Një përgjigje polemizuese ndaj një statusi të Bislim Elshanit
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Shkrimi i Bislim Elshanit, me titullin provokues „Kur dikujt edhe nëna i bëhet motër“, meriton një përgjigje jo thjesht për shkak të tonit të tij polemik ndaj meje, por mbi të gjitha për shkak të mënyrës se si ai e keqlexon, e redukton dhe, në disa raste, e shtrembëron vetë konceptin e Federatës Shqiptare dhe perspektivën politike që ky projekt synon të hapë për të ardhmen e kombit shqiptar.
Në të vërtetë, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një mospajtim rreth vendndodhjes së një qendre politike apo me një debat mbi raportet simbolike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Kemi të bëjmë me dy mënyra thelbësisht të ndryshme të të menduarit për kombin, shtetin, sovranitetin dhe perspektivën e organizimit politik të shqiptarëve në shekullin XXI.
Njëra qasje kërkon ta ruajë kombin brenda hartës së hierarkive të trashëguara, të supremacive kulturore të pretenduara dhe të rivaliteteve provinciale. Tjetra përpiqet ta mendojë kombin si subjekt politik të aftë për ta tejkaluar fragmentimin historik, pa mohuar asnjë prej përvojave të tij shtetformuese, kulturore dhe politike.
Pikërisht këtu qëndron dallimi themelor.
Elshani e paraqet projektin e Federatës Shqiptare sikur ai të ishte një përpjekje e Prishtinës për t’ia marrë Tiranës rolin historik, kulturor apo politik. Ky është një keqinterpretim që nuk i qëndron as leximit serioz të argumentit tim, as logjikës së vetë projektit federal. Askund në këtë projekt nuk bëhet fjalë për zhvendosjen e kryeqendrës kombëtare nga Tirana në Prishtinë, për përmbysjen e ndonjë hierarkie kulturore apo për vendosjen e Kosovës në pozitën e një qendre të re hegjemone.
Përkundrazi, Federata Shqiptare synon të ndërtojë një kornizë të re të bashkëveprimit politik, institucional dhe strategjik, ku dy entitetet shtetërore shqiptare të mos perceptohen si hapësira rivale, por si pjesë përbërëse të një projekti të përbashkët politik. Ajo nuk është projekt i supremacisë së njërës palë mbi tjetrën, por projekt i tejkalimit të logjikës së rivalitetit ndërmjet tyre.
Një projekt i tillë nuk mund të gjykohet me kategoritë e një nacionalizmi provincial, aq më pak me psikologjinë e frikës nga barazia.
1. Tirana dhe Prishtina: bashkëpunimi nuk është garë për fronin kombëtar
Është e çuditshme se si Elshani, në përpjekje për ta mbrojtur njëfarë supremacie kulturore të Tiranës, përfundon duke i atribuar projektit tim pikërisht atë që ai synon ta kapërcejë: logjikën e supremacisë.
Unë nuk kam pasur nevojë ta zhvendos Piemontin shqiptar nga Tirana në Prishtinë. Për më tepër, në konceptimin tim, çështja e Piemontit politik i përket një faze tjetër historike të formimit të kombit shqiptar. Në shekullin XXI, kur shtrohet çështja e organizimit të ardhshëm politik të kombit, nuk është më produktive të kërkojmë se cili qytet duhet ta sundojë tjetrin, por se si mund të ndërtohet një kapacitet i përbashkët politik, institucional dhe strategjik.
Në librin tim Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE (2016), unë nuk kam propozuar as aneksimin e Kosovës nga Shqipëria, as zhvendosjen e kryeqendrës politike në Prishtinë, madje as në Prizren siç parapëlqente Profesor Ukshin Hoti. Kam argumentuar për një model federal me dy njësi konstituive të barabarta, që ruajnë identitetin dhe kompetencat e tyre kushtetuese, ndërsa bashkojnë gradualisht kapacitete të rëndësishme në politikën e jashtme, mbrojtjen, ekonominë, infrastrukturën dhe fusha të tjera strategjike.
Formula është e qartë: As Shqipëria nuk e absorbon Kosovën, as Kosova Shqipërinë; të dyja së bashku e konstituojnë Federatën Shqiptare.
