqeve bërthamore dhe parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore.
Kjo tingëllon mirë, por është maksimalisht jodetyruese. Madje, pjesërisht, bëhet fjalë për qëndrime që fuqitë bërthamore i kanë miratuar prej kohësh në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dhe, sigurisht, kjo nuk është aspak një „plan paqeje“.
Kësaj iu shtua edhe një sulm i ashpër ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe një deklaratë synimi për stabilizimin e furnizimit global me energji.
Prandaj, më i rëndësishëm se përmbajtja e takimit ishte sinjali që u përcoll nga Shenzheni: fuqitë e mëdha vendosin për të ardhmen e rendit botëror. Kjo ngjall kujtime të pakëndshme për formatin e Luftës së Dytë Botërore të „Tre të Mëdhenjve“.
Pikërisht në Jaltë, në gadishullin e Krimesë, në shkurt të vitit 1945, u takuan presidenti amerikan Roosevelt, sundimtari i Kremlinit Stalin dhe kryeministri britanik Churchill, për ta ndarë botën ndërmjet tyre. Sot jetojmë në rrënojat e rendit botëror që ata e themeluan.
Por krahasimet historike mund të jenë mashtruese. Historia nuk përsëritet, as si farsë e as si rimë. Trumpi, Xi dhe Putini nuk janë aleatë në një luftë botërore të nxitur nga Gjermania.
Në Shenzhen, përballë Rusisë u takuan dy fuqi të mëdha – SHBA-ja dhe Kina – ndërkohë që pesha globale e Rusisë ka rënë dukshëm gjatë viteve të fundit. Prandaj, do të ishte më e saktë të flitej për „Dy Fuqi të Mëdha dhe një gjysmë“, të cilat në shumë fusha konkurrojnë ndërmjet tyre.
SHBA-ja dhe Kina po zhvillojnë një betejë për epërsinë teknologjike në garën e inteligjencës artificiale, si dhe për fuqinë ushtarake dhe ndikimin politik në Azi. Edhe ndërmjet Moskës dhe Pekinit ekziston një konkurrencë afatgjatë: në Azinë Qendrore, Kina prej kohësh është partneri më i rëndësishëm ekonomik, ndërsa Rusia vazhdon ta ruajë rolin e garantuesit të sigurisë.
Në Korenë e Veriut, Kremlini po e zgjeron pozicionin e vet në kurriz të Kinës. Moska dhe Uashingtoni gjenden në kahe të kundërta për çështjen e Ukrainës.
Edhe Bjellorusia po kërkon gjithnjë e më shumë hapësirë për manovrim në politikën e jashtme ndërmjet të dyjave. Në Arktik, secila palë vepron sipas interesave të veta.
Sa të pakta janë interesat e përbashkëta u dëshmua edhe para samitit trepalësh, kur palët nuk arritën as të pajtoheshin për një agjendë të përbashkët. Nisma për takimin erdhi nga ai që kishte më së shumti nevojë për të: Vladimir Putini.
Në fillim të tetorit, gjatë një bisede telefonike, ai i kishte propozuar Donald Trumpit që së bashku me Xi-në të diskutonin për luftën në Ukrainë.
Llogaritë e Putinit ishin të qarta: Rusia duhej të paraqitej në Shenzhen në pozitë të barabartë me SHBA-në dhe Kinën, për të negociuar mbi sferat e ndikimit, luftën dhe paqen në Evropë.
Sinjali do të ishte pikërisht sipas dëshirës së tij: evropianët nuk do të uleshin në tryezën e negociatave, por do të gjendeshin në menynë e saj, kur të diskutohej për sigurinë e tyre.
Edhe pse Ukraina nuk përmendet në deklaratën përfundimtare, Putini e arriti qëllimin e tij përmes imazheve simbolike të takimit.
