Kina pretendon se ka zhvilluar një “armë bërthamore kibernetike” me inteligjencë artificiale që rivalizon modelet më të mira amerikane.
Anthony Cuthbertson shqyrton se si mund të duket kjo epokë e re e luftës kibernetike.
Nga Anthony Cuthbertson [THE INDEPENDENT]
E mërkurë, 1 korrik 2026
Kur kompania Anthropic prezantoi modelin e saj të inteligjencës artificiale Mythos në prill, startup-i amerikan e përshkroi atë si një “pikë kthese” për sigurinë kibernetike.
Ky mjet i inteligjencës artificiale “mbinjerëzore” kishte zbuluar dobësi – dhe, në disa raste, kishte krijuar edhe mënyra për t’i shfrytëzuar ato – në çdo sistem operativ dhe shfletues kryesor, disa prej të cilave ishin aq të sofistikuara sa kishin mbetur të pazbuluara për dekada.
Kur versioni më i fundit i Mythos u prezantua këtë muaj, ai u konsiderua aq i fuqishëm, saqë qeveria amerikane nxori një direktivë të sigurisë kombëtare, e cila detyroi Anthropic të pezullonte qasjen për të gjithë përdoruesit.
Që atëherë, modeli është rivendosur në përdorim në mënyrë të kufizuar vetëm për organizata amerikane të konsideruara “të besueshme”, pjesërisht si përgjigje ndaj shqetësimeve se ai është i nevojshëm për të ndihmuar në mbrojtjen kundër sulmeve të tjera të fuqizuara nga inteligjenca artificiale.
Kërcënimi më i madh për SHBA-në duket se po vjen nga Kina, ku një kompani e inteligjencës artificiale pretendon se ka krijuar një “armë bërthamore kibernetike” që përputhet me aftësitë e modelit Mythos të Anthropic. Prandaj, nëse kjo përbën një pikë kthese për sigurinë kibernetike, ajo mund të jetë gjithashtu një moment vendimtar për luftën moderne.
Një epokë e re e luftës kibernetike
Kjo gjeneratë e fundit e modeleve të inteligjencës artificiale është në gjendje të zbulojë dhe të shndërrojë në armë dobësitë e programeve kompjuterike në një shkallë që më parë ishte e pamundur.
Nëse një shtet armiqësor do të dëshironte të zhvillonte luftë kibernetike, ai do t’i përdorte këta agjentë të inteligjencës artificiale për të kërkuar dobësi në infrastrukturën kritike të kundërshtarit, duke përfshirë rrjetet energjetike, sistemet financiare, komunikimet satelitore dhe sistemet ushtarake – madje edhe objektet e armëve bërthamore.
Nëse objektivi do të kishte kapacitetet teknike përkatëse, ai do të përdorte inteligjencën e vet artificiale për të zbuluar ndërhyrjen dhe për ta neutralizuar atë. Do të ishte një fushëbetejë e automatizuar, të cilën vëzhguesit njerëzorë do ta kishin pothuajse të pamundur ta ndiqnin, pasi gjithçka do të zhvillohej me shpejtësinë e makinave.
Ndryshe nga lufta konvencionale, mbikëqyrja njerëzore mund të shndërrohet në një pengesë të vërtetë gjatë mbrojtjes ndaj sulmeve të tilla. Lufta mund të zhvillohet, të përshkallëzohet dhe të përfundojë përpara se udhëheqësit njerëzorë të arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh.
Megjithatë, lejimi i autonomisë së plotë për sistemet e mbrojtjes kibernetike mund të rezultojë katastrofik nëse një inteligjencë artificiale përjeton një “halucinacion” dhe e interpreton gabimisht një defekt rutinë të softuerit si një sulm të sponsorizuar nga një shtet.
Ndërprerje e siguruar reciprokisht
Vendet tashmë po kryejnë sulme kibernetike kundër njëri-tjetrit në një shkallë shumë të gjerë. Kina dhe Rusia zotërojnë kapacitete të avancuara, ndërsa studiuesit e sigurisë vërejnë se ato shpesh ua delegojnë operacionet grupeve të hakerëve të mbështetur nga shteti, për të ruajtur mundësinë e mohimit të përfshirjes së drejtpërdrejtë.
Irani dhe Koreja e Veriut gjithashtu kanë programe të rëndësishme kibernetike, ndërsa vende perëndimore si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër operatorët më aktivë dhe më të aftë në botë në këtë fushë.
Nëse do të shpërthente një luftë e plotë kibernetike, ajo mund të shkaktonte ndërprerje të energjisë elektrike, kolaps të sistemeve të komunikimit dhe kolaps bankar, si dhe rrëzim të rrjeteve logjistike – në të dyja anët. Kjo do të mund të paralizonte ekonominë e një vendi, ndërkohë që do të nxirrte jashtë funksionit spitalet, aeroportet dhe të gjitha shërbimet e tjera kritike që varen nga infrastruktura digjitale.
