Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Rasti i Serbisë në dekadën e fundit përbën një nga shembujt më domethënës të transformimit të regjimeve hibride në Europën Juglindore. Në literaturën e tranzicionit postkomunist, Serbia shpesh është analizuar si shtet që kombinon elemente të demokracisë elektorale me tipare të konsolidimit autoritar, duke ruajtur njëkohësisht fleksibilitet të lartë në politikën e jashtme. Një kopje e mirë e Jugosllavisë së Titos. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike, diplomatike dhe shoqërore sugjerojnë se ky model po hyn në një fazë erozioni të avancuar.
Ngjarjet që përfshijnë opinionin e Aleksandar Vuçiqit të publikuar në Fox News, reagimin ideologjik të Aleksandar Duginit, tensionet me Kishën Ortodokse Serbe dhe protestat e dhunshme në Beograd, të cilat degjeneruan në përplasje fizike dhe zjarrëvënie, duhet të lexohen si simptoma të një krize strukturore të shumëfishtë.
Këto zhvillime nuk janë të izoluara, por pjesë e një dinamike më të gjerë të rikonfigurimit të pozitës së Serbisë në rendin ndërkombëtar dhe të brishtësisë së saj të brendshme institucionale.
Qëllimi i kësaj analize është të interpretojë këto zhvillime përmes kornizave teorike të sovranizmit oportunist, regjimeve hibride dhe gjeopolitikës së balancimit të fuqive.
1. Serbia si regjim hibrid dhe strategji e balancimit të jashtëm
Në kuptimin e literaturës mbi regjimet hibride (Levitsky & Way, 2010), Serbia përfaqëson një sistem ku institucionet demokratike ekzistojnë formalisht, por janë të mbivendosura nga kontrolli i centralizuar politik dhe dominimi i ekzekutivit. Nën udhëheqjen e Vuçiqit, ky model është konsoliduar përmes kontrollit të mediave, dominimit të partisë në pushtet dhe personalizimit të vendimmarrjes politike. De fakto Serbia është modeli par exelancë i sistemit parti-shtet.
Në planin e jashtëm, Serbia ka ndjekur një strategji të “balancimit të shumëfishtë” (multi-vector balancing), duke u ulur në disa karriga njëkohësisht, respektivisht duke ruajtur marrëdhënie ekonomike dhe politike me Bashkimin Europian, me SHBA-të, pastaj bashkëpunim strategjik me Rusinë dhe duke u hapur portat investimeve nga Kina. Ky model ka funksionuar si mekanizëm mbijetese politike, duke i lejuar Beogradit të maksimizojë përfitimet nga rivalitetet globale.
Megjithatë, sipas teorisë së sovranizmit oportunist, kjo strategji është e qëndrueshme vetëm në kushte të multipolaritetit të butë. Në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më të polarizuar, hapësira për ambiguitet strategjik ngushtohet ndjeshëm.
2. Ripozicionimi ideologjik dhe rritja e tensioneve gjeopolitike
Artikulli i Vuçiqit në Fox News, ku ai shpreh afërsi me filozofinë politike të Donald Trumpit dhe me sovranizmin populist amerikan, duhet interpretuar si përpjekje për ripozicionim ideologjik në një sistem ndërkombëtar në transformim. Kjo lëvizje synon të integrojë Serbinë në një rrjet të ri transnacional të së djathtës sovraniste, i cili sfidon rendin liberal të pas-Luftës së Ftohtë.
Reagimi i ashpër i Aleksandr Dugin-it, i cili e delegjitimon Vuçiçin si aktor të pabesueshëm politik dhe pa legjitimitet, sinjalizon një tension të rëndësishëm brenda boshtit tradicional ruso-serb. Në terma realistë të marrëdhënieve ndërkombëtare (Mearsheimer, 2001), kjo përfaqëson një moment rishpërndarjeje të besnikërive në një sistem të pasigurt multipolar.
Serbia, në këtë kontekst, po kalon nga statusi i aleatit të stabilizuar të Rusisë në një aktor të lëkundur që kërkon autonomi strategjike më të madhe, duke rritur kështu perceptimin e saj si partner i pasigurt për Moskën.
Deklarata e Aleksandar Vuçiqit, ku Serbia paraqitet si ofruese e “thellësisë strategjike, stabilitetit politik dhe një qeverie të orientuar drejt zbatimit” për Shtetet e Bashkuara, është një formulim që tejkalon gjuhën e zakonshme diplomatike dhe hyn në territorin e ripozicionimit të vetë shtetit serb në rendin gjeopolitik global.
