Nga Dr. Selim IBRAIMI
Gjeopolitika klasike e sheh gjeografinë si përcaktues të fuqisë që u ofron shteteve përparësi në qasje në burimet natyrore, sigurinë, etj. Termi gjeopolitikë u shpik nga studiuesi suedez Rudolf Kjellen (1864-1922) në vitin 1899, por më vonë studiuesit gjermanë e përshtatën atë në “Geopolitik”, duke theksuar fuqinë tokësore mbi fuqinë detare në kontrast me idenë e studiuesit amerikan Alfred Mahan (1840-1914) i cili për fokus kishte fuqinë detare ose thënë ndryshe “kushdo që kontrollon detet, kontrollon botën”.
Gjeografi britanik Halford Mackinder (1861-1947) nënvizoi se “kontrolli i masave të mëdha tokësore (p.sh., Euroazia) siguron hegjemoninë globale”. Më vonë, krahasimet detare të studiuesit amerikan Alfred Mahan ndikuan në pikëpamjet e hapësirës, pikave të kontestueshme strategjike ashtu njëjtë si Grenlanda që paraqet sot, e shumë raste të tjera. Kur flasim për gjeopolitikën klasike, gjithmonë kujtojmë shekullin e 20-të, situatën ndërkombëtare të pas Luftës së Parë Botërore (LBP) dhe Luftës së Dytë Botërore (LDB).
Vendimet e Traktatit të Versajës të vitit 1919 e inkurajuan Gjermaninë të bëhej agresive. Zyrtarë të lartë gjermanë, së bashku me studiuesit, mendonin për një hapësirë më të madhe territoriale gjermane, e njohur ndryshe në gjuhën gjermane si “Lebensraum”, e cila lidhej me studimet e gjeografit gjerman Friedrich Ratzel (1844-1904). Humbja e kolonive dhe territorit që dikur ishin nën sovranitetin gjerman krijoi një ndjenjë kufizimi hapësinor në Gjermaninë e atëhershme, duke i bërë studiuesit gjermanë të mbështesin një Gjermani që kishte nevojë për më shumë burime dhe hapësirë territoriale.
Ndërsa flasim për gjeopolitikën e shekujve 19 dhe 20, është e pamundur të mos mendosh për ngjarjet aktuale në Evropë, SHBA, Kinë, Rusi dhe sigurisht, për Artikun. Por është e pamundur të mos thuash asgjë për ambiciet e Gjermanisë veçanërisht pas marrëdhënieve të trazuara me SHBA-në nën administratën e presidentit Donald Trump, duke shtuar shqetësimet midis vetë anëtarëve evropianë për një ekonomi dhe pozicion global më të fortë. Në këtë kaos, Gjermania dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë treguar shenja dhe madje po punojnë brenda vendit dhe me partnerë të tjerë për të arritur këto qëllime, jo si në shekullin e 20-të, por përmes institucioneve, bashkëpunimit, partneriteteve të forta dhe, sigurisht, një ekonomie të fortë për shekullin e 21-të.
Së fundmi, kancelari gjerman Friedrich Merz në Davos të Zvicrës tha: “Si Gjermania ashtu edhe Evropa kanë shpërdoruar një potencial të madh për rritje ekonomike në vitet e fundit, duke zvarritur reformat dhe duke kufizuar në mënyrë të panevojshme dhe të tepërt lirinë sipërmarrëse dhe përgjegjësinë personale. Ne duhet ta zvogëlojmë ndjeshëm burokracinë në Evropë. Tregu i vetëm dikur u krijua për të formuar zonën ekonomike më konkurruese në botë.”
Sipas tij, bota ka hyrë në një epokë të politikës së fuqive të mëdha, ku Rusia dhe Kina sfidojnë SHBA-në. Sipas kancelarit Merz, Evropa duhet të rrisë konkurrencën dhe të investojë në mbrojtje. “Një botë e fuqive të mëdha është realiteti i ri. Evropa dhe Gjermania e kanë kuptuar këtë. “Ne po përballemi me këtë sfidë”, tha Merz. “Qeveria federale po ndjek një agjendë ambicioze reformash, me fokus kryesor në siguri, konkurencë dhe unitet evropian”, tha Merz.