A mund të kuptohet kjo formulë pa paragjykime ideologjike? Duket se për Elshanin dhe ca “politikanë-veprimtarë” folkloristë që i mbajnë ison, është e vështirë.
Në fakt, këtu qëndron edhe paradoksi i shkrimit të tij: ai pretendon se po mbron unitetin kulturor shqiptar, ndërkohë që e koncepton këtë unitet përmes një hierarkie të ngurtë, në të cilën Tirana duhet të mbetet qendra e padiskutueshme dhe Prishtina duhet të kënaqet me pozitën e periferisë mirënjohëse.
Por kombi nuk është pronë e një kryeqyteti. As historia e tij nuk është monopol i një territori.
Mjafton të shohim përvojën gjermane: as sot e kësaj dite kombi gjerman nuk e proklamon Berlinin si pronar të Gjermanisë, ndonëse ai është kryeqyteti politik dhe institucional i Republikës Federale. Ndërkaq, Vjena, përtej kufijve të Austrisë, vazhdon të konsiderohet një nga kryeqendrat e mëdha të kulturës gjermanishtfolëse dhe një prej metropoleve kulturore të Evropës. Ky është një dallim që mendimi provincial e ka të vështirë ta kuptojë: kryeqyteti politik nuk e përjashton ekzistencën e qendrave të tjera të gravitetit kulturor, intelektual dhe historik. Berlini nuk e zhvlerëson Vjenën, as Vjena nuk ia konteston Berlinit statusin e kryeqytetit politik. Përse, atëherë, në hapësirën shqiptare duhet të prodhohet një rivalitet artificial ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës? Një komb me vetëdije të konsoliduar historike nuk ka nevojë për monopole simbolike, por për pluralizëm qendrash dhe bashkërendim strategjik.
Tirana ka peshën e vet historike, institucionale, kulturore dhe diplomatike. Prishtina ka përvojën e saj të veçantë të shtetndërtimit, të rezistencës politike, të çlirimit dhe të konsolidimit institucional. Asnjëra prej këtyre përvojave nuk e zhvlerëson tjetrën. Përkundrazi, ato janë kapitali historik mbi të cilin mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët.
Të pretendosh se pranimi i barazisë politike të Kosovës në një projekt federal përbën cenim të pozitës së Tiranës, do të thotë të ngatërrosh bashkëpunimin me nënshtrimin dhe barazinë me uzurpimin.
2. Historia e Rilindjes nuk mund të përdoret si pronë ekskluzive e një gjeografie
Elshani i referohet me të drejtë kontributit të qyteteve dhe qendrave të Jugut shqiptar në formësimin e Rilindjes Kombëtare. Korça, Gjirokastra, Berati, Voskopoja, Manastiri dhe qendra të tjera kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e zgjimit kombëtar. Këtë kontribut askush nuk ka arsye ta relativizojë.
Por, çfarë synon të dëshmojë ai me këtë rikthim selektiv në histori?
Nëse synon të tregojë se Rilindja Kombëtare kishte qendra të rëndësishme në Jug, kjo është e vërtetë. Nëse synon të dëshmojë se Prizreni u bë qendër e Lidhjes Shqiptare të vitit 1878 për shkak të rrethanave gjeopolitike të kohës, edhe kjo është pjesërisht e vërtetë. Por, nëse nga këto fakte nxjerr përfundimin se Prizreni nuk kishte ndonjë traditë apo veprimtari kombëtare dhe se roli i tij ishte thjesht një rastësi gjeopolitike, atëherë kemi të bëjmë me një reduktim të papranueshëm historik.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte një mbledhje e rastësishme e disa personaliteteve të shqetësuara vetëm për kufijtë e Perandorisë Osmane. Ajo u shndërrua në një moment themelor të organizimit politik kombëtar, në të cilin mbrojtja e territoreve shqiptare dhe artikulimi i kërkesave për autonomi e organizim kombëtar u ndërthurën në mënyrë të pandashme.
Prizreni nuk u bë simbol kombëtar sepse dikush në Prishtinë deshi ta shpikte një supremaci kosovare. Ai u bë simbol sepse historia e vendosi në një moment vendimtar të organizimit politik të shqiptarëve.
