Nga Gazmend DEMOLLI /Studjues i pavarur
Më 21 shkurt 2024, një termocentral 908 megavatësh në jug të Bullgarisë u bë i padobishëm brenda një dite. Jo se i shpërtheu bojleri, por se i skadoi kontrata.
ContourGlobal Maritsa East 3 kishte 15 vjet që funksiononte nën një marrëveshje të veçantë me shtetin bullgar: KEKu bullgar blinte gjithë prodhimin e tij me çmim të garantuar. Kur ajo kontratë mbaroi dhe nuk u rinovua, termocentrali u përball me realitetin e tregut të hapur. Kostoja e prodhimit të një megavat-ore ishte 125 euro. Çmimi në bursën bullgare ishte shumë më i ulët. Llogaria e pamëshirshme.
Ajo që pasoi ishte një kaskadë shkatërrimi. Në korrik 2024, CEO njoftoi pushimin e 160 punëtorëve: tregu ishte i mbingopur, kostoja e prodhimit nga linjiti kalonte 140 euro për megavat-orë, ndërsa çmimi për janarin 2025 ishte 90 euro. Askush nuk blen me 140 atë që mund ta marrë me 90. Në prill 2025, dyert u mbyllën përfundimisht. Nga 500 punonjës, mbetën 30. Minierat humbën klientin dhe shteti bullgar u detyrua të ndërhyjë me 150 milionë leva kredi vetëm për të mbajtur minierën gjallë.
Dëshira e punëtorëve për rikualifikim ishte afër zeros. Njerëzit që kishin kaluar dekada duke operuar turbina dhe gjeneratorë nuk donin të dëgjonin për programe trajnimi. Ata vazhdonin të jetonin me mendimin se do të ktheheshin në punë. Mbi 500 familje në rajonin e Stara Zagorës po përballen sot me pasojat e asaj dëshire.
Dhe pastaj erdhi epilogu. Në janar 2026, në të njëjtin vend ku dikur digjej linjiti, ContourGlobal inauguroi sistemin BESS — një magazinim me bateri prej 202 megavat fuqi dhe 500 megavat-orë kapacitet, i financuar pjesërisht nga BE. E njëjta kompani që mbylli termocentralin e saj, tani operon bateri në të njëjtin vend. Nuk është ironi. Është korrigjim — korrigjim që erdhi pas dëmit.
Kjo është e njëjta kompani me të cilën Kosova nënshkroi kontratë në vitin 2017 për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” — një projekt 1.3 miliardë eurosh që dështoi dhe që na kushtoi mbi 20 milionë euro dëmshpërblim pas humbjes në arbitrazh.
Disa zëra vazhdojnë të argumentojnë se anulimi i asaj kontrate ishte gabim strategjik. Rasti bullgar e hedh poshtë këtë argument. Jo sepse ContourGlobal është kompani e keqe. Por sepse modeli i kontratës must-buy me çmim mbi treg është një bombë me sahat pavarësisht nga operatori. Funksionon për aq kohë sa shteti pranon të paguajë mbi vlerën e tregut. Për aq kohë sa shteti pranon të humbë para. Sapo ajo mbrojtje hiqet — dhe ajo gjithmonë hiqet — i gjithë kapaciteti shembet. Bullgaria nuk e anuloi kontratën. E la të skadonte. Dhe prapë humbi miliona euro, 500 vende pune dhe një të tretën e prodhimit të minierave. Kosova e anuloi para se të ndërtonte. Kjo nuk është humbje strategjike — është shmangie e një fatkeqësie shumë më të madhe.
Por anulimi është vetëm gjysma e betejës. Sepse problemi i vërtetë i Kosovës nuk është kush e operon energjinë apo me cilin karburant. Problemi i vërtetë është se po trajtohet një problem kohor si të ishte sasior.
