Nga Gjeneral Piro AHMETAJ
Po e ndjek me fare pak shqetësim, por me neveri shtesë, riciklimin e një dalldie dëshpëruese dhe qesharake njëherësh, për sa i përket deklaratës së Z. Berisha “unë erdha (!)”, çka u desh për një ekstazë duartrokitjesh, urimesh dhe mesazhesh mjerane nga vartësit e gazit të zengjinesë, që, për më keq, ka ndezur dalldinë e një debati politik dhe mediatik në raport me përcaktimin “Non Grata” nga SHBA-të.
Në pamundësi për përgjigje të dedikuar studiove televizive, gazetave, portaleve, aq më pak turfullimeve të ushtrisë së verbër/vdekur, ose ndjekësve të “këmbanave të turpit për/me “Non Grata”, në cilësinë e Senior Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, si dhe të angazhimeve në projektet e bashkëpunimit me USA/NATO, po paraqes një përgjigje përmbledhëse.
Së pari, përtej rastit të Z. Berisha, derisa nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga DASH që të konfirmojë se “Non Grata” është revokuar, ky sanksionim mbetet në fuqi. Kjo afërsisht u konfirmua, edhe pas interesimit, në fakt insistimit të medias në Republikën e Shqipërisë, kur jo Ambasada, por DASh (mendoj me sforco) ka qartësuar në përgjithësi se: “jepen rregullisht (rëndom) përjashtime kur ai/ajo nuk cënon sigurinë kombëtare”. Kjo lexohet si një përgjigje diplomatike, por që në fakt konfirmon se edhe në këto raste kurërsesi nuk heqet “Non Grata”!
Për ta ilustruar këtë, edhe pse vendimet për viza afatshkurtra mbrohen nga rregullat e privatësisë, në një kërkim në Google gjendet një listë e gjatë personash që kanë përfituar nga klauzolat e vizave të kufizuara/afatshkurtra, por pa ndryshuar kurrësesi përcaktimin “Non Grata”, si p.sh.: Robert Mugabe i Zimbabvesë, Nicolás Maduro, Mahmoud Ahmadinejad, Yasser Arafat, Ebrahim Raisi etj.
Kështu në logjikën e sa më sipër, por për t’i dhënë përgjigje rastit konkret, nënvizoj se, ndërsa nuk ka një konfirmim/njoftim zyrtar nga DASH, z. Berisha dhe familja e tij mbeten “Non Grata për korrupsion familjar, minim të demokracisë dhe pengim të reformës në drejtësi”. Për pasojë, ShBA ende e konsideron zyrtarisht Berishën person të parehabilituar nga kufizimet.
Edhe për rastin e dytë (vizë e përkohshme), e përsëris që edhe pse për heqjen e “Non Grata”-s janë konsumuar të gjitha përpjekjet, përfshi lobingjet e majme, referuar hapësirave të amendamentit për raste/ftesa të posaçme, përfshi edhe vizita mjekësore, ato para-vlerësohen dhe konfirmohen që “personi/e Non Grata, gjithsesi nuk përbën rrezik për sigurinë e SHBA-së”, në këtë rast i jepet vizë afatshkurtër, maksimumi 10-ditore.
Thënë këtë dhe përtej delireve “unë erdha (nga!?)”, mbetet përgjegjësi politike, shtetërore dhe publike e z. Berisha të provojë nëse: “ka njoftim zyrtar nga DASH që i është hequr Non Grata, apo ka përfituar nga klauzola për të marrë një vizë të përkohshme (?)”. Nëse është e dyta, dhe për më keq nëse është fjala “vizë pêr vizitë mjekësore”, kjo e përkeqëson besueshmërinë/integritetin e Tij jo vetëm te militantë/et demokrat, por edhe te shqiptarët.
Në çdo rast, por kryesisht për shkak të moshës, shpreh keqardhjen për këtë qasje të kryetarit të vetëshpallur të PD-së, që: “unë erdha, apo për më keq nuk ka qenë kurrë Non Grata (!)” etj. Kjo pasi është fakt i mirënjohur që, po, z. Berisha, me pagesa të majme (por me burime ende të paqarta), humbi gjyqin për heqjen e “Non Grata”-s në Paris, në Londër, si dhe ende ka zero konfirmim zyrtar edhe për fatin e kontratës mbi 6 milionë dollar (?!). Ndaj këtë eufori do duhej ta kishte kursyer gjithësesi, pasi i bie që paska mashtruar demokratët dhe shqiptarët, çka për moshën e pleqërisë së thellë e rëndon edhe më shumë, ndërsa si doktor ngre pikëpyetje serioze mbi shëndetin mendor si dhe integritetin moral, përfshi edhe te militantët e verbër!
Për më tepër, edhe këtë “dalldisje/këmbana turpëruese me/pa Non Grata”, e gjej si “s’përdredhjen e opozitës për të gjunjëzuar thirrjet e protestuesve kundër establishmentit të PD-së”, por sigurisht edhe në vazhdën e përpjekjeve dëshpëruese për ta njohur PD-në si entitet politik, me Kryesi, Këshill Kombëtar etj., vegla për mulëshët dhe gazeshat. Ndërsa, në të vërtetë, 13 vjet pas humbjesh diskredituese, veçanërisht pas luftës turpëruese për vulën dhe bravat më 8 janar 2022, përfshi dhe në këtë rast, është keqkatandisur në kompani private të falimentuar, edhe më e neveritur nga shqiptarët, si dhe e abandonuar nga ShBA, UK dhe Perëndimi.
Gjithësesi do doja/uroja të isha gabim, por jam i bindur që “pa/me Non Grata”, do të vijojë të shërbejë vetëm për foto në Washington/SHBA, por do ta thellojë më tej krizën e pluralizmit fasadë, demokracisë dhe shtetit të dështuar.
Ndaj do të këshilloja veçanërisht të rinjtë, jo vetëm në protestën e fundit, që kurrësesi të mos impaktohen nga të tilla mashtrime, por të përballen dhe kontribuojnë pa kompromis për ta çliruar RSh nga ky sekt politikanësh të marrosur, që fatkeqësisht kanë pushtuar/privatizuar dhe poshtëruar të djathtën, si dhe kanë vrarë shpresat e shqiptarëve te demokracia funksionale si në gjithë Evropën, dhe besimin ne projektet e zhvillimimit te interesave kombëtare, fatmirësisht të ndërthurura me interesat e USA në rajon dhe Mesdhe.
Në shtesë, kjo është njëkohësisht edhe përgjigje shteruese, e sforcuar dhe euroatlantike njëherësh, pikësëpari ndaj mijëra mbështetësve, përfshi ata/ato që kanë kundërshti kritike, por edhe ndaj kujtdo, “kryesisht pa emër, që nga kazanët e port-haleve”, dhe në mungesë të arsyes konsumojnë diarre fyese.
*Gjeneral PiroAhmetaj: Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare, Ballkanin si dhe marrëdhëniet me ShBA/NATO.
