Nga Dan GASHI / Njujork
Marrëveshja e Trumpit me iranianët mund të mos materializohet fare, pasi ka shumë mundësi që ajo të prishet që në ditët apo javët e para.
Ekziston një probabilitet i lartë që Izraeli ta sabotojë atë, nisur nga deklarata e Netanyahut se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga Libani Jugor, i cili aktualisht ndodhet nën pushtimin izraelit. Edhe negociatat me Teheranin mbi programin e tij bërthamor, gjegjësisht dorëzimi i disa qindra kilogramëve uranium të pasuruar, si dhe shumat diskutabile të dëmshpërblimeve dhe fondeve të ngrira mund ta minojnë tërë marrëveshjen.
Presidenti Donald Trump ndoshta ka nënshkruar marrëveshjen më të pafavorshme për SHBA-në me Iranin, çka reflekton se sa i dëshpëruar ishte ai për të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të rinisur qarkullimin e transportit detar botëror, me shpresën e uljes së çmimeve të naftës. Sipas raportimeve të së dielës mbrëma, më 14 qershor, duket se ai dhe Irani kanë rënë dakord përkohësisht për një marrëveshje që tashmë po cilësohet si një “memorandum 60-ditor”, duke pasur parasysh dritaren e mundësive për ta bindur Teheranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Të dyja palët parimisht kanë rënë dakord dhe kanë nënshkruar memorandumin 60-ditor, por momenti i lehtësimit mund të jetë i përkohshëm, pasi përpara ka shumë pengesa që mund ta prishin atë në çdo kohë. Pyetja se kush po e drejton vërtet politikën e jashtme të Amerikës, veçanërisht në Lindjen e Mesme; mund të marrë përgjigje në ditët apo javët në vijim, pasi marrëdhënia e Trumpit me Benjamin Netanyahun do të jetë thelbësore për çdo përparim.
Një mori analistësh të mirënjohur theksojnë se Netanyahu do ta prishë armëpushimin menjëherë pas nënshkrimit, gjë që u konfirmua edhe nga vetë deklarata e tij, një ditë pas arritjes së marrëveshjes. Izraeli mund të inskenojë lehtësisht një sulm të rremë (false flag) për ta mashtruar Trumpin se iranianët janë ata që e shkelën marrëveshjen, duke e detyruar kështu atë t’i bashkohet Izraelit për t’u rikthyer në luftë. Që marrëveshja të qëndrojë në fuqi, Izraeli duhet të ndalojë luftën kundër Hezbollahut në Liban, dhe te terhiqet nga Jugu i Libanit, gjë që është mjaft e vështirë po të merret parasysh se ky konflikt është i vetmi pretekst që Netanyahu ka për të qëndruar në detyrë dhe për të shmangur akuzat për korrupsion që mund ta çojnë atë në burg.
Problemi i vërtetë me marrëveshjen është mungesa e besimit që iranianët kanë ndaj Trumpit. Ata nuk besojnë se marrëveshja mund të zgjasë, edhe nëse nënshkruhet faza e dytë e saj dhe ata heqin dorë nga e drejta për të pasuruar uranium. Ata tashmë kanë mjaft prova se çdo gjë që thotë dhe bën Trumpi është një mashtrim, dhe se një marrëveshje paqeje e nënshkruar brenda 60 ditëve do të vlejë vetëm deri në zgjedhjet paraprake ose deri në goditjen e radhës politike që do të rrezikonte pushtetin e tij. Megjithatë, në një afat më të shkurtër, duket se Irani ka siguruar një marrëveshje të jashtëzakonshme e cila, nëse respektohet, mund t’u sigurojë atyre 300 miliardë dollarë amerikanë si kompensim për rindërtimin dhe 24 miliardë dollarë të tjerë që do t’u kthehen nga fondet e ngrira që SHBA-ja mbante të sekuestruara.
Rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të jetë një lehtësim për Trumpin, pasi tregtia globale e naftës mund të fillojë t’i kthehet normalitetit, megjithëse ekspertët thonë se ky proces mund të zgjasë me muaj. Bindja e ndërmjetësve ndërkombëtarë të sigurimeve në Londër se të tria palët (SHBA-ja, Izraeli dhe Irani) do t’i mbajnë ngushticat e hapura do të jetë e vështirë; prandaj pritet që bashkëpunëtorët kryesorë të Trumpit të përdorin të gjithë influencën e tyre për të bërë presion mbi industrinë botërore të sigurimeve me seli në Londër.
Në perspektivën afatgjatë gjeopolitike, marrëveshja është e disfavorshme për Amerikën, pasi mbështet tezën se Trumpi, përmes sulmeve të tij, e ka shndërruar Iranin në një lloj fuqie të katërt botërore. Me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, heqjen e sanksioneve amerikane mbi naftën dhe imponimin politik e strategjik ndaj shteteve të Gjirit, ky status po konfirmohet dhe Irani po kthehet në një realitet të pashmangshëm gjeopolitik në rajon.
Ironikisht, askush nuk do të përfitojë më shumë sesa elitat e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit. GCC-së (Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit), tani do ta shohin Iranin si një fuqi rajonale ndaj së cilës duhet të tregojnë respekt, duke e konsideruar atë si fituesin e kësaj të ashtuquajture ‘luftë e Iranit’ me SHBA-në dhe Izraelin. Përpara 28 shkurtit, Irani nuk e kontrollonte Ngushticën e Hormuzit dhe shihej thjesht si një rival ushtarak nga shtetet e Gjirit, të cilat strehonin baza amerikane në territoret e tyre. Tani Irani do të përfitojë nga fonde gjigante për ringjalljen e ekonomisë së tij, ndërsa përgjatë kësaj kohe programi i tij i raketave jo vetëm që do të rritet, por do të pësojë avancime të mëdha. Irani do ta forcojë ushtrinë e tij më shumë se kurrë, duke e ditur se në çdo moment SHBA-ja, Izraeli dhe Perëndimi mund të tentojnë sërish një “ndryshim regjimi” ose që trupat amerikane të sulmojnë ishullin Kharg.
Trumpi, i shtyrë nga Netanyahu, përmes konfliktit me Iranin paradoksalisht ka përfunduar duke forcuar ekonominë iraniane, duke zgjeruar kontrollin e tij ushtarak rajonal dhe duke e bërë forcën politike të regjimit të tij brenda vendit edhe më radikale. Me këtë marrëveshje, Trumpi dëshiron të bindë veten dhe krahun politik që përfaqëson se nuk është dorëzuar, por se po ndjek një strategji politike që të tjerët nuk e kuptojnë ose duan ta demonizojnë. Ajo që po dëshmohet tani është një pikë e re kritike në historinë moderne të SHBA-së. Amerika po hyn në një kthesë të re në rrugëtimin e saj larg udhëheqjes hegemone të viteve të pasluftës, dhe Trumpi rrezikon të hyjë në librat e historisë si një politikan i dështuar, egoja e të cilit shërbeu si katalizator për këtë proces.
