Boshti Kinë-Rusi
[Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë – COUNCIL on FOREIGN RELATIONS]
Nga Stuart Reid [Ekspert i CFR-së]*
Në maj të vitit 2026, kur Xi Jinping priti Vladimir Putinin në Pekin, kjo ishte hera e dyzet e pestë që të dy takoheshin personalisht – pak a shumë. Xi dhe Putin janë parë aq shpesh saqë edhe analistët nuk mund të bien dakord për numrin e saktë.
Afiniteti në rritje midis Kinës dhe Rusisë është ndër zhvillimet më të rëndësishme gjeopolitike të dekadës së fundit. Edhe pse dy fuqitë kanë dallimet e tyre, në çdo metrikë – ekonomike, ushtarake, politike, retorike – drejtimi i përgjithshëm ka qenë drejt përafrimit dhe jo i largimit. Kjo paraqet një problem për Shtetet e Bashkuara, të cilat që nga Lufta e Dytë Botërore nuk kanë pasur kurrë nevojë të përballen me një palë kundërshtarësh kaq të fuqishëm.
Ndërsa është joshëse të besosh se Uashingtoni mund ta zgjidhë këtë dilemë duke ndarë Pekinin dhe Moskën, lidhja midis tyre nuk ka gjasa të prishet. Të pranosh këtë realitet është e lehtë; përballimi me të nuk është. Shtetet e Bashkuara duhet të kundërshtojnë shtrëngimin dhe agresionin nga të dyja fuqitë, pa i afruar ato më shumë. Duhet të adresojnë sfidën e sotme në Ukrainë, pa neglizhuar atë të nesërmen në Tajvan. Dhe duhet të pengojnë luftëra të reja në Evropën Lindore dhe Azinë Lindore, pa provokuar pa dashje një të tillë.
Edhe pse ndonjëherë shpërfillet si një bosht i përkohshëm komoditeti, partneriteti kino-rus ka rezultuar i thellë dhe i qëndrueshëm. Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Rusisë për më shumë se një dekadë, duke i dërguar asaj mallra të prodhuara në këmbim të naftës dhe gazit. Ushtritë e të dy vendeve kryejnë rregullisht ushtrime të përbashkëta në Arktik dhe në Detin e Kinës Jugore. Pekini e ka ndihmuar Moskën të anashkalojë kontrollet perëndimore të eksportit duke ofruar teknologji të përparuara, nga çipat te pjesët e dronëve, thelbësore për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Duhet të kthehemi pas në fillim të viteve 1950, epoka e artë e marrëdhënieve sino-sovjetike, për të gjetur një miqësi të tillë. Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë dhe partnerë zyrtarë të traktateve në Luftën Koreane. Më shumë se dhjetë mijë ekspertë sovjetikë vërshuan në Kinë për të ndihmuar vendin të modernizohej. Por deri në fund të dekadës, aleanca sino-sovjetike ishte e vdekur në gjithçka përveç emrit, e shkatërruar nga një kombinim mosmarrëveshjesh ideologjike, vizionesh të ndryshme se si të merreshin me Perëndimin dhe një përplasje personalitetesh midis Mao Ce Dunit dhe Nikita Hrushovit. Në vitin 1969, të dy vendet madje luftuan në një përleshje vdekjeprurëse kufitare që gati sa nuk ndezi një luftë të plotë.
Edhe pse partneriteti kino-rus nuk është aq i ngushtë sa ishte në vitet 1950, atij i mungojnë edhe irrituesit që e ngacmonin marrëdhënien në atë kohë. Njëri ishte ideologjik. Stalini e shihte Maon si një “marksist të shpellave”, ndërsa Mao e shihte pasardhësin e Stalinit, Hrushovin, si intelektualisht inferior. Por tani që Rusia nuk është më komuniste (dhe as Kina nuk është, në kuptimin klasik), se kush ka autoritetin për të interpretuar marksizmin nuk është më një mollë sherri. Një element më pak doktrinar i bashkon Putinin dhe Xi-në: një obsesion për ruajtjen e regjimeve të tyre autoritare, një vendosmëri për t’i rezistuar forcave të demokracisë liberale dhe një besim në rënien amerikane.
