Nga Vigan QOROLLI, zv. Ministër dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës
Aktgjykimi i sotëm KO 325/25, i njohur si “rasti Rashiq”, hap një debat që shkon përtej një procedure parlamentare. Ai prek vetë raportin midis vullnetit demokratik, përfaqësimit komunitar dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese në rendin tonë institucional.
Pyetja që mbetet pezull është kjo: mbi çfarë logjike kushtetuese i jepet në thelb vetëm Listës Serbe privilegji për të prodhuar kandidatin “legjitim” për nënkryetar të Kuvendit?
Kushtetuta garanton përfaqësim të komunitetit, jo monopol politik brenda tij. Kur përfaqësimi reduktohet në një adresë të vetme partiake, rreziku është i qartë për demokracinë dhe themelet e shtetit të Kosovës.
I.
Ndërhyrja gjyqësore është e domosdoshme kur ajo e mbron Kushtetutën. Por kur interpretimi zgjerohet deri në pikën që sugjeron se si duhet të prodhohet kompromisi politik, lind një pyetje themelore për çdo demokraci: a po mbrohen rregullat apo po rishkruhen ato?
II.
Ne besojmë në shtetin e së drejtës, në ndarjen e pushteteve dhe në një Gjykatë Kushtetuese të fortë. Por po aq thelbësore është që autonomia e Kuvendit, si shprehja më e drejtpërdrejtë e sovranitetit qytetar/popullor, të mos ngushtohet përmes standardeve që nuk burojnë qartë nga teksti kushtetues.
III.
Vendimi sjell dy zhvillime që kërkojnë vëmendje.
Së pari, propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit përkatës serb trajtohet si element që prek legjitimitetin e konstituimit të Kuvendit.
Së dyti, “mirëbesimi” ngrihet nga një parim politik në një standard me efekt pothuajse detyrues. Edhe pa gjuhë urdhëruese, ndikimi i këtij interpretimi mund të duket si bërje e një “real-politike” nga ana e Gjykatës.
IV.
Mbrojtja e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë është vlerë themelore e Republikës sonë. Por përfaqësimi nuk duhet të kuptohet si uniformitet politik. Demokracia jeton nga pluralizmi, nga konkurrenca e ideve dhe nga liria e zgjedhjes, jo nga ngurtësimi i konfigurimeve politike.
V.
Ndërsa kërkohet mirëbesim nga aktorët politikë, duhet të kemi kujdes që vetë interpretimi kushtetues të mos krijojë pasiguri. Kur lind perceptimi se rregullat mund të ndryshojnë pas faktit, atëherë lëkundet besimi institucional, kapitali më i çmuar i çdo rendi demokratik.
VI.
Republika jonë bëhet më e fortë kur secili pushtet e ushtron rolin e vet me maturi: Gjykata duke garantuar Kushtetutën, Kuvendi duke reflektuar vullnetin qytetar dhe Qeveria duke mbrojtur funksionalitetin demokratik. Ekuilibri ndërmjet tyre nuk është vetëm parim juridik, por kusht për stabilitetin e shtetit. Demokracia nuk ka nevojë për pushtete që zëvendësojnë njëri-tjetrin, por për institucione që e forcojnë njëri-tjetrin.
VII.
Ka një vijë të hollë që ndan interpretimin nga uzurpimi i heshtur i hapësirës demokratike. Kur gjykata, me penën e interpretimit, fillon të shkruajë rregulla që Kushtetuta vetë nuk i ka guxuar t’i thotë, atëherë nuk kemi më drejtësi që flet, por pushtet që zgjerohet. Kjo është forma më elegante e “abus de droit”. Një përplasje e madhe me demokracinë, një zhvendosje e saj, centimetër pas centimetri, drejt një aktori politik si puna e Gjykatës, me atë çka bëri sot.