Dhe këtu duhet bërë një dallim elementar: të njohësh rolin historik të Prizrenit nuk do të thotë t’ia mohosh Tiranës rolin e saj; sikurse të njohësh kontributin e Korçës dhe të Gjirokastrës nuk do të thotë ta reduktosh Kosovën në një periferi të historisë kombëtare.
Historia e kombit shqiptar nuk është garë mes qyteteve për të fituar një titull simbolik. Ajo është një proces kompleks, me shumë qendra, shumë bartës dhe shumë momente themeluese.
3. Gramshi nuk është alibi për supremacinë kulturore
Përpjekja e Elshanit për ta mbështetur argumentin e tij te Antonio Gramshi dhe koncepti i hegjemonisë kulturore është veçanërisht problematike.
Hegjemonia te Gramshi nuk është sinonim i superioritetit të përhershëm të një qyteti mbi një tjetër. Ajo lidhet me aftësinë e një force shoqërore për të ndërtuar udhëheqje intelektuale dhe morale, për të krijuar konsensus dhe për të organizuar një projekt të përbashkët shoqëror e politik.
Të përdorësh Gramscin për të dëshmuar se Tirana duhet të ketë epërsi të përhershme ndaj Prishtinës, do të thotë ta reduktosh një teori komplekse të pushtetit dhe të organizimit shoqëror në një argument provincial për hierarkinë kulturore.
Po, Tirana ka qenë gjatë një pjese të madhe të shekullit XX qendra kryesore institucionale, politike dhe kulturore e shtetit shqiptar. Kjo është e kuptueshme edhe për shkak të pozitës së saj si kryeqytet i Shqipërisë. Por, nga ky fakt nuk rrjedh ndonjë e drejtë historike apo teorike për të monopolizuar të ardhmen politike të kombit.
Për më tepër, një projekt federal serioz nuk e mohon rolin e qendrave kulturore dhe institucionale. Ai kërkon t’i vendosë ato në një marrëdhënie të re bashkëpunimi, duke krijuar mekanizma të përbashkët të vendimmarrjes dhe të prodhimit të kapaciteteve strategjike.
Prandaj, nëse dikush dëshiron ta përdorë Gramshin në këtë debat, do të ishte më e dobishme të pyeste: si ndërtohet një hegjemoní demokratike e projektit të përbashkët kombëtar, pa e shndërruar atë në dominim të një pjese mbi tjetrën?
Kjo është pyetja që meriton përgjigje akademike. Jo nëse Prishtina po ia merr Tiranës fronin e imagjinuar.
4. Statusi ndërkombëtar i Kosovës: një argument juridik i përdorur jashtë kontekstit
Një tjetër problem i argumentimit të Elshanit është mënyra se si ai e përdor faktin që Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ta vënë në pikëpyetje barazinë e saj politike në projektin federal.
Këtu kemi një ngatërrim ndërmjet statusit ndërkombëtar, njohjes universale dhe kapacitetit kushtetues të një shteti.
Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008. Ajo ka institucione shtetërore, rend kushtetues, territor dhe kapacitet për të ushtruar pushtetin publik. Mungesa e anëtarësimit në OKB është një kufizim real i subjektivitetit dhe i përfaqësimit të saj ndërkombëtar, por nuk përbën vetvetiu argument juridik për mohimin e shtetësisë së saj.
Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010, për më tepër, nuk konstatoi shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Por, edhe përtej kësaj, argumenti i Elshanit e humb krejtësisht objektin e vet kur përpiqet ta përdorë statusin aktual ndërkombëtar të Kosovës si pengesë për të menduar një rend të ardhshëm kushtetues.
Nëse shtetet nuk do të mund të projektonin të ardhmen e tyre përtej kufizimeve të pozitës aktuale ndërkombëtare, atëherë vetë historia e federalizmit dhe e integrimit evropian do të ishte e pakuptueshme.
Federata Shqiptare nuk është projekt për ta fshirë subjektivitetin e Kosovës, por për ta vendosur atë në një arkitekturë të re kushtetuese, mbi bazën e barazisë së njësive konstituive dhe të koordinimit të sovranitetit.
Në këtë kuptim, projekti im është më afër logjikës së federalizmit evropian dhe modeleve bashkëkohore të ndarjes e ushtrimit të kompetencave sesa logjikës së shtetit unitar dhe të centralizimit klasik.
