Kryengritja dhjetoriste e vitit 1825 në Shën Petersburg
Nga David Satter- Wall Street Journal
3 korrik 2026,
250-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë ka kuptim për SHBA-në, por edhe për Rusinë. Ndërsa Rusia zhytet më thellë në një krizë të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës, idealet e Deklaratës mund t’i udhëheqin rusët drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të lirë.
Për dy shekuj, ka pasur rusë që luftuan për idetë e shprehura në Deklaratë: se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” dhe “të pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme”. Por përpjekjet e tyre u mposhtën nga veprimet e atyre që hodhën poshtë ndikimin perëndimor në favor të “mënyrës së veçantë” të Rusisë.
Revolta dhjetoriste e vitit 1825 kundër carit Nikolla I u frymëzua pjesërisht nga Revolucioni Amerikan. Sipas fjalëve të një konspiratori të dënuar, “Populli ka konceptuar një të vërtetë të shenjtë — se ai nuk ekziston për qeveritë, por se qeveritë duhet të organizohen për të.” Shtypja e revoltës dhjetoriste dhe dështimi i reformës në shekullin e 19-të çuan në triumfin e komunizmit dhe terrorit.
Komunizmi bazohet në refuzimin total të vlerave që frymëzuan Revolucionin Amerikan. Në Bashkimin Sovjetik, vendi i parë që u themelua në mënyrë të qartë mbi ateizmin, roli i një Krijuesi u zëvendësua nga interesat e supozuara të klasës punëtore. Shpejt klasa punëtore u zëvendësua nga Partia Komuniste, partia nga aparati i saj, aparati nga udhëheqja e saj dhe udhëheqja nga një sundimtar i vetëm. Individët u trajtuan si lëndë e parë për realizimin e qëllimeve të shtetit.
Për gati shtatë dekada, regjimi totalitar i Bashkimit Sovjetik sundoi nëpërmjet terrorit. Megjithatë, në vitet 1970 ndodhi një përplasje midis vlerave të marksizmit dhe atyre të Deklaratës së Pavarësisë, dhe kjo ndihmoi në përcaktimin e fatit të Bashkimit Sovjetik.
Për të përmirësuar sigurinë dhe bashkëpunimin evropian, SHBA-ja, Kanadaja, Bashkimi Sovjetik dhe shumica e vendeve evropiane nënshkruan Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975. Marrëveshja njohu status quo-në territoriale dhe promovoi lidhje më të ngushta ekonomike. Me këmbënguljen e vendeve evropiane, u përfshinë premtime për të respektuar të drejtat e njeriut, të cilat Bashkimi Sovjetik priste plotësisht t’i injoronte.
Për të monitoruar pajtueshmërinë sovjetike me Aktin Final, një grup disidentësh sovjetikë formuan Grupin e Helsinkit të Moskës në vitin 1976. Grupe monitorimi u ngritën gjithashtu në Ukrainë, Lituani, Gjeorgji dhe Armeni, dhe informacioni i tyre i kontaktit u transmetua në Bashkimin Sovjetik nga Radio Liria dhe Zëri i Amerikës.
Deri kur u shtypën nga autoritetet sovjetike, grupet e Helsinkit lehtësuan një rrjedhë të paparë informacioni rreth kushteve reale të jetës sovjetike brenda Bashkimit Sovjetik dhe drejt shteteve perëndimore. Kur Mikhail Gorbaçov lehtësoi shtypjen politike disa vjet më vonë, idetë e atyre grupeve disidente u përqafuan nga miliona njerëz, duke e bërë të pashmangshëm shembjen e Bashkimit Sovjetik.
Pas rënies së komunizmit, gazetat ruse u përqendruan shkurtimisht në nevojën për të hedhur poshtë “vlerat e klasës” në favor të vlerave universale të Perëndimit. Por impulsi ishte jetëshkurtër. “Reformatorët e rinj” që punuan për Boris Jelcinin organizuan transferimin e shpejtë të pronës shtetërore në duar private pa përfitimin e sundimit të ligjit. Rezultati ishte marrja e pushtetit nga kriminelët dhe kolapsi ekonomik.
In kohën kur Vladimir Putin u bë president në vitin 2000, të gjitha diskutimet për vlerat universale ishin zhdukur prej kohësh. Nuk kishte më kthim te marksizmi, por nocioni i interesave të klasës si ylli udhëheqës i shoqërisë u zëvendësua me absolutizimin e interesave shtetërore.
Supremacia e shtetit dhe respekti i ulët i zotit Putin për jetën njerëzore dëshmohen nga taktikat e “valës njerëzore” të përdorura në Ukrainë, ku rreth 500,000 ushtarë rusë janë vrarë. Në një fjalim të vitit 2008, zoti Putin tha se “ruajtja e qeverisjes së një territori të gjerë, ruajtja e një bashkësie unike popujsh, ndërkohë që zë një vend të rëndësishëm në çështjet botërore, kërkon… sakrifica dhe privime të mëdha nga ana e popullit tonë”.
Ndërsa Rusia përballet med një humbje të mundshme në Ukrainë, ajo ka nevojë për frymën e Deklaratës së Pavarësisë më shumë se kurrë. Mungesa e vlerave të saj shpjegon skllavërinë dhe vrasjet masive që karakterizojnë të tashmen dhe të kaluarën e Rusisë.
Autorët e Deklaratës së Pavarësisë e kuptuan se vetëm një qeveri që njeh një burim legjitimiteti përtej politikës mund ta mbrojë individin nga shteti. Nëse njerëzit janë “të pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të caktuara të patjetërsueshme”, asnjë entitet kolektiv nuk ka të drejtë për dominim total.
Rusia mund të përfitojë nga humbja në luftë. Humbja e Luftës së Krimesë çoi në emancipimin e bujkrobërve. Humbja në luftën ruso-japoneze çoi në kushtetutën e parë të Rusisë. Humbja e Luftës së Ftohtë çoi në rënien e komunizmit.
Disfata në Ukrainë mund të krijojë kushtet e nevojshme për një fillim të ri, por vetëm nëse Rusia përqafon doktrinën e vlerës dhe lirisë së lindur të mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë.
[Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Z. Satter është autori i librit “Epoka e Deliriumit: Rënia dhe Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik”.