Sulmet kibernetike të fuqizuara nga inteligjenca artificiale mund të prekin gjithçka, nga rrjetet energjetike deri te sistemet ushtarake.
Ashtu si në luftën bërthamore konvencionale, ku faktori kryesor parandalues është shkatërrimi i siguruar reciprokisht, kjo epokë e re është përshkruar si një epokë e ndërprerjes së siguruar reciprokisht.
Deri më tani nuk ka pasur sulme katastrofike me këto modele dhe një pjesë e madhe e deklaratave mund të jetë thjesht alarmizëm. Ekzagjerimi i fuqisë së këtyre mjeteve të reja të inteligjencës artificiale dhe lidhja e tyre me konceptin e parandalimit bërthamor mund të jetë pjesë e taktikave të përdorura nga vende si Kina dhe SHBA-ja për të dekurajuar të tjerët nga ndërmarrja e sulmeve kibernetike të fuqizuara nga IA kundër tyre.
“Me raportimet më të fundit që vijnë nga SHBA-ja, sipas të cilave sistemi është në gjendje të depërtojë në rrjetet e NSA-së dhe madje të shkelë edhe rrjetet me klasifikimin më të lartë të sigurisë, kjo është qartazi një demonstrim force nga Kina, e mbështjellë me konceptin e ‘Parandalimit Bërthamor’: mos provoni ta përdorni këtë kundër nesh, sepse ne do ta përdorim tonën kundër jush. Një vetëshkatërrim i siguruar reciprokisht në hapësirën kibernetike,” tha për The Independent James Griffiths, i cili ka punuar në agjencinë britanike të inteligjencës GCHQ përpara se të themelonte kompaninë e konsulencës kibernetike UtopianKnight.
“Mbetet të shihet nëse ajo që po deklarojnë është vërtet e saktë apo jo. Jam i sigurt se ka njerëz në qeveri anembanë botës që shqetësohen nga fakti se Kina dhe SHBA-ja mund të kenë mjete kaq të fuqishme.”
Sulm shkatërrues “brenda pak muajsh”
Shfaqja e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale, si Mythos i Anthropic, ka sjellë paralajmërime të pavarura se një sulm kibernetik i fuqizuar nga IA mund të shkaktojë dëme katastrofike për bizneset dhe qeveritë brenda muajve të ardhshëm.
Në një deklaratë të rrallë të përbashkët të agjencive të inteligjencës të aleancës Five Eyes, të publikuar më herët këtë muaj, modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale u identifikuan si rreziku më i madh për sistemet kritike kompjuterike që funksionojnë me softuerë të vjetër dhe të pambështetur.
Aleanca e inteligjencës, e përbërë nga Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, deklaroi se qeveritë duhet të “veprojnë me shpejtësi” për t’u mbrojtur nga kjo epokë e re e luftës kibernetike.
“Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale pritet të tejkalojnë pritshmëritë aktuale të industrisë, duke transformuar rrënjësisht si aftësitë sulmuese, ashtu edhe ato mbrojtëse në fushën kibernetike,” thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Afati nuk matet me vite, por me muaj… Nevojitet një përgjigje që përfshin të gjithë organizatën dhe gjithë shoqërinë. Rreziku kibernetik nuk mund të trajtohet më si një çështje thjesht teknike. Ai është një rrezik thelbësor për biznesin dhe një përgjegjësi e drejtuesve.”
Një nga frikërat më të mëdha është se modelet e reja të inteligjencës artificiale mund t’u japin aftësi të avancuara vendeve dhe aktorëve keqdashës, të cilat më parë ishin të rezervuara vetëm për regjime me ekspertizë të lartë dhe burime të mëdha financiare.
Kjo mund të përshpejtojë ritmin dhe shkallën e sulmeve kibernetike, duke prishur ekuilibrin e “ndërprerjes së siguruar reciprokisht” dhe duke ndryshuar rrënjësisht peizazhin kibernetik.
“Ky moment në histori i ngjan debatit mbi ndërtimin e bombës atomike, me pasoja të gjera që do të jenë të vështira për t’u kontrolluar,” tha për The Independent Yogita Parulekar, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë së sigurisë kibernetike Invi Grid.
“Bizneset dhe qeveritë duhet të forcojnë mbrojtjen e tyre. Hapat e parë urgjentë përfshijnë rishikimin e infrastrukturës për çdo pikë ekspozimi publik, kontrollin e aplikacioneve për dobësi ndaj sulmeve dhe vlerësimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për nivele të tepruara autonomie që aktorët keqdashës mund t’i shndërrojnë në hakerë të pakontrollueshëm. Dritarja për të marrë përparësinë është tani dhe është shumë e shkurtër.”
OpenAI thotë se kontrata e saj më e fundit ushtarake do të përdoret për të forcuar masat e sigurisë kibernetike. [Përktheu: Dan GASHI]