Për rreth 92% të orëve të një viti konsumi është më i vogël se kapaciteti prodhues total. Në 80% të kohës më i vogël se kapaciteti optimal. Furnizimi nuk mungon për shkak të kapaciteteve — mungon vetëm për rreth 700 orë, mbrëmjet e ftohta të dimrit, kur ngarkesa e ngrohjes e shtyn konsumin mbi çdo burim vendor. Ky nuk është problem energjetik në kuptimin klasik. Është problem kohor: energjia ekziston, por nuk mund të ruhet deri kur nevojitet vërtet. Njëlloj si një abonim i dytë telefoni nuk i zgjidh orët kur ke tejkaluar të parin. Nuk ka logjikë që sepse për Bajram përdorë më shumë SMS të marrësh edhe një abonim vjetor, apo jo?
Çdo zgjidhje e propozuar deri tani — gazifikimi, kontratat me operatorë të huaj, burime të ripërtëritshme me prioritet absolut — trajton këtë problem kohor si problem sasior. I shton sistemit kapacitet prodhimi. Por kapaciteti shtesë pa kapacitet ruajtjeje nuk e zgjidh mungesën — e thellëson atë. Sepse çdo burim i ri prioritar, gjatë orëve kur tashmë ka energji të mjaftueshme, nuk bën gjë tjetër veçse zhvendos energjinë më të lirë vendore — KEK-un, me kosto rreth 30 euro për megavat-orë — dhe e zëvendëson me energji të kontraktuar dyfish a trefish më shtrenjtë. Gazifikimi nuk e ndryshon këtë logjikë — ndryshon vetëm karburantin.
Bateritë e mëdha dhe hidrocentralet e adresojnë problemin aty ku qëndron vërtet: jo te zgjedhja e operatorit apo karburantit, por te mungesa e kapacitetit kohor të sistemit. Ato thithin energjinë e tepërt kur është e lirë dhe e lëshojnë kur mungon — duke eliminuar njëkohësisht eksportin me humbje dhe importin me çmime të larta. KEK-u operon i qëndrueshëm. Energjia e tepërt e KEK-ut gjatë natës, në vend që të eksportohet me humbje ose të humbasë si nxehtësi në përçues, ruhet në bateri dhe lirohet në orët e pikut. Burimet e ripërtëritshme integrohen pa zhvendosur energjinë e lirë. Deficiti i 700 orëve adresohet me energji vendore të ruajtur, jo me import sezonal. Humbjet teknike të rrjetit — sot mbi 10%, dyfishi i mesatares evropiane — reduktohen kur tensioni stabilizohet në kohë reale.
Programi i Kompaktit me MCC-në amerikane po investon 240 milionë dollarë për 170 megavat kapacitet baterish në Ferizaj dhe Istog. Kursimi i vlerësuar shkon mbi 15 milionë euro në vit. Ky projekt pritet ta bëjë Kosovën vendin me kapacitetin më të lartë të ruajtjes së energjisë për frymë në botë — jo shifër për t’u mburrur, por matje e thellësisë së problemit dhe e shpejtësisë me të cilën duhet korrigjuar.
Debati i drejtë nuk është nëse duhej anuluar kontrata me ContourGlobal — duhej. Debati i drejtë nuk është as kush duhet ta operojë energjinë kosovare, as me cilin karburant. Këto janë pyetje që na mbajnë të zënë me simptomat ndërsa shkaku thelbësor mbetet i paprekur. Debati i drejtë është nëse çdo kontratë e re me burime prioritare do të shoqërohet me investime paralele në ruajtje — si kusht, jo si shtesë e mëvonshme.
ContourGlobal e kuptoi në Bullgari pasi mbylli termocentralin, pushoi 500 veta dhe humbi miliona euro. Pastaj ndërtoi bateri në të njëjtin vend. Kosova ka mundësinë ta kuptojë para se ta bëjë gabimin. Dhe mjetet për këtë — bateritë e MCC-së — tashmë i ka në dorë.
Me përvetësimin e teknologjisë dhe integrimin në rrjet të baterive duhet menjëherë të investohet në bateri tjera, që asnjë megavat-orë të mos shitet falë por të konsumohet, dhe pse jo edhe të blihen megavat-orë natën dhe të përdoren në peak.