Tri shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me arsenalet më të mëdha bërthamore, u mblodhën për të përcaktuar rregullat e rendit botëror. Rusia, pavarësisht prapambetjes së saj ekonomike, vazhdon të jetë pjesë e këtij klubi ekskluziv.
Trumpi, nga ana tjetër, vazhdon të besojë pa u lëkundur në magjinë e takimeve personale ndërmjet „burrave të mëdhenj“ si mënyrë për zgjidhjen e krizave gjeopolitike. Prej vitesh ai përpiqet të ndërtojë marrëdhënie të mira me Xi-në dhe Putinin, madje edhe në kurriz të Evropës.
Me kërkesë të SHBA-së, në takim u diskutua për armët bërthamore. Pas skadimit, në shkurt të vitit 2026, të marrëveshjes së fundit amerikano-ruse për këtë çështje, kufizimi i armatimit bërthamor është shndërruar në një projekt prestigji për Trumpin, në rrugën e tij drejt Çmimit Nobel për Paqe.
Xi u tregua i hapur ndaj kësaj ideje, por sipas tij, në radhë të parë duhet të veprojnë SHBA-ja dhe Rusia, arsenalet bërthamore të të cilave janë dukshëm më të mëdha.
Prandaj, në deklaratën përfundimtare të Shenzhenit mungon një zotim për fillimin e një dialogu trepalësh për çarmatimin bërthamor.
Për Putinin, bisedimet e tilla janë tërheqëse: në fushën e armëve bërthamore, Rusia vazhdon të jetë në pozitë të barabartë me SHBA-në. Por, siç u dëshmua në Shenzhen, çdo lëshim nga ana e Moskës do të kishte një çmim të lartë.
Putini e lidh në mënyrë të pandashme kontrollin e armatimit me negociatat për Ukrainën dhe rendin evropian të sigurisë. Objektivi i tij shkon shumë përtej luftës: ai dëshiron të rishikojë në favor të Rusisë kushtet mbi të cilat Evropa e ka organizuar sigurinë e saj që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Pekini e sheh veten si zërin e Jugut Global, i cili negocion me SHBA-në në pozitë të barabartë.
Po Kina? Fillimisht, ideja e një „Jalte 2.0“ nuk dukej aspak e mirëpritur për nikoqirët. Për Pekinin, në qendër të vëmendjes ishte Samiti i APEC-ut. Kina dëshironte të paraqitej si një ekonomi moderne dhe si aktor konstruktiv në marrëdhëniet ndërkombëtareTri shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me arsenalet më të mëdha bërthamore, u mblodhën për të përcaktuar rregullat e rendit botëror. Rusia, pavarësisht prapambetjes së saj ekonomike, vazhdon të jetë pjesë e këtij klubi ekskluziv..
Xi ka investuar kapital të madh politik dhe ekonomik në ndërtimin e një rendi ndërkombëtar që synon të ofrojë alternativë ndaj dominimit perëndimor.
Nisma „Një brez, një rrugë“ (Belt and Road Initiative), institucionet shumëpalëshe si BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, si dhe nismat globale për rregullimin e inteligjencës artificiale, dëshmojnë për përparësinë që Pekini u jep zhvillimit ekonomik dhe sovranitetit kombëtar përballë të drejtave të njeriut, demokracisë dhe aleancave të bazuara në vlera.
Pekini e sheh veten si zërin e Jugut Global, i cili negocion me SHBA-në në pozitë të barabartë. Për këtë qëllim nuk i nevojitet Rusia dhe as rikthimi simbolik te kujtimet e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, sipas deklarimeve nga Pekini para samitit, si nikoqir i mirë Kina duhej t’u përgjigjej dëshirave të dy pjesëmarrësve më të mëdhenj të Samitit të APEC-ut dhe të organizonte një takim trepalësh.
Pak para samitit, Pekini filloi ta cilësonte atë si një ngjarje me „rëndësi historike“, ndërsa pas përfundimit theksoi përgjegjësinë e tri fuqive për paqen dhe stabilitetin në botë.
