Nga Dr. Sadri RAMABAJA
1. Hyrje
Debati mbi organizimin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut është rikthyer periodikisht në diskursin politik, por pothuajse gjithmonë është zhvilluar nën hijen e një paradigme të pandryshuar: ruajtjes së karakterit unitar të shtetit si garanci e stabilitetit. Kjo paradigmë është mbështetur vazhdimisht nga diplomacia euroatlantike, e cila, që nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2001), ka privilegjuar menaxhimin e krizave përmes kompromiseve politike, duke shmangur debatet për transformimin e arkitekturës kushtetuese.
Megjithatë, ndryshimet gjeopolitike të dekadës së fundit – agresioni rus kundër Ukrainës, rikthimi i rivalitetit të fuqive të mëdha dhe shtimi i operacioneve hibride në Ballkan – imponojnë një rishikim të kësaj qasjeje. Në një mjedis të tillë, qëndrueshmëria e shtetit nuk matet më vetëm me integritetin territorial, por edhe me aftësinë e institucioneve për të prodhuar legjitimitet, përfaqësim dhe kohezion politik.
Nga ky këndvështrim, pyetja themelore nuk është nëse Maqedonia e Veriut duhet të mbetet një shtet i bashkuar. Çështja është nëse modeli aktual unitar është forma më e përshtatshme për të garantuar stabilitetin e saj afatgjatë. Kjo analizë mbron tezën se një model federal, i frymëzuar nga përvoja belge, por i përshtatur për realitetin maqedonas, meriton të trajtohet seriozisht si alternativë kushtetuese. Një debat i tillë nuk duhet parë si projekt etnik apo si instrument për rishikim kufijsh, por si reflektim mbi mënyrën më efektive për të ndërtuar një shtet funksional, demokratik dhe të qëndrueshëm në një mjedis të ndërlikuar gjeopolitik.
2. Maqedonia e Veriut ndërmjet unitarizmit formal dhe realitetit shumëkombësh
Deklaratat e përsëritura të diplomacisë perëndimore në mbështetje të “karakterit unitar” të Republikës së Maqedonisë së Veriut pasqyrojnë një qasje të konsoliduar që synon ruajtjen e stabilitetit institucional dhe shmangien e hapjes së debateve për ndryshime të thella kushtetuese në Ballkan. Megjithatë, kjo qasje ngre një pyetje thelbësore: a mund të ndërtohet një shtet funksional duke injoruar realitetin politik dhe etnik mbi të cilin ai mbështetet?
Maqedonia e Veriut nuk është një shtet homogjen. Ajo është një shoqëri shumëkombëshe, ku shqiptarët përbëjnë një komunitet të madh dhe politikisht të organizuar, me rol vendimtar në stabilitetin institucional, në orientimin euroatlantik dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Pikërisht për këtë arsye, modeli unitar i trashëguar nga periudha pas pavarësisë është vënë vazhdimisht në provë.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 nuk e zgjidhi këtë kontradiktë; ajo vetëm e menaxhoi atë. Përmes decentralizimit, përdorimit të gjuhës shqipe dhe mekanizmave të ndarjes së pushtetit, ajo krijoi instrumente për bashkëjetesë, por nuk ndërtoi një arkitekturë kushtetuese që ta pasqyronte plotësisht karakterin shumëkombësh të shtetit.
Pikërisht këtu lind debati për federalizimin. Në diskursin politik ballkanik, termi “federalizim” është demonizuar shpesh si sinonim i ndarjes së shtetit. Përvoja evropiane dëshmon të kundërtën. Belgjika, Zvicra, madje edhe në forma të ndryshme Spanja, tregojnë se decentralizimi i thellë ose federalizmi nuk janë mekanizma të shpërbërjes, por instrumente për ruajtjen e unitetit përmes njohjes së pluralitetit.
Në Belgjikë, dallimet gjuhësore dhe kulturore nuk u mohuan në emër të unitetit. Përkundrazi, ato u institucionalizuan në një sistem ku komunitetet dhe rajonet ushtrojnë kompetenca të gjera, ndërsa shteti vazhdon të funksionojë si një tërësi sovrane. Pikërisht ky është paradoksi që shpesh anashkalohet në Ballkan: uniteti nuk garantohet duke centralizuar pushtetin, por duke ndërtuar institucione që gëzojnë legjitimitet nga të gjitha komunitetet.
