[Presidenti rus Vladimir Putin fill pas mbërritjes në Tianjin]
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait do të takohet në Kinë duke filluar nga e diela. Konsiderohet si një kundërpeshë ndaj organizatave perëndimore. Presidenti Xi Jinping po mirëpret më shumë mysafirë se kurrë më parë.
Nga Sophie Barkey [Berliner Zeitung]
31.08.2025
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Republikën Popullore të Kinës për një vizitë disaditore. Sipas mediave shtetërore ruse, shefi i Kremlinit zbarkoi të dielën në qytetin portual të Tianjinit në veri të Kinës, ku u prit nga një roje nderi. Në Kinë, Putin do të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), të kryesuar nga Presidenti kinez Xi Jinping, i cili do të zgjasë deri të hënën. Të mërkurën, ai do të jetë midis të ftuarve në një paradë masive ushtarake në Pekin.
Shtetet anëtare të SCO-së përfshijnë Kinën, Bjellorusinë, Indinë, Iranin, Pakistanin, Rusinë dhe katër shtete të Azisë Qendrore. 16 vende të tjera janë të lidhura si vëzhgues ose “partnerë dialogu”. Kina dhe Rusia e përdorën organizatën për të forcuar marrëdhëniet e tyre me shtetet e Azisë Qendrore dhe për të krijuar një kundërpeshë ndaj aleancave të shteteve perëndimore si NATO. Takimi i aleancës të dielën dhe të hënën është më i madhi që nga themelimi i saj në vitin 2001. Pritet të marrin pjesë edhe presidenti iranian Massoud Peseschkian dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Në një intervistë me agjencinë zyrtare të lajmeve Xinhua të Kinës, të publikuar të shtunën, Putin tha se samiti do të forconte aftësinë e SCO-së “për t’iu përgjigjur sfidave dhe kërcënimeve aktuale dhe për të konsoliduar solidaritetin në hapësirën e përbashkët euroaziatike”. “E gjithë kjo do të kontribuojë në krijimin e një rendi botëror shumëpolar më të drejtë”, siguroi shefi i Kremlinit.
Menjëherë pas samitit, Kina do të organizojë ngjarjen e saj të radhës të madhe: Të mërkurën, një paradë ushtarake masive do të zhvillohet në kryeqytet, Pekin, për të shënuar 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Përveç Putinit, 25 krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje, përfshirë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un.
Takim midis Putinit dhe Modit: Temë e Mundshme Lufta në Ukrainë
Kryeministri indian Narendra Modi, i cili gjithashtu mbërriti në Tianjin të shtunën në mbrëmje, planifikon ta shfrytëzojë vizitën e tij të hënën për një takim dypalësh me Putinin. Modi tha se më parë kishte folur në telefon me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar përpjekjet e paqes në konfliktin e Ukrainës. Ata diskutuan për “përpjekjet për të rivendosur paqen dhe stabilitetin”, shkroi Modi në internet të shtunën. India mbështet plotësisht të gjitha përpjekjet në këtë drejtim.
Zelensky e quajti telefonatën me Modin “produktive dhe të rëndësishme”. Presidenti ukrainas deklaroi se ai përsëriti gatishmërinë e tij për t’u takuar me Putinin. India ka rënë dakord të “dërgojë sinjale të përshtatshme” në Rusi dhe vende të tjera në samitin në Kinë.
Kina deklaron veten neutrale në luftën e Ukrainës dhe thekson se mbështet të gjitha përpjekjet për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, Presidenti ukrainas Zelenskyy akuzon Pekinin se nuk ka kontribuar në përfundimin e luftës së agresionit rus dhe se e mbështet Rusinë me dronë.
[Përktheu: ISHGJ]