Modeli që na duhet kërkon investime që ndërtojnë kapacitete vendase, transferojnë teknologji, krijojnë sipërmarrje shqiptare, zhvillojnë zinxhirë furnizimi vendas dhe mbajnë brenda vendit një pjesë të konsiderueshme të vlerës së krijuar.
Nga Dr. Vehap KOLA
[University of New York Tirana dhe Program Director në ISP ‘Sami Frashëri’]
Pyetja reale nuk është nëse duhen investimet e huaja por nëse ato krijojnë apo vetëm kapin vlerë nga Shqipëria.
Në ekonomi dallimi midis krijimit të vlerës dhe kapjes së vlerës është themelor. Një investim mund të krijojë aktivitet ekonomik pa krijuar domosdoshmërisht prosperitet për vendin pritës. Për këtë arsye, investimet nuk duhen gjykuar nga madhësia e kapitalit të deklaruar, por nga pjesa e vlerës që mbetet në ekonominë kombëtare pas përfundimit të projektit.
Prandaj debati nuk është nëse jemi pro apo kundër investimeve të huaja. Shqipëria ka nevojë për investime. Ka nevojë për kapital, teknologji, tregje të reja dhe vende pune. Por ka po aq nevojë të sigurohet që pasuritë e saj natyrore, territori dhe asetet publike të mos shndërrohen thjesht në mekanizma për transferimin e vlerës nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.
Pikërisht këtu duhet parë edhe rasti i Zvërnecit.
Mbështetësit e projektit flasin për miliarda euro investime. Por shifra e investimit në vetvete nuk na tregon asgjë. Pyetja që duhet bërë është shumë më e thjeshtë: sa nga kjo vlerë do të mbetet realisht në Shqipëri?
Le të fillojmë nga faza e ndërtimit.
Pjesa dërrmuese e punimeve do të përqendrohet në gërmime, beton dhe hekur. Gërmimet kryhen me makineri që konsumojnë sasi të mëdha nafte. Nafta është kryesisht produkt importi. Përfitimi vendas kufizohet te kompania kontraktore, disa operatorë makinerish dhe taksat mbi karburantin.
Edhe betoni nuk është aq shqiptar sa duket në pamje të parë. Çimentoja prodhohet nga industri që vetë varen nga importe të shumta dhe kapital i huaj. Inertet nxirren nga natyra shqiptare duke krijuar kosto mjedisore. Armatura është kryesisht import. Uji praktikisht nuk krijon vlerë ekonomike. Në fund, pjesa që mbetet te punëtori shqiptar përbën vetëm një fragment të vogël të kostos totale.
E njëjta gjë vlen për hekurin. Lënda e parë është import. Vlera e krijuar nga puna për përpunimin dhe montimin e tij është minimale krahasuar me vlerën totale të projektit.
Sa më shumë ngjitemi në zinxhirin e vlerës, aq më shumë komponentët vijnë nga importi: sistemet elektrike, teknologjia, mobilimi luksoz, pajisjet e hotelerisë, sistemet e sigurisë, instalimet speciale, menaxhimi teknik dhe shumë shërbime të tjera.
Kjo do të thotë se edhe gjatë ndërtimit, një pjesë e konsiderueshme e parave që deklarohen si investim nuk qarkullon në ekonominë shqiptare. Shqipëria ofron tokën, peizazhin, hapësirën, burimet natyrore dhe një pjesë të fuqisë punëtore, por jo domosdoshmërisht përfiton pjesën më të madhe të vlerës së krijuar.
Nëse kalojmë te faza e operimit, tabloja bëhet edhe më e qartë.
Këtu ia vlen të kujtohet edhe një shembull ndërkombëtar: Labadee në Haiti. Atje, një gadishull i bukur në veri të vendit iu dha me qira afatgjatë kompanisë Royal Caribbean dhe u kthye në një destinacion të izoluar për turistët e kroçerave. Në pamje të parë, kemi turizëm, investim dhe fluks vizitorësh. Por në praktikë, modeli funksionon si enklavë e shkëputur nga ekonomia vendase.
Turistët zbresin në një zonë të kontrolluar, konsumojnë produkte dhe shërbime të organizuara nga kompania, paguajnë brenda sistemit të kompanisë dhe largohen pa hyrë realisht në ekonominë haitiane. Publiku vendas nuk ka akses të lirë në hapësirë, ndërsa përfitimi lokal kufizohet në disa vende pune me vlerë të ulët, disa shitje artizanale të kontrolluara dhe një taksë të vogël për çdo vizitor. Luksi zhvillohet në një anë të gardhit; në anën tjetër mbetet varfëria.
Ky nuk është një krahasim mekanik me Shqipërinë, por një paralajmërim shumë i qartë për modelin enklavë të turizmit. Sazani, pikërisht sepse është ishull, ka rrezik edhe më të madh të kthehet në një hapësirë të mbyllur, të kontrolluar dhe të shkëputur nga ekonomia reale shqiptare. Turisti mund të vijë me jaht, helikopter apo avion privat, të konsumojë produkte të importuara, të qëndrojë brenda resortit dhe të largohet pa krijuar asnjë lidhje domethënëse me fermerin, peshkatarin, artizanin, taksistin, restorantin lokal apo biznesin shqiptar.