Nëse Maqedonia e Veriut synon të konsolidohet si demokraci evropiane, debati për evolucionin e modelit kushtetues nuk duhet të trajtohet si tabu. Ai duhet të zhvillohet mbi bazën e standardeve evropiane, të së drejtës kushtetuese krahasuese dhe të funksionalitetit institucional, jo mbi frikën nga etiketimet politike.
Kjo nuk nënkupton se modeli belg mund të transplantohet mekanikisht në Maqedoninë e Veriut. Çdo shtet ka historinë, strukturën shoqërore dhe dinamikën e vet politike. Megjithatë, përvoja belge ofron një mësim të rëndësishëm: shtetet shumëkombëshe mund të jenë më të qëndrueshme kur kushtetuta e tyre pasqyron realitetin shoqëror, në vend që të përpiqet ta uniformizojë atë.
Nga ky këndvështrim, insistimi kategorik mbi formulën e shtetit unitar mund të shihet si një zgjedhje politike e orientuar drejt ruajtjes së status quo-së. Mbështetësit e kësaj qasjeje argumentojnë se çdo debat për federalizim mund të nxisë polarizim etnik ose të krijojë precedentë në rajon. Nga ana tjetër, përkrahësit e modeleve më të decentralizuara argumentojnë se stabiliteti afatgjatë varet nga aftësia e shtetit për të reflektuar pluralizmin e tij të brendshëm dhe për të siguruar përfaqësim të qëndrueshëm institucional.
Prandaj, pyetja strategjike nuk është nëse Maqedonia e Veriut duhet të mbetet një shtet i bashkuar. Pyetja është nëse forma aktuale e organizimit kushtetues është më e përshtatshmja për ta ruajtur atë në dekadat që vijnë. Ky është një debat legjitim në çdo demokraci pluraliste dhe meriton të zhvillohet me argumente, me krahasime ndërkombëtare dhe me respekt për të gjitha komunitetet që përbëjnë shtetin.
3. Pse diplomacia perëndimore i druhet debatit për federalizimin?
Qëndrimi i diplomacisë euroatlantike nuk buron domosdoshmërisht nga bindja se modeli unitar është më funksionali. Ai lidhet, mbi të gjitha, me filozofinë e sigurisë që ka dominuar Ballkanin që nga Marrëveshja e Dejtonit (1995) dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë (1999): çdo ndryshim i arkitekturës kushtetuese perceptohet si rrezik potencial për stabilitetin rajonal.
Në këtë logjikë, status quo-ja konsiderohet më pak e kushtueshme sesa hapja e një procesi të ri kushtetues, edhe nëse modeli ekzistues prodhon tensione të vazhdueshme.
Por kjo qasje ka një kufizim të dukshëm: ajo e ngatërron stabilitetin afatshkurtër me qëndrueshmërinë afatgjatë.
Historia e Evropës dëshmon të kundërtën. Belgjika nuk u bë më e qëndrueshme sepse ruajti centralizimin; ajo u stabilizua pikërisht kur pranoi se shteti nuk mund të funksiononte duke imponuar një identitet të vetëm politik mbi një shoqëri shumëgjuhëshe dhe shumëkombëshe.
Edhe Zvicra nuk ndërtoi unitetin mbi uniformitetin. Përkundrazi, ajo institucionalizoi dallimet gjuhësore, fetare dhe kulturore, duke i shndërruar ato në elemente të rendit kushtetues.
Ky është mësimi që duket se mungon ende në qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.
4. Paradoksi maqedonas
Paradoksi është i qartë.
Nga njëra anë, partnerët euroatlantikë pranojnë se shqiptarët janë faktor shtetformues, pa të cilët nuk do të ishte i mundur zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, anëtarësimi në NATO dhe ruajtja e orientimit perëndimor të shtetit.
Nga ana tjetër, po këta partnerë vazhdojnë të mbështesin një koncept kushtetues që e trajton shtetin sikur ai të ishte homogjen.