Në nivel analitik, kjo gjuhë tregon një përpjekje për ta transformuar Serbinë nga një aktor periferik i Ballkanit në një “aset funksional” të politikës amerikane në Europën Juglindore. Termat si “thellësi strategjike” dhe “qeveri e zbatimit” nuk janë neutrale: ato janë kategori që i referohen logjikës së sigurisë dhe efikasitetit administrativ, jo domosdoshmërisht demokracisë apo afinitetit vleror. Në këtë kuptim, Serbia po ofrohet jo si partner normativ i Perëndimit, alias SHBA-ve, por si partner instrumental.
Ky ripozicionim lidhet drejtpërdrejt me strategjinë afatgjatë të Vuçiqit për balancim ndërmjet fuqive të mëdha. Për vite me radhë, Beogradi ka ndërtuar një politikë të jashtme të bazuar në “multivektoritet”: ruajtje të lidhjeve me Rusinë, integrim ekonomik me Bashkimin Europian dhe hapje selektive ndaj SHBA-ve. Por ky model po përballet me kufizime të reja strukturore. Polarizimi i sistemit ndërkombëtar, veçanërisht pas rikthimit të rivaliteteve të forta gjeopolitike, po e bën gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e një pozicioni të njëkohshëm në disa kampe.
Në këtë kontekst, oferta e Serbisë ndaj SHBA-ve mund të lexohet si përpjekje për sigurim strategjik në një moment pasigurie të shtuar. Duke u paraqitur si “qeveri e orientuar drejt zbatimit”, Vuçiqi synon të projektojë imazhin e një partneri të parashikueshëm, të centralizuar dhe të aftë për të marrë vendime të shpejta – tipare që shpesh vlerësohen në logjikën pragmatiste të politikës së jashtme amerikane.
Megjithatë, pikërisht këtu qëndron edhe tensioni kryesor i këtij pozicionimi. Nga njëra anë, Serbia kërkon të fitojë kapital gjeopolitik duke u ofruar si faktor stabiliteti në Ballkan; nga ana tjetër, ky stabilitet është i ndërtuar mbi një sistem të brendshëm politik të centralizuar, i cili shpesh kritikohet si i mbyllur dhe i personalizuar. Kjo krijon një paradoks të dukshëm: sa më shumë që Serbia përpiqet të shfaqet si garant i stabilitetit rajonal, aq më shumë debatohet natyra e stabilitetit të saj të brendshëm. Demonstrata e së shtunës që lamë pas në Beograd e dëshmoi brishtësinë e pushtetit në plan të gjerë dhe mundësinë reale të rrëshqitjes së vendit drejt një lufte civile.
Në aspektin individual, kjo situatë e vendos Vuçiqin në një pozitë të ndërlikuar strategjike. Ai nuk po negocion vetëm pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, por edhe vazhdimësinë e modelit të tij të qeverisjes. Çdo ripozicionim i madh gjeopolitik – qoftë afrimi më i madh me SHBA-të apo ruajtja e ekuilibrit me Rusinë – ka pasoja të drejtpërdrejta në arkitekturën e brendshme të pushtetit dhe në raportin e tij me elitat politike, institucionet tradicionale dhe opinionin publik.
Ndërkaq ashpërsimi i gjuhës së tij me krerët e Kishës [audioja ku Vuçiqi fyen keq Sava Janjiqin dhe krerët tjerë të Kishës] flet shhumë për pozitën e tij tejet të ndërlikuar tashmë në rrafshin edhe ideologjik e shpirtëror, por automatikisht edhe në atë të marrëdhënieve me Rusinë.
Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiqit nuk duhet të shihet dhe nuk është thjesht një mesazh drejtuar vetëm Washington-it, por ajo është edhe një sinjal i brendshëm politik. Ajo tregon një lidership që po përpiqet të riformatojë narrativën e Serbisë në një moment kur hapësira e manovrës strategjike po ngushtohet. Dhe pikërisht kjo e bën situatën e Vuçiqit jo vetëm një çështje të politikës së jashtme, por edhe një çështje të mbijetesës politike në një sistem gjithnjë e më të polarizuar.