Kjo na çon te një tjetër argument që dëgjohet shpesh: se resorte të tilla do të krijojnë treg për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare. Në teori kjo tingëllon bindëse. Në praktikë, situata është shumë më komplekse.
Resortet ultra-luksoze operojnë me standarde të larta cilësie, gjurmueshmërie, certifikimi dhe furnizimi të vazhdueshëm. Ato kërkojnë produkte të standardizuara, sasi të garantuara dhe certifikime që një pjesë e madhe e prodhimit shqiptar ende nuk i plotëson.
Problemi nuk qëndron te cilësia e fermerit shqiptar, por te struktura e sektorit. Bujqësia dhe blegtoria shqiptare mbeten të fragmentuara, me sipërfaqe të vogla, me nivel të ulët organizimi dhe me mungesë të theksuar standardizimi dhe certifikimi ndërkombëtar. Për pasojë, shumë prej produkteve që do të konsumohen në këto resorte kanë gjasa të vijnë nga zinxhirë furnizimi ndërkombëtarë që tashmë i shërbejnë industrisë globale të turizmit.
Kjo do të thotë se edhe një nga përfitimet më të përmendura të këtyre projekteve mund të rezultojë shumë më i kufizuar sesa pretendohet. Pa një strategji serioze për zhvillimin e prodhuesve vendas, resorti mund të ndërtohet në Shqipëri, por të furnizohet kryesisht nga jashtë saj.
Në ekonomi, kjo quhet efekt i dobët shumëfishues. Pra, paraja që hyn në projekt nuk qarkullon në ekonominë vendase, por kthehet shpejt te investitori, furnizuesit e huaj dhe zinxhirët ndërkombëtarë të shërbimit. Në këtë rast, Shqipëria nuk zhvillon turizëm; ajo thjesht vë në dispozicion territorin e saj si skenë luksi për kapitalin e huaj.
Një resort luksoz i tipit që përflitet për Zvërnecin nuk ka gjasa të krijojë vende pune me vlerë të lartë të shtuar. Shumica e pozicioneve do të jenë në sektorin e shërbimeve: pastrim, siguri, mirëmbajtje, kuzhinë, shërbim klienti, transport dhe administrim rutinë.
Madje edhe këto vende pune nuk është e sigurt se do të plotësohen nga shqiptarë. Shqipëria tashmë po importon fuqi punëtore në shumë sektorë për shkak të emigrimit masiv dhe mungesës së punëtorëve. Nuk ka asnjë arsye të fortë për të besuar se një resort i tillë do të funksionojë ndryshe.
Ndërkohë fitimet kryesore do t’u përkasin pronarëve dhe investitorëve. Këtu hyn edhe problemi fiskal, i cili duhet thënë me kujdes: ne nuk e dimë ende se si do të trajtohet konkretisht nga ana tatimore projekti i Zvërnecit, Sazanit apo projekte të tjera të ngjashme. Nuk dimë nëse do të ketë përjashtime të plota, lehtësi të pjesshme apo regjim të veçantë fiskal.
Por dimë diçka tjetër: qeveria shqiptare ka krijuar tashmë një praktikë ku projektet e mëdha, sidomos ato të paraqitura si strategjike apo si hotele me pesë yje, mund të përfitojnë trajtime preferenciale, përjashtime tatimore dhe lehtësi të mëdha fiskale. Me justifikimin se investimi është i madh, strategjik apo me ndikim në turizëm, shteti mund të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave që normalisht duhet t’i ktheheshin publikut.
Kjo e bën edhe më problematik bilancin publik të projekteve të tilla. Nëse vendi jep territorin, pasurinë natyrore, aksesin ekskluziv, infrastrukturën dhe peizazhin, ndërsa investitori merr fitimin dhe njëkohësisht përfiton edhe lehtësi tatimore, atëherë pyetja bëhet edhe më e rëndë: çfarë merr realisht publiku shqiptar në këmbim?
Në këtë rast, argumenti i “miliardave investim” bëhet mashtrues. Sepse një investim që importon shumicën e materialeve, importon teknologjinë, mund të importojë edhe fuqinë punëtore, mban fitimet jashtë vendit dhe paguan pak ose aspak taksa, nuk mund të shitet si fitore kombëtare. Ai mund të jetë fitore për investitorin. Mund të jetë fitore për ndërmjetësit politikë. Por nuk është domosdoshmërisht fitore për ekonominë shqiptare.
Në thelb, modeli i propozuar ngjan shumë me modele që Shqipëria i ka provuar më parë, dhe rasti më domethënës është Bankers Petroleum.
