EDITORIAL
Nga Gëzim Mekuli
Në ditën kur shqiptarët përkujtonin bashkimin e tyre përmes alfabetit të njesuar shqip, Edi Rama dhe Albin Kurti ndodheshin në të njëjtin qytet, por nuk e takuan njëri-tjetrin. Por kjo ftohje nuk ka lindur në Manastir: Ajo është rezultat i një historie të gjatë përplasjesh politike, deklaratash dhe qëndrimesh të Ramës ndaj Kosovës, të cilat kanë ngritur pikëpyetje serioze për raportet e tij me Prishtinën dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Dje, më 22 nëntor 2026, në 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Edi Rama dhe Albin Kurti morën pjesë në aktivitete të ndryshme në qytetin historik të Maqedonisë së Veriut. Rama vizitoi Shtëpinë Muze të Alfabetit dhe takoi Ali Ahmetin, Izet Mexhitin e Bilall Kasamin. Kurti zhvilloi takime me përfaqësuesit e VLEN-it dhe në mbrëmje mori pjesë në manifestimin kushtuar Ditës së Alfabetit, ku mbajti edhe fjalim. Rama nuk ishte i pranishëm në atë aktivitet. Nuk ka një shpjegim zyrtar se kush e shmangu takimin.
Megjithatë, të pretendosh se kjo ftohje është vetëm rezultat i qëndrimeve të Albin Kurtit do të thotë të përbuzësh një histori të tërë politike. Për të kuptuar se si u arrit deri këtu, duhet të kthehemi te vendimet, veprimet dhe deklaratat e rënda të Edi Ramës.
Ishte Rama ai që promovoi Ballkanin e Hapur me Aleksandar Vuçiqin; Kosova, natyrisht, nuk iu bashkua kësaj nisme proserbe, ashtu si Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Në Shqipëri pati kritika se iniciativa i shërbeu Serbisë dhe dëmtoi marrëdhëniet me Kosovën.
“Ta kuptojmë Serbinë”: deklarata që shkaktoi reagime
Në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, Rama deklaroi se nuk duhej të ushtrohej më presion ndaj Serbisë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Rama tha se Serbia nuk mund të mbijetonte pa Rusinë dhe se as Aleksandar Vuçiq nuk do t’i mbijetonte politikisht vendosjes së sanksioneve. Kjo deklaratë u kritikua në hapësirën publike shqiptare, sepse u interpretua si një qëndrim tejet mirëkuptues ndaj Beogradit. Mos të harrojmë se shqiptarët e Kosovës kanë një përvojë historike krejt tjetër me politikën e Beogradit, prandaj deklarata e Ramës ishte ofenduese dhe pikëlluese për opinionin shqiptar të Kosovës.
Përderisa Rama e përshkruante veriun e Mitrovicës si “tokë të askujt”, qeveria e Kurtit ndërmori hapa konkrete për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës dhe mbylljen e strukturave paralele të Serbisë, duke sfiduar një realitet të gjatë të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë.
Në këtë histori të zezë hyn edhe vizita e paparalajmëruar e Ramës me helikopter në Prishtinë më 2015, kur u diskutua Gjykata Speciale, mbështetja e tij për themelimin e saj dhe pakënaqësia e veteranëve e qytetarëve, të cilët e kanë parë këtë qëndrim si goditje ndaj kujtesës së luftës së UÇK-së.
Por pyetja që vazhdon të shtrohet është: përse Rama ishte kaq i gatshëm të ndërtonte një projekt të përbashkët me Vuçiqin, por nuk arriti të krijonte një konsensus të ngjashëm me Prishtinën?
Për opinionin publik në Kosovë, ky episod mbetet i rëndësishëm: si mund të pritet pa kritika një kryeministër që akuzohet se ka lobuar për themelimin e një mekanizmi që më vonë do të gjykonte ish-udhëheqës të UÇK-së?
Fotografitë e prera: Kurti shfaqet vetëm me një pjesë të kokës
Edhe episodet e fundit me fotografitë e publikuara nga Rama kanë ushqyer dyshimet për distancën e tij ndaj Kurtit, kupto Kosovës
Në Samitin e Procesit të Berlinit në Budvë të Malit të Zi, Rama publikoi një fotografi të quajtur “foto familjare”, ku nuk dukej Albin Kurti. Fotografia e plotë ishte publikuar nga Kurti, ndërsa pas reagimeve publike Rama u detyrua dhe e përditësoi postimin duke shtuar edhe pamjen e plotë.
Rasti qesharak u përsërit në një formë tjetër më 12 nëntor, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin: Në fotografinë e publikuar nga Rama, Kurti dukej vetëm me kokën, ndërsa pjesa tjetër e trupit ishte jashtë fotos;
A ishin këto thjesht zgjedhje të rastësishme të prerjeve të “kokave të Kurtit” apo një mënyrë për të mos e përfshirë Kurtin në fotografitë e publikuara diplomatike?