Ky dualizëm prodhon një kontradiktë të vazhdueshme.
Në praktikë, pushteti ndahet mbi baza etnike, ndërsa në teori vazhdohet të flitet për një republikë unitare.
Pra, realiteti politik është konsociacional, ndërsa diskursi kushtetues mbetet unitar.
Ky hendek është burim i krizave të përsëritura politike.
5. Marrëveshja e Ohrit si fazë kalimtare
Në retrospektivë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit mund të shihet jo si destinacioni përfundimtar, por si një kompromis tranzitor.
Ajo ndali konfliktin e vitit 2001 dhe krijoi mekanizma bashkëqeverisjeje.
Por nuk e zgjidhi pyetjen themelore: Çfarë shteti synon të jetë Maqedonia e Veriut?
a.] Një shtet kombëtar me elemente të kufizuara të ndarjes së pushtetit?
b.] Apo një shtet shumëkombësh që e ndërton legjitimitetin mbi barazinë kushtetuese të komuniteteve të tij?
Kjo pyetje mbetet ende pa përgjigje.
6. Përgjegjësia politike e elitës maqedonase
Në vend që ta trajtojë federalizimin si kërcënim, elita politike maqedonase – përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në – do të duhej ta shihte atë si një instrument të mundshëm për konsolidimin e shtetit.
Federalizmi nuk do të nënkuptonte dobësim të sovranitetit. Përkundrazi. Ai do të mund ta çlironte shtetin nga krizat ciklike të legjitimitetit dhe nga nevoja që çdo konflikt politik të marrë domosdoshmërisht dimension etnik.
Një shtet bëhet më i fortë kur institucionet e tij perceptohen si të drejta nga të gjithë qytetarët dhe komunitetet që e përbëjnë.
7. Sfida për politikën shqiptare
Edhe më e madhe është përgjegjësia e partive shqiptare. Për më shumë se dy dekada, energjia e tyre politike është përqendruar kryesisht në menaxhimin e pushtetit qeveritar dhe në zbatimin teknik të Marrëveshjes së Ohrit.
Ka munguar një vizion kushtetues afatgjatë.
Një forcë politike që pretendon të përfaqësojë shqiptarët nuk mund të kufizohet në negociimin e posteve ministrore apo të mekanizmave administrativë të ndarjes së pushtetit. Misioni i saj historik duhet të jetë hartimi i një projekti të ri kushtetues për shtetin. Një projekt që nuk ndërtohet kundër maqedonasve, por bashkë me ta; që nuk synon copëtimin e shtetit, por krijimin e një rendi politik ku asnjë komunitet të mos ndihet i nënshtruar ndaj vullnetit të shumicës dhe ku barazia politike të mos mbetet vetëm parim formal, por të shndërrohet në themel të arkitekturës kushtetuese.
Vetëm në këtë mënyrë federalizmi mund të paraqitet jo si një platformë etnike apo si instrument për ndarje territoriale, por si një projekt evropian për modernizimin institucional të Maqedonisë së Veriut. Përvoja e demokracive shumëkombëshe dëshmon se stabiliteti afatgjatë nuk garantohet nga centralizimi, por nga ndërtimi i mekanizmave kushtetues që prodhojnë besim, bashkëqeverisje dhe partneritet të barabartë ndërmjet komuniteteve shtetformuese.
Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse Maqedonia e Veriut do të mbetet shtet unitar apo do të evoluojë drejt një modeli federal. Pyetja thelbësore është nëse modeli aktual kushtetues do të jetë në gjendje t’u rezistojë sfidave të dekadave të ardhshme, apo nëse evoluimi kushtetues do të shndërrohet, herët a vonë, në një domosdoshmëri historike. Nëse vazhdon të injorohet kërkesa legjitime e shqiptarëve për status të barabartë shtetformues, ky evolucion nuk do të jetë më rezultat i një reforme të planifikuar, por i presionit të realitetit politik dhe shoqëror.