Në fund, edhe për Xi-në, rëndësi më të madhe pati pamja e takimit sesa përmbajtja e pakët e rezultateve: Kina në qendër të tryezës, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia në të dyja anët.
Kjo është simptomatike. Në vend që të punojnë për një vizion të përbashkët të rendit ndërkombëtar, të tria shtetet shfrytëzojnë mundësitë afatshkurtra gjeopolitike dhe gjeoekonomike për përfitimet e tyre.
Kjo vlen veçanërisht për Trumpin, i cili e konsideron veten mjeshtër të marrëveshjeve politike dhe ekonomike.
Deri më tani, afrimet e tij ndaj Xi-së dhe Putinit kanë sjellë pak rezultate. Samiti amerikano-rus në Alaskë, në gusht të vitit 2025, përfundoi pa rezultate konkrete. Edhe në negociatat për Ukrainën nuk pati ndonjë përparim vendimtar.
Me Xi-në, Trumpi, gjatë tri takimeve që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, të paktën është pajtuar për konceptin e „stabilitetit strategjik konstruktiv“ në marrëdhëniet dypalëshe.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë fshihet pas këtij koncepti. Deri më tani, zbatimi i tij nga Kina është kufizuar kryesisht në zotimet për blerjen e sojës dhe avionëve, në një konflikt tregtar vetëm përkohësisht të pezulluar dhe në marrëveshje të vogla për dialogun rreth inteligjencës artificiale.
Konfliktet strukturore ndërmjet dy fuqive mezi janë zbutur. Prandaj, në Kinë tashmë flitet për një „armëpushim thjesht taktik“.
Edhe ndërmjet Kinës dhe Rusisë, pavarësisht „miqësisë pa kufij“, mbizotëron synimi për përfitime individuale.
Putinit i nevojitet Pekini si mbështetje diplomatike dhe për vazhdimin e luftës së tij agresore kundër Ukrainës. Kjo nevojë është bërë edhe më e madhe pas sulmit të suksesshëm ukrainas ndaj Urës së Kerçit.
Shkalla e varësisë së Rusisë nga Kina ndryshon sipas sektorëve ekonomikë. Çelikun, municionet dhe raketat Rusia mund t’i prodhojë në një masë të konsiderueshme vetë dhe t’i paguajë me rubla.
Edhe pagesat e larta për ushtarët Rusia i financon me burimet e veta. Ndryshe qëndron puna me mikroelektronikën: në këtë fushë, varësia e Rusisë nga Kina është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës.
Nga këndvështrimi i Moskës, varësia nga Kina bie ndesh me vetëperceptimin e saj perandorak.
Nga këndvështrimi i Pekinit, lufta agresore e Rusisë i lidh burimet dhe vëmendjen e SHBA-së në Evropë dhe i thellon tensionet brenda aleancës transatlantike.
Njëkohësisht, mosbesimi ndërmjet këtyre dy partnerëve të pabarabartë dhe rivalëve historikë mbetet i madh.
Dobësimi ushtarak dhe varësia ekonomike në rritje e Rusisë janë, në fakt, në interes të Pekinit. Nga këndvështrimi i Moskës, përkundrazi, varësia nga Kina bie ndesh me vetëperceptimin e saj perandorak.
Edhe për t’u çliruar nga kjo mbështjellje e varësisë, delegacioni rus, pak ditë para takimit në Shenzhen, udhëtoi drejt Samitit të ASEAN-it në Manila me një agjendë të gjerë tregtare.
Rusia synon të eksportojë naftë, gaz, qymyr, plehra artificiale dhe drithëra në Azinë Juglindore, si dhe të rivendosë e zgjerojë marrëdhëniet tregtare me Vietnamin, Indonezinë dhe Tajlandën në fushën e lëndëve të para.
