Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Vizita e Vladimir Putinit në Pekin, vetëm katër ditë pas largimit të Donald Trump nga kryeqyteti kinez, nuk është një episod diplomatik rutinë. Ajo është sinjal i qartë se rendi ndërkombëtar po hyn në një fazë të re të rivalitetit të menaxhuar ndërmjet fuqive të mëdha, ku bota nuk po organizohet më rreth institucioneve universale, por rreth qendrave të gravitetit gjeopolitik.
Pekini u shndërrua brenda pak ditësh në skenën ku kaluan dy figurat më të rëndësishme të rivalitetit global: presidenti amerikan dhe presidenti rus. Vetë ky fakt ka peshë simbolike të jashtëzakonshme. Ai tregon se Kina nuk është më vetëm një fuqi ekonomike në ngritje, por nyja qendrore e diplomacisë globale dhe arbitri potencial i ekuilibrave të rinj ndërkombëtarë.
Në thelb, samiti Trump–Xi dhe menjëherë pas tij takimi Putin–Xi dëshmojnë se po rikthehet gradualisht logjika klasike e “koncertit të fuqive të mëdha”, ku fatet e rajoneve dhe të krizave globale diskutohen nga aktorët kryesorë, ndërsa pjesa tjetër e botës mbetet kryesisht spektatore. Pikërisht kjo e shtyu edhe Volodymyr Zelenskyyn të kërkojë një përfaqësues të posaçëm evropian për negociatat me Moskën: një pranim indirekt se Evropa po mbetet gjithnjë e më shumë jashtë tavolinës ku po riformatohet rendi global.
Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet momentit aktual dhe marrëveshjeve klasike të epokës së Luftës së Dytë Botërore. Në takimin informal të Vinston Çurcqillit me Josif Stalinin në Moskë, në tetor të vitit 1944, kur u artikulua projekti famëkeq “akord për përqindjet” mbi Evropën Lindore dhe Juglindore, Shqipëria pothuajse nuk u përmend fare. Ajo mbeti jashtë llogaritjeve strategjike të fuqive të mëdha, një periferi pa peshë në arkitekturën pasuese të rendit bipolar pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot situata është thelbësisht tjetër. Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan janë pjesë e qartë e sferës së interesit strategjik amerikan dhe perëndimor. Pozicioni gjeopolitik i shqiptarëve nuk është më ai i një hapësire neutrale apo të paorientuar. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, roli strategjik i Kosovës në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë dhe prania e fuqishme amerikane në rajon e kanë vendosur qartë boshtin shqiptar brenda orbitës perëndimore. Ndërkaq, aleanca e heshtur, por gjithnjë e më e dukshme, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe e konsolidon edhe më tej këtë orientim strategjik dhe e bën pozicionin shqiptar shumë më të qartë sesa në periudhat e mëhershme historike.
Pikërisht për këtë arsye, Ballkani nuk mund të trajtohet më si një “zonë gri” klasike e rivalitetit Lindje–Perëndim. Përkundrazi, ai po bëhet pjesë e një vije të re ndarëse ndërmjet arkitekturës euro-atlantike dhe projekteve revizioniste ruso-kineze, ku Serbia mbetet pika kryesore e penetrimit strategjik të Moskës dhe Pekinit në rajon.
Në këtë kontekst, Pekini po luan një lojë shumë më të thellë se Moska apo edhe Uashingtoni. Kina po përpiqet të paraqitet si qendra e stabilitetit në një botë që po hyn në fragmentim strategjik. Ndërsa SHBA-ja projekton forcë ushtarake dhe Rusia projekton revizionizëm gjeopolitik, Kina po projekton ndërvarësi ekonomike, diplomaci të shumëanshme dhe kontroll gradual të nyjeve strategjike të ekonomisë globale.