Në një skenar të tillë, do të bëhej i pashmangshëm rishikimi i të gjithë platformës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Sepse kërkesa për federalizim përfaqëson, në thelb, shprehjen më të lartë të racionalitetit politik të shqiptarëve: një përpjekje për ta ruajtur shtetin përmes transformimit të tij demokratik, e jo përmes shpërbërjes së tij. Mirëpo ky racionalitet nuk duhet ngatërruar me heqjen dorë nga aspiratat historike të kombit shqiptar. Ideali i bashkimit kombëtar mbetet pjesë e ndërgjegjes historike shqiptare dhe nuk është zhbërë nga proceset politike të deritanishme. Përkundrazi, ai mund të rikthehet në rendin e ditës me forcë të re nëse mbyllen të gjitha rrugët për arritjen e barazisë kushtetuese, të statusit të plotë shtetformues dhe të një perspektive reale për zhvillim demokratik brenda Maqedonisë së Veriut.
7.1 Studentët si pararojë e një paradigme të re kushtetuese
Protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e statusit të gjuhës shqipe nuk ishin thjesht reagim ndaj një çështjeje ligjore apo administrative. Ato shprehën një shqetësim më të thellë: perceptimin se arritjet e fituara pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nuk janë të pakthyeshme dhe se barazia kushtetuese mbetet ende e varur nga vullneti i shumicës politike.
Edhe më domethënëse ishte jehona që këto protesta gjetën në hapësirën mbarëshqiptare. Solidariteti i shprehur nga studentët e universiteteve në Tiranë dhe në Prishtinë dëshmoi se çështja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk perceptohet më si një problem lokal, por si pjesë e një debati më të gjerë mbi të drejtat kolektive, barazinë qytetare dhe arkitekturën demokratike të shteteve shumëkombëshe në Ballkan.
Ky mobilizim nuk duhet lexuar si shfaqje e nacionalizmit romantik. Ai mund të interpretohet si shprehje e një vetëdijeje të re politike, sipas së cilës garancitë kushtetuese nuk mund të mbështeten vetëm në marrëveshje politike të përkohshme, por kërkojnë institucione që sigurojnë barazi të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Në këtë kontekst, debati mbi federalizimin fiton një dimension të ri. Ai nuk paraqitet më vetëm si një propozim teorik për reformimin e shtetit, por si një përgjigje e mundshme ndaj krizës së besimit në aftësinë e modelit aktual për të garantuar në mënyrë të qëndrueshme të drejtat dhe pjesëmarrjen e barabartë të komuniteteve.
Nëse tendencat aktuale të centralizimit vazhdojnë dhe nëse mekanizmat e ndërtuar mbi Marrëveshjen e Ohrit perceptohen si të cenueshëm nga ndryshimet e shumicave politike, atëherë presioni shoqëror për një rikonceptim të rendit kushtetues ka gjasa të rritet. Në këtë kuptim, federalizimi mund të shfaqet gjithnjë e më shumë në debatin publik si një alternativë që meriton shqyrtim serioz.
Nga kjo perspektivë, mund të argumentohet se debati për federalizimin po fiton rëndësi jo vetëm në rrafshin teorik, por edhe në vetëdijen politike të një pjese të brezit të ri shqiptar. Nëse ky perceptim do të konsolidohet në vitet e ardhshme, atëherë ai mund të shndërrohet në një nga temat qendrore të debatit kushtetues në Maqedoninë e Veriut.
Prandaj, protesta për gjuhën shqipe mund të shihet jo vetëm si mbrojtje e një të drejte të fituar, por edhe si sinjal se modeli i deritanishëm i bashkëjetesës po përballet me kërkesa të reja për legjitimitet institucional. Në këtë kuptim, debati për federalizimin nuk duhet reduktuar në një çështje identitare. Ai lidhet me pyetjen themelore se si mund të ndërtohet një shtet ku barazia ndërmjet komuniteteve të mos varet nga balancat e përkohshme politike, por të garantohet nga vetë rendi kushtetues.
8. Federalizimi si interes gjeopolitik i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian
Një nga paradokset më të mëdha të politikës perëndimore në Ballkan është se ajo vazhdon të mbrojë forma kushtetuese të ndërtuara në fillim të viteve ’90, ndërkohë që vetë arkitektura strategjike e Evropës ka ndryshuar rrënjësisht.