Kjo është arsyeja pse unë e kam konceptuar Federatën Shqiptare si një model të tretë: ndërmjet bashkimit klasik, që nënkupton eliminimin e subjektivitetit të njësive ekzistuese, dhe integrimit të pjesshëm, që i lë kapacitetet strategjike të fragmentuara.
Ajo është një perspektivë e integrimit gradual funksional, që mund të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me orientimin euroatlantik dhe me arkitekturën e Bashkimit Evropian.
Të mos e kuptosh këtë dallim është një mangësi teorike. Të pretendosh se ai nuk ekziston është diçka tjetër.
5. Kompleksi i Edipit dhe politika: kur metafora bëhet zëvendësim i argumentit
Titulli i shkrimit të Elshanit, me referencën e tij ndaj kompleksit të Edipit, synon të krijojë një efekt psikologjik dhe polemik. Ai e paraqet marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si një marrëdhënie të deformuar familjare, në të cilën disa intelektualë kosovarë, sipas tij, vuajnë nga një lloj konflikti me figurën e nënës politike – Shqipërinë.
Por, nëse do ta merrnim seriozisht këtë metaforë dhe do ta zhvendosnim nga sfera e retorikës në atë të analizës psikoanalitike, atëherë do të duhej të shtronim një pyetje tjetër: A nuk mund të jetë edhe vetë këmbëngulja për ta ruajtur një hierarki të përhershme ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës shprehje e një pasigurie identitare, e një nevoje për ta konfirmuar vazhdimisht epërsinë e njërës palë ndaj tjetrës?
Pse barazia politike e dy njësive shqiptare duhet të interpretohet si rebelim kundër nënës? Pse kërkesa për një rend të përbashkët institucional duhet të shihet si përpjekje për uzurpim? Dhe, mbi të gjitha, pse ideja e një partneriteti të barabartë shkakton një reagim kaq emocional?
Sigurisht, nuk është detyrë e një polemike politike të diagnostikojë autorin e saj. Nuk kam as pretendimin, as interesimin të bëj një diagnozë psikologjike të Bislim Elshanit. Por, nëse ai e konsideron të lejueshme ta përdorë psikanalizën si armë polemike kundër të tjerëve, atëherë duhet të pranojë se e njëjta metodë mund të shtrojë pyetje edhe për motivet që fshihen pas reagimit të tij.
Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet as mundësia që polemika e tij të ushqehet nga një lloj xhelozie intelektuale apo nga një papajtueshmëri personale me pozicionin tim publik dhe akademik. Por këto janë hipoteza që kërkojnë analizë, jo përfundime që mund të shpallen pa prova.
Më e rëndësishmja është se personalizimi i debatit nuk e zgjidh problemin teorik që ai vetë ka hapur.
Unë preferoj që debati të mbetet në rrafshin e ideve, argumenteve dhe projekteve politike. Aty ku një tezë mund të testohet, të kundërshtohet dhe, nëse është e nevojshme, të rrëzohet me argumente.
6. Një problem edhe më i madh: frika nga barazia dhe projekti i përbashkët
Në thelb, shkrimi i Elshanit zbulon një problem më të thellë të mendimit politik shqiptar: vështirësinë për ta konceptuar kombin përtej kufijve të dy shteteve ekzistuese dhe përtej hierarkive simbolike që kanë prodhuar historitë e tyre të veçanta.
Për një pjesë të elitës intelektuale në Tiranë, çdo propozim që e vendos Kosovën në pozitën e një partneri të barabartë duket se përmban një lloj sfide ndaj statusit të Shqipërisë si shteti amë. Për një pjesë të elitës në Prishtinë, nga ana tjetër, ekziston rreziku që përvoja e veçantë e shtetndërtimit të Kosovës të shndërrohet në një argument për distancim të përhershëm nga Shqipëria.
Të dyja këto qasje janë problematike.
Federata Shqiptare synon ta kapërcejë këtë dilemë të rreme.