Një tjetër çështje e Luftës së Ftohtë ishte çështja se si të merreshin me hegjemoninë amerikane. Hrushovi mbështeti “bashkëjetesën paqësore”; Mao preferonte përballjen agresive. Sot, Moska dhe Pekini bien dakord hapur për qëllimin e kundërshtimit të ndikimit të SHBA-së, edhe nëse ata miratojnë taktika të ndryshme. Në vitin 2022, në prag të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Putin dhe Xi publikuan një komunikatë të përbashkët në të cilën ata denoncuan “hegjemoninë” amerikane dhe u zotuan të “përparonin multipolaritetin”.
Ekziston gjithashtu një element i pamohueshëm njerëzor në partneritetin e sotëm. Mao dhe Hrushovi e përçmonin njëri-tjetrin. Putin dhe Xi, në të kundërt, bëjnë një shfaqje duke shkëmbyer përqafime dhe urime ditëlindjeje, duke bërë që disa analistë të deklarojnë një “vëllazëri strategjike”. “Unë kam një personalitet të ngjashëm me tuajin”, i tha Xi dikur Putinit. Siç kanë shkruar studiuesit Michael McFaul dhe Evan Medeiros , “Ata e pëlqejnë njëri-tjetrin – ose nëse nuk e pëlqejnë, janë shumë të mirë në të shtirur”.
Po, ka tensione. Është një partneritet i pabarabartë, duke pasur parasysh se ekonomia e Kinës është gati nëntë herë më e madhe se ajo e Rusisë dhe shumë më e diversifikuar. Xi kërkon ta përkulë rendin ndërkombëtar në favor të Kinës; Putini dëshiron ta thyejë atë. Të dhënat e votimit të të dy vendeve në Kombet e Bashkuara nuk janë të përafërta në mënyrë të përkryer. Kina po e nxjerr Rusinë nga Azia Qendrore. Spiunët kinezë po përpiqen në mënyrë aktive të vjedhin sekretet ushtarake ruse, dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë privatisht i quajnë kinezët “armik”. Kina e kundërshton ashpërsimin bërthamor të Rusisë. Partneriteti që Putini dhe Xi e cilësuan si “pa kufij” ka kufijtë e tij.
Por një fërkim i tillë është i zakonshëm për shumë aleanca dhe është i menaxhueshëm. Disa zyrtarë ende fantazojnë se Shtetet e Bashkuara mund të realizojnë një “Kissinger të kundërt” – duke e shkëputur Rusinë nga Kina në të njëjtën mënyrë siç administrata Nixon hodhi themelet për normalizimin e marrëdhënieve me Kinën në mënyrë që të balancohej kundrejt Bashkimit Sovjetik.
“Do të më duhet t’i shkëpus ata”, tha Presidenti Donald Trump para se të merrte detyrën për herë të dytë. Kjo është jorealiste. Ndryshe nga vitet 1970, nuk ka një ndarje për t’u shfrytëzuar.
Prandaj, strategjia e madhe e SHBA-së duhet të përshtatet me realitetin se dy fuqitë e mëdha euroaziatike kanë bashkuar forcat. Qëllimi duhet të jetë shmangia e shtyrjes së tyre më tej në krahët e njëra-tjetrës. Problemi, megjithatë, është se shumë nga mjetet e preferuara të Uashingtonit për të kufizuar një vend përfundojnë duke fuqizuar tjetrin ose duke i dhënë efekt të kundërt. Sanksionet ndaj Rusisë e kanë bërë atë të riorientojë ekonominë e saj drejt Kinës, duke u bërë më e varur prej saj si furnizuese mallrash, blerëse nafte dhe kanal për financim. Ngrirja e aseteve ruse të mbajtura në bankat perëndimore përshpejtoi përpjekjet e Kinës për të zvogëluar ekspozimin e saj ndaj dollarit amerikan. Kontrollet e eksportit të SHBA-së ndaj Kinës e kanë shtyrë atë të mbështetet më shumë te Rusia për energji dhe lëndë të para. Për më tepër, pengimi i luftës në një teatër domosdoshmërisht e zvogëlon atë në tjetrin; çdo dollar i shpenzuar për të mbrojtur Tajvanin është një dollar që nuk shpenzohet në Ukrainë. Të tilla janë dilemat e një kërcënimi të dyfishtë.