Agresioni rus kundër Ukrainës ka rikthyer gjeopolitikën në qendër të politikës evropiane. Siguria nuk kuptohet më vetëm si mbrojtje ushtarake e kufijve, por si aftësi e shteteve për të ndërtuar institucione rezistente ndaj ndërhyrjeve të jashtme, polarizimit të brendshëm dhe manipulimit politik.
Në këtë kuptim, pyetja nuk është më nëse Maqedonia e Veriut është shtet unitar apo jo.
Pyetja reale është nëse modeli aktual kushtetues prodhon një shtet mjaftueshëm rezistent ndaj sfidave të shekullit XXI.
Përgjigjja nuk është e vetëkuptueshme.
8.1 Në tryezë apo në menu: Federalizimi si kusht për mbijetesën gjeopolitike të Maqedonisë së Veriut
Fjalët që kryeministri kanadez Mark Carney ua drejtoi fuqive të mesme në Davos në janar përmbledhin në mënyrë lapidare logjikën e rendit të ri ndërkombëtar: “Kushdo që nuk është ulur në tryezën e negociatave, rrezikon të përfundojë në menynë e tryezës së darkës.” Ky nuk është thjesht një aforizëm diplomatik. Është një paralajmërim për shtetet që mbeten peng të krizave të brendshme dhe paaftësisë për të ndërtuar një arkitekturë të qëndrueshme politike.
Pikërisht në këtë prizëm duhet parë edhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut. Ballkani po hyn në një fazë të re rivaliteti gjeopolitik, ku fuqitë e mëdha dhe ato të mesme po përpiqen të zgjerojnë hapësirën e ndikimit të tyre. Një shtet me institucione të brishta, me tensione të pazgjidhura ndëretnike dhe me varësi strategjike nga qendra të jashtme vendimmarrjeje, nuk mund të jetë subjekt i kësaj loje; ai rrezikon të shndërrohet në objekt të saj.
Prandaj, përpara se të përfundojë në “menynë” e pazareve gjeopolitike, Maqedonia e Veriut duhet ta përmbyllë procesin e saj konstitucional shtetformues. Ky proces nuk mund të mbështetet më në formulat e konsumit të Marrëveshjes së Ohrit, por duhet të ndërtohet mbi parimin e vetëvendosjes demokratike të komuniteteve përbërëse dhe të fqinjësisë së mirë, si me Bullgarinë, ashtu edhe me Shqipërinë e Kosovën.
Federalizimi, në këtë kuptim, nuk është projekt ndarjeje dhe as kërcënim për integritetin territorial të shtetit. Përkundrazi, ai përfaqëson fazën e pjekurisë kushtetuese të një shteti shumëkombësh, ku barazia politike zëvendëson dominimin etnik dhe ku legjitimiteti buron nga bashkëqeverisja e lirë, jo nga imponimi i shumicës.
Po aq i rëndësishëm është çlirimi i Shkupit nga raporti i vasalitetit strategjik ndaj Beogradit. Për aq kohë sa elita politike maqedonase e koncepton Serbinë si qendrën e saj natyrore të gravitetit politik, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbetet hallka më e dobët e arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm duke u emancipuar nga kjo varësi dhe duke ndërtuar marrëdhënie të barabarta me të gjithë fqinjët, shteti mund të fitojë autonominë strategjike që kërkon epoka e re gjeopolitike.
Federalizimi, i kombinuar me integrimin euroatlantik dhe me një politikë të jashtme të pavarur nga ndikimet hegjemone rajonale, nuk është vetëm garanci për barazinë e shqiptarëve. Ai është garancia më e mirë për vetë mbijetesën e Maqedonisë së Veriut si shtet funksional, sovran dhe demokratik. Në të kundërtën, çdo shtyrje e këtij transformimi do ta bëjë vendin gjithnjë e më të cenueshëm ndaj rivaliteteve të jashtme dhe gjithnjë e më pak zot të fatit të vet.
8.2 Dobësia institucionale si rrezik strategjik
Në doktrinat bashkëkohore të NATO-s, cenueshmëria institucionale përbën një kërcënim të sigurisë po aq serioz sa kërcënimet ushtarake.
