Nga Dr. Elez ELEZI
Sot, një qytetar e pa takimin mes Vjosa Osmanit dhe Donald Trumpit ndryshe nga ç’e shohin analistët. Nuk foli për protokoll, nuk foli për diplomaci, as për foto zyrtare. U ndal te ajo që nuk shkruhet në komunikata: te shtrëngimi i dorës.
“A e pe si ia shtrëngoi dorën?”, tha.
“Si prindi kur ia shtrëngon dorën fëmijës së vet. Evlad bre, evlad.”
Në atë fjali kishte më shumë politikë se në dhjetë konferenca për shtyp. Sepse për këtë qytetar, ai gjest nuk ishte formalitet, ishte pranim, mbrojtje dhe mesazh. Ishte Amerika që i thoshte Kosovës: jam këtu.
Ai nuk u fsheh pas fjalëve.
Tha troç: “Unë kurrë s’e kam votu Kurtin.”
Por pastaj e tha edhe më troç: “Ama kur Trumpi ia shtrëngoi dorën Vjosës, kjo duhet me u vlerësu.” Këtu bie çdo maskë partiake. Këtu flet shteti, jo partia.
Sepse Trumpi, për këtë popull, nuk është thjesht një president. Është simbol i Amerikës. Dhe Amerika, për Kosovën, nuk është aleat rastësor. Është krahu që u zgjat kur ishim në prag zhdukjeje. Është zëri që foli kur bota heshti. Prandaj një shtrëngim dore nuk lexohet si protokoll, por si bekim.
Dhe pastaj vjen fjalia që djeg:
“E zoja është Vjosa, e zoja bre. Duhet me i dhanë dorën.”