Pra, një botë G2 apo G3 duket krejt ndryshe nga përzierja e temave dhe interesave që u prezantua në Shenzhen.
Për Evropën, këto zhvillime nuk janë aspak lajme të mira, të paktën jo plotësisht.
Pas tërheqjes së SHBA-së nga rendi botëror që vetë e kishte krijuar, ngritjes së Kinës dhe duke pasur parasysh potencialin ende të madh shkatërrues të Rusisë, situata ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Krizat, nga Ukraina deri te Gjiri Persik, Deti i Kinës Jugore dhe Ngushtica e Tajvanit, janë të ndërlidhura dhe paraqesin sfida të mëdha për modelin ekonomik dhe rendin e sigurisë së Evropës.
Për më tepër, ekziston rreziku që fuqitë e mëdha rivale të arrijnë marrëveshje në kurriz të vendeve të vogla dhe të mesme.
Nëse, në të ardhmen, krizat e mëdha gjeopolitike dhe gjeoekonomike do të negociohen sipas modelit të Shenzhenit, në një lloj Këshilli të Sigurimit të OKB-së pa Evropën, siç ka propozuar tashmë pala kineze, atëherë përçarjet dhe tronditjet e tjera do të ishin të pashmangshme.
Prandaj, entuziazmi i tepruar rreth Samitit të Shenzhenit duhet të shërbejë si nxitje për evropianët që të punojnë për forcimin e kapaciteteve të tyre dhe për gjetjen e partnerëve të rinj, në mënyrë që të mund të përballen me fuqitë e mëdha.
Kjo nënkupton marrjen e përgjegjësisë për sigurinë e vet, forcimin e konkurrueshmërisë ekonomike dhe mbështetjen ndërkombëtare në partneritete fleksibile me fuqitë e mesme, si në tregti, ashtu edhe në kuadër të multilateralizmit.
Fakti që Evropa tashmë po investon shuma të mëdha në mbrojtjen e saj, ka përfunduar një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh të tregtisë së lirë dhe po paraqitet me vetëbesim të ri në raport me Kinën, tregon se po lëviz në drejtimin e duhuXi ka investuar kapital të madh politik dhe ekonomik në ndërtimin e një rendi ndërkombëtar që synon të ofrojë alternativë ndaj dominimit perëndimor.r.
Kjo vlen edhe për takimin e Berlinit të Koalicionit të të Gatshmëve, i cili po zhvillohej jo rastësisht paralelisht me Samitin e Shenzhenit.
Aty po mblidhen shtetet që, pavarësisht rezervave dhe hezitimit amerikan, vazhdojnë të sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Kjo po ndiqet me vëmendje në Moskë.
Megjithatë, pesha e evropianëve në negociatat për Ukrainën varet nga aftësia e tyre për të arritur një qëndrim të përbashkët me Kievin.
Në këtë përfshihet edhe çështja se çfarë garancish sigurie mund t’i ofrojnë Ukrainës dhe kush do të jetë i gatshëm t’i zbatojë ato në rast nevoje.
Shenzheni ka dëshmuar një gjë të qartë: duhen shumë shtete të vogla dhe të mesme për ta balancuar pretendimin për pushtet të pak fuqive të mëdha dhe për t’i lënë të pushojnë fantazmat e Jaltës.
Autorët
Niels Hegewisch – Dr. Niels Hegewisch është ekspert për Kinën dhe gjeopolitikën në Departamentin e Azisë të Fondacionit Friedrich Ebert (FES) në Berlin. Më parë ka drejtuar zyrat e FES-it në Mongoli dhe Pakistan.
Alexey Yusupov – Drejton programin për Rusinë të Fondacionit Friedrich Ebert dhe zyrën e FES-it „Dialogu i Evropës Lindore“. Më parë ka qenë drejtues i zyrës në Mianmar dhe Afganistan. Ai mbështet aktorët politikë në cilësinë e këshilltarit dhe moderatorit.