Shtetet që karakterizohen nga konflikte të pazgjidhura identitare, nga mungesa e konsensusit kushtetues dhe nga polarizimi i vazhdueshëm politik janë më të ekspozuara ndaj operacioneve hibride, dezinformimit dhe ndikimit të aktorëve revizionistë.
Maqedonia e Veriut është një shembull tipik i kësaj dileme.
Ajo është anëtare e NATO-s, por ende nuk ka ndërtuar një identitet kushtetues që të gëzojë legjitimitet të plotë në të gjitha segmentet e shoqërisë.
Ky hendek institucional krijon hapësirë për aktorë të jashtëm që kërkojnë të dobësojnë orientimin euroatlantik të vendit.
8.3 Federalizimi si mekanizëm i rezistencës demokratike
Në debatin publik ballkanik federalizimi paraqitet shpesh si sinonim i fragmentimit territorial.
Në teorinë moderne të shtetit ndodh e kundërta.
Federalizmi është një mekanizëm për shpërndarjen e pushtetit në mënyrë që konfliktet politike të zgjidhen institucionalisht dhe jo përmes krizave të përsëritura.
Ai prodhon më shumë qendra legjitimiteti, më shumë përgjegjësi politike dhe më shumë besim ndërmjet komuniteteve.
Një shtet ku komunitetet ndihen bashkëpronare të rendit kushtetues është shumë më pak i cenueshëm nga ndikimet e jashtme.
Në këtë kuptim, federalizimi nuk është kompromis me dobësinë.
Ai është investim në rezistencën strategjike të shtetit.
8.4 Interesi i NATO-s
Nëse NATO e konsideron Ballkanin pjesë të hapësirës së saj të sigurisë kolektive, atëherë interesi i saj nuk duhet të kufizohet në mbrojtjen fizike të territorit.
Po aq i rëndësishëm është ndërtimi i shteteve funksionale.
Një Maqedoni e Veriut me institucione që gëzojnë besimin e të gjitha komuniteteve është një aleat më i fortë sesa një shtet që funksionon mbi balanca të përkohshme politike.
Siguria kolektive nuk matet vetëm me numrin e ushtarëve apo të pajisjeve ushtarake.
Ajo matet edhe me nivelin e kohezionit institucional.
Në këtë aspekt, federalizimi mund të kuptohet si një reformë e sigurisë demokratike.
8.5 Interesi i Bashkimit Evropian
Edhe Bashkimi Evropian ka arsye të rishikojë qasjen e tij.
Politika tradicionale e zgjerimit është mbështetur mbi stabilitetin institucional. Por stabiliteti nuk është më sinonim i ruajtjes së status quo-së.
Përvoja e dekadës së fundit ka treguar se demokracitë formalisht stabile mund të jenë në të njëjtën kohë politikisht të brishta.
Një rend kushtetues që prodhon mosbesim të vazhdueshëm ndërmjet komuniteteve nuk është model evropian; ai është vetëm një kompromis i përkohshëm.
Nëse Bashkimi Evropian dëshiron partnerë afatgjatë në Ballkan, ai duhet të inkurajojë reforma që rrisin legjitimitetin demokratik, jo vetëm efikasitetin administrativ.
9. Një model për shekullin XXI
Federalizimi nuk duhet parë si rikthim në debatet etnike të shekullit XX.
Ai duhet konceptuar si pjesë e transformimit të shtetit në epokën e globalizimit.
Shtetet moderne nuk maten më nga niveli i centralizimit. Ato maten nga aftësia për të menaxhuar kompleksitetin.
Belgjika nuk është më pak shtet sepse është federatë.
Zvicra nuk është më pak sovrane sepse pushteti ndahet ndërmjet kantoneve.
Gjermania nuk është më pak funksionale sepse landët ushtrojnë kompetenca të gjera.
Përkundrazi.
Pikërisht kjo arkitekturë u ka dhënë atyre stabilitet, elasticitet institucional dhe aftësi përshtatëse.
Maqedonia e Veriut duhet të shtrojë të njëjtën pyetje:
A është modeli i saj kushtetues produkt i nevojave të së ardhmes, apo mbetje e kompromisit të një epoke që po përfundon?