Ajo nuk kërkon ta vendosë Prishtinën mbi Tiranën, por as ta mbajë Prishtinën në varësi politike e simbolike të Tiranës. Ajo synon një rend të ri të bashkëpunimit, në të cilin barazia kushtetuese e njësive përbërëse dhe ndarja racionale e kompetencave krijojnë mundësinë për një subjektivitet të përbashkët strategjik.
Në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përjeton transformime të thella, kur fuqitë e mëdha po rishikojnë interesat dhe pozicionet e tyre strategjike, kur Evropa po përballet me nevojën për të rritur kapacitetet e veta të sigurisë dhe konkurrueshmërisë, shqiptarët nuk mund ta përballojnë luksin e fragmentimit të përhershëm të potencialit të tyre politik, ekonomik dhe njerëzor.
Kjo nuk është çështje romantike e nostalgjisë kombëtare. Është çështje e racionalitetit strategjik.
Një hapësirë shqiptare më e integruar në ekonomi, energji, arsim, infrastrukturë, mbrojtje dhe diplomaci do të kishte peshë tjetër në raport me BE-në, NATO-n dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë.
Prandaj, Federata Shqiptare duhet të kuptohet si projekt afatgjatë i ndërtimit të kapaciteteve të përbashkëta, jo si aventurë e ndryshimit të kufijve apo si garë për pushtet ndërmjet dy kryeqyteteve.
Kush e redukton këtë projekt në pretendimin se Prishtina dëshiron ta pushtojë Tiranën, nuk po polemizon me konceptin tim. Po polemizon me një konstrukt të vetin, të prodhuar nga paragjykimet e veta.
7. Në vend të përfundimit: Kombi nuk ka nevojë për tutorë, por për vizion
Në fund, do të doja t’i parashtroja Bislim Elshanit një pyetje që shkon përtej polemikës sonë personale:
A kemi nevojë sot për një mendim politik shqiptar që e mbron me fanatizëm hierarkinë e dikurshme ndërmjet qendrës dhe periferisë, apo për një mendim që e përgatit kombin për sfidat e shekullit XXI?
Nëse Tirana është aq superiore në filozofi, kulturë, arte, diplomaci dhe shkenca, siç pohon zëshëm Elshani, për çka pjesërisht pajtohem, atëherë pse duhet të shqetësohet nga një projekt që e fton atë të bëhet pjesë e një bashkëpunimi të barabartë me Prishtinën?
Superioriteti i vërtetë intelektual nuk ka nevojë të mbrohet me deklarata supremacie. Ai dëshmohet përmes prodhimit të ideve, përmes aftësisë për të ndërtuar institucione dhe përmes kontributit në zhvillimin e shoqërisë.
Tirana nuk humb asgjë nëse Prishtina bëhet më e fuqishme institucionalisht. Përkundrazi, të dyja fitojnë nëse krijojnë mekanizma të përbashkët të vendimmarrjes dhe të veprimit strategjik.
As Prishtina nuk fiton duke pretenduar epërsi ndaj Tiranës. Ajo fiton duke u bërë pjesë e një projekti që e tejkalon logjikën e rivalitetit.
Kjo është filozofia politike e Federatës Shqiptare.
Dhe këtu qëndron edhe dallimi ndërmjet një mendimi që kërkon ta ruajë të kaluarën si hierarki dhe një mendimi që përpiqet ta shndërrojë historinë në kapital për të ardhmen.
Nuk kam pretenduar kurrë se e kam fjalën e fundit për organizimin e ardhshëm politik të kombit shqiptar. Por kam bindjen se kjo çështje meriton debat serioz, akademik dhe strategjik, jo karikatura, etiketime psikologjike dhe ironi provinciale.
Kombi shqiptar nuk ka nevojë për një kryeqytet që ta trajtojë tjetrin si periferinë e vet. Ka nevojë për dy shtete që dinë ta ndërtojnë së bashku të ardhmen e tyre.
Nëse kjo quhet, sipas Elshanit, dëshirë për ta zhvendosur Piemontin nga Tirana në Prishtinë, atëherë problemi nuk qëndron te projekti i Federatës Shqiptare. Problemi qëndron te pamundësia për ta imagjinuar kombin përtej hierarkive të vjetra.
Dhe, në këtë pikë, ndoshta nuk është Prishtina ajo që duhet të bëjë një reflektim më të thellë për raportin e saj me Tiranën.