Nga një perspektivë historike, gjeopolitika gjermane pas vendimeve të Konferencës së Versajës (1919) ishte më shumë si pasojë e pasigurisë së Gjermanisë të dëmtuar gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila më vonë, pavarësisht lindjes së Republikës së Vajmarit (1918), në vitin 1933 gjithçka ndryshoi me ardhjen në pushtet të Partisë Kombëtare Socialiste të Punëtorëve Gjermanë ose Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei (NSDAP). Dhe sigurisht, pas një katastrofe kombëtare, njerëzore, ekonomike dhe ushtarake, dihej se qeveria naziste pas vitit 1933 do të ndiqte politika të zgjerimi territorial bazuar në konceptin e “Lebensraum-it”.
Si atëherë ashtu edhe tani, qeveritë kanë ndjekur qasje në interes kombëtar, ashtu siç demonstroi takimi i fundit i burrështetasve në Davos të Zvicrës. Pavarësisht dallimeve dhe interesave, shtetet në të dyja anët e Atlantikut luajnë një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. SHBA-të, nën presion, presin që vendet evropiane të shpenzojnë më shumë për ushtritë dhe për të mbrojtur shoqëritë, në veçanti për të krijuar ekonomi konkurruese. Për më shumë, mosmarrëveshjet në Perëndim janë një mundësi për disa vende të BE-së për të rifituar pozicionin e tyre në çështjet botërore, siç bënë shumë kohë më parë.
Gjermania, e shkëputur nga e kaluara, mund të marrë një rol më të gjerë. Nga njëra anë, Berlini zyrtarë mund të akuzohet nga vendet fqinje dhe bota se qasja e re gjermane mund të jetë një politikë e ngjashme me gjeopolitikën naziste. Por qeveria në Berlin mund t’i hedhë poshtë lehtësisht akuza të tilla. Kancelari gjerman Merz e bëri këtë të ditur në Davos, duke nënkuptuar se Gjermania do të ndjekë një rrugë pragmatike dhe nuk do të mbështetet vetëm në vektorin transatlantik. Pavarësisht gjetjes apo jo të një gjuhe të përbashkët me SHBA-në për Grenlandën, vendet evropiane në luftën për dominim në Arktik ose gjetiu do të detyrohen të mbijetojnë përmes nën-blloqeve përmes një ekonomie të fortë që nuk do të jetë vetëm importuese, por edhe eksportuese.
Gjermania, me një PBB prej 4.5 trilionë euro, mund ta bëjë këtë dhe të mbetet në skenën globale për dekada. Kryesisht, Gjermania mund të përqendrohet në Evropën Qendrore dhe Lindore, në Ballkan etj., ku Gjermania historikisht ka luajtur një rol para dhe pas vitit 1815, Kongresit të Berlinit (1878), Luftës së Parë Botërore, Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së Ftohtë.
Ringjallja e Gjermanisë nuk është vetëm e realizueshme, por edhe e nevojshme për të ruajtur paqen midis anëtarëve të BE-së, në Ballkan e gjetiu. Gjermania, përmes Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët dhe paketës financiare prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin, synon të ndihmojë jo vetëm Ballkanin. Gjermania është partneri kryesorë ekonomik për shumicën e shteteve të Ballkanit. Ka qenë zëri i tyre për eurointegrimet, emigrantët dhe me gjerë. Përpjekjet gjermane përmes organizatave dhe botës shumëpolare do të jenë një kundërpeshë ndaj SHBA-së, e cila është bërë aktive me Doktrinën e Monrosë (1823). Për Ballkanin, një politikë e re dhe pragmatike gjermane do të ishte e mirëpritur, pasi ajo do të mbështetej kryesisht në ekonomi dhe shumë më pak në çdo politikë që lidhet me Lebensraum-in e shekullit të 20-të. Shihet se tani është koha për Gjermaninë, me ekonominë më të fuqishme në Evropë dhe një vend i respektueshëm në botë për saktësi dhe cilësi.