Në një botë me dy kundërshtarë, një burim tradicional i forcës amerikane bëhet edhe më i vlefshëm: sistemi i aleancës amerikane. Duke i mërzitur evropianët me Kinën, pushtimi i Ukrainës nga Putini, i kryer me mbështetjen e heshtur kineze, bëri atë që vite të tëra diplomacie amerikane nuk mundën ta bënin. Trump, me tarifat dhe kërcënimet e tij për të pushtuar Groenlandën, e ka rrezikuar t’jua jap këtë dhuratë strategjike. Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrin për të përmbajtur Kinën dhe Rusinë. Një ndarje rajonale e punës do t’u lejonte Shteteve të Bashkuara të prioritizonin Azinë pa braktisur Evropën – dhe, si një përfitim shtesë, do të zvogëlonte nevojën për llojin e presionit maksimal, të njëkohshëm që i bashkon Pekinin dhe Moskën.
Siç kanë bërë shpesh, Shtetet e Bashkuara duhet të kundërshtojnë revizionizmin kinez dhe rus, duke u kujdesur që të mos provokojnë kundërshtarët e tyre të armatosur bërthamorë. Por e vërteta e pakënaqshme është se duke pasur parasysh të gjitha dilemat e natyrshme në përballimin e kësaj sfide të dyfishtë, një element i rëndësishëm i çdo strategjie të suksesshme është durimi i thjeshtë. Rusia është një fuqi në rënie me një ekonomi me një truk të vetëm. Kina, megjithëse shumë më e fortë, është thellësisht në borxhe dhe po rritet ngadalë. Të dyja janë në rënie demografike afatgjatë. Të dyja kanë një lloj sistemi politik thelbësisht jopopullor. Të dyjave u mungojnë aleatë. Të dyja udhëhiqen nga “presidentë për jetë” në të shtatëdhjetat e tyre.
Koha favorizon Shtetet e Bashkuara, të cilat, pavarësisht trazirave aktuale, krenohen me burime të thella avantazhesh gjeografike, teknologjike, demografike dhe ekonomike. Siç e tha dikur ekonomisti Adam Smith, “Ka shumë rrënim në një komb”. [Përktheu: Dan GASHI]
Shënim: Stuart Reid është një bashkëpunëtor i lartë për historinë dhe politikën e jashtme dhe nënkryetar i asociuar i Studimeve në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR). Ai është autori i librit “Ploti Lumumba: Historia Sekrete e CIA-s dhe një Vrasje e Luftës së Ftohtë”. Libri, i botuar nga Knopf në vitin 2023, u emërua si zgjedhje e redaktorëve nga The New York Times Book Review, u rendit në listat e librave më të mirë të fundvitit të The New Yorker, The Economist dhe Financial Times, dhe u përzgjodh në listën e ngushtë për Çmimin e Historisë Cundill.
Para se të bëhej bashkëpunëtor i CFR, Reid ishte redaktor ekzekutiv në Foreign Affairs, ku punoi nga viti 2008 deri në vitin 2024. Ai ka shkruar për botime duke përfshirë The Atlantic, New York Times, Washington Post, Bloomberg Businessweek, Politico Magazine dhe Slate. Ai ka një diplomë BA në qeverisje nga Dartmouth College. Ai ka lindur në Ontario, është rritur në Ohio dhe tani jeton në New Jersey me gruan dhe fëmijët e tij.