“Viktima të zellshme”: Rama sulmon protestuesit nga Kosova
Një tjetër episod i rëndësishëm ndodhi poashtu këtë vit, pas pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë Rama në Tiranë.
Më 21 qershor, Rama i quajti protestuesit nga Prishtina dhe Tetova “viktima të zellshme” dhe përdori edhe shprehjen “hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota”. Ai i kritikoi për përdorimin e flamujve kombëtarë dhe të simboleve të UÇK-së në protestë.
Edhe në këtë rast, shqetësimi nuk është nëse Rama ka të drejtë të kritikojë protestat apo jo. Por gjuha e përdorur ndaj qytetarëve shqiptarë nga Kosova u kuptua si fyese dhe përçarëse, sidomos nga ata që presin që kryeministri i Shqipërisë ta trajtojë Kosovën me ndjeshmërinë që kërkon historia e përbashkët dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Shtrohet pyetja pse shqiptarët e Kosovës e shehin Ramën me mosbesim?
Përgjigjja nuk gjendet vetëm te raportet personale mes dy kryeministrave. Ajo gjendet te një varg çështjesh politike që kanë prekur drejtpërdrejt interesat dhe ndjeshmëritë e Kosovës:
• Ballkani i Hapur, ku Rama u rreshtua në një projekt rajonal me Vuçiqin, pa Kosovën.
• Deklaratat për mirëkuptimin ndaj Serbisë dhe kundërshtimin e presionit ndaj saj për sanksione kundër Rusisë.
• Roli dhe deklaratat e tij lidhur me Gjykatën Speciale.
• Anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në vitin 2023, pas mospajtimeve për formatin e saj.
• Kritikat e përsëritura ndaj qeverisë së Kosovës dhe mënyrës së veprimit të Kurtit në Veri kundër hordhive serbe.
• Gjuha e ashpër ndaj protestuesve shqiptarë që kishin ardhur nga Kosova në Tiranë.
• Publikimi i fotografive ku Kurti fillimisht nuk shfaqej, ose shfaqej në mënyrë të pazakontë. Etj. etj…
Këto episode shpjegojnë pse opinioni publik në Kosovë e sheh Ramën me rezervë dhe pse vizitat e tij mund të shoqërohen me pakënaqësi.
Kurti nuk është Kosova, as Rama nuk është Shqipëria
Albin Kurti mund dhe duhet të kritikohet për vendimet e qeverisë së tij, sikurse çdo kryeministër. Por kjo nuk do të thotë se ai duhet të heshtë përballë qëndrimeve që i konsideron të dëmshme për Kosovën. Një kryeministër ka përgjegjësi të mbrojë interesat e shtetit të vet dhe të reagojë kur mendon se ato po anashkalohen.
Po ashtu, Edi Rama nuk është Shqipëria dhe politika e tij nuk përfaqëson domosdoshmërisht mendimin e të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë; As Kurti nuk është i gjithë Kosova. Duhet kuptuar se marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare nuk mund të varen nga afërsia apo antipatia personale e dy udhëheqësve.
Prandaj, pyetja nuk është nëse Rama dhe Kurti pëlqehen apo jo; pyetja është nëse politika e Tiranës po i shërben interesit të përbashkët shqiptar.
Nga Ballkani i Hapur deri te deklaratat për Serbinë, veriun e Kosovës, nga Gjykata Speciale deri te episodet e fotografive, ekziston një histori konkrete që shpjegon pse raportet janë ftohur. Ajo histori nuk mund të fshihet duke ia faturuar përgjegjësinë Kurtit.
Kosova nuk ka nevojë për një Shqipëri që e sheh Prishtinën përmes marrëdhënieve të saj me Beogradin; Kosova ka nevojë për një Shqipëri që e trajton Kosovën si shtet të barabartë, shtet shqiptar dhe partner strategjik. Bashkëpunimi kombëtar nuk ndërtohet me fotografi të prera, me deklarata përkëdhelëse ndaj Beogradit apo me kritika të njëanshme ndaj Prishtinës. Bashkëpunimi Tiranë – Prishtinë ndërtohet me respekt, barazi dhe mbrojtje të interesave të të dy shteteve.
Manastiri duhej të ishte simbol i bashkimit; fakti që dy kryeministrat shqiptarë u gjendën në të njëjtin qytet, në të njëjtën ditë historike, por pa një takim, është një tjetër kujtesë e hidhur se sa shumë punë politike mbetet për t’u bërë për të rikthyer besimin mes Tiranës dhe Prishtinës së Isa Boletinit.
Dhe pyetja që duhet t’i bëhet Ramës është kjo: sa gjatë mund të kërkojë besimin dhe respektin e shqiptarëve, kur vendimet, deklaratat, përgojimet dhe përplasjet e tij vazhdojnë të shkaktojnë mosbesim jo vetëm në Kosovë, por edhe mes qytetarëve në Shqipëri? /MekuliPress/