3. “Evropa në krizë, SHBA pragmatike: narrativa strategjike e Vučićit për ripozicionimin e Serbisë”
“Nga Brukseli në Berlin, një rrymë shqetësuese përbuzjeje ka zënë rrënjë. Pjesa më e madhe e establishmentit evropian e sheh filozofinë “Amerika e Para” me një përzierje konfuzioni dhe armiqësie. Bisedat e reja për “autonomi strategjike” në kontinent janë një mënyrë e sjellshme për ta distancuar Evropën nga një Uashington që kërkon rezultate në vend të retorikës.”
Ky është teksti i paragrafit të parë të opinionit të publikuar tek Foxnews nga ana e Aleksandar Vuçiqit më 22 maj.
Ky paragraf i këtij opinioni është një shembull tipik i diplomacisë publike të personalizuar, ku një lider shtetëror përdor një platformë mediatike amerikane për të ndërtuar narrativë strategjike mbi rendin ndërkombëtar dhe vendin e vet në të.
Në thelb, teksti operon me tre shtresa kryesore argumentimi: përshkrimore, interpretuese dhe legjitimuese.
3.1 Konstrukti i “ndarjes transatlantike”
Vuçiqi paraqet një ndarje të thelluar mes SHBA-ve dhe Evropës, duke sugjeruar se Brukseli dhe Berlini janë të zhytur në “përbuzje” dhe “konfuzion” ndaj filozofisë “America First”. Ky është një hiperbolizim politik që nuk synon domosdoshmërisht përshkrimin empirik të realitetit, por ndërtimin e një narrative ku SHBA-të shfaqen si aktor më pragmatik dhe Evropa si burokratike dhe reaktive.
Në literaturën e komunikimit politik, kjo është një teknikë e njohur e “framing-ut polarizues”, ku kompleksiteti i marrëdhënieve transatlantike thjeshtohet në një binaritet funksional: Uashingtoni si vendimmarrës efektiv kundrejt Evropës si strukturë e ngadalshme normative.
3.2 Instrumentalizimi i “autonomisë strategjike”
Paragrafi e më tej teksti I opinionit si tërësi, prekin edhe konceptin e “autonomisë strategjike” evropiane, por e interpreton atë në mënyrë kritike, si mekanizëm distancimi nga SHBA-të. Në realitet, ky koncept në diskursin e BE-së është më kompleks: ai synon rritjen e kapaciteteve të pavarura të sigurisë dhe politikës së jashtme, jo domosdoshmërisht shkëputje nga Uashingtoni.
Interpretimi i Vuçiqit e redukton këtë debat në një narrativë dyshimi ndaj besnikërisë euro-atlantike, duke i dhënë Serbisë mundësinë të pozicionohet si aktor “i mirëkuptuar nga SHBA, por i keqkuptuar nga Evropa”.
3.3 Pozicionimi strategjik i Serbisë
Në nivel më të thellë, ky tekst si tërësi nuk flet vetëm për Evropën dhe SHBA-të, por për pozicionimin e vetë Serbisë në këtë hapësirë. Duke theksuar afërsinë potenciale me një Uashington “pragmatik” dhe duke nënvizuar distancën nga “establishmenti evropian”, Serbia projekton veten si partner fleksibël, i aftë të komunikojë drejtpërdrejt me qendrën e fuqisë amerikane.
Kjo është në përputhje me strategjinë e gjatë të Beogradit për të maksimizuar hapësirën e manovrës përmes një politike të jashtme shumë-vektoriale.
3.4 Dimensioni diskursiv: Evropa si “aktor i dobësuar”
Përdorimi i termave si “përbuzje”, “konfuzion” dhe “distancim i sjellshëm” krijon një imazh të Evropës si aktor në krizë të vetëperceptimit strategjik. Kjo është një figurë diskursive e njohur në retorikën politike bashkëkohore, sidomos në narrativat që kërkojnë të theksojnë zhvendosjen e qendrës së gravitetit global drejt SHBA-ve dhe aktorëve të tjerë të fuqisë.
Rrjedhimisht opinioni i Vuçiqit si tërësi duhet lexuar jo si analizë neutrale e marrëdhënieve transatlantike, por si instrument i pozicionimit strategjik të Serbisë në një rend global në rikonfigurim. Ai kombinon kritikën ndaj Evropës, afirmimin e pragmatizmit amerikan dhe ndërtimin e një identiteti diplomatik për Serbinë si aktor që na u deshka të kuptohet nga të gjitha palët, por të pranohet edhe i tillë si është!
4. Dugin kundër Vuçiçit: delegjitimimi i neutralitetit strategjik serb në rendin e ri gjeopolitik
Pas publikimit të opinionit të presidentit serb në median amerikane Foxews, pasoi pothuajse brenda orësh, përgjigjia e ashpër nga Moska.