Nëse përgjigjja është kjo e dyta, atëherë debati për federalizimin nuk është luks akademik.
Ai bëhet pjesë e strategjisë për ndërtimin e një shteti më funksional, më demokratik dhe më rezistent ndaj sfidave të reja gjeopolitike.
10. Përfundim
Historia kushtetuese e Evropës dëshmon se shtetet shumëkombëshe nuk janë bërë më të qëndrueshme duke mohuar pluralitetin e tyre, por duke e institucionalizuar atë. Belgjika, Zvicra dhe, në forma të ndryshme, edhe shtete të tjera evropiane, kanë ndërtuar modele ku ndarja e kompetencave dhe garantimi i autonomisë nuk e kanë dobësuar sovranitetin, por e kanë forcuar legjitimitetin e rendit kushtetues.
Maqedonia e Veriut gjendet sot përballë një dileme të ngjashme. Marrëveshja e Ohrit siguroi paqen dhe krijoi bazat e bashkëjetesës, por nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e modelit të shtetit. Për këtë arsye, debati mbi evolucionin kushtetues nuk duhet demonizuar. Përkundrazi, ai duhet të zhvillohet si pjesë e procesit të konsolidimit demokratik dhe të përafrimit me standardet evropiane të qeverisjes.
Federalizimi, në këtë kuptim, nuk është sinonim i fragmentimit. Ai mund të konceptohet si një mekanizëm për shpërndarjen e përgjegjësisë politike, rritjen e legjitimitetit institucional dhe forcimin e rezistencës së shtetit ndaj ndërhyrjeve të jashtme. Në një epokë ku kërcënimet hibride dhe polarizimi shoqëror janë bërë elementë të sigurisë kombëtare, aftësia për të ndërtuar institucione gjithëpërfshirëse është po aq e rëndësishme sa kapaciteti ushtarak.
Federalizimi nuk duhet konceptuar si objektiv i shqiptarëve, por si faza e dytë e procesit të shtetformimit të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e Ohrit (2001) përfaqësoi fazën e parë: ndalimin e konfliktit dhe institucionalizimin minimal të barazisë. Faza e dytë do të ishte ndërtimi i një rendi kushtetues që e bën këtë barazi strukturore, të qëndrueshme dhe të pavarur nga ndryshimet e shumicave politike. Vetëm në këtë mënyrë shteti mund të fitojë legjitimitet të plotë si një bashkësi politike e përbashkët e maqedonasve, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
Prandaj, pyetja që duhet t’i shtrohet elitës politike të Shkupit, por edhe partnerëve euroatlantikë, nuk është nëse duhet ruajtur uniteti i Maqedonisë së Veriut. Pyetja është se cili model kushtetues e garanton më mirë këtë unitet në dekadat që vijnë. Nëse përgjigjja kërkohet pa paragjykime ideologjike dhe mbi bazën e përvojës evropiane, atëherë federalizimi nuk mund të përjashtohet apriori nga horizonti i reformave të mundshme.
Pikërisht për këtë arsye, debati mbi federalizimin nuk duhet të mbetet më një tabu politike. Ai duhet të bëhet pjesë e reflektimit strategjik mbi të ardhmen e shtetit, të demokracisë dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Bibliografi përzgjedhëse
- Arend Lijphart. Patterns of Democracy: Government Forms and Performance in Thirty-Six Countries. 2nd ed. Yale University Press, 2012.
- Ronald L. Watts. Comparing Federal Systems. 3rd ed. McGill–Queen’s University Press, 2008.
- Brendan O’Leary. A Treatise on Northern Ireland, Volume I: Colonialism. Oxford University Press, 2019. (Për trajtimin bashkëkohor të konsociacionalizmit dhe ndarjes së pushtetit.)
- Donald L. Horowitz. Ethnic Groups in Conflict. 2nd ed. University of California Press, 2000.
- Ernest Gellner. Nations and Nationalism. Blackwell, 1983.
- Samuel P. Huntington. Political Order in Changing Societies. Yale University Press, 1968.
- Federata Shqiptare – Shteti-komb në BE , Albanica, 2016.
- Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2001).
- Kushtetuta e Mbretërisë së Belgjikës (versioni i konsoliduar).