Bankers është shembulli klasik i investimit që krijon aktivitet ekonomik, por që ngre pikëpyetje të mëdha mbi vlerën reale që mbetet në vend. Shqipëria ka ofruar pasurinë natyrore, territorin, mjedisin dhe të drejtën e shfrytëzimit të një burimi strategjik. Investitori ka kontrolluar procesin kryesor të nxjerrjes dhe përfitimit. Ndërsa qytetarët shqiptarë kanë marrë kryesisht disa vende pune, disa të ardhura fiskale të diskutueshme dhe një faturë mjedisore e sociale që mbetet në territor.
Pikërisht ky është dallimi midis krijimit të aktivitetit dhe krijimit të prosperitetit. Një kompani mund të punojë, të eksportojë, të qarkullojë para dhe të deklarojë investime të mëdha, por kjo nuk do të thotë se vendi pritës pasurohet në mënyrë proporcionale. Nëse pjesa kryesore e vlerës kapet nga investitori dhe transferohet jashtë, ndërsa vendit i mbeten vetëm kosto lokale, punë me vlerë të ulët dhe përfitime fiskale të kufizuara, atëherë modeli nuk është zhvillim. Është kapje vlere.
E njëjta logjikë vlen për shumë miniera, fabrika çimentoje dhe koncesione të tjera në vend. Shqipëria jep tokën, pasurinë natyrore, peizazhin dhe mjedisin; investitori merr fitimin; qytetarëve u mbeten disa vende pune dhe pasojat afatgjata. Kjo është arsyeja pse rasti i Zvërnecit, Sazanit apo Rrjollit nuk duhet parë si rast i veçuar, por si pjesë e një modeli të përsëritur zhvillimi ekstraktiv.
Pikërisht për këtë arsye, debati mbi Zvërnecin, Sazanin, Rrjollin etj, nuk është debat kundër investimeve. Është debat mbi modelin e zhvillimit që duam.
Modeli që na ofron kryeministri Rama e sheh Shqipërinë si një hapësirë ku kapitali vjen, shfrytëzon një aset të rrallë, nxjerr fitimin dhe largohet.
Modeli që na duhet kërkon investime që ndërtojnë kapacitete vendase, transferojnë teknologji, krijojnë sipërmarrje shqiptare, zhvillojnë zinxhirë furnizimi vendas dhe mbajnë brenda vendit një pjesë të konsiderueshme të vlerës së krijuar.
Prandaj rreziku nuk është thjesht se do të ndërtohen disa resorte luksoze. Rreziku është se Shqipëria po hyn në një model ku pasuritë më të rralla publike kthehen në enklava private, ku vlera kapet nga jashtë, kostot mbeten brenda dhe qytetarit shqiptar i mbetet vetëm roli i spektatorit jashtë gardhit.
Ekziston edhe një pyetje që rrallë shtrohet: për kë po ndërtohen realisht këto resorte?
Kur flitet për zhvillim turistik krijohet përshtypja se po ndërtohen hapësira që do të shijohen nga qytetarët shqiptarë. Por mjafton të shohim modelet ekzistuese për të kuptuar se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.
Resortet ultra-luksoze ndërtohen për një segment shumë të vogël klientësh me të ardhura shumë të larta. Për shumicën e familjeve shqiptare, pushimet në këto komplekse janë praktikisht të paarritshme. Në këtë kuptim, territori mund të jetë shqiptar, peizazhi mund të jetë shqiptar dhe pasuria natyrore mund të jetë shqiptare, por përdoruesi real i tyre është dikush tjetër.
Për ta kuptuar më mirë dallimin, mjafton të krahasojmë dy modele turizmi.
Nga njëra anë kemi modelin enklavë: resorti i mbyllur, me akses të kufizuar, me furnizime të importuara, me pak lidhje me ekonominë lokale dhe me klientelë të shkëputur nga territori përreth.
Nga ana tjetër kemi modelin e destinacionit. Një shembull i përafërt është Patoku. Vizitori që shkon atje nuk konsumon vetëm një hotel. Ai konsumon restorante lokale, peshkatarë lokalë, prodhime lokale, transport lokal dhe një sërë biznesesh të vogla që shpërndajnë të ardhurat në të gjithë zonën. Vlera nuk përqendrohet në një pikë të vetme, por qarkullon në ekonomi.
Dallimi është thelbësor. Në modelin enklavë zhvillohet resorti. Në modelin e destinacionit zhvillohet territori.
Çështja nuk është vetëm se sa para do të investohen por se cili model po ndërtohet. A po ndërtojmë një destinacion që krijon mundësi për mijëra shqiptarë, apo po ndërtojmë disa ishuj luksi ku shumica e shqiptarëve do të mbeten jashtë gardhit?
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është sa miliarda euro do të investohen në Sazan, Nartë, Rrjoll apo gjetkë.
Pyetja është shumë më e rëndësishme. Pas njëzet vitesh, kur projekti të jetë ndërtuar dhe fitimet të jenë shpërndarë, a do të jetë Shqipëria më e pasur, apo thjesht do të ketë shërbyer si vendi ku dikush tjetër u pasurua?