Deklarata e Aleksandr Duginit, ku ai e cilëson Aleksandar Vuçiqin si “prostitutë politike” nuk është thjesht një shpërthim retorik i gjuhës së ashpër ideologjike, por një akt i qartë delegjitimimi politik brenda hapësirës së ndikimit ruso-evropian.
Në planin politik, kjo gjuhë sinjalizon një prishje të perceptimit të Serbisë si aleat i qëndrueshëm strategjik i Rusisë. Në logjikën e aktorëve si Dugin, besnikëria politike nuk matet me marrëdhënie formale diplomatike, por me koherencën ideologjike dhe gatishmërinë për të qëndruar brenda orbitës së projektit gjeopolitik rus. Përdorimi i termit “prostitutë politike” shërben pikërisht për të artikuluar akuzën e tradhtisë strategjike dhe të oportunizmit të tepruar të Beogradit në balancimin mes Perëndimit dhe Lindjes.
Në këtë kuptim, deklarata duhet lexuar si simptomë e tensionit në rritje midis dy logjikave të ndryshme të politikës së jashtme serbe: logjikës pragmatiste të Vuçiqit, e cila synon maksimizimin e përfitimeve përmes balancimit të fuqive, dhe logjikës ideologjike ruse, e cila kërkon besnikëri të qartë në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Sa më shumë që Serbia përpiqet të hapë kanale të reja me Perëndimin, aq më shumë rritet perceptimi në Moskë se Beogradi po largohet nga boshti tradicional i aleancës.
Në një nivel më të gjerë, kjo retorikë tregon edhe degradimin e diskursit publik në hapësirën e politikës gjeopolitike euroaziatike, ku diskreditimi personal i liderëve po zëvendëson analizën strategjike. Por pavarësisht formës së ashpër, mesazhi politik është i qartë: Serbia po hyn në një fazë ku “neutraliteti strategjik” nuk shihet më si virtyt, por si paqartësi dhe potencialisht si mosbesnikëri.
Në këtë kuptim, deklarata e Dugin-it nuk flet vetëm për Vuçiçin si individ politik, por për kufijtë e një modeli të tërë të politikës së jashtme serbe që për vite është mbështetur në ekuilibra të brishtë dhe në ambiguitet të llogaritur.
5. Dimensioni i brendshëm: çarja institucionale dhe kriza e legjitimitetit
Publikimi i audio-incizimeve që tregojnë tensione ndërmjet Vuçiçit dhe Kishës Ortodokse Serbe, alias drejtesve të saj, ka një rëndësi të veçantë analitike. Kisha Ortodokse Serbe historikisht ka funksionuar si një aktor i rëndësishëm i “legjitimitetit simbolik” të nacionalizmit serb dhe si ndërmjetës midis shtetit dhe identitetit kombëtar.
Në momentin kur ky raport tensionohet, kemi të bëjmë me një çarje në strukturën e legjitimitetit ideologjik të shtetit. Sipas literaturës mbi shtetet neo-patrimoniale (Eisenstadt, 1973), stabiliteti i regjimeve të tilla varet nga kohezioni midis institucioneve formale dhe rrjeteve tradicionale të autoritetit. Çarja midis presidencës [politikës] dhe Kishës sinjalizon erozion të këtij kohezioni.
Demonstratat e dhunshme në Beograd [23 maj 2026], të shoqëruara me përleshje fizike dhe zjarrvënie, duhet të interpretohen si fazë e avancuar e erozionit të kohezionit në fjalë dhe marsh drejt radikalizimit politik. Në literaturën mbi mobilizimin social (Tilly, 2004), dhuna protestuese shpesh shfaqet kur kanalet institucionale të përfaqësimit perceptohen si të bllokuara.
Në rastin serb, rikthimi i protestave nuk mund të shihen vetëm si reaksion ndaj politikave qeveritare, por edhe si shprehje e një krize më të thellë të besimit institucional dhe të lodhjes me modelin e centralizuar të pushtetit. Kjo tregon se regjimi po përballet jo vetëm me opozitën politike, por me delegjitimim social në rritje.
6. Implikoimet rajonale dhe rreziku i projeksionit të krizës
Historia e Ballkanit sugjeron se krizat e brendshme në Serbi shpesh kanë pasoja rajonale. Në momentet e tensioneve të brendshme, elitat politike kanë tendencë të përdorin narrativat e jashtme nacionaliste si instrument konsolidimi të brendshëm.
