Intelektuali i njohur serb, Ivan Videnoviq, në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve, BGNES, e zhvesh lakuriq politikën agresive e proruse të kryetarit serb, A. Vuçiq.
05.07.2026
Megjithëse lëvizja e gjerë studentore zgjoi një pjesë të elektoratit, ajo bëri një gabim strategjik duke mos nxjerrë liderë të qartë.
Serbia ndodhet në një periudhë paqëndrueshmërie të zgjatur, e qeverisur nga një autokraci zgjedhore, ndërsa koncepti “Bota Serbe” përfaqëson një restaurim total ideologjik të doktrinës së Sllobodan Millosheviçit “Serbia e Madhe” nga vitet ’90 të shekullit të kaluar. Megjithëse lëvizja e gjerë studentore zgjoi një pjesë të elektoratit, ajo bëri një gabim strategjik duke mos nxjerrë liderë të qartë për shkak të frikës nga diskreditimi mediatik dhe kështu mbeti amorfe dhe e paaftë të dalë nga korniza dominuese nacionaliste. Pa një shkëputje përfundimtare nga kjo e kaluar dhe pa një refuzim të plotë të ndikimit rus, vendi nuk ka se si të jetë një partner i besueshëm për fqinjët e tij dhe për Bashkimin Evropian.
Këtë e deklaroi në një intervistë për BGNES Ivan Videnoviç. Ai është docent i fizikës në Universitetin e Beogradit dhe ish-zëvendësministër i Shkencës. Në hapësirën publike, Videnoviçi njihet si një kritik i pakompromis i regjimit të Aleksandar Vuçiçit dhe i ndikimit rus në vendin tonë fqinj perëndimor.
Në formën e saj aktuale të mprehtë, paqëndrueshmëria e zgjatur në Serbi filloi pas tragjedisë në Novi Sad, në të cilën humbën jetën gjashtëmbëdhjetë persona, kujtoi Videnoviçi. Ai theksoi se ky rast shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin kundër korrupsionit të regjimit, marrëveshjeve jotransparente dhe ujdive të fshehta me shtete si Kina. “Këto biznese dhe këto veprimtari ndërtimore nuk kalojnë përmes procedurave normale të tenderimit, por u jepen kontraktorëve të përzgjedhur paraprakisht, të cilët kanë marrëdhënie të mira me pushtetin”, shpjegoi docenti dhe shtoi se për shkak të këtij korrupsioni pothuajse çdo marrëveshje bëhet nga dy deri në pesë herë më e shtrenjtë sesa vlera e saj reale.
Videnoviçi e përcaktoi kategorikisht regjimin aktual në Beograd si një autokraci zgjedhore – një sistem që nuk i mohon zgjedhjet si mjet për të ardhur në pushtet, por bën gjithçka të mundur për ta bërë të pakuptimtë çdo garë të mëvonshme të lirë. Ai vuri në dukje se zgjedhjet e fundit të lira kanë qenë në vitin 2012, duke bërë një paralele me ardhjen e nazistëve në pushtet në Gjermani në vitin 1933, kur fitorja zgjedhore nuk nënkuptonte garanci për demokracinë. Sipas tij, sot i gjithë regjimi është ndërtuar rreth personalitetit dhe kultit të Aleksandar Vuçiçit, i cili vepron më tepër si një monark absolut, duke marrë vendime i vetëm për pothuajse çdo çështje.
“Sot në Serbi ekziston një shumicë e qartë njerëzish që janë kundër regjimit aktual. Vështirësia qëndron në faktin se të gjitha këto forca të ndryshme duhet të bashkohen dhe të veprojnë së bashku për të fituar në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme”, tha ish-zëvendësministri. Ai bëri një krahasim me rrëzimin e Millosheviçit, i cili ndodhi në një atmosferë të ngjashme kontrolli të plotë mbi procesin zgjedhor. Videnoviçi theksoi se nuk do të ketë kushte të drejta dhe as zbatim të rekomandimeve të OSBE-së, prandaj opozita duhet të fitojë në kushtet më të vështira dhe ta mbrojë rezultatin, përpara se të mund të pritet reformimi i institucioneve. Sipas tij, fronti kundër presidentit është shumë i larmishëm dhe përfshin nga forca proevropiane liberaldemokrate deri te organizata të ekstremit të djathtë, të pakënaqura me politikën e Vuçiçit ndaj Kosovës, ndërsa atmosfera i ngjan një referendumi – “ose je me Vuçiçin, ose je kundër tij”.
Duke analizuar protestat studentore, bashkëbiseduesi shprehu shqetësimin për mungesën e liderëve të qartë me biografi publike, të cilët do të mund të negocionin me partnerët në Evropë. Ai vuri në dukje qëndrimin e vetë studentëve, se ata kanë frikë nga makineria e shpifjeve të mediave qeveritare, por vetë Videnoviçi tha se nuk e kupton këtë frikë, pasi gjatë karrierës së tij ka kaluar shumë fushata dhe sulme të ngjashme. Mangësia e kësaj qasjeje është se lëvizja mbetet pa fytyra dhe pa politika të qarta, ndërsa njerëzit fillojnë ta gjykojnë atë sipas figurave publike që gravitojnë rreth protestave, shpjegoi ai. “Kjo lëvizje amorfe komunikon kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe ende nuk ka dalë nga politikat e vjetra që dominojnë këtu prej rreth dyzet vitesh”, deklaroi eksperti. Megjithatë, ai vlerësoi se studentët kanë bërë edhe gjëra të mira, duke zgjuar votuesit “e fjetur” dhe duke ndihmuar afrimin mes komunitetit ortodoks serb dhe komunitetit mysliman brenda vendit.
Videnoviçi kujtoi se Vuçiçi kishte qenë ministër i Informacionit në qeverinë e fundit të Millosheviçit gjatë operacionit ajror të NATO-s në vitin 1999. Sipas tij, koncepti i “Botës Serbe” është një restaurim i “Serbisë së Madhe”. Dëshmi për këtë është fakti se Millosheviçi paraqitet si figurë pozitive në mediat e regjimit, ndërsa gjeneralët e dënuar nga Tribunali i Hagës sot shfaqen si analistë kryesorë, theksoi docenti. Ai shtoi se, në nivel taktik, Vuçiçi kishte filluar të zbatonte një model transaksional të qeverisjes (“trampizëm”) shumë më herët sesa vetë Donald Trumpi, duke manovruar mes Lindjes dhe Perëndimit.
Varësia energjetike e Serbisë nga Rusia është një gënjeshtër e ndërtuar me vetëdije, deklaroi kategorikisht Videnoviçi. Ai kujtoi se industria serbe e naftës (NIS) iu dorëzua Moskës që në vitin 2008, gjë që ndodhi me mbështetjen e partisë së Vojisllav Sheshelit, në të cilën Vuçiçi kishte qenë një figurë kryesore. Sot, krimineli i dënuar i luftës Shesheli, në praktikë, punon si zëdhënës i Vuçiçit, duke thënë atë që presidenti nuk mund t’ia lejojë vetes ta thotë para bashkësisë ndërkombëtare, shtoi bashkëbiseduesi.
“Shesheli thotë atë që mendon Vuçiçi”, theksoi Videnoviçi.
[Përktheu: Xhafer Shatri]