Prandaj, vizita e Putinit nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Ajo lidhet me një ankth shumë më të madh kinez: frikën nga një përplasje e ardhshme mbi Tajvanin dhe mundësinë që SHBA-ja të kontrollojë korridoret detare dhe furnizimin energjetik të Kinës. Pikërisht për këtë arsye Pekini po shtyn përpara axhenëdn për zgjerimin e infrastrukturës energjetike me Rusinë, duke përfshirë projektin strategjik “Fuqia e Siberisë 2”. Në rast të një krize në Indo-Paqësor, Rusia bëhet garancia tokësore e mbijetesës energjetike kineze.
Kjo e ndryshon edhe vetë natyrën e marrëdhënies ruso-kineze. Deri dje, Rusia ishte partneri më i varur: e izoluar nga Perëndimi, e goditur nga sanksionet dhe e detyruar të shesë energji me çmime të favorshme për Kinën. Por lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Paqësor po i japin Moskës një kartë të re strategjike. Rusia po del gradualisht nga pozita e partnerit junior dhe po shndërrohet në garanci të sigurisë energjetike kineze.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kemi lindjen e një aleance klasike antiamerikane. Përkundrazi. Ajo që po ndërtojnë Pekini dhe Moska është një partneritet fleksibël, pragmatik dhe anti-hegjemonik, por jo një aleancë formale. Xi Jinping e quan atë “më të madhe se aleancat”, pikërisht sepse Kina nuk dëshiron të trashëgojë barrët strategjike të Rusisë, ndërsa Rusia nuk dëshiron të bëhet satelit ekonomik i Kinës.
Në këtë kuadër, deklaratat e Xi-së dhe Putinit kundër “ligjit të xhunglës” janë në thelb një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj rendit unipolar amerikan. Por ironia është evidente: ndërsa denoncojnë hegjemoninë amerikane, të dy po ndërtojnë gradualisht një sistem të ri sferash influence, ku fuqitë e mëdha negociojnë stabilitetin global sipas interesave të tyre.
Këtu qëndron edhe dimensioni më i rrezikshëm i momentit aktual historik. Samiti Trump–Xi dhe menjëherë pas tij takimi Putin–Xi sugjerojnë se po lind një model i ri: rivalitet i menaxhuar ndërmjet fuqive të mëdha, jo për ta kapërcyer konfliktin, por për ta kontrolluar atë. Pra, jo fundi i konkurrencës globale, por institucionalizimi i saj.
Për Evropën, ky është alarm strategjik. Bashkimi Evropian po shfaqet gjithnjë e më shumë si aktor ekonomik pa peshë të mjaftueshme gjeopolitike. Ndërsa SHBA-ja, Kina dhe Rusia negociojnë arkitekturën e re të sigurisë dhe tregtisë globale, Evropa vazhdon të mbetet e fragmentuar politikisht dhe e paaftë të artikulojë një qendër autonome vendimmarrjeje.
Për pjesën tjetër të botës — veçanërisht për shtetet e vogla — zhvillimet janë edhe më shqetësuese. Sepse kur fuqitë e mëdha fillojnë të “sinkronizojnë orët”, zakonisht kjo nënkupton se po afrohet një epokë në të cilën sovraniteti i aktorëve më të vegjël bëhet relativ, ndërsa stabiliteti ndërkombëtar fillon të varet jo nga normat universale, por nga pazaret strategjike ndërmjet qendrave të mëdha të pushtetit.
Në fund, vizita e Putinit në Pekin nuk ishte thjesht një takim bilateral. Ajo ishte shenjë se rendi i pas Luftës së Ftohtë po mbyllet gradualisht. Bota po hyn në një epokë ku fuqitë e mëdha nuk po kërkojnë më ta transformojnë sistemin ndërkombëtar sipas idealeve universale, por ta menaxhojnë kaosin në mënyrë pragmatike — secila duke ruajtur hapësirën e vet të influencës.
Dhe pikërisht kjo e bën momentin aktual kaq të rrezikshëm: jo sepse rivaliteti po zhduket, por sepse ai po bëhet më i organizuar, më cinik dhe shumë më global.