Demonstrata e së shtunës [23 maj 2026] në Kumanovë, i cili shpërfaqte hapur mbështetjen e komunitetit serb të organizuar në një kontekst institucional të Maqedonisë së Veriut dhe të shoqëruar me diskurse politike të afërta me linjën e Aleksandar Vuçiqit, duhet të lexohet brenda një kornize më të gjerë analitike: asaj të ndërthurjes midis krizave të brendshme politike në Serbi dhe projeksionit të tyre në hapësirën rajonale përmes instrumenteve të ndikimit diskursiv dhe identitar.
Megjithatë, rëndësia analitike e këtij fenomeni nuk qëndron vetëm te vetë tubimi, por te konteksti
në të cilin ai ndodh. Kur Serbia përballet me tensione të brendshme politike, polarizim institucional ose sfida të legjitimitetit, rritet probabiliteti që diskursi i jashtëm të marrë funksion kompensues. Në këtë model, rajoni nuk është thjesht hapësirë e bashkëjetesës etnike, por edhe hapësirë e projeksionit të krizave të brendshme.
Kjo logjikë është e rëndësishme për t’u kuptuar në mënyrë strukturore, jo vetëm si episod politik. Ajo lidhet me një model të gjatë të ndërveprimit midis shtetit serb dhe rajonit, ku çështjet identitare dhe ato të sigurisë ndërthuren në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë kuadër, “Bota serbe” nuk funksionon thjesht si slogan politik, por si narrativë që synon të krijojë një hapësirë simbolike të unitetit kulturor dhe politik serb, shpesh në tension me parimet e sovranitetit shtetëror të vendeve fqinje.
Këto zhvillime rrisin rrezikun që konceptet si “Bota serbe”, “Çështja e Kosovës” apo “Pozicioni i Republika Srpskës” të përdoren si mekanizma të zhvendosjes së krizës së brendshme në hapësirën rajonale.
7. Përfundim
Serbia ndodhet në një pikë kritike të evolucionit të saj politik. Kombinimi i ambiguitetit strategjik në politikën e jashtme, centralizimit neoautoritar në politikën e brendshme dhe tensioneve të thelluara shoqërore po prodhon një krizë të shumëfishtë strukturore.
Modeli i deritanishëm i “ekuilibrit oportunist” po humbet funksionalitetin e tij në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të polarizuar. Në të njëjtën kohë, çarjet brenda strukturës së legjitimitetit të brendshëm – ndërmjet Shtetit, Kishës dhe Shoqërisë – sinjalizojnë një fazë të re të paqëndrueshmërisë politike.
Zhvillimet aktuale në Serbi tregojnë një shtet në pikë kthese: midis një kursi të mundshëm më proamerikan dhe një sistemi të brendshëm që po përballet me presion të shtuar social dhe institucional. Ky dualitet krijon një situatë të brishtë strategjike, ku çdo lëvizje në politikën e jashtme ka pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin e brendshëm dhe anasjelltas.
Në raport me Kosovën, rreziku kryesor nuk qëndron në një skenar të menjëhershëm përshkallëzimi, megjithëse as një aventurë e tillë nuk mund të përjashtohet tërësisht, por në potencialin që kriza e brendshme serbe të projektohet periodikisht në hapësirën rajonale përmes narrativave identitare dhe strategjive të mobilizimit politik.
Në këtë kuptim, kriza aktuale serbe nuk është episodike, por paradigmatike: ajo shënon kufijtë e një modeli shtetëror që përpiqet të bashkojë autoritarizmin e brendshëm me fleksibilitetin e jashtëm në një sistem ndërkombëtar që nuk e toleron më këtë lloj ambiguiteti strategjik.
Literatura
- Levitsky, S. & Way, L. (2010). Competitive Authoritarianism: Hybrid Regimes after the Cold War. Cambridge University Press.
- Mearsheimer, J. J. (2001). The Tragedy of Great Power Politics. W. W. Norton.
- Tilly, C. (2004). Social Movements, 1768–2004. Paradigm Publishers.
- Diamond, L. (2002). Thinking About Hybrid Regimes. Journal of Democracy.
- Hale, H. E. (2015). Patronal Politics: Eurasian Regime Dynamics. Cambridge University Press.
- Kitschelt, H. et al. (1999). Post-Communist Party Systems. Cambridge University Press.
- https://www.nfoxews.com/opinion/president-aleksandar-vui-europe-vilifies-trump-serbia-see-friend
